Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një kërkim i gjatë shpërblehet

Një kërkim i gjatë shpërblehet

Një kërkim i gjatë shpërblehet

«JEHOVAI? Kush është Jehovai?» Silvia tetëvjeçare e kishte parë emrin në një Bibël armenisht, një thesar i familjes që ia kishte treguar një vajzë tjetër e vogël. Pyeti rreth e qark, por askush në Jerevan, Armeni, ku jetonte ajo, nuk dinte t’i thoshte kush është Jehovai: as prindërit, as mësuesit, as edhe shërbëtorët fetarë të kishës vendase.

Silvia u rrit, mbaroi shkollën dhe filloi punën, por ende nuk e dinte kush është Jehovai. Kur ishte në moshë të re, asaj iu desh të ikte nga Armenia dhe pas ca kohësh përfundoi në Poloni, duke jetuar në një dhomë të vogël, së bashku me refugjatë të tjerë. Një nga banoret e dhomës kishte rregullisht vizitorë. «Cilët janë këta miqtë e tu?»​—e pyeti Silvia. «Janë Dëshmitarët e Jehovait, që janë këtu për të më mësuar Biblën»,​—ishte përgjigjja.

Silvias iu drodh zemra kur dëgjoi emrin Jehova. Më në fund, filloi të mësonte kush është Jehovai dhe sa Perëndi i dashur që është. Por, shpejt iu desh ta linte Poloninë. Kërkoi strehim në Danimarkë, përgjatë Detit Balltik. Kishte me vete pak gjëra materiale, por mes tyre ishte literatura biblike e botuar nga Dëshmitarët e Jehovait. Në faqen e fundit të një botimi, Siliva gjeti një listë adresash të zyrave të degëve të Shoqatës Watch Tower. Ky botim ishte një nga zotërimet e saj më të rëndësishme, spiranca e shpëtimit për te Jehovai!

Në Danimarkë, Silvian e çuan në një kamp refugjatësh dhe menjëherë filloi të kërkonte Dëshmitarët e Jehovait. Nga lista e adresave e dinte se zyra e degës së Shoqatës Watch Tower në Danimarkë gjendej në qytetin Holbek. Por ku ishte ky qytet? Silvian e transferuan me tren në një kamp tjetër dhe, rrugës për atje, treni kaloi nga Holbeku. Edhe një herë, zemra e saj u drodh nga gëzimi.

Jo shumë kohë pas kësaj, një ditë plot diell, Silvia i hipi trenit për në Holbek dhe eci më këmbë nga stacioni deri në zyrën e degës. Ajo kujton: «Kur hyra në lulishten përpara ndërtesës, u ula në një stol dhe thashë me vete: ‘Kjo është parajsa!’» Në zyrën e degës e pritën me ngrohtësi dhe më në fund arriti të kishte studimin e saj biblik.

Por vijuan disa transferime të tjera. Që nga qendrat e njëpasnjëshme të refugjatëve, Silvias i duhej të gjente Dëshmitarët e Jehovait dhe ta fillonte studimin e Biblës gjithnjë nga e para. Gjithsesi, pas dy vjetësh kishte mësuar mjaft sa t’ia dedikonte jetën Jehovait. U pagëzua dhe shpejt pas kësaj hyri në shërbimin e plotkohor. Në vitin 1998, autoritetet daneze i dhanë strehim.

Tani Silvia është 26 vjeçe dhe shërben në vendin që i solli ndër mend parajsën, në zyrën e degës së Dëshmitarëve të Jehovait në Danimarkë. «Ç’mund të them?​—thotë ajo tani.​—E kam kërkuar Jehovain që kur isha e vogël. Tani e kam gjetur. Kisha ëndërruar ta kaloja jetën në shërbimin e tij dhe ja ku jam këtu në Bethel. Lutem që kjo të jetë shtëpia ime për vitet që do të vijnë!»