Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Lumturia e përjetshme: Në qiell apo në tokë?

Lumturia e përjetshme: Në qiell apo në tokë?

Lumturia e përjetshme: Në qiell apo në tokë?

A VARET lumturia juaj kryesisht nga vendi ku jetoni? Shumë njerëz do ta pranonin menjëherë se lumturia varet më shumë nga faktorë të tillë, si shëndeti i mirë, një qëllim në jetë dhe marrëdhënie të mira me të tjerët. Një proverb i Biblës e shpreh kështu: «Më mirë një pjatë me perime në të cilën ka dashuri se sa një ka i majmur në të cilin ka urrejtje.»​—Fjalët e urta 15:17.

Megjithatë, mjerisht, shtëpia jonë tokësore ka një histori të gjatë me urrejtje, dhunë dhe forma të tjera të ligësisë. Por, ç’të themi për qiellin ose për sferën frymore, ku shumë njerëz shpresojnë të shkojnë pasi të vdesin? A ka qenë ai gjithnjë një vend me paqe dhe qetësi parajsore, pa asnjë lloj shqetësimi, siç besohet në përgjithësi?

Bibla mëson se Perëndia banon në qiell së bashku me miliona krijesa frymore të quajtura engjëj. (Mateu 18:10; Zbulesa 5:11) Këta përshkruhen si ‘bij [frymorë] të Perëndisë’. (Jobi 38:4, 7) Ashtu si njerëzit, edhe engjëjt kanë vullnet të lirë, pra, nuk janë robotë. Prandaj, si rrjedhojë edhe ata mund të zgjedhin të bëjnë atë që është e drejtë ose e gabuar. A do të zgjidhnin engjëjt të bënin atë që është e gabuar? Për disa mund të jetë surprizë të mësojnë se mijëra vjet më parë, një numër i konsiderueshëm engjëjsh, në fakt, mëkatuan kundër Perëndisë, u rebeluan kundër tij!​—Juda 6.

Rebelë në qiell

Mëkati u shfaq në sferën frymore për shkak të rebelimit të një engjëlli, që u quajt Satana (kundërshtar) dhe Djall (shpifës). Ky engjëll, që më parë ishte i bindur, me vullnetin e tij të lirë zgjodhi të bëjë atë që është e gabuar. Pas kësaj, ai u bë ndikim korruptues te krijesat e tjera frymore, kështu që, në kohën e Noes, para Përmbytjes, një numër i madh prej tyre u bashkuan me Satanain në rebelimin kundër Perëndisë.​—Zanafilla 6:2, shënimi, BR; 2 Pjetrit 2:4.

Këta engjëj të rënë nuk u dëbuan menjëherë nga qielli. Përkundrazi, atyre iu tolerua hyrja në të, me sa duket me disa kufizime, për mijëra vjet. * Megjithatë, kur përfundoi tolerimi që u bëri Perëndia këtyre keqbërësve, ata u ‘hodhën’ nga qielli, për t’u shkatërruar përfundimisht. Atëherë, një zë në qiell tha: «Prandaj, gëzohuni, o qiej dhe ju që banoni në ta!» (Zbulesa 12:7-12) Është e qartë se engjëjt besnikë u gëzuan shumë që, më në fund, qiejt u çliruan nga ata ngatërrestarë të ligj!

Duke shqyrtuar këto hollësi që në përgjithësi nuk dihen, është e dukshme se nuk mund të ketë paqe të vërtetë sa herë që krijesat inteligjente shpërfillin ligjet dhe parimet e Perëndisë. (Isaia 57:20, 21; Jeremia 14:19, 20) Nga ana tjetër, kur të gjithë i binden ligjit të Perëndisë, paqja dhe qetësia mbizotërojnë. (Psalmi 119:165; Isaia 48:17, 18) Prandaj, sikur të gjithë njerëzit ta donin Perëndinë, t’i bindeshin atij dhe të donin njëri-tjetrin, a nuk do të ishte toka një vend vërtet i kënaqshëm e i lumtur? Bibla përgjigjet po!

Por, ç’të themi për ata që me egoizëm refuzojnë të ndryshojnë rrugët e tyre të këqija? A do ta shqetësojnë ata përgjithmonë paqen e atyre që duan vërtet të bëjnë vullnetin e Perëndisë? Jo, Perëndia ndërmori veprime me engjëjt e ligj në qiell e, po kështu, do të ndërmarrë veprime me njerëzit e ligj këtu në tokë.

Një tokë e spastruar

«Qielli është froni im dhe toka është mbështetësja e këmbëve të mia»,​—ka thënë Perëndia. (Isaia 66:1) Duke qenë kulmi i shenjtërisë, Perëndia nuk do të lejojë që «mbështetësja e këmbëve» të tij të ndotet pafundësisht nga e liga. (Isaia 6:1-3; Zbulesa 4:8) Ashtu si pastroi qiejt nga frymërat e liga, po ashtu do ta çlirojë tokën nga të gjithë njerëzit e ligj, siç e tregojnë fragmentet vijuese biblike:

«Njerëzit e ligj do të shfarosen, por ata që shpresojnë tek Zoti do të bëhen zotër të tokës.»​—Psalmi 37:9.

«Njerëzit e drejtë do të banojnë tokën dhe ata të ndershëm do të qëndrojnë aty; por të pabesët do të shfarosen nga toka dhe shkelësit do të hiqen prej saj.»​—Fjalët e urta 2:21, 22.

«Për Perëndinë është e drejtë t’i shpaguajë me shtrëngim ata që ju shtrëngojnë, kurse juve që vuani shtrëngim, me lehtësim bashkë me ne kur të zbulohet nga qielli Zotëria Jezu bashkë me engjëjt e tij të fuqishëm në një zjarr flakërues, duke sjellë hakmarrjen mbi ata që nuk e njohin Perëndinë dhe mbi ata që nuk i binden lajmit të mirë lidhur me Zotërinë tonë Jezu. Vetë këta do të pësojnë ndëshkimin gjyqësor të shkatërrimit të përhershëm larg nga pamja e Zotërisë dhe nga lavdia e fuqisë së tij.»​—2 Selanikasve 1:6-9.

«Bota [e njerëzimit të lig] po kalon e po kështu edhe dëshira e saj, por ai që bën vullnetin e Perëndisë mbetet përgjithmonë.»​—1 Gjonit 2:17.

A do të mbetet në paqe toka?

Ndonëse Shkrimet e tregojnë qartë se tolerimi që po u bën Perëndia të ligjve ka kufij, si mund të jemi të sigurt se e keqja, pasi të jetë eliminuar, nuk do të ripërsëritet? Në fund të fundit, pas Përmbytjes së ditëve të Noes, ligësia shpejt nxori krye përsëri, në një masë të tillë saqë Perëndisë iu desh t’i prishte planet e liga të njerëzimit, duke u ngatërruar gjuhën.​—Zanafilla 11:1-8.

Arsyeja kryesore përse jemi të sigurt që e liga nuk do të lindë përsëri, është se toka nuk do të sundohet më nga njerëzit, siç ndodhi shpejt pas Përmbytjes. Përkundrazi, do të sundohet nga Mbretëria e Perëndisë. Duke sunduar nga qielli, kjo Mbretëri do të jetë qeveria e vetme e tokës. (Danieli 2:44; 7:13, 14) Ajo do të veprojë me shpejtësi kundër kujtdo që përpiqet të futë përsëri të ligën. (Isaia 65:20) Në fakt, përfundimisht kjo Mbretëri do të shkatërrojë vetë nismëtarin e ligësisë, Satana Djallin, së bashku me demonët e tij, engjëjt e ligj që e pasuan.​—Romakëve 16:20.

Përveç kësaj, njerëzimi nuk do të ketë asnjë shkak për ankth lidhur me ushqimin, veshjen, strehimin dhe punësimin. Mungesa e këtyre gjërave sot i çon disa njerëz në jetën e krimit. Po, e gjithë toka do të transformohet në një parajsë prodhuese, me bollëk gjërash për të gjithë.​—Isaia 65:21-23; Luka 23:43.

Ç’është më e rëndësishmja, Mbretëria do t’u mësojë nënshtetasve të saj një mënyrë paqësore jetese, ndërsa në të njëjtën kohë do t’i ngrejë në kulmin e përsosmërisë njerëzore. (Gjoni 17:3; Romakëve 8:21) Pas kësaj, njerëzimit nuk do t’i duhet më të luftojë me dobësitë dhe prirjet mëkatare dhe kjo gjë do ta bëjë të mundur e të kënaqshme bindjen e përsosur ndaj Perëndisë, siç ishte në rastin e njeriut të përsosur Jezu. (Isaia 11:3) Në fakt, Jezui i qëndroi besnik Perëndisë edhe përballë tundimeve të mëdha dhe torturave​—gjëra që do të jenë krejt të huaja për jetën në Parajsë.​—Hebrenjve 7:26.

Përse disa shkojnë në qiell?

Megjithatë, shumë lexues të Biblës janë në dijeni të fjalëve të Jezuit: «Në shtëpinë e Atit tim ka shumë banesa. . . . Po shkoj t’ju përgatit një vend.» (Gjoni 14:2, 3) A nuk bie në kundërshtim kjo me idenë e të jetuarit përgjithmonë në një tokë parajsore?

Këto mësime nuk janë kontradiktore. Në fakt, njëri mbështet tjetrin. Sa për të filluar, Bibla thotë se vetëm një numër i kufizuar të krishterësh besnikë, domethënë, 144 000 prej tyre, ngrihen si krijesa frymore për të jetuar në qiell. Përse u jepet ky shpërblim i mrekullueshëm? Sepse përbëjnë grupin që pa Gjoni në një vizion, njerëz që «erdhën në jetë dhe sunduan si mbretër me Krishtin për një mijë vjet». (Zbulesa 14:1, 3; 20:4-6) Të krahasuar me miliarda njerëzit në tokë, këta 144 000 janë vërtet një «kope e vogël». (Luka 12:32) Për më tepër, pasi i kanë provuar problemet që janë të zakonshme për njerëzimin, ashtu si Jezui, ata do të jenë në gjendje të ‘bashkohen me ndjenjat tona në dobësitë që kemi’, ndërsa do të mbikëqyrin rivendosjen e njerëzimit dhe të tokës.​—Hebrenjve 4:15.

Toka​—Shtëpia e përjetshme e njerëzimit

Duke siguruar flijimin shpërblyes të Jezu Krishtit, Perëndia filloi t’i mblidhte 144 000 personat pothuajse 2000 vjet më parë dhe ka tregues që ky numër tani është i plotë. (Veprat 2:1-4; Galatasve 4:4-7) Megjithatë, flijimi i Jezuit nuk ishte vetëm për mëkatet e këtyre 144 000 njerëzve, «por edhe për ato të të gjithë botës». (1 Gjonit 2:2) Prandaj, të gjithë ata që ushtrojnë besim te Jezui kanë perspektivën e jetës së përjetshme. (Gjoni 3:16) Ata që flenë në varr, por që janë në kujtesën e Perëndisë, do të ringjallen jo në qiell, por në jetën në një tokë të pastruar. (Predikuesi 9:5; Gjoni 11:11-13, 25; Veprat 24:15) Çfarë do t’i presë atje?

Zbulesa 21:1-4 jep përgjigjen, duke thënë: «Ja, tenda e Perëndisë është me njerëzimin . . . Ai do të thajë çdo lot nga sytë e tyre dhe vdekje nuk do të ketë më, as vajtim, as klithmë, as dhembje nuk do të ketë më. Gjërat e mëparshme kanë kaluar.» Imagjinoni: njerëzit do të çlirohen nga vdekja, dhe dhembja e klithmat që shkakton ajo do të kenë shkuar përgjithmonë! Më në fund, qëllimi fillestar i Jehovait për tokën dhe për njerëzimin do të arrijë përmbushjen e tij të lavdishme.​—Zanafilla 1:27, 28.

Zgjedhja jonë: jetë ose vdekje

Adamit dhe Evës nuk iu dha kurrë alternativa për të shkuar në qiell. Zgjedhja e tyre ishte ose t’i bindeshin Perëndisë dhe të jetonin përjetësisht në një tokë parajsore, ose të mos i bindeshin e të vdisnin. Mjerisht, ata zgjodhën mosbindjen dhe, prandaj, u kthyen në ‘pluhurin’ e tokës. (Zanafilla 2:16, 17; 3:2-5, 19) Nuk ka qenë kurrë qëllimi i Perëndisë që familja njerëzore në përgjithësi të vdesë e të popullojë qiellin, pas varrit. Perëndia krijoi një mori engjëjsh për të jetuar në qiell. Këto krijesa frymore nuk janë njerëz që kanë vdekur e që janë ringjallur në jetën në qiell.​—Psalmi 104:1, 4; Danieli 7:10.

Çfarë duhet të bëjmë për të marrë bekimin e jetës përgjithmonë në Parajsën në tokë? Një hap i parë është të studiojmë Fjalën e Perëndisë, Biblën e Shenjtë. «Kjo do të thotë jetë e përhershme,​—tha Jezui në lutje,​—të vazhdojnë të marrin njohuri për ty, të vetmin Perëndi të vërtetë dhe për atë që ti dërgove, Jezu Krishtin.»​—Gjoni 17:3.

Vënia e kësaj njohurie në praktikë është një hap tjetër për lumturinë e përhershme në Parajsë. (Jakovit 1:22-24) Ata që jetojnë sipas Fjalës së Perëndisë kanë perspektivën që të shohin me sytë e tyre përmbushjen e profecive të tilla drithëruese, si ajo që është dokumentuar tek Isaia 11:9, ku thuhet: «Ata [njerëzimi] nuk do të bëjnë asnjë dëm dhe nuk do të shkaktojnë asnjë rrënim në gjithë malin tim të shenjtë, sepse toka me siguri do të mbushet me njohurinë e Jehovait ashtu si ujërat mbulojnë vetë detin.»​—BR.

[Shënimi]

^ par. 7 Për trajtimin e arsyeve përse e ka toleruar Perëndia të keqen në qiell dhe në tokë, shih librin Njohuria që të çon në jetën e përhershme, botuar nga Watchtower Bible and Tract Society of New York, Inc., faqet 70-79.

[Figurat në faqen 7]

«Të drejtët do të trashëgojnë tokën dhe do të banojnë gjithnjë mbi të.»​—Psalmi 37:29.