Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A duhet t’i marrim në shqyrtim fetë e tjera?

A duhet t’i marrim në shqyrtim fetë e tjera?

A duhet t’i marrim në shqyrtim fetë e tjera?

«KISHA gati një vit që ndiqja mbledhjet e krishtere dhe më pëlqente t’u flitja të tjerëve për Mbretërinë e Perëndisë,​—thotë Migeli, që tani është Dëshmitar i Jehovait në Amerikën e Jugut.​—Pastaj, fillova të dëgjoja programe fetare në radio dhe të shikoja predikuesit fetarë në televizor. Mendoja se këto programe mund të më ndihmonin t’i kuptoja më mirë njerëzit e feve të tjera. E kuptoja se mësimet e tyre nuk ishin në harmoni me Biblën, por isha kureshtar.»

Në të njëjtin vend, Horhei u mësonte plot zell të tjerëve për adhurimin e vërtetë. Megjithatë, në njëfarë pike, edhe ai filloi të dëgjonte programet fetare në radio dhe televizor. «Duhet të dimë çfarë mendojnë të tjerët»,​—thoshte ai. Kur e pyetnin për rreziqet e fuqishme të këtij ekspozimi ndaj mësimeve të rreme, ai përgjigjej: «Asgjë nuk mund ta minojë besimin e një personi që njeh të vërtetën biblike.» Këto përvoja bëjnë të lindë një pyetje e rëndësishme: A është e mençur të dëgjojmë atë që besojnë të tjerët?

Të njohim krishterimin e vërtetë

Pas vdekjes së apostujve, adhurimi i vërtetë u ndot nga zhvillimi progresiv i shumë formave të krishterimit të rremë. Duke e parashikuar këtë, Jezui bëri të ditur një mënyrë për të dalluar këto forma të shtira të krishterimit nga krishterimi i vërtetë. Së pari, ai paralajmëroi: «Kini kujdes nga profetët e rremë, që vijnë te ju të veshur si dele, por përbrenda janë ujqër grabitqarë.» Pastaj shtoi: «Do t’i njihni prej fryteve të tyre.» (Mateu 7:15-23) Ithtarët e vërtetë të Jezuit e zbatojnë në praktikë atë që mësoi ai dhe njihen me lehtësi prej fryteve të tyre të shkëlqyera. Ashtu si bëri vetë Jezui, ata i vizitojnë njerëzit për t’u shpjeguar nëpërmjet Shkrimeve Mbretërinë e Perëndisë. Duke ndjekur shembullin e Jezuit, qëndrojnë të ndarë nga politika dhe nga polemikat shoqërore të botës. E pranojnë Biblën si Fjalën e Perëndisë dhe e respektojnë si e vërteta. Bëjnë të njohur emrin e Perëndisë. Gjithashtu, meqë përpiqen të praktikojnë dashurinë që mëson Perëndia, nuk marrin pjesë në luftëra. Në vend të kësaj, e trajtojnë njëri-tjetrin si vëllezër.​—Luka 4:43; 10:1-9; Gjoni 13:34, 35; 17:16, 17, 26.

Sipas Shkrimeve, është e mundur të ‘shihet ndryshimi ndërmjet të drejtit dhe të pabesit, ndërmjet atij që i shërben Perëndisë dhe atij që nuk i shërben’. (Malakia 3:18) Sot, adhuruesit e vërtetë janë të bashkuar në mendim dhe në vepra, pikërisht siç ishin të krishterët e shekullit të parë. (Efesianëve 4:4-6) Pasi të keni identifikuar këtë trup të krishterësh të vërtetë, përse duhet të hetoni ose të jeni kureshtarë për besimet e të tjerëve?

Të ruhemi nga mësuesit e rremë

Bibla e pranon se edhe pasi të mësojë të vërtetën biblike, një person ka rrezik të ndotet frymësisht nga mësimet e rreme. Apostulli Pavël paralajmëroi: «Ruhuni që ndokush të mos ju bëjë prenë e vet nëpërmjet filozofisë dhe mashtrimeve boshe, sipas traditës së njerëzve, sipas gjërave elementare të botës e jo sipas Krishtit.» (Kolosianëve 2:8) Sa tablo të gjallë përshkruan ky varg! Ashtu si bishat që dëshirojnë të bëjnë për vete e të gllabërojnë, mësuesit e rremë mund të përbëjnë një rrezik real.

Vërtet, Pavli e vërente atë që besonin të tjerët. Një herë, e filloi një fjalim duke thënë: «Burra të Athinës, unë shoh se në gjithçka ju dukeni se jeni më të dhënë se të tjerët pas frikës së hyjnive. Për shembull, tek ecja e vështroja me vëmendje objektet tuaja të përnderimit, gjeta edhe një altar, mbi të cilin ishte mbishkruar: ‘Për një Perëndi të Panjohur’.» (Veprat 17:22, 23) Megjithatë, Pavli nuk e ushqente rregullisht mendjen me filozofitë e oratorëve grekë.

Një gjë është të informohemi për origjinën dhe bindjet e feve të rreme, por një gjë krejt tjetër të ushqehemi me to. * Jehovai ka emëruar ‘skllavin e besueshëm dhe të matur’ për të siguruar mësime të bazuara në Fjalën e tij. (Mateu 4:4; 24:45) Vetë Pavli shkroi: «Nuk merrni dot pjesë edhe në ‘tryezën e Jehovait’, edhe në tryezën e demonëve. Apo ‘po e shtyjmë Jehovain në xhelozi’?»​—1 Korintasve 10:20-22.

Disa mësues të rremë mund të kenë qenë më përpara të krishterë të vërtetë, por në njëfarë pike, janë kthyer nga e vërteta në të gabuarën. (Juda 4, 11) Kjo nuk duhet të na habitë. Pasi foli për ‘skllavin e besueshëm dhe të matur’ që përfaqëson trupin e të krishterëve të mirosur, Jezui foli për ‘skllavin e lig’, një klasë që ankohet me fjalët «zotëria im po vonon» dhe fillon të rrahë shokët e tij të skllavërisë. (Mateu 24:48, 49) Shpesh, këta individë dhe ithtarët e tyre nuk kanë mësime të qarta të tyret, por janë të interesuar vetëm për të shkatërruar besimin e të tjerëve. Në lidhje me ta, apostulli Gjon shkroi: «Nëse dikush vjen te ju e nuk sjell këtë mësim, mos e pranoni kurrë në shtëpinë tuaj dhe as mos i drejtoni një përshëndetje.»​—2 Gjonit 10; 2 Korintasve 11:3, 4, 13-15.

Njerëzit e sinqertë që po kërkojnë të vërtetën bëjnë mirë ta shqyrtojnë me kujdes atë që dëgjojnë nga fetë e ndryshme. Me kohë, Perëndia do t’i bekojë njerëzit me zemër të ndershme që kërkojnë të vërtetën. Për mençurinë hyjnore, Bibla thotë: «Në rast se e kërkon si argjendin dhe fillon të rrëmosh si për një thesar të fshehur, atëherë . . . ke për të gjetur kuptimin [njohurinë, BR] e Perëndisë.» (Fjalët e urta 2:4, 5) Pasi kanë gjetur këtë njohuri të Perëndisë nëpërmjet Biblës dhe kongregacionit të krishterë e pasi kanë parë si i bekon Jehovai ata që udhëhiqen nga kjo njohuri, të krishterët e vërtetë nuk vazhdojnë të dëgjojnë mësimet e rreme fetare.​—2 Timoteut 3:14.

[Shënimi]

^ par. 10 Libri Njerëzimi në kërkim të Perëndisë, botuar nga Watchtower Bible and Tract Society of New York, Inc., anglisht, paraqet informacione bazë për prejardhjen dhe mësimet e shumë feve të botës.