Studimi shpërblyes dhe i këndshëm
Studimi shpërblyes dhe i këndshëm
«Nëse vazhdon të kërkosh për të . . . , do të gjesh vetë njohurinë e Perëndisë.»—PROVERBAT 2:4, 5, BR.
1. Si mund të na sjellë shumë kënaqësi leximi në kohën e lirë?
SHUMË veta lexojnë thjesht për kënaqësi. Nëse materiali është i shëndetshëm, leximi mund të jetë i mirë për t’u çlodhur. Përveç programit të tyre të rregullt për leximin e Biblës, disa të krishterë gjejnë kënaqësi të vërtetë duke lexuar pjesë të veçanta nga Psalmet, Proverbat, tregimet e Ungjijve ose pjesë të tjera të Biblës. Edhe vetëm bukuria e gjuhës dhe e mendimit u sjell atyre kënaqësi të thellë. Të tjerë zgjedhin të lexojnë në kohën e lirë Librin vjetor të Dëshmitarëve të Jehovait, revistën Zgjohuni!, jetëshkrimet e botuara në këtë revistë ose materiale për historinë, gjeografinë dhe studime për natyrën.
2, 3. (a) Në ç’mënyrë informacionet e thella frymore mund të krahasohen me ushqim të fortë? (b) Çfarë përfshin studimi?
2 Ndërkohë që leximi për kënaqësi mund të jetë një formë çlodhjeje, studimi kërkon përpjekje mendore. Filozofi anglez Frensis Bekon shkroi: «Disa libra janë për t’u shijuar, të tjerë për t’u gëlltitur dhe pak janë për t’u përtypur e tretur.» Bibla i takon plotësisht kategorisë së fundit. Apostulli Pavël shkroi: «Në lidhje me të [me Krishtin, të paraqitur nga mbreti-prift Melkisedeku] kemi shumë gjëra për të thënë dhe që janë të vështira për t’u shpjeguar, pasi juve ju është mpirë dëgjimi. . . . Ushqimi i fortë u përket njerëzve të pjekur, atyre që nëpërmjet përdorimit i kanë aftësitë perceptuese të stërvitura për të shquar si të drejtën, ashtu edhe të gabuarën.» (Hebrenjve 5:11, 14) Ushqimin e fortë duhet ta përtypim para se ta gëlltitim e ta tretim. Informacionet e thella frymore kërkojnë meditim, para se të thithen nga truri e të ruhen atje.
3 Një fjalor e përkufizon «studimin» si «veprimi ose procesi i përqendrimit të vëmendjes, për të fituar njohuri ose kuptueshmëri, si p.sh., duke lexuar, duke hetuar e të tjera». Si rrjedhim, kuptojmë se përfshihet më shumë sesa thjesht të bëjmë një lexim përciptazi, ndoshta duke nënvizuar fjalët gjatë leximit. Studimi nënkupton punë, përpjekje mendore dhe përdorimin e aftësive perceptuese. Megjithatë, ndonëse studimi kërkon përpjekje, kjo nuk do të thotë se nuk mund të jetë i këndshëm.
Ta bëjmë studimin një kënaqësi
4. Sipas psalmistit, si mund të jetë freskues dhe shpërblyes studimi i Fjalës së Perëndisë?
4 Leximi dhe studimi i Fjalës së Perëndisë mund të jetë freskues dhe fuqizues. Psalmisti deklaroi: «Ligji i Zotit është i përsosur, ai e përtërin shpirtin; dëshmia e Zotit është e vërtetë dhe Psalmi 19:7, 8) Ligjet dhe përkujtuesit e Jehovait na e përtërijnë shpirtin, na shtojnë mirëqenien frymore, na sjellin gëzim të brendshëm dhe i bëjnë sytë tanë të ndriçojnë, duke pasur një pamje të qartë të qëllimeve të mrekullueshme të Jehovait. Sa e kënaqshme!
e bën të ditur njeriun e thjeshtë. Porositë e Zotit janë të drejta dhe e gëzojnë zemrën; urdhërimet e Zotit janë të pastra dhe ndriçojnë sytë.» (5. Në cilat mënyra mund të na sjellë kënaqësi të madhe studimi?
5 Një punë e bëjmë më me kënaqësi kur shohim rezultate të mira prej saj. Kështu, për ta bërë të kënaqshëm studimin, duhet të jemi të shpejtë për të përdorur njohurinë që sapo kemi fituar. Jakovi shkroi: «Ai që ndalet e shikon në ligjin e përsosur që i përket lirisë dhe ngulmon në të, ky njeri meqenëse është bërë jo dëgjues harraq, por bërës i veprës, duke e bërë atë do të jetë i lumtur.» (Jakovit 1:25) Zbatimi i menjëhershëm personal i pikave që kemi mësuar sjell kënaqësi të madhe. Bërja e kërkimeve me qëllimin specifik për t’iu përgjigjur një pyetjeje që na është bërë gjatë veprës së predikimit ose të mësimdhënies, do të na sjellë, gjithashtu, lumturi të madhe.
Të kultivojmë kënaqësinë për Fjalën e Perëndisë
6. Si e shprehu shkrimtari i Psalmit 119 përzemërsinë që kishte për fjalën e Jehovait?
6 Kompozitori i Psalmit 119, ndoshta Hezekia kur ishte ende një princ i ri, shprehu kënaqësinë që ndiente për fjalën e Jehovait. Me një gjuhë poetike, ai tha: «Do të kënaqem me statutet e tua dhe nuk do ta harroj fjalën tënde. Porositë e tua janë gëzimi im . . . Do të kënaqem me urdhërimet e tua, sepse i dua. Ardhshin tek unë dhembshuritë e tua të mëdha dhe kështu paça mundësi të jetoj, sepse ligji yt është kënaqësia ime. Unë dëshiroj me zjarr shpëtimin tënd, o Zot, dhe ligji yt është gëzimi im.»—Psalmi 119:16, 24, 47, 77, 174.
7, 8. (a) Sipas një vepre referimi, çfarë do të thotë që të ‘kënaqemi’ me Fjalën e Perëndisë? (b) Si mund ta tregojmë dashurinë për Fjalën e Jehovait? (c) Si e përgatiti Ezdra veten para se të lexonte Ligjin e Jehovait?
7 Duke shpjeguar fjalën e përkthyer «do të kënaqem» në Psalmin 119, një fjalor për Shkrimet Hebraike thotë: «Përdorimi në vargun 16 është paralel me [foljet] për gëzimin . . . dhe për meditimin . . . Radha është: gëzoj, meditoj, kënaqem . . . Ky kombinim mund të na sugjerojë se meditimi me një qëllim është mjeti me anë të të cilit një person arrin të gjejë kënaqësi në fjalën e Jahveut. . . . Kuptimi i fjalës përfshin një element emocional.» *
8 Po, dashuria për Fjalën e Jehovait duhet të na vijë nga zemra, e cila është qendra e ndjenjave. Duhet të gjejmë kënaqësi duke qëndruar më shumë në disa fragmente që sapo i kemi lexuar. Duhet të mendojmë për gjëra të thella frymore, të përpihemi në to dhe të meditojmë për to. Kjo kërkon reflektim me qetësi dhe lutje. Ashtu si Ezdra, duhet ta përgatitim zemrën për të lexuar e për të studiuar Fjalën e Perëndisë. Për të është shkruar: «Vetë Ezdra e kishte përgatitur zemrën e tij për të konsultuar ligjin e Jehovait, për ta zbatuar atë dhe për të mësuar në Izrael rregullin dhe drejtësinë.» (Ezdra 7:10, BR) Vini re qëllimin e trefishtë që kishte Ezdra kur përgatiti zemrën e vet: për të studiuar, për të bërë zbatim personal dhe për të mësuar të tjerët. Ne duhet të ndjekim shembullin e tij.
Studimi si një akt adhurimi
9, 10. (a) Në cilat mënyra mendoi thellë psalmisti për Fjalën e Jehovait? (b) Çfarë do të thotë folja hebraike e përkthyer «mendoj thellë [ose përsiatem]»? (c) Përse është e rëndësishme që ta konsiderojmë studimin e Biblës si «një akt adhurimi»?
9 Psalmisti thotë se mendonte thellë për ligjet, urdhërimet dhe përkujtuesit e Jehovait. Ai këndon: «Do të mendoj thellë mbi urdhërimet e tua dhe do të marr në konsideratë shtigjet e tua. Do të ngre duart e mia drejt urdhërimeve të tua, sepse i dua dhe do të mendohem thellë mbi statutet e tua. Oh, sa shumë e dua ligjin tënd! Ai është përsiatja ime gjithë ditën. Kuptoj më shumë se të gjithë mësuesit e mi, sepse urdhërimet e tua janë përsiatja ime.» (Psalmi 119:15, 48, 97, 99) Çfarë përfshin ‘të mendosh thellë’ për Fjalën e Jehovait?
10 Folja hebraike e përkthyer me shprehjen «mendoj thellë [ose përsiatem]» ka edhe kuptimin «meditoj, bie në mendime», «e bluaj një çështje në mendje». «Përdoret për meditimin në heshtje rreth veprave të Perëndisë . . . dhe rreth fjalës së Perëndisë.» (Theological Wordbook of the Old Testament) Forma emërore «përsiatje» i referohet «meditimit të psalmistit», «studimit të tij të motivuar nga dashuria» për ligjin e Perëndisë, si «një akt adhurimi». Studimi i Fjalës së Perëndisë bëhet edhe më serioz kur e konsiderojmë si pjesë të adhurimit tonë. Prandaj, studimi duhet bërë me vetëdije dhe duke përfituar nga mundësia e lutjes. Studimi është pjesë e adhurimit tonë dhe bëhet me qëllim që të përmirësojmë adhurimin.
Të gërmojmë më thellë në Fjalën e Perëndisë
11. Si ia zbulon Jehovai popullit të tij mendimet e thella frymore?
11 Me një admirim plot nderim të thellë, psalmisti thirri: «Sa të mëdha janë veprat e tua, o Zot, sa të thella janë mendimet e tua!» (Psalmi 92:5) Edhe apostulli Pavël foli për «gjërat e thella të Perëndisë», mendimet e thella që Jehovai ia zbulon popullit të tij «nëpërmjet frymës së tij», e cila vepron mbi klasën e skllavit të besueshëm dhe të matur. (1 Korintasve 2:10; Mateu 24:45) Klasa e skllavit siguron me zell ushqim frymor për të gjithë—«qumësht» për të rinjtë në të vërtetën, por «ushqim të fortë» për ‘njerëzit e pjekur’.—Hebrenjve 5:11-14.
12. Jepni një shembull të ‘gjërave të thella të Perëndisë’ që janë shpjeguar nga klasa e skllavit.
12 Për të kuptuar këto ‘gjëra të thella të Perëndisë’ është e nevojshme të studiojmë me lutje dhe të meditojmë rreth Fjalës së tij. Për shembull, janë botuar materiale të shkëlqyera që tregojnë si mund të jetë Jehovai njëkohësisht i drejtë dhe i mëshirshëm. Fakti që ushtron mëshirën nuk do të thotë se ai e dobëson drejtësinë e tij, përkundrazi, mëshira hyjnore është shprehje e drejtësisë, si dhe e dashurisë së Perëndisë. Kur gjykon një mëkatar, së pari Jehovai përcakton nëse është e mundur të tregohet mëshirë në bazë të flijimit shpërblyes të Birit të tij. Nëse mëkatari nuk pendohet ose është rebel, Perëndia lejon që drejtësia të bëjë punën e vet pa e zbutur me mëshirën. Në secilin rast, ai është besnik ndaj parimeve të veta të larta. * (Romakëve 3:21-26) ‘O thellësi e mençurisë së Perëndisë!’—Romakëve 11:33.
13. Si duhet ta tregojmë çmueshmërinë për ‘numrin e madh’ të të vërtetave frymore që na janë zbuluar deri tani?
13 Ashtu si psalmisti, ne drithërohemi nga fakti që Jehovai ndan shumë mendime të tij me ne. Davidi shkroi: «Oh, sa të çmuara janë për mua mendimet e tua, o Perëndi! Sa i madh është gjithë numri [shuma, BR] i tyre! Po të doja t’i numëroja, do të ishin më të shumtë se rëra.» (Psalmi 139:17, 18) Njohuria që kemi sot përbën vetëm një pjesëz të mendimeve të panumërueshme që do të zbulojë Jehovai gjatë gjithë përjetësisë. Megjithatë, ne e vlerësojmë thellësisht ‘shumën e madhe’ të të vërtetave të çmuara frymore që na janë zbuluar deri tani dhe gërmojmë gjithnjë e më thellë në shumën ose në përmbajtjen e Fjalës së Perëndisë.—Psalmi 119:160, shënimi, BR.
Nevojiten përpjekje dhe mjete të efektshme
14. Si e thekson Fjalët e urta 2:1-6 nevojën për përpjekje në studimin e Fjalës së Perëndisë?
14 Studimi i thellë i Biblës kërkon përpjekje. Ky fakt del në pah shumë qartë po të lexojmë me kujdes Fjalët e urta 2:1-6. Vini re foljet veprore që përdori mbreti i mençur Solomon për të theksuar përpjekjet që nevojiten për të fituar njohurinë hyjnore, mençurinë dhe aftësinë dalluese. Ai shkroi: «Biri im, në rast se pranon fjalët e mia dhe i quan thesar urdhërimet e mia, duke i vënë veshin diturisë dhe duke e prirur zemrën ndaj arsyes; po, në rast se kërkon me ngulm gjykimin dhe ngre zërin për të siguruar mirëkuptim, në rast se e kërkon si argjendin dhe fillon të rrëmosh si për një thesar të fshehur, atëherë do të ndjesh frikën e Zotit dhe ke për të gjetur kuptimin [njohurinë, BR] e Perëndisë. Sepse Zoti jep diturinë; nga goja e tij rrjedhin njohuria dhe arsyeja.» Po, studimi shpërblyes nënkupton kërkime e gërmime, sikur po kërkojmë një thesar të fshehur.
15. Cili ilustrim biblik e thekson nevojën për metoda të mira studimi?
15 Studimi që të pasuron frymësisht kërkon edhe metoda të mira studimi. Solomoni shkroi: «Në qoftë se sëpata topitet dhe nuk mprehet, duhet të përdoret me më tepër forcë.» (Eklisiastiu 10:10) Nëse një punëtor përdor një mjet prerës që nuk është i mprehtë ose nëse nuk e përdor me mjeshtëri, do t’i humbasë kot energjitë dhe punën do ta bëjë shkel e shko. Në mënyrë të ngjashme, dobitë që nxjerrim nga koha e kaluar për të studiuar mund të ndryshojnë shumë, në varësi të metodave tona të studimit. Sugjerime të shkëlqyera praktike për të përmirësuar mënyrën si studiojmë mund të gjenden në Studimin 7 të Udhëzuesit të Shkollës së Shërbimit Teokratik. *
16. Çfarë sugjerimesh praktike janë dhënë për të na ndihmuar të angazhohemi në studim të thellë?
16 Kur një zanatçi bëhet gati për punë, ai nxjerr mjetet që do t’i nevojiten. Në mënyrë të ngjashme, kur fillojmë një periudhë studimi, duhet të zgjedhim në bibliotekën tonë personale mjetet e studimit që do të na nevojiten. Duke mbajtur mend se studimi është punë dhe kërkon përpjekje mendore, është mirë, gjithashtu, të kemi një pozicion të përshtatshëm qëndrimi. Nëse duam të qëndrojmë zgjuar mendërisht, mund të jetë më e efektshme të ulemi në një karrige dhe të kemi përpara një tavolinë të thjeshtë ose shkrimi, sesa të rrimë shtrirë në krevat ose ulur në një kolltuk të rehatshëm. Pasi të përqendrohemi për njëfarë kohe, mund të jetë e dobishme të shtriqemi nga pak ose të dalim për të marrë ajër të pastër.
17, 18. Jepni shembuj se si t’i përdorni mjetet e shkëlqyera të studimit që keni në dispozicion.
17 Veç kësaj, kemi në dispozicion shumë mjete studimi të pakrahasueshme. Më kryesori ndër to është Përkthimi Bota e Re i Biblës, që tani është në dispozicion, i plotë ose pjesërisht, në 37 gjuhë. Botimi standard i Përkthimit Bota e Re është i pajisur me referime dhe me një «Tabelë e librave të Biblës», e cila jep emrin e shkrimtarit, vendin ku u shkrua libri dhe periudhën kohore që përfshin. Gjithashtu, ky botim ka një tregues të fjalëve biblike, një shtojcë dhe harta të ndryshme. Në disa gjuhë, kjo Bibël është shtypur në format të madh, e njohur si Bibla me referime. Ajo përmban të gjitha aspektet e përmendura më sipër dhe shumë të tjera, duke përfshirë shënime të zgjeruara, të cilat kanë edhe ato treguesin e tyre. A përfitoni plotësisht nga ajo që është në dispozicion në gjuhën tuaj, si një ndihmë për të gërmuar më thellë në Fjalën e Perëndisë?
18 Një mjet tjetër studimi me shumë vlerë është enciklopedia biblike në dy vëllime, Mendjehollësi
mbi Shkrimet. Nëse e keni këtë vepër në një gjuhë që mund ta kuptoni, ajo duhet të jetë shoqëruesja juaj e përhershme kur studioni. Do t’ju sigurojë informacionet për kontekstin e shumë argumenteve biblike. Një mjet që ndihmon në mënyrë të ngjashme është libri «I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm». Kur filloni të lexoni një libër të ri të Biblës, është mirë të shqyrtoni studimin përkatës në librin «I gjithë Shkrimi», për të kuptuar ambientin gjeografik dhe historik, plus një përmbledhje të përmbajtjes së librit biblik dhe të vlerës së tij për ne. Një shtesë e kohëve të fundit e mjeteve të shumta për studim në formë të shtypur është Biblioteka Watchtower e kompjuterizuar, e cila tani është në dispozicion në nëntë gjuhë.19. (a) Përse Jehovai na ka siguruar mjete të shkëlqyera për studimin e Biblës? (b) Çfarë nevojitet për ta lexuar e për ta studiuar siç duhet Biblën?
19 Jehovai i ka siguruar të gjitha këto mjete nëpërmjet ‘skllavit të besueshëm dhe të matur’, që t’u japë mundësi shërbëtorëve të tij në tokë të ‘kërkojnë dhe të gjejnë vetë njohurinë e Perëndisë’. (Fjalët e urta 2:4, 5, BR) Zakonet e mira të studimit na japin mundësi të marrim një njohuri më të mirë për Jehovain dhe të gëzojmë një marrëdhënie më të ngushtë me të. (Psalmi 63:1-8) Po, studim do të thotë punë, por është një punë e kënaqshme dhe shpërblyese. Megjithatë, kjo punë kërkon kohë dhe ndoshta ju po mendoni: ‘Ku mund ta gjej kohën për t’i kushtuar vëmendjen e duhur leximit të Biblës dhe studimit personal?’ Ky aspekt do të shqyrtohet në artikullin përmbyllës të kësaj serie.
[Shënimet]
^ par. 7 New International Dictionary of Old Testament Theology & Exegesis, Vëllimi 4, faqet 205-207.
^ par. 12 Shih Kullën e Rojës, 1 gusht 1998, faqja 13, paragrafi 7. Si një projekt për studimin e Biblës, mund të rishikosh të dy artikujt e studimit që ndodhen në atë numër, si edhe zërat «E drejta», «Mëshira» dhe «Drejtësia» në enciklopedinë biblike Mendjehollësi mbi Shkrimet, botuar nga Watchtower Bible and Tract Society of New York, Inc., anglisht.
^ par. 15 Botuar nga Watchtower Bible and Tract Society of New York, Inc., anglisht. Nëse ky manual nuk është në dispozicion në gjuhën tuaj, këshilla të mira për metodat e studimit mund të gjenden në këta numra të Kullës së Rojës: 15 dhjetor 1993, faqet 18-24; 15 maj 1986, faqet 19-20, anglisht.
Pyetje për rishikim
• Si mund ta bëjmë studimin personal freskues dhe shpërblyes?
• Ashtu si psalmisti, si mund të tregojmë ‘kënaqësi’ dhe ‘të mendohemi thellë’ për Fjalën e Jehovait?
• Si e tregon Fjalët e urta 2:1-6 nevojën për përpjekje kur studiojmë Fjalën e Perëndisë?
• Çfarë mjetesh të shkëlqyera studimi ka siguruar Jehovai?
[Pyetjet]
[Figura në faqen 14]
Meditimi në heshtje dhe lutja na ndihmojnë të zhvillojmë dashurinë për Fjalën e Perëndisë
[Figurat në faqen 17]
A i përdorni plotësisht mjetet e studimit që janë në dispozicion për të gërmuar më thellë në Fjalën e Perëndisë?