Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Të blejmë kohën për të lexuar e për të studiuar

Të blejmë kohën për të lexuar e për të studiuar

Të blejmë kohën për të lexuar e për të studiuar

«[Blini] kohën e duhur për veten tuaj, sepse ditët janë të liga.»​—EFESIANËVE 5:16.

1. Përse është e mençur që ta planifikojmë kohën dhe çfarë mund të zbulojë për ne mënyra si e përdorim kohën?

ËSHTË thënë që «të zgjedhësh kohën do të thotë ta kursesh atë». Një person që u cakton një sasi specifike kohe gjërave që duhen bërë, shpesh do të përfitojë më shumë nga koha që ka. Mbreti i mençur Solomon shkroi: «Çdo gjë ka orën e vet të caktuar, ka një kohë për çdo gjë nën qiell.» (Eklisiastiu [Predikuesi] 3:1, Moffatt) Që të gjithë kemi të njëjtën sasi kohe në dispozicion, por na përket neve të vendosim si do ta përdorim atë. Mënyra se si i përcaktojmë përparësitë tona dhe se si e ndajmë kohën zbulon në një masë të madhe çfarë kemi më shumë për zemër.​—Mateu 6:21.

2. (a) Çfarë tha Jezui në Predikimin në Mal për nevojën tonë frymore? (b) Cilin shqyrtim do të ishte mirë t’i bënim vetes?

2 Jemi të detyruar të kalojmë kohë duke ngrënë e duke fjetur, sepse këto janë nevoja fizike. Por, ç’të themi për nevojat tona frymore? E dimë se edhe ato duhen plotësuar. Në Predikimin e tij në Mal Jezui deklaroi: «Lum ata që janë të vetëdijshëm për nevojën e tyre frymore.» (Mateu 5:3) Ja përse «skllavi i besueshëm dhe i matur» na kujton rregullisht sa e rëndësishme është t’i kushtojmë kohë leximit të Biblës dhe studimit. (Mateu 24:45) Ndoshta ju e kuptoni sa e rëndësishme është kjo, por mund të mendoni se thjesht nuk keni kohë për të studiuar ose për të lexuar Biblën. Nëse është kështu, le të shqyrtojmë mënyra dhe mjete që na ndihmojnë të lëmë më shumë vend në jetën tonë për të lexuar Fjalën e Perëndisë, për të bërë studimin personal dhe për të medituar.

Të gjejmë kohë për leximin e Biblës dhe për studimin

3, 4. (a) Çfarë këshille dha apostulli Pavël për përdorimin e kohës dhe çfarë përfshin kjo? (b) Çfarë kishte ndër mend Pavli kur na këshilloi që të ‘blejmë kohën e duhur për veten tonë’?

3 Duke pasur parasysh kohët në të cilat jetojmë, që të gjithë duhet t’u vëmë veshin fjalëve të apostullit Pavël: «Vazhdoni të shikoni, pra, me kujdes që mënyra se si ecni të mos jetë si të pamendët, por si të mençurit, duke blerë kohën e duhur për veten tuaj, sepse ditët janë të liga. Prandaj, mjaft u bëtë të paarsyeshëm, por vazhdoni të dalloni se cili është vullneti i Jehovait.» (Efesianëve 5:15-17) Sigurisht, kjo këshillë përfshin të gjitha aspektet e jetës sonë si të krishterë të dedikuar, duke përfshirë gjetjen e kohës për t’u lutur, për të studiuar, për mbledhjet dhe për të marrë pjesë sa më plotësisht në predikimin e ‘lajmit të mirë të mbretërisë’.​—Mateu 24:14; 28:19, 20.

4 Shumë shërbëtorë të Jehovait sot duket se kanë vështirësi për ta përfshirë leximin e Biblës dhe studimin e thellë në jetën e tyre. Është e qartë se nuk mund t’i shtojmë orë të tjera ditës, kështu që këshilla e Pavlit duhet të nënkuptojë diçka tjetër. Në greqisht, fraza «të blesh kohën e duhur» përfshin të blesh në kurriz të diçkaje tjetër. Në fjalorin e tij, Expository Dictionary, U. E. Vajn jep këtë kuptim: «Të nxjerrësh më të mirën nga çdo mundësi që ke, ta përdorësh sa më mirë, sepse nuk mund të kthesh prapa asnjërën prej tyre, nëse e humbet.» Nga çfarë ose ku mund ta blejmë kohën e duhur për të lexuar dhe për të studiuar Biblën?

Duhet të vendosim përparësitë

5. Përse dhe si duhet të ‘sigurohemi për gjërat më të rëndësishme’?

5 Përveç detyrimeve shekullare, ne duhet të kujdesemi për shumë gjëra me natyrë frymore. Si shërbëtorë të dedikuar të Jehovait, kemi «shumë për të bërë në veprën e Zotërisë». (1 Korintasve 15:58) Për këtë arsye, Pavli i udhëzoi të krishterët në Filipi që ‘të siguroheshin për gjërat më të rëndësishme’. (Filipianëve 1:10) Kjo do të thotë se duhen vendosur përparësitë. Gjërat frymore duhet të kenë gjithnjë përparësi mbi interesat materiale. (Mateu 6:31-33) Gjithsesi, duhet edhe ekuilibër për të plotësuar detyrimet tona frymore. Si po e ndajmë kohën ndërmjet aspekteve të ndryshme të jetës sonë të krishterë? Mbikëqyrësit udhëtues raportojnë se midis «gjërave më të rëndësishme» për të cilat duhet të kujdeset një i krishterë, studimi personal dhe leximi i Biblës kanë prirjen të lihen pas dore.

6. Çfarë mund të përfshijë të blejmë kohën e duhur, kur vjen fjala për punën shekullare ose për punët e shtëpisë?

6 Siç e kemi parë, të blesh kohën e duhur përfshin «të nxjerrësh më të mirën nga çdo mundësi që ke» dhe «ta përdorësh atë sa më mirë». Prandaj, nëse shprehitë tona të leximit të Biblës dhe të studimit lënë shumë për të dëshiruar, do të ishte mirë të bënim një analizë personale për të parë si e kalojmë kohën. Nëse puna është tepër kërkuese, duke na konsumuar tepër nga koha dhe energjitë tona, duhet ta bëjmë këtë një argument për t’iu lutur Jehovait. (Psalmi 55:22) Mund të jemi në gjendje të bëjmë rregullime që do të na linin më shumë kohë për gjërat e rëndësishme që kanë të bëjnë me adhurimin e Jehovait, duke përfshirë studimin dhe leximin e Biblës. Është thënë me të drejtë se për një grua punët nuk mbarojnë kurrë. Prandaj, edhe motrat e krishtere duhet të vendosin përparësitë e tyre dhe të rezervojnë periudha të përcaktuara për leximin e Biblës dhe për një studim të thellë.

7, 8. (a) Nga cilat aktivitete mund të blihet, shpesh, koha për të lexuar e për të studiuar? (b) Cili është qëllimi i zbavitjes dhe si mund të na ndihmojë mbajtja në mend e kësaj për të vendosur përparësitë?

7 Në përgjithësi, shumica prej nesh mund të blejë kohë për studimin, duke hequr dorë nga aktivitetet jo të domosdoshme. Mund të pyesim veten: ‘Sa kohë kaloj duke lexuar revistat ose gazetat e ndryshme, duke parë programet televizive, duke dëgjuar muzikë ose duke luajtur me lojëra elektronike? A kaloj më shumë kohë para kompjuterit, sesa duke lexuar Biblën?’ Pavli thotë: «Mjaft u bëtë të paarsyeshëm, por vazhdoni të dalloni se cili është vullneti i Jehovait.» (Efesianëve 5:17) Përdorimi i paarsyeshëm i televizorit duket se është një arsye kryesore përse shumë Dëshmitarë nuk i kushtojnë kohë të mjaftueshme studimit personal dhe leximit të Biblës.​—Psalmi 101:3; 119:37, 47, 48.

8 Disa mund të thonë se nuk studiojnë dot gjithë kohën, se kanë nevojë për pak zbavitje. Ndonëse kjo është e vërtetë, ndoshta është mirë të shqyrtojmë sasinë e kohës që kalojmë duke u çlodhur dhe ta krahasojmë me kohën që, në fakt, kalojmë duke studiuar ose duke lexuar Biblën. Përfundimi mund të jetë i habitshëm. Zbavitja dhe çlodhja, ndonëse janë të nevojshme, duhen mbajtur në vendin që u takon. Qëllimi i tyre është të na freskojnë për t’i vazhduar aktivitetet frymore me forca të reja. Shumë programe televizive dhe lojëra elektronike e lënë një person të sfilitur, kurse leximi dhe studimi i Fjalës së Perëndisë është freskues dhe rigjallërues.​—Psalmi 19:7, 8.

Si bëjnë vend disa për studimin?

9. Cilat janë dobitë që vijnë kur ndjekim këshillën e dhënë në broshurën Të shqyrtojmë Shkrimet çdo ditë​—1999?

9 Në parathënien e botimit të vitit 1999 të broshurës Të shqyrtojmë Shkrimet çdo ditë thuhet: «Do të ishte më e dobishme nëse shkrimi i ditës dhe komentet nga kjo broshurë do të shqyrtohen në mëngjes. Do të ndiheni sikur Jehovai, Mësuesi i Madh, po ju zgjon me mësimet e tij. Për Jezu Krishtin thuhet në mënyrë profetike se nxjerr dobi nga mësimet e Jehovait çdo mëngjes: ‘Ai [Jehovai] më zgjon mëngjes për mëngjes; ai zgjon veshin tim, për të dëgjuar si personat e mësuar.’ Këto mësime i dhanë Jezuit ‘gjuhën e të mësuarve’, kështu që ai ‘dinte se si t’i përgjigjej të lodhurit me një fjalë’. (Isa. 30:20; 50:4, BR; Mat. 11:28-30) Të qenët zgjuar ndaj këshillave në kohën e duhur që vijnë çdo mëngjes nga Fjala e Perëndisë, jo vetëm që do të na ndihmojë të përballojmë problemet, por do të na pajisë, gjithashtu, me ‘gjuhën e të mësuarve’ për të ndihmuar të tjerët.» *

10. Si bëjnë vend disa për leximin e Biblës dhe për studimin e me çfarë dobish?

10 Shumë të krishterë e ndjekin këtë këshillë duke lexuar shkrimin e ditës dhe komentet, si edhe duke lexuar Biblën ose duke studiuar herët në mëngjes. Në Francë, një pioniere besnike ngrihet herët çdo mëngjes dhe i kushton 30 minuta leximit të Biblës. Çfarë i ka dhënë mundësi ta bëjë këtë gjatë viteve? Ajo thotë: «Jam e motivuar thellësisht dhe i përmbahem programit të leximit, të ndodhë ç’të ndodhë!» Cilëndo kohë të ditës që të zgjedhim, e rëndësishme është që t’i përmbahemi programit tonë. Rëné Mika, i cili ka qenë në shërbimin e pionierit për më shumë se 40 vjet, në Evropë dhe në Afrikën e Veriut, thotë: «Që nga viti 1950, synimi im ka qenë ta lexoj të gjithë Biblën brenda një viti dhe këtë e kam bërë deri tani 49 herë. Mendoj se kjo është jetësore nëse dua të mbaj një marrëdhënie të ngushtë me Krijuesin tim. Meditimi rreth Fjalës së Perëndisë më ndihmon ta kuptoj më mirë drejtësinë e Jehovait dhe cilësitë e tjera të tij dhe ka qenë burim force të pabesueshme.» *

‘Ushqim në kohën e duhur’

11, 12. (a) Çfarë ‘ushqimi’ frymor është siguruar nga «kujdestari i besueshëm»? (b) Si është siguruar ‘ushqimi’ në kohën e duhur?

11 Ashtu si zakonet e rregullta të të ngrënit i kontribuojnë shëndetit të mirë fizik, një program i rregullt për studimin dhe leximin e Biblës të çon në shëndet të mirë frymor. Në Ungjillin e Lukës, lexojmë fjalët e Jezuit: «Kush është në të vërtetë kujdestari i besueshëm, i maturi, të cilin zotëria e tij do ta emërojë mbi gjithë shërbëtorët e vet, që të vazhdojë t’u japë pjesën e tyre të ushqimit në kohën e duhur?» (Luka 12:42) Tani kanë kaluar më shumë se 120 vjet që ‘ushqimi [frymor] në kohën e duhur’ është siguruar në Kullën e Rojës, si edhe në librat dhe botimet e tjera të bazuara në Bibël.

12 Vini re shprehjen «në kohën e duhur». Në momentin e duhur, «Mësuesi i Madh», Jehovai, me anë të Birit të tij dhe të klasës së skllavit, e ka udhëhequr popullin e tij në çështjet doktrinale dhe të sjelljes. Ka qenë sikur të gjithë ne bashkarisht të kemi dëgjuar një zë që na thotë: «‘Kjo është udha. Ecni në të’, në rast se do të shkoni djathtas ose në rast se do të shkoni majtas.» (Isaia 30:20, 21, BR) Për më tepër, kur njerëzit e lexojnë me vëmendje Biblën dhe të gjitha botimet biblike, kanë shpeshherë ndjenjën se mendimet e shprehura aty u janë drejtuar veçanërisht atyre. Po, këshillat hyjnore dhe udhëzimet do të vijnë në kohën e duhur për ne, duke na dhënë mundësi t’i rezistojmë tundimit ose të marrim vendime të mençura.

Të zhvillojmë zakone të mira të ushqyeri

13. Cilat janë disa zakone të varfra të ushqyeri frymor?

13 Për të nxjerrë dobi plotësisht nga ky ‘ushqim’ i siguruar në kohën e duhur, ne duhet të kemi zakone të mira të ushqyeri. Është thelbësore të kemi një program të rregullt për leximin e Biblës dhe për studimin personal, e t’i përmbahemi atij programi. A keni zakone të mira të ushqyeri frymor dhe periudha të rregullta studimi të thellë personal? Apo thjesht e lexoni kalimthi materialin që është përgatitur me kujdes për ne, duke ngrënë me nxitim, si të thuash, ose edhe duke i lënë fare disa vakte? Zakonet e varfra të të ushqyerit frymor kanë bërë që disa të bëhen të dobët në besim e, madje, të largohen.​—1 Timoteut 1:19; 4:15, 16.

14. Përse është e dobishme ta shqyrtojmë me kujdes materialin që mund të duket i njohur?

14 Disa mund të mendojnë se tashmë i dinë doktrinat themelore dhe se jo çdo artikull paraqet diçka tërësisht të re, prandaj, studimi sistematik dhe prania në mbledhje nuk janë të nevojshëm. Megjithatë, Bibla tregon se ne kemi nevojë të na kujtohen gjërat që kemi mësuar. (Psalmi 119:95, 99; 2 Pjetrit 3:1; Juda 5) Ashtu si një kuzhinier i mirë i përgatit të njëjtët përbërës bazë në shumë mënyra të shijshme, po ashtu klasa e skllavit siguron ushqim të shëndetshëm frymor në një shumëllojshmëri mënyrash. Edhe në artikujt që trajtojnë tema të komentuara shpesh më parë, ka pika më të mprehta që nuk duam t’i humbasim. Fakti është se ajo që nxjerrim nga materiali i leximit varet në një masë të madhe nga sa shumë kohë dhe përpjekje harxhojmë për ta studiuar atë.

Dobi frymore nga leximi dhe studimi

15. Si na ndihmon leximi dhe studimi i Biblës për të qenë shërbëtorë më të mirë të Fjalës së Perëndisë?

15 Dobitë që marrim nga leximi dhe studimi i Biblës janë të shumta. Marrim ndihmë për të jetuar në përputhje me një nga përgjegjësitë tona bazë të krishtere, domethënë, që të bëhemi individualisht «një punëtor që s’ka pse t’i vijë turp për asgjë, që e përdor drejt fjalën e së vërtetës». (2 Timoteut 2:15) Sa më shumë ta lexojmë e ta studiojmë Biblën, aq më shumë mendja jonë do të mbushet me mendimet e Perëndisë. Atëherë, ashtu si Pavli, do të jemi në gjendje të ‘arsyetojmë me njerëzit nga Shkrimet, duke shpjeguar e duke provuar me fragmente të cituara’ të vërtetën e mrekullueshme të qëllimeve të Jehovait. (Veprat 17:2, 3) Aftësia jonë në mësimdhënie do të përmirësohet dhe bisedat, fjalimet dhe këshillat tona do të jenë më ndërtuese frymësisht.​—Proverbat 1:5.

16. Në cilat mënyra nxjerrim dobi personalisht duke lexuar e duke studiuar Fjalën e Perëndisë?

16 Përveç kësaj, koha që i kushtojmë shqyrtimit të Fjalës së Perëndisë do të na japë mundësi ta vëmë më në harmoni jetën tonë me udhët e Jehovait. (Psalmi 25:4; 119:9, 10; Fjalët e urta 6:20-23) Do të na i forcojë cilësitë frymore, si përulësinë, besnikërinë dhe lumturinë. (Ligji i përtërirë 17:19, 20; Zbulesa 1:3) Kur e zbatojmë njohurinë që fitojmë nga leximi dhe nga studimi i Biblës, kemi një vërshim të lirë të frymës së Perëndisë në jetën tonë, e cila sjell si rezultat një bollëk më të madh të fryteve të frymës në çdo gjë që bëjmë.​—Galatasve 5:22, 23.

17. Si ndikojnë sasia dhe cilësia e leximit dhe e studimit personal të Biblës në marrëdhënien tonë me Jehovain?

17 Ç’është më e rëndësishmja, koha që blejmë nga aktivitetet e tjera për të lexuar e për të studiuar Fjalën e Perëndisë do të na sjellë shpërblime të pasura në marrëdhënien tonë me Perëndinë. Pavli u lut që të bashkëkrishterët e tij të ‘ishin të mbushur me njohurinë e saktë të vullnetit të tij [të Perëndisë] me plot mençuri dhe kuptueshmëri frymore, në mënyrë që të ecnin denjësisht për Jehovain me synimin që t’i pëlqenin plotësisht atij’. (Kolosianëve 1:9, 10) Në mënyrë të ngjashme, që ‘të ecim denjësisht për Jehovain’, duhet të jemi «të mbushur me njohurinë e saktë të vullnetit të tij me plot mençuri dhe kuptueshmëri frymore». Qartë, nëse do ta fitojmë bekimin dhe miratimin e Jehovait varet në masë të madhe nga sasia dhe cilësia e leximit dhe e studimit personal të Biblës.

18. Cilat bekime mund të jenë tonat, nëse ndjekim fjalët e Jezuit të dokumentuara te Gjoni 17:3?

18 «Kjo do të thotë jetë e përhershme: të vazhdojnë të marrin njohuri për ty, të vetmin Perëndi të vërtetë dhe për atë që ti dërgove, Jezu Krishtin.» (Gjoni 17:3) Ky është një prej shkrimeve më të përdorura nga Dëshmitarët e Jehovait për t’i ndihmuar të tjerët që të kuptojnë rëndësinë e studimit të Fjalës së Perëndisë. Patjetër që nuk është më pak e rëndësishme për secilin nga ne të bëjë kështu personalisht. Vetë shpresa jonë për të jetuar përgjithmonë bëhet e mundur po të rritemi në njohurinë për Jehovain dhe për Birin e tij, Jezu Krishtin. Vetëm mendoni se çfarë do të thotë kjo! Nuk do të mbarojmë kurrë së mësuari gjithnjë e më shumë për Jehovain dhe do të kemi përjetësinë përpara për të mësuar për të!​—Predikuesi 3:11; Romakëve 11:33.

[Shënimet]

^ par. 9 Botuar nga Watchtower Bible and Tract Society of New York, Inc.

^ par. 10 Shiko artikullin «Kur e lexojnë dhe si përfitojnë», botuar në Kullën e Rojës, 1 gusht 1995, faqet 20-21.

Pyetje për rishikim

• Çfarë zbulon mënyra se si e përdorim kohën?

• Nga cilat aktivitete mund ta blejmë kohën për të lexuar e për të studiuar Biblën?

• Përse duhet të jemi të kujdesshëm me zakonet e të ushqyerit frymor?

• Çfarë dobish vijnë nga leximi dhe nga studimi i Shkrimeve?

[Pyetjet]

[Figurat në faqet 20, 21]

Leximi dhe studimi i rregullt i Biblës do të na japë mundësi ta ‘përdorim drejt fjalën e së vërtetës’

[Figurat në faqen 23]

Do të kemi shpërblime të pasura duke i ekuilibruar aktivitetet e jetës sonë të zënë me punë, me aktivitete frymore