Jehovai i shpërblen gjithnjë besnikët e tij
Jetëshkrim
Jehovai i shpërblen gjithnjë besnikët e tij
TREGUAR NGA VERNON DANKËM
Në darkë vonë, mbarova bukën dhe, si zakonisht, ndeza një cigare. Pastaj pyeta time shoqe, Ajlinin: «Si shkoi mbledhja sot?»
AJO bëri një pauzë dhe tha: «U lexua një letër që njoftonte caktimet e reja dhe u përmend emri yt. Të kanë caktuar shërbëtorin e akustikës. Fjalia e fundit në letër ishte: ‘Nëse ndonjë nga këta vëllezër të sapocaktuar është përdorues i duhanit, është i detyruar t’i shkruajë Shoqatës për të thënë se nuk mund ta pranojë caktimin.’» * U përgjigja me një ton të vendosur e të zgjatur: «Pa shiko! Kështu u tha, hë.»
Shtrëngova dhëmbët dhe e shuajta cigaren në tavllën që kisha afër. «Nuk e di përse më zgjodhën për këtë caktim, por unë nuk kam refuzuar kurrë ndonjë caktim deri më sot dhe nuk kam ndër mend të filloj tani.» Vendosa të mos pija kurrë më duhan. Ky vendim ndikoi thellë në jetën time si i krishterë dhe si muzikant. Më lejoni t’ju njoh me disa ngjarje që çuan në vendimin tim.
Jeta e hershme familjare
I lindur në Toronto, Kanada, më 21 shtator 1914, unë isha djali i madh i Vernonit dhe i Lilës, prindërve të dashur e punëtorë që rritën një familje me katër djem e dy vajza. Pas meje, në radhë sipas moshës, vinte Jorki, pastaj Orlandoja, Dagllasi, Ajlini dhe Korali. Kur isha nëntëvjeç, mamaja më vuri një violinë në dorë dhe e rregulloi që të merrja mësime muzike në Shkollën e Muzikës Harris. Gjërat nuk ishin të lehta, por mamaja dhe babai gjetën mënyra për të paguar biletat e transportit dhe pagesën në shkollë. Më vonë, studiova teori muzike dhe harmoni në
Konservatorin Mbretëror të Muzikës në Toronto dhe në moshën 12-vjeçare, hyra në një konkurs recital që bëhej për mbarë qytetin në Masi Holl, salla e famshme muzikore në qendër të qytetit. Më zgjodhën si fitues dhe më dhuruan një violinë shumë të mirë në një këllëf me lëkurë aligatori.Me kalimin e kohës mësova të luaj edhe në piano e në kontrabas. Shpesh, një grup ku bëja pjesë luante muzikë nëpër festa të vogla të premteve dhe të shtunave mbrëma, si edhe në mbrëmjet e vallëzimit të klubeve studentore. Në një nga këto mbrëmje vallëzimi takova për herë të parë Ajlinin. Gjatë vitit të fundit të shkollës së mesme, luajta me disa orkestra nëpër qytet. Pas diplomimit më ftuan të bashkohesha me Orkestrën e Ferdi Maurit dhe kjo qe një punë fitimprurëse dhe pa ndërprerje deri në vitin 1943.
Njoh Jehovain
Prindërit e mi u njohën për herë të parë me të vërtetën biblike para shpërthimit të Luftës I Botërore, kur babai punonte si rregullues vitrinash për një mapo në qendër të Torontos. Në dhomën e ngrënies, ai dëgjonte bisedat ndërmjet dy punëtorëve të tjerë që ishin Studentë të Biblës (siç njiheshin atëherë Dëshmitarët e Jehovait) dhe pastaj, kur vinte në mbrëmje në shtëpi, i tregonte mamasë atë që dëgjonte. Disa vjet më vonë, në vitin 1927, Studentët e Biblës mbajtën një kongres të madh në Toronto, te Koloseu në Sheshin e Qendrës Kombëtare Kanadeze të Panaireve. Shtëpia jonë, dy blloqe më tutje nga hyrja perëndimore e ndërtesës, u përdor për të strehuar 25 veta nga Ohajo, SHBA.
Pas kësaj, një Studente e Biblës, Ada Bletso, filloi t’i bënte vizita të shpeshta mamasë, duke i lënë literaturat e reja. Një ditë, i tha: «Znj. Dankëm, unë kam njëfarë kohe që ju lë literaturë. A keni lexuar ndonjë nga ato?» Ndonëse kishte gjashtë fëmijë për të rritur, mamaja vendosi të fillonte t’i lexonte revistat që nga ai moment e më tej, dhe nuk e la kurrë këtë zakon. Kurse unë nuk i kushtoja shumë vëmendje literaturës. Po përpiqesha të merrja diplomën në shkollë dhe isha shumë i përfshirë në muzikë.
Në qershor të vitit 1935, unë dhe Ajlini u martuam në një kishë anglikane. Meqë e kisha lënë Kishën e Bashkuar që kur isha 13 vjeç, nuk kisha ndonjë lidhje tjetër fetare, prandaj e firmosa regjistrin e martesës si Dëshmitar i Jehovait, ndonëse nuk isha ende Dëshmitar.
Kishim dëshirë që në një të ardhme të ngrinim familje dhe të ishim prindër të mirë. Kështu, filluam të lexonim së bashku Besëlidhjen e Re. Por, me gjithë qëllimet tona të mira, gjëra të tjera hynë në mes. U përpoqëm përsëri pak më vonë, por me të njëjtat rezultate. Pastaj, për Krishtlindje në vitin 1935, morëm një libër të mbështjellë si dhuratë, me titull Harpa e Perëndisë. Ime shoqe tha: «Oh, shiko çfarë dhurate të çuditshme për Krishtlindje që na ka dërguar mamaja jote!» Gjithsesi, pasi shkova në punë, ajo filloi ta lexonte librin dhe i pëlqeu. Për njëfarë kohe, unë s’dija asgjë për këtë. Sa për shpresat tona për të ngritur një familje, ato nuk u realizuan. Vajza jonë, e cila lindi më 1 shkurt 1937, nuk jetoi. Sa të pikëlluar që ishim!
Gjatë kësaj kohe, familja ime po merrte pjesë aktivisht në veprën e predikimit dhe mësova se në familje, babai ishte i vetmi lajmëtar i Mbretërisë që nuk kishte lënë ende një pajtim për revistën Ngushëllim (tani Zgjohuni!). Ky ishte synimi në shërbimin në fushë për atë muaj. Ndonëse nuk kisha lexuar ende asnjë nga botimet e Shoqatës, më erdhi keq për babanë dhe i thashë: «Mirë, baba, më shëno mua dhe do të kesh edhe ti një pajtim si të tjerët.» Erdhi vera dhe orkestra u transferua jashtë qytetit, për të luajtur muzikë në një vend pushimi. Ngushëllimi erdhi me postë. Erdhi vjeshta dhe orkestra u transferua përsëri në Toronto. Revistat vazhduan të vinin në adresën tonë të re dhe unë nuk kisha hapur as edhe njërën prej tyre.
Gjatë një pushimi për Krishtlindje, i hodha një sy grumbullit me revista dhe thashë me vete se, meqë i paguaja, të paktën duhet të lexoja disa prej tyre dhe të shikoja çfarë thoshin. E para që hapa më habiti. Ishte një paraqitje e intrigave politike dhe e korrupsionit që ekzistonte në atë kohë. Fillova të flitja me muzikantët e tjerë për atë që po lexoja. Por ata e vunë në dyshim vërtetësinë e Mateu 24:45.
asaj që po thosha, kështu që më duhej të vazhdoja të lexoja për t’u mbrojtur. Pa dashje, kisha filluar të dëshmoja për Jehovain. Dhe, që nga ajo kohë, nuk kam pushuar kurrë së lexuari botimet e mrekullueshme biblike të ‘skllavit të besueshëm dhe të matur’.—Ndonëse puna më mbante të zënë gjatë javës, shpejt isha duke ndjekur mbledhjet e së dielës së bashku me Ajlinin. Një të diel në vitin 1938, sapo mbërritëm për mbledhjen, dy motra të moshuara na përshëndetën dhe njëra prej tyre më tha: «Vëlla i ri, a e ke marrë qëndrimin në anën e Jehovait? Shiko, Harmagedoni është prapa derës!» E dija se Jehovai është Perëndia i vetëm i vërtetë dhe isha i bindur se kjo është organizata e tij. Doja të isha pjesë e saj, kështu që më 15 tetor 1938, u pagëzova. Ajlini u pagëzua rreth gjashtë muaj më vonë. Jam i lumtur të them se të gjithë në familjen time u bënë shërbëtorë të dedikuar të Jehovait.
Çfarë kënaqësie provova duke u shoqëruar me popullin e Perëndisë! Shpejt, mes tyre u ndjeva si në shtëpi. Kur nuk i ndiqja dot mbledhjet, isha gjithnjë i etur të dija çfarë ishte bërë në to. Mbrëmja e veçantë që përmenda në fillim, doli se ishte një pikë kthese në shërbimin tim ndaj Jehovait.
Një kohë me ndryshime të mëdha për ne
Një rregullim tjetër domethënës ndodhi më 1 maj 1943. Kishim ndjekur kongresin e parë të madh për ne, Asamblenë Teokratike të Botës së Re, të mbajtur në shtator 1942 në Klivlend, Ohajo. Atje, tamam në mes të një lufte të tmerrshme botërore, së cilës nuk i dukej ende fundi, dëgjuam vëllanë Nor, atëherë president i Shoqatës Watch Tower, që mbajti me guxim fjalimin publik mjaft tërheqës: «Paqja: A mund të zgjatë?» Na kujtohet mirë se si tregoi nga Zbulesa, kapitulli 17, se pas luftës do të kishte një periudhë paqeje, në të cilën do të kryhej një vepër e madhe predikimi.
Ajo që na preku më shumë ishte një fjalim i mëparshëm që kishte mbajtur vëllai Nor, «Jeftai dhe betimi i tij». Pas kësaj, u bë thirrja për më shumë pionierë. Unë dhe Ajlini pamë njëri-tjetrin dhe thamë njëzëri (bashkë me shumë të tjerë në atë kohë): «Kjo është për ne!» Menjëherë filluam të bënim plane për të vazhduar me një vepër më të rëndësishme.
Në Kanada ishte vënë ndalim për veprën e Dëshmitarëve të Jehovait që nga 4 korriku i vitit 1940. Kur filluam të shërbenim si pionierë, më 1 maj 1943, ishte ende e paligjshme të dëshmoje për Jehovain dhe të ofroje literaturë të Shoqatës në shërbimin në fushë. Duke shërbyer si të krishterë, mbanim me vete vetëm kopjen personale të përkthimit King Xhejms të Biblës. Vetëm disa ditë pasi mbërritëm në caktimin e parë si pionierë në Parri Saund, Ontario, zyra e degës dërgoi Stjuart Manin, një pionier me përvojë, që të punonte në territor me ne. Sa masë e dashur! Vëllai Man kishte një sjellje të këndshme dhe një buzëqeshje të gatshme. Nga ai mësuam shumë dhe ia kaluam shumë mirë. Ishim duke drejtuar disa studime biblike kur Shoqata na caktoi në qytetin Hamilton. Jo shumë kohë më pas, ndonëse e kisha kaluar moshën për ushtri, më erdhi fletëthirrja. Ngaqë refuzova të shkoja ushtar, më arrestuan më 31 dhjetor 1943. Pasi u bënë formalitetet gjyqësore, më dënuan me shërbim alternativ kampi, ku qëndrova deri në gusht 1945.
Pas lirimit, unë dhe Ajlini morëm menjëherë caktimin si pionierë që na çoi në Kornuoll, Ontario. Pak kohë më pas, shkuam në Kuebek, me një leje të veçantë gjyqësore të policisë nga Reparti Ligjor i Shoqatës. Kjo ishte gjatë epokës së Dyplesisë
në Kuebek, kur persekutimi i Dëshmitarëve të Jehovait ishte veçanërisht intensiv. Për një pjesë të mirë të javës, isha çdo ditë në katër gjyqe të ndryshme, duke ndihmuar vëllezërit. Ato ishin kohë emocionuese dhe besimforcuese.Pas kongresit në Klivlend, në vitin 1946, na dhanë caktime në veprën qarkore dhe krahinore, të cilat na çuan, mua dhe gruan, nga një breg në tjetrin. Gjërat po ndodhnin shpejt. Në vitin 1948, na ftuan në klasën e 11-të të Shkollës Biblike Watchtower të Galaadit. Vëllezërit Albert Shroder dhe Maksuell Frend ishin dy nga instruktorët tanë dhe klasa jonë me 108 studentë përfshinte 40 të mirosur. Me kaq shumë shërbëtorë të Jehovait nga një kohë e gjatë, kjo përvojë ishte vërtet e pasur dhe shpërblyese.
Një ditë, vëllai Nor na vizitoi nga Bruklini. Në fjalimin e tij ai kërkoi 25 vullnetarë që të mësonin gjuhën japoneze. Që të 108 dolën vullnetarë! Mbeti detyra e presidentit të zgjidhte se kush do të merrte mësime për gjuhën. Mendoj se Jehovai e udhëhoqi zgjedhjen, sepse doli shumë mirë. Shumë nga 25 misionarët që u zgjodhën e që më vonë patën privilegjin të hapnin veprën në Japoni, janë ende në caktimet e tyre, të moshuar vërtet, por ende atje. Disa, si Llojd e Melba Berri, u transferuan në caktime të tjera. Llojdi ishte anëtar i Trupit Udhëheqës deri kur vdiq, vitin e kaluar. Gëzohemi me të gjithë ata në shpërblimin që u ka dhënë Jehovai.
Erdhi dita e diplomimit dhe na caktuan në Xhamajkë. Megjithatë, për shkak të çështjeve të pazgjidhura gjyqësore në Kuebek, na udhëzuan të riktheheshim në Kanada.
Edhe më shumë muzikë!
Ndonëse e lashë mënjanë muzikën për shërbimin e pionierit, dukej se ishte muzika që nuk më la mua. Vitin që pasoi, presidenti i Shoqatës, Neithën Nor, dhe sekretari i tij, Milton Henshel, erdhën në Mapël Lif Gardëns, në Toronto. Fjalimi publik i vëllait Nor me titull «Është më vonë se sa mendoni!» i elektrizoi të gjithë. Për herë të parë, më ftuan të drejtoja orkestrën e kongresit. Përgatitëm aranzhime vals për disa këngë të njohura në Librin e këngëve për shërbimin e Mbretërisë (1944). U duk se vëllezërit e pëlqyen. Kur mbaroi programi të shtunën në mbrëmje, po provonim edhe një herë programin që kishim planifikuar për të dielën. Më zunë sytë vëllanë Henshel që po vinte përgjatë podiumit të sallës në drejtimin tonë dhe e ndala orkestrën që të shkoja ta takoja. Ai më pyeti: «Sa muzikantë ke në këtë orkestër?» «Kur janë të gjithë të pranishëm, rreth 35»,—iu përgjigja. «Mirë, në Nju-Jork, verën që vjen, do të kesh dyfishin e tyre»,—m’u përgjigj ai.
Gjithsesi, para se të mbërrinte vera, më ftuan në Bruklin. Për shkak të rrethanave, fillimisht Ajlini nuk mundi të vinte me mua. Ndërtesa e re, Kolumbia Haits 124, nuk ishte përfunduar ende, kështu që më caktuan të flija në ndërtesën fillestare të Bethelit, në një dhomë të vogël së bashku me dy vëllezër të mirosur: me vëllanë e moshuar Pejn dhe me Karl Klainin, të cilin po e takoja për herë të parë. A ishte ngushtë? Po. Megjithatë, ia kaluam shumë mirë bashkë. Vëllezërit më të moshuar ishin shpirtgjerë dhe të duruar. Unë vetëm përpiqesha të mos i pengoja. Ishte një mësim i vlefshëm që më tregoi çfarë mund të bëjë fryma e Perëndisë. Takimi dhe puna me vëllanë Klain më sollën shumë bekime. Ai ishte gjithnjë dashamirës dhe i gatshëm të më ndihmonte. Punuam mirë së bashku dhe kemi mbetur miq të ngushtë për më shumë se 50 vjet.
Ishte privilegji im të ndihmoja me muzikën në kongreset e mbajtura në stadiumin Jenki në vitet 1950, 1953, 1955 dhe 1958, si edhe të kisha përgjegjësi orkestrale, së bashku me Al Kavelinin, në kongresin e vitit 1963, të mbajtur në Rose Bowl, në Pasadena, Kaliforni. Gjatë kongresit të vitit 1953 në stadiumin Jenki, të dielën para fjalimit publik u paraqit një program muzikor. Erik Frosti prezantoi Edit Shemionikun (më vonë Vaigand), një soprano, e cila këndoi këngën që kishte kompozuar ai «Përpara, ju Dëshmitarë!», të shoqëruar nga orkestra jonë. Pastaj u drithëruam kur dëgjuam, për herë të parë, zërat e larmishëm e të bukur të vëllezërve e motrave afrikanë. Misionari Harri Arnot kishte sjellë një kasetë të bukur të incizuar nga Rodezia Veriore (tani Zambia) për kënaqësinë tonë. Tingujt mbushën gjithë stadiumin.
Incizojmë Librin e këngëve 1966
A ju kujtohet libri i këngëve me kapak ngjyrë rozë, «Këndoni dhe shoqërojeni këngën me muzikë në zemër»? Kur po bëheshin përgatitjet e fundit për këtë libër, vëllai Nor tha: «Do të bëjmë disa incizime. Dua që të krijosh një orkestër të vogël, vetëm disa violina dhe nja dy flaute. Nuk dua asnjë që ‘t’i bjerë trombës’!» Salla e Mbretërisë në Bethel do të ishte studioja jonë, por kishte disa probleme për përdorimin e saj. Çfarë do të ndodhte kur tingujt të përplaseshin me muret pa perde, dyshemenë me pllaka dhe karriget metalike portative? Kush do të na ndihmonte të zgjidhnim këto probleme të pakëndshme akustike? Dikush sugjeroi: «Tomi Miçëlli! Ai punon në Studiot ABC Network.» U vumë në kontakt me vëllanë Miçëll, i cili ishte i kënaqur të na ndihmonte.
Mëngjesi i parë i së shtunës për incizim erdhi dhe, ndërsa muzikantët po paraqiteshin, një nga vëllezërit kishte me vete këllëfin e trombonit. M’u kujtua paralajmërimi i vëllait Nor: «Nuk dua asnjë që ‘t’i bjerë trombës’!» Ç’të bëja tani? Pashë ndërsa vëllai e nxori trombonin nga këllëfi, fiksoi në vend pjesën e rrëshqitshme dhe filloi të bënte nxehjen. Vëllai ishte Tom Miçëlli dhe notat e para që nxori ishin të bukura. E bëri trombonin të nxirrte muzikë si violinë! Mendova: ‘Ky vëlla duhet të qëndrojë!’ Vëllai Nor nuk kundërshtoi asnjëherë.
Në atë orkestër, kishim një grup muzikantësh të shkëlqyer, të cilët ishin edhe vëllezër e motra shumë të dashur. Nuk kishte asnjë që merrte zjarr shpejt. Incizimi ishte një punë e lodhshme, por nuk pati ankesa. Kur puna mbaroi, të gjithë u ndanë me lot në sy dhe mes atyre që morën pjesë në orkestër mbeti një lidhje e fortë miqësie. Secili prej nesh u kënaq me privilegjin dhe, falë Jehovait, arritëm ta bënim punën.
Privilegje të tjera shpërblyese
Pas kaq shumë vjetësh, vazhdoj të kënaqem në shërbimin e plotkohor. Kam pasur 28 vjet caktime në veprën e qarkut dhe atë krahinore dhe, secili prej tyre ka qenë i kënaqshëm. Këto u pasuan nga pesë vjet në administrimin e Sallës së Asambleve Norval në Ontario. Duke pasur asamble qarkore çdo fundjavë, si edhe kongrese krahinore në gjuhë të huaja, unë dhe Ajlini ishim të zënë me punë. Në vitet 1979-1980, arkitektët dhe inxhinierët përdorën ndërtesat në Sallën e Asambleve, ndërsa bënin projektin e degës së re të Shoqatës në Halton Hills. Pas punës në Sallën e Asambleve, një caktim tjetër çoi në një pjesëmarrje të mëtejshme në fushën e muzikës në Bruklin, nga viti 1982 deri në vitin 1984.
Gruaja ime e dashur vdiq më 17 qershor 1994, vetëm shtatë ditë pas përvjetorit të 59-të të martesës sonë. Kishim përfunduar 51 vjet shërbimi të përkushtuar si pionierë së bashku.
Ndërsa meditoj për përvojat e shumta në jetë, më kujtohet se si Bibla ka qenë një udhërrëfyese shumë e çmuar. Disa herë, përdor Biblën personale të Ajlinit dhe gjej shumë kënaqësi duke vërejtur çfarë ia prekte zemrën: vargje të tëra, fraza specifike dhe fjalë të veçuara që i kishte shënuar. Si Ajlini, edhe unë kam disa shkrime që kanë një domethënie të veçantë për mua. Një fragment është Psalmi i 137-të, që shpreh këtë lutje të bukur drejtuar Jehovait: «Mos qofsha kurrë më në gjendje të luaj harpën nëse të harroj ty, Jerusalem! Mos qofsha kurrë më në gjendje të këndoj nëse nuk të kujtoj ty, nëse nuk mendoj për ty si për gëzimin tim më të madh!» (Psalmi 137:5, 6, Today’s English Version) Ndonëse e dua muzikën, gëzimin më të madh e kam duke i shërbyer me besnikëri Jehovait, i cili më ka shpërblyer me një jetë të mbushur e të kënaqshme.
[Shënimi]
^ par. 5 Kulla e Rojës, 1 qershor 1973, anglisht, shpjegonte përse që nga ai moment e më tej një personi do t’i duhej të linte duhanin para se të pagëzohej dhe të bëhej Dëshmitar i Jehovait.
[Figura në faqen 28]
Me Ajlinin në vitin 1947
[Figura në faqen 30]
Në një nga sesionet e para të incizimit