Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Së shpejti një botë pa dëshpërim

Së shpejti një botë pa dëshpërim

Së shpejti një botë pa dëshpërim

JETA sa po vjen e po bëhet më kërkuese, kështu që arsyet për t’u dëshpëruar janë të shumta. Kur zhgënjehemi, mund ta kemi të vështirë t’i kontrollojmë ndjenjat. E pra, edhe ata njerëz që e duan jetën mund të bëhen jashtëzakonisht të palumtur! Shqyrtoni disa shembuj.

Në kohët e lashta, profeti Moisi u shkurajua aq shumë sa i tha Perëndisë: «Të lutem, më vrit menjëherë po të kem gjetur hir para syve të tu; por mos lejo që unë të shoh fatkeqësinë time!» (Numrat 11:15) Ndërsa po ikte para armiqve të tij, profeti Elija thirri: «Tani mjaft, o Zot! Merr jetën time.» (1 Mbretërve 19:4) Gjithashtu, profeti Jona tha: «Tani, pra, o Zot, ma hiq jetën, sepse për mua është më mirë të vdes se sa të rroj.» (Jonai 4:3) Por as Moisiu, as Elija dhe as Jonai nuk kryen vetëvrasje. Që të gjithë ata e dinin urdhërimin e Perëndisë: «Nuk do të vrasësh.» (Eksodi 20:13) Duke pasur besim të fortë te Perëndia, ata ishin të vetëdijshëm se asnjë situatë nuk është e pashpresë dhe se jeta është një dhuratë nga Perëndia.

Ç’të themi për problemet që hasim ne tani? Përveç dëshpërimit emocional ose problemeve fizike, herë pas here mund të na duhet të durojmë keqtrajtim nga familjarët, fqinjët ose kolegët. Bibla flet për njerëz që janë të mbushur «me plot padrejtësi, ligësi, lakmi, të keqe, plot me smirë, vrasje, konflikte, mashtrime, shpirtligësi, duke qenë pëshpëritës, përgojues, urrejtës të Perëndisë, të pacipë, fodullë, mendjemëdhenj, shpikës të këqijash, të pabindur ndaj prindërve, pa kuptueshmëri, që s’e mbajnë fjalën, pa përzemërsi të natyrshme, të pamëshirshëm». (Romakëve 1:28-31) Duke qenë të rrethuar çdo ditë me njerëz të tillë, jeta mund të duket sikur është një barrë. Si mund t’i ndihmojmë ata që kanë nevojë për ngushëllim dhe lehtësim?

Gatishmëri për të dëgjuar

Vështirësitë dhe vuajtjet mund ta bëjnë një njeri të humbë ekuilibrin mendor. Një njeri i mençur tha: «Shtypja e bën të pamend njeriun e urtë.» (Predikuesi 7:7) Prandaj, një person që flet për vetëvrasjen duhet marrë seriozisht. Problemet që po kalon ai, qofshin emocionale, fizike, mendore ose frymore, mund të kërkojnë vëmendje të menjëhershme. Sigurisht, ka shumë mjekime dhe terapi të ndryshme profesionale dhe duhet marrë një vendim personal për sa u përket formave të terapisë.​—Galatasve 6:5.

Cilado qoftë arsyeja për ndjenjat e vetëvrasjes, kur një person ka dikë që e kupton, që tregon empati, që është i durueshëm e të cilit ai mund t’i hapet, kjo mund të sjellë një ndryshim të madh. Familjarët dhe miqtë që janë të gatshëm të dëgjojnë, mund të jenë në gjendje të ndihmojnë. Përveç ndjenjave të përbashkëta dhe dashamirësisë, mendimet ndërtuese nga Fjala e Perëndisë mund të jenë shumë të dobishme për ata që e kanë humbur shpresën.

Ndihmë frymore për të dëshpëruarit

Ndoshta do të habiteni kur të mësoni sa inkurajues mund të jetë leximi i Biblës. Ndonëse nuk është një manual për shëndetin mendor, Bibla mund të na ndihmojë të vlerësojmë jetën. Mbreti Solomon tha: «Kështu kuptova që nuk ka gjë më të mirë se sa të gëzohesh dhe të bësh të mirë sa je gjallë; dhe që çdo njeri që ha, pi dhe gëzon mirëqenie në gjithë mundin e tij, kjo është një dhuratë e Perëndisë.» (Predikuesi 3:12, 13) Përveç punës së kënaqshme që i jep kuptim jetës, gjëra të thjeshta, si: ajri i freskët, drita e diellit, lulet, pemët dhe zogjtë, janë dhurata të Perëndisë që ne mund t’i gëzojmë.

Edhe më ndërtuese është siguria e Biblës se Perëndia Jehova dhe Biri i tij, Jezu Krishti, interesohen për ne. (Gjoni 3:16; 1 Pjetrit 5:6, 7) Në mënyrë të përshtatshme, psalmisti tha: «I bekuar qoftë Zoti, që përditë mbart barrat tona; ai është Perëndia i shpëtimit tonë.» (Psalmi 68:19) Ndonëse mund të ndihemi të parëndësishëm e të pavlefshëm, Perëndia na fton që t’i lutemi. Të jini të sigurt se asnjë që me përulësi dhe me sinqeritet i kërkon ndihmë atij nuk do të përbuzet.

Askush sot nuk mund të presë me të drejtë një jetë pa probleme. (Jobi 14:1) Gjithsesi, e vërteta nga Fjala e Perëndisë u ka treguar shumë njerëzve se vetëvrasja nuk është mënyra e drejtë për të zgjidhur problemet. Vetëm shqyrtoni si e ndihmoi apostulli Pavël një gardian të dëshpëruar, i cili, «si i doli gjumi dhe pa dyert e burgut të hapura, nxori shpatën e qe gati të vriste veten, duke kujtuar se të burgosurit kishin ikur». Në një moment të vetëm, ky gardian kishte nxjerrë përfundimin se vetëvrasja ishte më mirë sesa poshtërimi e ndoshta vdekja e mëvonshme për dështimin e tij. Apostulli i thirri: «Mos i bëj keq vetes, se ne jemi të gjithë këtu!» Pavli nuk ndaloi me këtë thënie. Në fakt, ai dhe Sila e ngushëlluan gardianin dhe iu përgjigjën pyetjes së tij: «Zotërinj, ç’duhet të bëj që të shpëtoj?» Ata iu përgjigjën: «Beso te Zotëria Jezu e do të shpëtosh ti dhe ata të shtëpisë sate.» Pastaj i thanë fjalën e Jehovait atij dhe atyre të shtëpisë së tij, me rezultatin se «ai dhe të tijët u pagëzuan pa vonuar». Ai gardian dhe familja e tij u gëzuan shumë dhe gjetën domethënie të re në jetën e tyre.​—Veprat 16:27-35.

Çfarë lehtësimi është të dimë sot se Perëndia nuk është përgjegjës për ligësinë! Fjala e tij identifikon një frymë të ligë, ‘atë që quhet Djall dhe Satana’ si ai që po «mashtron gjithë tokën e banuar». Por koha e tij po mbaron. (Zbulesa 12:9, 12) Së shpejti, të gjitha shqetësimet që Satanai dhe demonët e tij kanë sjellë mbi banorët e tokës do të marrin fund me anë të ndërhyrjes hyjnore. Atëherë, bota e re e premtuar e drejtësisë e Perëndisë do t’u japë fund një herë e përgjithmonë shkaqeve që qëndrojnë pas gjendjes së pashpresë dhe vetëvrasjes.​—2 Pjetrit 3:13.

Ngushëllim për ata që thërrasin për ndihmë

Edhe tani, ata që janë të dëshpëruar mund të marrin ngushëllim nga Shkrimet. (Romakëve 15:4) Psalmisti David këndoi: «O Perëndi, ti nuk e përçmon zemrën e thyer e të penduar [të dërrmuar, BR].» (Psalmi 51:17) Vërtet, është e pashmangshme që të hasim disa sprova e të ndiejmë pasojat e papërsosmërisë. Por, duke marrë njohuri të saktë për Atin tonë mirëdashës, të dashur e të arsyeshëm qiellor, do të kemi sigurinë se jemi të çmuar në sytë e tij. Perëndia mund të bëhet Miku ynë kryesor dhe Mësuesi ynë. Nëse zhvillojmë një marrëdhënie të ngushtë me Perëndinë Jehova, ai nuk do të na zhgënjejë kurrë. «Unë jam Zoti, Perëndia yt,​—thotë Krijuesi ynë,​—që të mëson për të mirën tënde, që të udhëheq nëpër rrugën që duhet të ndjekësh.»​—Isaia 48:17.

Mbështetja te Perëndia ka ndihmuar shumë njerëz. Për ta ilustruar: Marën tashmë e kishte dobësuar depresioni i zgjatur, kur humbi djalin e vetëm në një aksident makinash. * Ajo e humbi toruan dhe u përpoq t’i jepte fund jetës. Gjithsesi, tani ajo ngrihet herët çdo mëngjes për t’u marrë me punët e shtëpisë. I pëlqen të dëgjojë muzikë dhe të ndihmojë të tjerët. Shpresa se «do të ketë një ringjallje si të të drejtëve, ashtu edhe të të padrejtëve» ia ka lehtësuar sadopak dhembjen e vdekjes tragjike të birit të saj të dashur dhe ia ka forcuar besimin te Perëndia. (Veprat 24:15) Meqë Mara nuk ka pasur kurrë dëshirën të bëhet si një engjëll në qiell, fjalët e Psalmit 37:11 ia kanë prekur zemrën: «Zemërbutët do të zotërojnë tokën dhe do të gëzojnë një paqe të madhe.»

Një braziliane tjetër, Sandra, punonte shumë për të qenë një nënë e përsosur për tre fëmijët e saj. Ajo pranon: «Isha kaq e zënë me punë, saqë kur më vdiq papritur babai dhe, në të njëjtën kohë, zbulova se im shoq kishte lidhje me një grua tjetër, as nuk mendova t’i lutesha Perëndisë për ndihmë.» Në dëshpërim e sipër, Sandra u përpoq të vriste veten. Çfarë e ndihmoi për të dalë nga ajo gjendje? Çmueshmëria për gjërat frymore. «Çdo natë para se të shkoj të fle, lexoj Biblën dhe përpiqem ta identifikoj veten me njerëzit për të cilët lexoj. Gjithashtu, lexoj revistat Kulla e Rojës dhe Zgjohuni! dhe më pëlqejnë veçanërisht jetëshkrimet, sepse më ndihmojnë të jem e kënaqur me situatën e jetës sime.» Duke e ditur se Jehovai është miku i saj më i mirë, ajo ka mësuar të jetë specifike në lutjet që bën.

Një e ardhme pa dëshpërim

Çfarë ngushëllimi është të dimë se vuajtjet njerëzore janë të përkohshme! Nën sundimin e Mbretërisë së Perëndisë, fëmijët dhe të rriturit që tani janë viktima të krimit, të padrejtësive ose të paragjykimit, do të gëzohen. Siç është parathënë në një psalm profetik, Mbreti i caktuar i Jehovait, Jezu Krishti, «do ta çlirojë nevojtarin që bërtet dhe të mjerin që nuk ka se kush ta ndihmojë». Për më tepër, «atij do t’i vijë keq për të dobëtin dhe për nevojtarin dhe do të shpëtojë jetën e nevojtarëve». Në fakt, «ai do të çlirojë jetën e tyre nga shtypja dhe nga dhuna dhe gjaku i tyre do të jetë i çmuar para syve të tij».​—Psalmi 72:12-14.

Koha e përmbushjes së këtyre fjalëve profetike është afër. A ju tërheq mendimi që të gëzoni jetën e përhershme në tokë, në kushte të tilla? Nëse po, keni arsye për të qenë të gëzuar dhe për ta çmuar jetën si një dhuratë nga Perëndia. Veç kësaj, nëse i ndani këto premtime ngushëlluese biblike me të tjerët, mund të sillni lumturi të madhe në jetën e atyre që thërrasin për ndihmë në këtë botë të pandjeshme e pa dashuri.

[Shënimi]

^ par. 15 Disa emra janë ndryshuar.

[Figura në faqen 6]

Sot ka shumë shkaqe për lumturi

[Figura në faqen 7]

A e pritni me padurim një botë pa dëshpërim?