Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Trashëgimia jonë e çmuar: Çfarë do të thotë për ju?

Trashëgimia jonë e çmuar: Çfarë do të thotë për ju?

Trashëgimia jonë e çmuar: Çfarë do të thotë për ju?

«Ejani, ju që u bekuat nga Ati im, trashëgoni mbretërinë e përgatitur për ju që nga themelimi i botës.»​—MATEU 25:34.

TË GJITHË njerëzit kanë trashëguar disa gjëra. Për disa, trashëgimia mund të përfshijë një mënyrë të rehatshme jetese nga ana materiale. Për të tjerë, përfshin një jetë në varfëri. Në disa raste, brezat e mëparshëm, për shkak të asaj që kanë përjetuar ose dëgjuar, kanë lënë si trashëgimi një urrejtje të madhe kundër një grupi tjetër etnik. Gjithsesi, që të gjithë kemi një gjë të përbashkët. Që të gjithë kemi marrë mëkatin si trashëgimi nga njeriu i parë, Adami. Kjo trashëgimi në fund çon në vdekje.​—Predikuesi (Eklisiastiu) 9:2, 10; Romakëve 5:12.

2 Si një Atë i dashur qiellor, Jehovai fillimisht i ofroi njerëzimit një trashëgimi shumë të ndryshme: jetën e përhershme në përsosmëri, në Parajsë. Prindërve tanë të parë, Adamit dhe Evës, iu dha një fillim i përsosur, pa mëkat. Perëndia Jehova i dha njerëzimit si dhuratë planetin Tokë. (Psalmi 115:16) U siguroi kopshtin e Edenit si një model të asaj që mund të bëhej i gjithë globi dhe u dha prindërve tanë të parë një caktim të mrekullueshëm e tërheqës. Ata duhej të lindnin fëmijë, të kujdeseshin për tokën, për të gjitha bimët e kafshët e saj të shumëllojshme, dhe t’i shtrinin kufijtë e Parajsës në mbarë globin. (Zanafilla 1:28; 2:8, 9, 15) Pasardhësit e tyre do të merrnin pjesë në këtë. Sa trashëgimi të mrekullueshme që do të mund t’u kalonin atyre!

3 Por, për të gëzuar gjithë këtë, Adami, Eva dhe pasardhësit e tyre duhej të kishin një marrëdhënie të mirë me Perëndinë. Ata i detyroheshin Jehovait me dashurinë dhe bindjen e tyre, por Adami dhe Eva nuk arritën të çmonin atë që u kishte dhënë Perëndia dhe nuk iu bindën urdhërimit të tij. Ata e humbën shtëpinë Parajsore dhe perspektivat e lavdishme që Perëndia u kishte vënë përpara. Prandaj, nuk mundën t’ua kalonin këto perspektiva pasardhësve të tyre.​—Zanafilla 2:16, 17; 3:1-24.

4 Me mëshirë, Jehovai mori masa që pasardhësit e Adamit dhe të Evës të kishin mundësinë për të marrë trashëgiminë që humbi Adami. Si? Në kohën e caktuar të Perëndisë, Biri i tij, Jezu Krishti, dha jetën e përsosur njerëzore në dobi të pasardhësve të Adamit. Në këtë mënyrë, Krishti i bleu që të gjithë ata. Megjithatë, trashëgimia nuk bëhet vetvetiu e tyrja. Atyre u nevojitet një qëndrim i miratuar para Perëndisë, të cilin mund ta fitojnë duke ushtruar besim në vlerën mëkatshlyese të flijimit të Jezuit dhe duke e treguar këtë besim me anë të bindjes. (Gjoni 3:16, 36; 1 Timoteut 2:5, 6; Hebrenjve 2:9; 5:9) A tregon mënyra juaj e jetesës çmueshmëri për këtë masë?

Një trashëgimi që kaloi nëpërmjet Abrahamit

5 Ndërsa përmbushte qëllimin e tij për tokën, Jehovai e trajtoi në një mënyrë të veçantë Abrahamin. E udhëzoi këtë burrë besnik që të largohej nga vendi i tij dhe të transferohej në një vend që vetë Perëndia do t’ia tregonte. Abrahami u bind me gatishmëri. Pasi Abrahami mbërriti atje, Jehovai tha se tokën do ta merrte si trashëgimi jo vetë Abrahami, por pasardhësit e tij. (Zanafilla 12:1, 2, 7) Si reagoi Abrahami? Ishte i gatshëm t’i shërbente Jehovait kudo dhe sido që ta udhëzonte Ai, në mënyrë që pasardhësit e tij të merrnin trashëgiminë. Abrahami i shërbeu Jehovait për 100 vjet derisa vdiq, në një vend që nuk ishte i tiji. (Zanafilla 12:4; 25:8-10) A do ta kishit bërë ju këtë? Jehovai tha se Abrahami ishte ‘miku’ i tij.​—Isaia 41:8.

6 Abrahami kishte pritur shumë vjet për të pasur një bir, Isakun, të cilin e donte shumë. Kur djali, me sa duket, ishte në moshën e rinisë, Jehovai e udhëzoi Abrahamin që ta merrte dhe ta ofronte si flijim. Abrahami nuk e dinte se me këtë do të demonstronte atë që do të bënte vetë Perëndia duke dhënë Birin e vet si shpërblesë, megjithatë, u bind dhe gati po e ofronte Isakun si flijim, mirëpo, engjëlli i Jehovait e ndaloi. (Zanafilla 22:9-14) Jehovai kishte thënë tashmë se premtimet që i kishte bërë Abrahamit do të përmbusheshin nëpërmjet Isakut. Kështu, Abrahami qartësisht kishte besim se, po të ishte e nevojshme, Perëndia mund ta sillte prapë në jetë Isakun, ndonëse një gjë e tillë nuk kishte ndodhur kurrë më parë. (Zanafilla 17:15-18; Hebrenjve 11:17-19) Duke qenë se Abrahami nuk kurseu as birin e vet, Jehovai deklaroi: «Me anë të farës sate do të bekohen me siguri të gjitha kombet e tokës.» (Zanafilla 22:15-18, BR) Kjo tregoi se Fara e përmendur te Zanafilla 3:15, çlirimtari Mesianik, do të vinte nga linja familjare e Abrahamit. Sa trashëgimi e çmuar për t’ua kaluar të tjerëve!

7 Abrahami nuk e dinte domethënien e asaj që Jehovai po bënte në atë kohë. As biri i tij, Isaku, as nipi, Jakobi, të cilët u bënë «trashëgimtarë me atë të po të njëjtit premtim», nuk e dinin. Por që të gjithë patën besim te Jehovai. Nuk u lidhën me asnjë qytet-mbretëri në atë vend, sepse pritnin diçka më të mirë, «qytetin që ka themele të vërteta, ndërtuesi dhe bërësi i të cilit është Perëndia». (Hebrenjve 11:8-10, 13-16) Gjithsesi, jo të gjithë pasardhësit e Abrahamit e kuptuan vlerën e çmuar të trashëgimisë që ishte në dispozicion nëpërmjet Abrahamit.

Disa që e përçmuan trashëgiminë

8 Esau, djali i madh i Isakut, nuk arriti ta çmonte të drejtën e tij si i parëlindur që ishte. Ai nuk i vlerësonte gjërat e shenjta. Kështu, një ditë kur ishte i uritur, Esau ia shiti të drejtën si i parëlindur vëllait të tij, Jakobit. Për çfarë? Në shkëmbim të një cope buke dhe të një gjelle me thjerrëza! (Zanafilla 25:29-34; Hebrenjve 12:14-17) Kombi nëpërmjet të cilit do të përmbusheshin premtimet që Perëndia i bëri Abrahamit erdhi nga Jakobi, emrin e të cilit Perëndia e ndryshoi në Izrael. Çfarë mundësish u krijoi atyre kjo trashëgimi e veçantë?

9 Gjatë një periudhe me zi buke, Jakobi dhe familja e tij u transferuan në Egjipt. Atje u shumëzuan dhe u bënë të shumtë në numër, por u bënë edhe skllevër. Megjithatë, Jehovai nuk e harroi besëlidhjen e tij me Abrahamin. Në kohën e vet të caktuar, Perëndia i çliroi bijtë e Izraelit nga skllavëria dhe i njoftoi se do t’i çonte në «një vend ku rrjedh qumështi dhe mjalti», vendi që i kishte premtuar Abrahamit.​—Eksodi (Dalja) 3:7, 8; Zanafilla 15:18-21.

10 Kur bijtë e Izraelit ishin në rrugë për në Tokën e Premtuar, Jehovai i mblodhi në malin Sinai. Atje, u tha: «Në qoftë se do ta dëgjoni me vëmendje zërin tim dhe zbatoni besëlidhjen time, do të jeni thesari im i veçantë ndërmjet tërë popujve, sepse gjithë toka është imja. Dhe do të jeni për mua një mbretëri priftërinjsh dhe një komb i shenjtë.» (Eksodi 19:5, 6) Pasi populli pranoi vullnetarisht dhe njëzëri, Jehovai vazhdoi duke u dhënë Ligjin e tij, diçka që nuk e kishte bërë me asnjë popull tjetër.​—Psalmi 147:19, 20.

11 Ç’trashëgimi frymore kishte ky komb i ri! Ata adhuronin të vetmin Perëndi të vërtetë. Ai i kishte çliruar nga Egjipti dhe ata ishin dëshmitarë okularë të ngjarjeve që të ngjallnin frikë e nderim, kur iu dha Ligji në malin Sinai. Trashëgimia e tyre u pasurua më tej ndërsa merrnin, nëpërmjet profetëve, «thëniet e shenjta të Perëndisë». (Romakëve 3:1, 2) Jehovai i kishte caktuar që të ishin dëshmitarët e tij. (Isaia 43:10-12) Fara Mesianike do të shfaqej në kombin e tyre. Në fakt, Ligji e drejtonte vëmendjen tek fara, do të shërbente për ta identifikuar atë dhe duhej t’i ndihmonte izraelitët që të kuptonin nevojën për të. (Galatasve 3:19, 24) Për më tepër, atyre do t’u jepej mundësia të shërbenin bashkë me atë Farë Mesianike si mbretëri priftërinjsh dhe si komb i shenjtë.​—Romakëve 9:4, 5.

12 Duke mbajtur premtimin, Jehovai i udhëhoqi izraelitët për në Tokën e Premtuar. Por, siç e shpjegoi apostulli Pavël më vonë, për shkak të mungesës së besimit të tyre, ajo tokë nuk doli se ishte vërtet ‘një vend pushimi’. Si popull, ata nuk hynë në «pushimin e Perëndisë», sepse nuk arritën të perceptonin dhe të vepronin në harmoni me qëllimin e ditës së pushimit të Perëndisë, e cila filloi pas krijimit të Adamit dhe të Evës.​—Hebrenjve 4:3-10.

13 Izraeli natyror mund ta kishte përmbushur numrin e plotë të atyre që do të merrnin pjesë me Mesinë në Mbretërinë e tij qiellore si një mbretëri priftërinjsh dhe një komb i shenjtë. Por ata nuk e vlerësuan trashëgiminë e tyre të çmuar. Vetëm një mbetje e izraelitëve natyrorë e pranuan Mesinë kur erdhi. Rrjedhimisht, vetëm një numër i vogël u përfshi në mbretërinë e priftërinjve që ishte parathënë. Mbretëria iu hoq Izraelit natyror dhe ‘iu dha një kombi që prodhon frytet e saj’. (Mateu 21:43) Cili është ky komb?

Një trashëgimi në qiej

14 Kombi të cilit iu dha Mbretëria është ‘Izraeli i Perëndisë’, Izraeli frymor, i përbërë nga 144 000 ithtarë të Jezu Krishtit që janë të lindur nga fryma. (Galatasve 6:16; Zbulesa 5:9, 10; 14:1-3) Disa nga këta 144 000 ishin hebrenj natyrorë, por shumica ishin nga kombet johebreje. Në këtë mënyrë, filloi të përmbushej premtimi që Jehovai i bëri Abrahamit se nëpërmjet ‘farës’ së tij do të bekoheshin të gjitha kombet. (Veprat 3:25, 26; Galatasve 3:8, 9) Në këtë përmbushje fillestare, njerëzit e kombeve u mirosën me frymën e shenjtë dhe u adoptuan nga Jehovai si bij frymorë, vëllezër të Jezu Krishtit. Kështu, edhe ata u bënë një pjesë dytësore e asaj ‘fare’.​—Galatasve 3:28, 29.

15 Para se të vdiste, Jezui u paraqiti pjesëtarëve të ardhshëm hebrenj të atij kombi të ri besëlidhjen e re, e cila do të ratifikohej me anë të gjakut të tij. Në bazë të besimit të tyre në atë flijim ratifikues, personat që merreshin në atë besëlidhje do të bëheshin «të përsosur në amshim». (Hebrenjve 10:14-18) Ata mund të ‘shpalleshin të drejtë’ dhe t’u faleshin mëkatet. (1 Korintasve 6:11) Pra, në këtë kuptim janë siç ishte Adami para se të mëkatonte. Megjithatë, këta nuk do të jetojnë në një parajsë tokësore. Jezui tha se po shkonte të përgatiste për ta një vend në qiell. (Gjoni 14:2, 3) Ata dorëzojnë perspektivat e tyre tokësore, për të pasur një ‘trashëgimi të rezervuar në qiej për ta’. (1 Pjetrit 1:4) Çfarë bëjnë atje? Jezui shpjegoi: «Unë bëj me ju një besëlidhje . . . për një mbretëri.»​—Luka 22:29.

16 Që nga qiejt, ata që do të sundojnë me Krishtin, ndër të tjera, do të ndihmojnë për të hequr nga toka çdo gjurmë të rebelimit kundër sovranitetit të Jehovait. (Zbulesa 2:26, 27) Si pjesë dytësore e farës frymore të Abrahamit, do të marrin pjesë për t’u sjellë bekimin e jetës në përsosmëri, njerëzve të të gjitha kombeve. (Romakëve 8:17-21) Sa trashëgimi të çmuar që kanë!​—Efesianëve 1:16-18.

17 Por trashëgimia e ithtarëve të mirosur të Jezuit nuk i përket e gjitha së ardhmes. Në një mënyrë që asnjeri tjetër nuk mund ta bënte, Jezui i ndihmoi që të njihnin Jehovain, të vetmin Perëndi të vërtetë. (Mateu 11:27; Gjoni 17:3, 26) Me fjalët e me shembullin që la, ai u mësoi çfarë do të thotë ‘të kemi besim te Jehovai’ dhe çfarë përfshin bindja ndaj Jehovait. (Hebrenjve 2:13; 5:7-9) Jezui u besoi atyre njohurinë e së vërtetës lidhur me qëllimin e Perëndisë dhe i siguroi se fryma e shenjtë do t’i udhëhiqte për të marrë kuptueshmëri më të plotë rreth kësaj. (Gjoni 14:24-26) Ai u nguliti në mendje e në zemër rëndësinë e Mbretërisë së Perëndisë. (Mateu 6:10, 33) Gjithashtu, Jezui u besoi caktimin për të dëshmuar e për të bërë dishepuj nga njerëzit e Jerusalemit, të Judesë, të Samarisë e deri në skajet më të largëta të tokës.​—Mateu 24:14; 28:19, 20; Veprat 1:8.

Një trashëgimi e çmuar për shumicën e madhe

18 Ka të ngjarë që numri i plotë i Izraelit frymor, i asaj ‘kopeje të vogël’ të trashëgimtarëve të Mbretërisë, të jetë zgjedhur. (Luka 12:32) Tani ka disa dekada që Jehovai e ka drejtuar vëmendjen te mbledhja e një shumice të madhe njerëzish të tjerë nga të gjitha kombet. Kështu, premtimi që Jehovai i bëri Abrahamit se nëpërmjet ‘farës’ së tij do të bekoheshin të gjitha kombet, po përmbushet në një shkallë të gjerë. Me gëzim, këta të bekuar i bëjnë po ashtu shërbim të shenjtë Jehovait dhe e kuptojnë se shpëtimi i tyre varet nga besimi te Qengji i Perëndisë, Jezu Krishti. (Zbulesa 7:9, 10) A e keni pranuar ftesën mirëdashëse të Jehovait për të qenë pjesë e këtij grupi të lumtur?

19 Çfarë trashëgimie të çmuar u ofron Jehovai atyre që nuk janë të kopesë së vogël? Jo, nuk është një trashëgimi në qiej. Është trashëgimia që mund t’u kishte kaluar Adami pasardhësve të tij: perspektiva e jetës së përjetshme në përsosmëri, në një parajsë që gradualisht do të përfshijë gjithë globin. Do të jetë një botë në të cilën ‘nuk do të ketë më vdekje, as vajtim, as klithmë, as dhembje nuk do të ketë më’. (Zbulesa 21:4) Pikërisht juve, pra, Fjala e frymëzuar e Perëndisë ju thotë: «Ki besim tek Zoti dhe bëj të mira; bano vendin dhe shto besnikërinë. Gjej kënaqësinë tënde në Zotin dhe ai do të plotësojë dëshirat e zemrës sate. Edhe pak dhe i pabesi nuk do të jetë më . . . Por zemërbutët do të zotërojnë tokën dhe do të gëzojnë një paqe të madhe. Të drejtët do të trashëgojnë tokën dhe do të banojnë gjithnjë mbi të.»​—Psalmi 37:3, 4, 10, 11, 29.

20 ‘Delet e tjera’ të Jezuit kanë një trashëgimi në pjesën tokësore të Mbretërisë qiellore. (Gjoni 10:16a) Ndonëse ata nuk do të jenë në qiej, një pjesë e madhe e trashëgimisë frymore që gëzojnë të mirosurit u kalohet atyre. Vetëm nëpërmjet trupit kolektiv të të mirosurve, ‘skllavit të besueshëm dhe të matur’, deleve të tjera u është dhënë një kuptueshmëri e premtimeve të çmuara që përmban Fjala e Perëndisë. (Mateu 24:45-47; 25:34) Së bashku, të mirosurit dhe delet e tjera njohin dhe adhurojnë të vetmin Perëndi të vërtetë, Jehovain. (Gjoni 17:20, 21) Së bashku, ata e falënderojnë Perëndinë për vlerën mëkatshlyese të flijimit të Jezuit. Së bashku shërbejnë si një kope e vetme nën një Bari të vetëm, Jezu Krishtin. (Gjoni 10:16b) Ata janë të gjithë pjesë e një vëllazërie të dashur globale. Kanë së bashku privilegjin për të qenë Dëshmitarë të Jehovait dhe të Mbretërisë së tij. Po, nëse jeni shërbëtorë të dedikuar e të pagëzuar të Jehovait, e gjithë kjo përfshihet në trashëgiminë tuaj frymore.

21 Sa e çmuar është për ju kjo trashëgimi frymore? A e vlerësoni aq sa ta bëni kryerjen e vullnetit të Perëndisë gjënë më të rëndësishme në jetën tuaj? Si një dëshmi të kësaj, a po ua vini veshin këshillave të Fjalës dhe të organizatës së tij, për të qenë të rregullt në praninë në të gjitha mbledhjet e kongregacionit të krishterë? (Hebrenjve 10:24, 25) A ka kjo trashëgimi kaq vlerë për ju, sa të vazhdoni t’i shërbeni Perëndisë me gjithë vështirësitë? A është çmueshmëria për të mjaft e fortë, sa t’ju forcojë për t’i rezistuar çdo tundimi për të ndjekur një drejtim që mund të çojë në humbjen e kësaj trashëgimie?

22 Le të përkujdesemi që të gjithë për trashëgiminë frymore që na ka dhënë Perëndia! Ndërsa i mbajmë sytë të përqendruar fort në Parajsën që na pret përpara, le të marrim pjesë plotësisht në privilegjet frymore që po na jep tani Jehovai. Duke e ndërtuar vërtet jetën tonë përreth marrëdhënies me Jehovain, japim dëshmi bindëse se sa e çmuar është në të vërtetë për ne trashëgimia që na ka dhënë Perëndia. Qofshim midis atyre që shpallin: «Unë do të të përlëvdoj, o Perëndia im dhe Mbreti im dhe do të bekoj emrin tënd përjetë.»​—Psalmi 145:1.

Si do ta shpjegonit?

• Nëse Adami do t’i kishte qëndruar besnik Perëndisë, çfarë trashëgimie do të na kishte kaluar?

• Si e trajtuan pasardhësit e Abrahamit trashëgiminë që iu vu në dispozicion?

• Çfarë përfshin trashëgimia e ithtarëve të mirosur të Krishtit?

• Cila është trashëgimia e shumicës së madhe dhe si mund ta tregojnë ata se e çmojnë vërtet?

[Pyetjet]

1. Çfarë gjërash kanë marrë njerëzit si trashëgimi?

2, 3. Çfarë trashëgimie bëri të mundur fillimisht Jehovai për pasardhësit e Adamit dhe të Evës e përse nuk e morën këtë trashëgimi?

4. Si mund ta fitojmë trashëgiminë që humbi Adami?

5. Si tregoi Abrahami çmueshmëri për marrëdhënien e tij me Jehovain?

6. (a) Çfarë tregoi Abrahami me gatishmërinë e tij për të flijuar të birin? (b) Çfarë trashëgimie të çmuar mundi t’u kalonte Abrahami pasardhësve të tij?

7. Si treguan çmueshmëri për trashëgiminë e tyre Abrahami, Isaku dhe Jakobi?

8. Si e tregoi Esau se nuk e kuptonte vlerën e çmuar të trashëgimisë së tij?

9. Për shkak të trashëgimisë frymore, çfarë çlirimi përjetuan pasardhësit e Jakobit ose të Izraelit?

10. Çfarë zhvillimesh të tjera të jashtëzakonshme ndodhën në malin Sinai në lidhje me trashëgiminë e bijve të Izraelit?

11. Cilat ishin disa nga gjërat e çmuara që u përfshinë në trashëgiminë frymore të bijve të Izraelit?

12. Ndonëse hynë në Tokën e Premtuar, çfarë nuk provuan izraelitët? Përse?

13. Ngaqë nuk e çmoi trashëgiminë frymore që kishte, çfarë humbi Izraeli si komb?

14, 15. (a) Pas vdekjes së Jezuit, si filluan të bekoheshin kombet me anë të ‘farës’ së Abrahamit? (b) Çfarë marrin si trashëgimi pjesëtarët e «Izraelit të Perëndisë»?

16. Çfarë caktimi i mrekullueshëm shërbimi gjendet para të krishterëve të mirosur?

17. Çfarë aspektesh të trashëgimisë së tyre gëzojnë të krishterët e mirosur, ndërsa janë ende në tokë?

18. Në ç’mënyrë po përmbushet sot premtimi i Jehovait se të gjitha kombet do të bekohen nëpërmjet ‘farës’ së Abrahamit?

19. Cilën trashëgimi presin ata të kombeve, të cilët po bekohen tani?

20. Si gëzojnë ‘delet e tjera’ një pjesë të madhe të trashëgimisë frymore që kanë të krishterët e mirosur?

21, 22. Si mund ta tregojmë të gjithë se përkujdesemi për trashëgiminë tonë frymore?

[Figura në faqen 20]

Pasardhësit e Abrahamit morën premtimin për një trashëgimi të çmuar

[Figurat në faqen 23]

A e çmoni trashëgiminë tuaj frymore?