Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

E bekuar me një trashëgimi të veçantë

E bekuar me një trashëgimi të veçantë

Jetëshkrim

E bekuar me një trashëgimi të veçantë

TREGUAR NGA KEROL ALEN

Isha aty e vetme, duke shtrënguar fort librin e ri të bukur. Më zuri frika dhe lotët filluan të më binin nëpër faqe. Në fund të fundit, isha vetëm një vajzë e vogël shtatëvjeçare që kishte humbur në një qytet të huaj, e rrethuar nga dhjetëra mijë njerëz!

KOHËT e fundit, rreth 60 vjet më vonë, kujtime të gjalla të asaj përvoje të fëmijërisë më erdhën përsëri në mendje, të nxitura nga një vizitë që bëra me burrin tim, Polin, në Qendrën e bukur të Arsimimit Watchtower në Paterson, Nju-Jork. Polin e kishin ftuar atje për të ndjekur klasën e dytë të një shkolle për mbikëqyrësit qarkorë Dëshmitarë të Jehovait.

Ndërsa vështronim rreth e qark në sallën plot diell në hyrje të ndërtesës, vura re një stendë të madhe me diçiturën «KONGRESE». Afër qendrës gjendej një fotografi e vjetër bardhë e zi me fëmijë që valëvitnin të entuziazmuar kopjet e tyre të librit të fëmijërisë sime. Menjëherë e lexova diçiturën që shoqëronte fotografinë: «1941​—Në Sent-Luis, Misuri, kur u hap sesioni i paradites, 15 000 fëmijë, nga mosha 5 deri në 18 vjeç, u mblodhën në zonën kryesore, pikërisht përballë podiumit. . . . Vëllai Radhërford njoftoi daljen e librit të ri Fëmijët.»

Secilit fëmijë iu dha një kopje personale. Pastaj, fëmijët u kthyen aty ku ishin ulur prindërit e tyre: të gjithë, përveç meje. Kisha humbur! Një përcjellës miqësor më ngriti hopa, më vuri mbi një kuti të lartë kontributesh dhe më tha të kërkoja për ndonjërin që e njihja. Plot ankth, vështrova turmën që po zbriste nga shkallët e gjera. Papritur, pashë një fytyrë të njohur! «Xhaxhi Bobi! Xhaxhi Bobi!» Më gjetën. Bob Reineri më çoi te prindërit e mi që po më pritnin plot ankth.

Ngjarje të hershme që modeluan jetën time

Duke parë atë stendë më vërshuan në mendje shumë kujtime, ngjarje që modeluan jetën time dhe që bënë të mundur të ishim në ndërtesën e bukur të Patersonit. Mendimet më shkuan në ngjarjet e më shumë se njëqind vjetëve më parë, gjëra për të cilat kisha dëgjuar në veçanti nga gjyshërit dhe nga prindërit.

Në dhjetor të vitit 1894, një shërbëtor i plotkohor nga Studentët e Biblës, siç njiheshin atëherë Dëshmitarët e Jehovait, i bëri vizitë gjyshit tim nga babai, Klejton J. Uduorthit, në shtëpinë e tij në Skranton, Pensilvani, SHBA. Klejtoni sapo ishte martuar. Ai i shkroi një letër presidentit të Shoqatës Watch Tower Bible and Tract, Çarlz Teiz Rasëllit, letër që u botua në Kullën e Rojës, 15 qershor 1895, anglisht. Në letër shpjegohej:

«Jemi burrë e grua, të rinj, që kemi qenë anëtarë të kishës formale për pothuajse dhjetë vjet; por tani besojmë se po kalojmë nga errësira e saj në dritën e ditës së re që po agon tani për fëmijët e dedikuar të Më të Lartit. . . . Kohë përpara se të takonim njëri-tjetrin, unë dhe gruaja ime kishim dëshirë të zjarrtë t’i shërbenim Zotërisë, nëse do të ishte vullneti i tij, si misionarë në fushë të huaj.»

Më vonë, në vitin 1903, Sebastian dhe Kethrin Krezgi, stërgjyshërit nga mamaja, e dëgjuan me kënaqësi mesazhin e Biblës që u çuan dy përfaqësues të Shoqatës Watch Tower në fermën e madhe ku jetonin, në malet e bukura Pokono në Pensilvani. Vajzat e tyre, Kora dhe Meri, jetonin po atje me burrat e tyre, Uashington dhe Edmund Houell. Përfaqësuesit e Shoqatës, Karl Hamerli dhe Rei Ratklif, qëndruan me ta një javë të tërë, duke u mësuar shumë gjëra. Që të gjashtë pjesëtarët e familjes dëgjuan, studiuan dhe shumë shpejt u bënë Studentë të zellshëm të Biblës.

Po atë vit, më 1903, Kora dhe Uashington Houelli patën një vajzë që e quajtën Kethrin. Se si ajo përfundimisht u martua me babanë tim, Klejton J. Uduorth të Riun, është një histori interesante dhe, besoj, domethënëse. Kjo histori zbulon gjykimin e thellë e të dashur dhe interesimin prindëror të gjyshit tim, Klejton J. Uduorth Plakut.

Babait tim i jepet ndihmë me dashuri

Babai im, Klejton i Riu, lindi në Skranton në vitin 1906, jo më larg se rreth 80 kilometra larg fermës Houell. Në ato vite të hershme, gjysh Uduorthi u miqësua shumë me familjen e madhe Houell, duke gëzuar shpesh mikpritjen e tyre të mirënjohur. Ai qe një ndihmë e madhe për kongregacionin e Studentëve të Biblës në atë zonë. Me kalimin e kohës, gjyshin e thirrën për të kryer martesat e tre djemve të familjes Houell dhe, duke pasur në mendje mirëqenien e të birit, ai e bëri rregull që ta merrte me vete në secilën prej këtyre dasmave.

Në atë kohë, babai nuk merrte pjesë aktivisht në shërbimin e Studentëve të Biblës. Vërtet, ai e çonte me makinë gjyshin për të bërë vizitat në shërbim, por me gjithë inkurajimin e gjyshit, babai nuk merrte pjesë aktive për vete. Në atë periudhë, interesat muzikore të babait tim i mbulonin gjithë të tjerat dhe ai po bënte hapa drejt një karriere profesionale.

Edhe Kethrina, vajza e Kora dhe Uashington Houellit, ishte bërë një muzikante e shkëlqyer, duke luajtur dhe duke dhënë mësime pianoje. Por, pikërisht në kohën kur po i hapej mundësia për një karrierë profesionale, ajo e vuri mënjanë atë synim dhe ndërmori shërbimin e plotkohor. Gjyshi nuk mund të kishte pasur ndër mend një shoqe më të mirë për të birin, të paktën nga pikëpamja ime! Babai u pagëzua dhe u martua me mamin gjashtë muaj më vonë, në qershor 1931.

Gjyshi ishte gjithnjë krenar për aftësitë muzikore të të birit. Ai ishte shumë i lumtur kur babanë e kërkuan të stërviste bërthamën e orkestrës së madhe të kongresit për kongresin ndërkombëtar të vitit 1946 në Klivlend, Ohajo. Vitet që pasuan, babai e dirigjoi orkestrën gjatë një sërë kongresesh të tjera të Dëshmitarëve të Jehovait.

Gjyqi dhe jeta e burgut për gjyshin

Në sallën te hyrja e ndërtesës së Patersonit, unë dhe Poli hasëm edhe fotografinë që shihet në faqen tjetër. E njoha menjëherë fotografinë, sepse gjyshi më dërgoi një kopje të saj më shumë se 50 vjet më parë. Ai është i pari djathtas.

Gjatë histerisë patriotike që rrethonte Luftën I Botërore, këta tetë Studentë të Biblës​—duke përfshirë edhe Xhozef F. Radhërfordin (ulur në qendër), presidentin e Shoqatës Watch Tower​—u burgosën gabimisht dhe u mbajtën në burg pa dorëzani. Akuzat kundër tyre përqendroheshin në pohime të bëra në vëllimin e shtatë të Studime mbi Shkrimet, me titullin Misteri i përfunduar. Pohimet ishin kuptuar në mënyrë jokorrekte sikur shkurajonin pjesëmarrjen e Shteteve të Bashkuara në Luftën I Botërore.

Për një periudhë shumëvjeçare, Çarlz Teiz Rasëlli kishte shkruar gjashtë vëllimet e para të Studime mbi Shkrimet, por vdiq para se të mund të shkruante vëllimin e shtatë. Kështu, shënimet që kishte bërë ai iu dhanë gjyshit dhe një Studenti tjetër të Biblës, dhe ata shkruan vëllimin e shtatë. Ky u botua në vitin 1917, para përfundimit të luftës. Në gjyq, gjyshin dhe shumicën e të tjerëve i dënuan me katër afate burgimi, me nga 20 vjet secili, por që do të kryheshin në të njëjtën kohë.

Diçitura për fotografinë në hyrjen e ndërtesës së Patersonit shpjegon: «Nëntë muaj pasi Radhërfordi dhe bashkëpunëtorët e tij u dënuan, dhe pasi kishte mbaruar lufta, më 21 mars 1919, gjykata e apelit vendosi dorëzani për të tetë të pandehurit dhe më 26 mars ata u liruan në Bruklin me dorëzani, 10 000 dollarë secili. Më 5 maj 1920, J. F. Radhërfordi dhe të tjerët u shfajësuan.»

Pasi u dënuan, por para se të dërgoheshin në burgun federal në Atlanta, Xhorxhia, të tetë i kaluan ditët e para të burgimit në burgun e rrugës Rejmond në Bruklin, Nju-Jork. Prej andej, gjyshi shkroi se e kishin vënë në një qeli 1,8 me 2,4 metra «mes një ndyrësie e çrregullimi që s’thuhet me gojë». Ai vërejti: «Të japin një grumbull me gazeta dhe, ndonëse në fillim mund të mos u japësh shumë vlerë, shumë shpejt e kupton se te ato letra (të përdorura si letër higjienike), te sapuni dhe te shparca gjendet mundësia e vetme për të mbajtur pastërtinë dhe respektin për veten.»

Megjithatë, gjyshi mbante një ndjenjë humori, duke iu referuar burgut si «Hotel dë Rejmondí», duke thënë: «Do të largohem që këtu sapo të më mbarojë pagesa që kam bërë.» Ai përshkruante edhe ecejaket nëpër oborr. Një herë, kur ndaloi për një moment që të krihte flokët, një hajdut xhepash i zhvati sahatin e xhepit, por, siç shkroi ai, «zinxhiri u këput dhe arrita ta mbaja sahatin». Kur po vizitoja Bethelin e Bruklinit në vitin 1958, Grant Sjutër, atëherë sekretar i thesarit për Shoqatën Watch Tower, më thirri në zyrë dhe më dha atë sahat. E ruaj ende.

Ndikimi te babai

Kur gjyshin e burgosën padrejtësisht në vitin 1918, babai im ishte vetëm 12 vjeç. Gjyshja e kyçi shtëpinë dhe e mori të birin me vete për të jetuar me mamanë e tri motrat e saj. Mbiemri i vajzërisë i gjyshes ishte Arthër dhe familja pohonte me krenari se një nga të afërmit e tyre, Çester Alan Arthër, ishte presidenti i 21-të i Shteteve të Bashkuara.

Pasi gjyshit Uduorth iu dha një dënim i gjatë për krime të supozuara kundër Shteteve të Bashkuara, është e qartë se familja Arthër mendoi që ai e kishte çnderuar emrin e familjes së tyre. Për babain tim kjo ishte një kohë e dhembshme nga ana emocionale. Ndoshta ky trajtim ishte një faktor në ngurrimin e tij fillestar për të marrë pjesë në shërbimin publik.

Kur gjyshin e liruan nga burgu, ai e transferoi familjen në një shtëpi të madhe të suvatuar në Kuinsi Strit në Skranton. Si fëmijë, i njihja mirë cepat e asaj shtëpie, si edhe pjatat e bukura prej porcelani të gjyshes. I quanim pjatat e saj të shenjta, sepse gjyshja nuk lejonte asnjëri tjetër t’i lante ato, përveç saj. Pas vdekjes së gjyshes në vitin 1943, mamaja ftonte shpesh njerëz dhe përdorte ato pjata të bukura.

Të zënë në shërbim të Mbretërisë

Një ditë tjetër në godinat e Patersonit më zunë sytë një fotografi të vëllait Radhërford duke folur në kongresin në Sidër-Point, Ohajo, në vitin 1919. Atje, ai i nxiti të gjithë që të merrnin pjesë me zell për të njoftuar Mbretërinë e Perëndisë dhe për të përdorur revistën e re që doli në atë kongres, Epoka e Artë. Gjyshin e caktuan botuesin e asaj reviste dhe ai kontribuoi artikuj për të deri në vitet 40 të shekullit të 20-të, pak kohë para se të vdiste. Në vitin 1937, emri i revistës u ndryshua në Ngushëllim dhe në 1946 në Zgjohuni!

Gjyshi shkruante si në shtëpi, në Skranton, ashtu edhe në selinë botërore të Shoqatës Watch Tower, rreth 240 kilometra larg, në Bruklin, duke kaluar dy javë në secilin vend. Babai thotë se i kujtohet që makina e shkrimit e gjyshit fillonte punën në orën pesë shumë mëngjese. Megjithatë, gjyshi e merrte seriozisht edhe përgjegjësinë për të marrë pjesë në aktivitetin e predikimit publik. Në fakt, ai modeloi një veshje burrash që kishte xhepa të mëdhenj të brendshëm për të mbajtur literaturë biblike. Nusja e dajës tim, Naomi Houell, e cila është 94-vjeçare, ka ende një të tillë. Gjithashtu, gjyshi modeloi një çantë shërbimi për gra.

Një herë, pas një bisede të gjallë biblike, shoku i shërbimit të gjyshit i tha: «K.J., bëre një gabim.»

«Çfarë gabimi?»​—pyeti gjyshi. Ai kontrolloi veshjen e tij. Xhepat i kishte bosh.

«Harrove t’i ofroje një pajtim në revistën Epoka e artë.» Qeshën një copë here të mirë për faktin që botuesi kishte harruar të ofronte revistën e tij.

Kujtime ndërsa rritesha

Mbaj mend që kur isha fëmijë, ulesha në prehrin e gjyshit, vija dorën time të vogël në dorën e tij, ndërsa më tregonte «përrallën e gishtave». Duke filluar me «gishtin e madh Geri» e pastaj me «treguesin Toni», më thoshte diçka specifike për secilin gisht. Pastaj, me kujdes i mblidhte të gjithë gishtat bashkë dhe më thoshte moralin e përrallës: «Së bashku më mirë punojnë, pasi të gjithë njëri-tjetrin ndihmojnë.»

Pasi u martuan, prindërit e mi u transferuan në Klivlend, Ohajo, dhe u bënë miq të ngushtë me Ed dhe Meri Huperin. Familjet e tyre kishin qenë Studentë të Biblës që nga ndërrimi i shekullit. Prindërit e mi dhe xhaxhi Edi e teta Meri, siç i quaja, ishin të pandashëm. Huperët kishin humbur fëmijën e tyre të vetëm, një vajzë, kështu që, kur linda unë në vitin 1934, u bëra «vajza» e tyre e veçantë. E rritur në një ambient të tillë të pasur frymësisht, i bëra dedikimin Perëndisë dhe u pagëzova para se të mbushja 8 vjeçe.

Leximi i Biblës ishte pjesë e viteve të mia të hershme. Përshkrimi i jetës në botën e re të Perëndisë, në Isainë 11:6-9, ishte një nga fragmentet e mia të preferuara biblike. Përpjekja e parë që bëra për ta lexuar të gjithë Biblën ishte në vitin 1944, pasi mora kopjen personale të përkthimit American Standard Version, i prezantuar me një botim të veçantë në kongresin në Bufalo, Nju-Jork. Sa e drithëruar isha kur lexova këtë përkthim në të cilin emrin i Perëndisë, Jehova, ishte rivendosur në vendin e duhur rreth 7000 herë në «Besëlidhjen e Vjetër»!

Fundjavët ishin periudha të lumtura. Prindërit e mi dhe Huperët më merrnin me vete për të dëshmuar në zonat rurale. Merrnim me vete drekën dhe bënim piknik buzë një rrjedhe uji. Pastaj shkonim në fermën e ndonjërit për të mbajtur një fjalim biblik përjashta, në të cilin kishim ftuar të gjithë fqinjët. Jeta ishte e thjeshtë. Gjenim gëzim si familje. Disa nga ata miq të hershëm të familjes më vonë u bënë mbikëqyrës udhëtues, duke përfshirë Ed Huperin, Bob Reinerin dhe dy djemtë e tij. Riçard Reiner është ende në këtë vepër, i shoqëruar nga gruaja e tij, Linda.

Stina e verës ishte veçanërisht një periudhë e lumtur. Qëndroja në fermën Houell së bashku me kushërirat e mia. Në vitin 1949, kushërira ime Grejs u martua me Malkolm Alenin. Nuk e dija ende se vite më vonë unë do të martohesha me vëllanë e tij. Kushërira ime më e vogël, Merioni, ishte misionare në Uruguaj. Ajo u martua me Houard Hilbornin në vitin 1966. Që të dyja këto kushërira shërbyen për shumë vjet, bashkë me burrat e tyre, në selinë botërore të Bruklinit.

Gjyshi dhe diplomimi im

Gjatë viteve të shkollës së mesme, gjyshi ishte i gatshëm për të mbajtur korrespondencë me mua. Në letrat e tij përfshiheshin shumë fotografi të vjetra të familjes me shënime të hollësishme të shkruara prapa tyre, të cilat tregonin historinë e familjes. Në këtë mënyrë e mora kopjen e fotografisë ku kishte dalë ai dhe të tjerët që u dërguan padrejtësisht në burg.

Në fund të vitit 1951, gjyshi kishte humbur laringun për shkak të kancerit. Kujtesa nuk i ishte prekur, por fjalët duhej t’i shkruante në një bllok të vogël shënimesh që mbante me vete. Në shkollën time, diplomimi do të bëhej në mes të vitit shkollor, në janar të vitit 1952. Në fillim të dhjetorit, i dërgova gjyshit një kopje të fjalimit tim për ditën e diplomimit. Ai bëri disa shënime redaktimi e, pastaj, në faqen e fundit, shkroi dy fjalë që më hynë drejt e në zemër: «Gjyshi, i kënaqur». Ai e mbaroi rrugën e tij tokësore në moshën 81-vjeçare, më 18 dhjetor 1951. * E ruaj ende atë kopje të dalë boje të fjalimit të diplomimit, me ato dy fjalë në faqen e fundit.

Menjëherë pas diplomimit, fillova shërbimin e pionierit, siç e quajnë Dëshmitarët e Jehovait veprën e predikimit në kohë të plotë. Në vitin 1958 ndoqa kongresin kolosal në Nju-Jork-Siti, ku një maksimum prej 253 922 vetash nga 123 vende mbushën stadiumet Jenki dhe Polo Graunds. Atje, një ditë takova një delegat nga Afrika që kishte distinktivin me emër «Uduorth Mills». Rreth 30 vjet më parë, atij i kishin vënë emrin e gjyshit tim.

E lumtur për trashëgiminë time

Kur isha 14 vjeçe, mamaja filloi të shërbente përsëri si pioniere. Ajo vdiq 40 vjet më pas, në vitin 1988, ende pioniere! Babi merrte pjesë në veprën e pionierit sa herë që mundte. Vdiq nëntë muaj para mamasë. Personat me të cilët studiuam u bënë miq të dashur për gjithë jetën. Disa nga bijtë e tyre shkuan të shërbenin në selinë botërore në Bruklin dhe të tjerë ndërmorën veprën e pionierit.

Viti 1959 ishte një vit mjaft i veçantë për mua. Atëherë më prezantuan me Pol Alenin. Ai ishte caktuar si mbikëqyrës udhëtues në vitin 1946, kur ishte diplomuar nga klasa e shtatë e Galaadit, një shkollë për të stërvitur misionarët Dëshmitarë të Jehovait. Në kohën kur u takuam, asnjëri prej nesh nuk e dinte se caktimi tjetër i Polit do të ishte Klivlendi, Ohajo, ku po shërbeja si pioniere. Babi im e deshte shumë, e po kështu edhe mami. U martuam në korrik 1963 në fermën Houell, të rrethuar nga familjet tona dhe fjalimin e martesës e mbajti Ed Huperi. Ishte një ëndërr që bëhej realitet.

Poli nuk kishte pasur asnjëherë një makinë të tijën. Kur u larguam nga Klivlendi për në caktimin tjetër të tij, i futëm të gjitha bagazhet në makinën time të vogël Volksvagen 1961 që i ngjante një buburreci. Shpesh, miqtë tanë vinin të hënave, ditën kur transferoheshim në një kongregacion tjetër, për të na parë ndërsa ngarkonim makinën. Ishte si një numër cirku të shihje se si valixhet, çantat, kutitë e literaturës, makina e shkrimit e të tjera, zhdukeshin brenda asaj makine të vogël.

Së bashku, unë dhe Poli kemi udhëtuar kilometra të panumërt, duke u kënaqur me momentet e lumtura dhe duke duruar vështirësitë e jetës së tanishme dhe çdo gjë e kemi bërë me forcën që vetëm Jehovai mund të japë. Vitet kanë qenë të lumtura, të mbushura me dashuri për Jehovain, për njëri-tjetrin dhe për miqtë e vjetër e të rinj. Dy muajt që kaluam në Paterson, ndërsa Poli merrte stërvitje, ishin një pikë kulmore e jetës sonë deri tani. Fakti që e vërejta organizatën tokësore të Jehovait nga afër ma përforcoi një bindje që më është lënë si pjesë e trashëgimisë sime të çmuar frymore: kjo është vërtet organizata e Perëndisë. Çfarë gëzimi është të jemi edhe ne një pjesë e vogël e saj!

[Shënimi]

^ par. 44 Shih Kullën e Rojës, 15 shkurt 1952, faqja 128, anglisht.

[Figura në faqen 25]

Me Ed Huperin, pak para kongresit të vitit 1941 në Sent-Luis, ku mora kopjen personale të librit «Fëmijët»

[Figura në faqen 26]

Gjyshi në vitin 1948

[Figura në faqen 26]

Në fermën Houell, ku u martuan prindërit e mi (të qarkuar)

[Figura në faqen 27]

Tetë Studentët e Biblës që u burgosën padrejtësisht në vitin 1918 (Gjyshi është i pari sipër djathtas)

[Figura në faqen 29]

Të gjitha zotërimet materiale futeshin në Volksvagenin tonë

[Figura në faqen 29]

Me Polin, burrin tim