Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

«Kohët e rivendosjes» janë afër!

«Kohët e rivendosjes» janë afër!

«Kohët e rivendosjes» janë afër!

Pak kohë para se Jezui të ngjitej në qiell, disa nga dishepujt e tij besnikë e pyetën: «Zotëri, në këtë kohë po ia rivendos mbretërinë Izraelit?» Përgjigjja e Jezuit la të nënkuptohej se do të kalonte njëfarë kohe para se të vinte Mbretëria. Gjatë asaj kohe, ithtarët e tij do të kishin një vepër të madhe për të kryer. Ata duhej të ishin dëshmitarë të Jezuit «si në Jerusalem, ashtu edhe në mbarë Judenë, Samarinë e deri në skajin më të largët të tokës».​—Veprat 1:6-8.

KY CAKTIM nuk do të mund të kryhej për disa ditë, javë ose muaj. Gjithsesi, pa as më të voglin ngurrim, dishepujt filluan të predikonin. Por nuk e humbën interesin për rivendosjen. Apostulli Pjetër i foli për këtë një turme të madhe të mbledhur në Jerusalem, duke thënë: «Pendohuni dhe kthehuni që të fshihen mëkatet tuaja, që nga personi i Jehovait të vijnë stinë freskuese e që ai të dërgojë Krishtin e emëruar për ju, Jezuin, të cilin vërtet duhet ta mbajë brenda vetes qielli deri në kohët e rivendosjes së të gjitha gjërave, për të cilat Perëndia foli nëpërmjet gojës së profetëve të tij të shenjtë të lashtësisë.»​—Veprat 3:19-21.

Këto ‘kohë të rivendosjes’ duhej të sillnin «stinë freskuese» nga Jehovai. Rivendosja e parathënë do të vinte në dy etapa. Së pari, do të kishte një rivendosje freskuese frymore, e cila tani është në vazhdim. Së dyti, kjo do të pasohej nga vendosja e një parajse fizike në tokë.

Fillon koha e rivendosjes

Siç ia theksoi apostulli Pjetër asaj turme në Jerusalem, qielli ‘e mbajti Jezuin brenda vetes’. Kjo ndodhi deri në vitin 1914, kur Jezui mori pushtetin mbretëror dhe filloi të sundojë si Mbreti i caktuar i Perëndisë. Pjetri paratha se në atë kohë Jehovai do të ‘dërgonte’ Birin e tij, në kuptimin që Ai do ta lejonte Jezuin të kryente rolin e tij si figura qendrore në qëllimet e Perëndisë. Bibla e përshkruan ngjarjen me gjuhë simbolike: «Dhe [organizata qiellore e Perëndisë] lindi një fëmijë, një mashkull, [Mbretërinë e Perëndisë në duart e Jezu Krishtit] i cili ka për t’i kullotur të gjitha kombet me një shkop të hekurt.»​—Zbulesa 12:5.

Por kombet nuk kishin ndër mend t’i nënshtroheshin sundimit të Krishtit. Në vend të kësaj, u sulën mbi nënshtetasit e tij besnikë tokësorë, të njohur sot si Dëshmitarët e Jehovait. Ashtu si pararendësit e tyre apostolikë, Dëshmitarët kishin ndërmarrë pa ngurrim «veprën e dhënies së dëshmisë për Jezuin». (Zbulesa 12:17) Kundërshtimi ndaj veprës që po bënin këta të krishterë të vërtetë shpërtheu nga një vend në tjetrin. Në vitin 1918, anëtarët përgjegjës të personelit të selisë botërore të Shoqatës Watch Tower në Bruklin, Nju-Jork, i nxorën në gjyq me akuza të sajuara dhe i dënuan me burgime të gjata. Për njëfarë kohe, u duk se vepra moderne e dëshmisë «deri në skajin më të largët të tokës» do të dështonte.​—Zbulesa 11:7-10.

Megjithatë, në vitin 1919, anëtarët e burgosur të personelit të selisë qendrore i liruan dhe më vonë i shfajësuan nga të gjitha akuzat e rreme. Ata nuk humbën kohë dhe e rinisën veprën e rivendosjes frymore. Që nga ajo kohë, populli i Jehovait ka gëzuar begati frymore të paparë ndonjëherë.

U ndërmor një fushatë e zgjeruar për t’u mësuar njerëzve të të gjitha kombeve që të zbatojnë gjërat që u kishte urdhëruar Krishti ithtarëve të tij të bënin. (Mateu 28:20) Sa freskuese ishte të shihje disa që më përpara kishin shfaqur karakteristika ngjashëm kafshëve, të ndryshonin pikëpamjen e tyre! Ata zhveshën personalitetin e vjetër, i cili prodhon tipare të tilla, si ‘zemërim’, ‘sharje’ e ‘të folur të ndyrë’ dhe veshën personalitetin e ri, «i cili nëpërmjet njohurisë së saktë po rinohet sipas shëmbëlltyrës së [Perëndisë] që e krijoi». Në një kuptim frymor, fjalët e profetit Isaia po përmbushen edhe tani: «Ujku [një person që më përpara shfaqte karakteristikat e një ujku] do të banojë bashkë me qengjin [një person që shfaq prirje të butë] dhe leopardi do të rrijë me kecin, viçi, luani i vogël dhe bagëtia e majmur do të rrinë bashkë.»​—Kolosianëve 3:8-10; Isaia 11:6, 9.

Rivendosja e mëtejshme është afër!

Përveç rivendosjes që sot ka sjellë si rezultat një parajsë frymore, po afrohet me të shpejtë koha kur planeti ynë do të bëhet një parajsë fizike. Një pjesë e vogël e tokës ishte parajsë kur Jehovai vendosi në kopshtin e Edenit paraardhësit tanë, Adamin dhe Evën. (Zanafilla 1:29-31) Ja përse mund të themi që Parajsa do të rivendoset. Por, para se të ndodhë kjo, toka duhet çliruar nga feja e rreme që çnderon Perëndinë. Elementët politikë të kësaj bote do të kujdesen për këtë punë. (Zbulesa 17:15-18) Pastaj, elementët politikë e tregtarë, së bashku me ata që i mbështetin, do të shkatërrohen. Përfundimisht, kundërshtarët e fundit të Perëndisë, Satana Djalli dhe demonët e tij, do të mbyllen për një mijë vjet, aq sa do të zgjatë projekti i rivendosjes. Gjatë asaj kohe, «shkretëtira dhe toka e thatë do të gëzohen, vetmia do të gëzohet dhe do të lulëzojë si trëndafili». (Isaia 35:1) E gjithë toka do të jetë e lirë nga shqetësimet. (Isaia 14:7) Edhe miliona personat që kanë vdekur do të rikthehen në jetën në tokë. Të gjithë do të përjetojnë dobitë rivendosëse të flijimit shpërblyes. (Zbulesa 20:12-15; 22:1, 2) Në tokë nuk do të ketë më të verbër, të shurdhër ose të gjymtuar. «Asnjë banor i qytetit nuk do të thotë: ‘Unë jam i sëmurë.’» (Isaia 33:24) Pak kohë pas mbarimit të Mbretërimit Mijëvjeçar të Krishtit, Djalli dhe demonët e tij do të çlirohen për një periudhë të shkurtër kohe dhe do të shohin si është përmbushur qëllimi i Perëndisë për tokën, deri në atë pikë. Përfundimisht, ata do të shkatërrohen përgjithnjë.​—Zbulesa 20:1-3.

Kur toka të arrijë fundin e një mijë vjetëve të rivendosjes, «çdo gjë që merr frymë» do të lavdërojë Jehovain dhe do ta bëjnë këtë për gjithë përjetësinë. (Psalmi 150:6) A do të jeni mes tyre? Ju mund të jeni.