Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një thirrje për ndihmë

Një thirrje për ndihmë

Një thirrje për ndihmë

«PERËNDIA më ka harruar!»​—thirri një grua nga Brazili. Pas vdekjes së papritur të të shoqit, ajo mendoi se jeta e saj s’kishte më kuptim. A jeni përpjekur ndonjëherë të ngushëlloni dikë që është kaq i dëshpëruar ose që ndoshta është duke thirrur për ndihmë?

Disa njerëz dëshpërohen kaq shumë saqë i japin fund jetës. Një numër i tyre janë të rinj në moshë. Sipas gazetës Folha de S. Paulo, një studim i bërë në Brazil tregon se «vetëvrasja te të rinjtë është rritur me 26 për qind». Për shembull, shqyrtoni rastin e Valterit, * një të riu nga San-Paulo. Ai nuk kishte as prindër, as shtëpi, as jetë private dhe as miq te të cilët të mbështetej. Për t’i dhënë fund mjerimit të tij, Valteri vendosi të hidhej nga një urë.

Një nënë e vetme, Edna, kishte tashmë dy fëmijë kur takoi një burrë tjetër. Kishte kaluar vetëm një muaj dhe ata filluan të bashkëjetonin në shtëpinë e nënës së tij, e cila merrej me spiritizëm dhe ishte e alkoolizuar. Edna pati edhe një fëmijë tjetër, filloi të pinte rëndë dhe u dëshpërua kaq shumë, saqë u përpoq të bënte vetëvrasje. Si përfundim, humbi kujdestarinë e fëmijëve të saj.

Ç’të themi për të moshuarit? Maria ishte një tip që i pëlqenin shakatë dhe bisedat. Por, me kalimin e moshës, ajo filloi të shqetësohej për punën që bënte si infermiere, sepse kishte frikë se mos bënte gabime. Kjo e bëri të ndihej e dëshpëruar. Pasi u përpoq vetë të shërohej, kërkoi kujdes shëndetësor dhe mjekimi që mori u duk i dobishëm. Por, kur e humbi punën në moshën 57-vjeçare, depresioni iu rikthye me një intensitet kaq të madh, saqë ajo nuk shihte ndonjë zgjidhje. Maria filloi të mendonte për të bërë vetëvrasje.

«Rreth 10 për qind e njerëzve të dëshpëruar tentojnë vetëvrasjen»,​—thotë profesor Hoze Alberto Del Porto, nga Universiteti i San-Paulos. «Është e vështirë ta besojmë se kanë vdekur më shumë njerëz nga vetëvrasjet, sesa nga vrasjet, por ky është një fakt i trishtueshëm»,​—raporton kryekirurgu dr. Dejvid Satçer nga Shtetet e Bashkuara.

Disa herë, një tentativë për vetëvrasje është, në fakt, një thirrje për ndihmë. Patjetër, familjarët dhe miqtë dëshirojnë të bëjnë atë që duhet për personin që ka humbur shpresën. Sigurisht, nuk do të jetë e dobishme të përdoren shprehje të tilla, si: «Mjaft e mëshirove veten», «Ka shumë njerëz që janë më keq se ty» ose «Të gjithë kemi herë pas here ditë të këqija». Në vend të kësaj, përse të mos jeni miq të vërtetë dhe dëgjues të mirë? Po, përpiquni ta ndihmoni personin e dëshpëruar që të kuptojë se jeta ia vlen të jetohet.

Autori francez Volteri shkroi: «Njeriu që vret veten sot, ndërsa është në një krizë melankolie, do të kishte dashur të jetonte, po të kishte pritur edhe një javë.» Por, atëherë, si mund ta zbulojnë njerëzit e dëshpëruar se jeta ia vlen të jetohet?

[Shënimi]

^ par. 3 Disa emra janë ndryshuar.

[Figura në faqen 3]

Një numër gjithnjë e më i madh të rinjsh e të rriturish kryejnë vetëvrasje

[Figura në faqen 4]

Si mund ta ndihmoni atë që e ka humbur shpresën?