Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Ujitin farërat e së vërtetës në Kili

Ujitin farërat e së vërtetës në Kili

Lajmëtarët e Mbretërisë raportojnë

Ujitin farërat e së vërtetës në Kili

NË SHKRETËTIRËN e Kilit Verior, mund të kalojnë vite të tëra pa rënë shi. Por, kur bie shi, toka e tharë dhe e mbuluar me shkëmbinj transformohet në një qilim të vërtetë lulesh shumëngjyrëshe. Kjo shfaqje e mrekullueshme tërheq turistë nga i gjithë vendi.

Megjithatë, një dukuri shumë më interesante po ndodh mes njerëzve të Kilit. Ujërat e së vërtetës biblike po vërshojnë në çdo cep të vendit dhe shumë njerëz të sinqertë po «lulëzojnë», duke u bërë dishepuj të Jezu Krishtit. Një mjet i përdorur për të shpërndarë këto ujëra të së vërtetës është telefoni. Përvojat vijuese ilustrojnë rezultatet e shkëlqyera që po arrihen me këtë metodë dëshmie.

• Një ungjillëzueseje në kohë të plotë, me emrin Karina, iu kërkua të demonstronte në një program asambleje qarkore si bëhej dëshmia me telefon. Por Karina nuk kishte marrë pjesë kurrë në atë aspekt të veprës së dëshmisë. Për ta inkurajuar që të merrte pjesë në programin e asamblesë, një plak së bashku me gruan e tij, rishikoi me Karinën disa pika si të bëhej dëshmia me telefon. Ata, gjithashtu, e nxitën që të lutej për drejtimin e Jehovait në këtë çështje. Ajo veproi kështu dhe, më në fund, vendosi të provonte të bënte një telefonatë.

Karina zgjodhi një numër telefoni nga një fshat fqinj. U përgjigj një centraliste dhe Karina i shpjegoi qëllimin e telefonatës. Reagimi i centralistes ishte pozitiv dhe u bënë rregullime që të flitnin prapë pas tri ditësh. Rivizita me telefon çoi në një studim biblik, duke përdorur broshurën Çfarë kërkon Perëndia prej nesh? Që nga ajo kohë, ato kanë pasur studime të gjalla e interesante dhe Karina i ka dërguar literaturë gruas, për t’iu përgjigjur pyetjeve të saj.

• Bernarda mori iniciativën t’i dëshmonte një burri që gabimisht i kishte rënë numrit të saj të telefonit. Në vend që të shfaqte bezdisje, Bernarda u prezantua si një Dëshmitare e Jehovait dhe i ofroi ndihmë. Pasoi një bisedë dhe burri dëgjoi ndërsa ajo i shpjegonte se si Mbretëria e Perëndisë do t’i eliminojë së shpejti padrejtësitë. Burri i dha Bernardës numrin e tij të telefonit dhe ajo bëri rivizita me telefon. Gjatë një bisede, ajo i lexoi një pjesë nga libri Njohuria që të çon në jetën e përhershme. Ai i kërkoi si mund të merrte një kopje dhe Bernarda i dërgoi një libër, së bashku me një Bibël. U bënë rregullime që këtë burrë ta vizitonte një vëlla lokal, i cili tani po vazhdon të «ujitë» këtë «bimë» lulëzuese.

Po, në tokën e thatë frymore të kësaj bote, farëra të fshehura po presin të mbijnë, sapo të arrijnë tek ato ujërat jetëdhënëse të së vërtetës. Mijëra të etur vazhdojnë të «mbijnë» dhe të «lulëzojnë», duke u bërë shërbëtorë besnikë të Perëndisë Jehova.​—Isaia 44:3, 4, BR.