Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A e kam bërë frymën e shenjtë ndihmësin tim personal?

A e kam bërë frymën e shenjtë ndihmësin tim personal?

A e kam bërë frymën e shenjtë ndihmësin tim personal?

TEOLOGËT, për të mos folur për njerëzit në përgjithësi, kanë shumë ide të ndryshme për identitetin e frymës së shenjtë të Perëndisë. Megjithatë, një pasiguri e tillë nuk është e nevojshme. Bibla e shpjegon qartë çfarë është fryma e shenjtë. Në vend që të jetë një person, siç pohojnë disa, ajo është forca e fuqishme aktive që përdor Perëndia për të kryer vullnetin e tij.​—Psalmi 104:30; Veprat 2:33; 4:31; 2 Pjetrit 1:21.

Meqë fryma e shenjtë lidhet kaq ngushtë me kryerjen e qëllimeve të Perëndisë, duhet të dëshirojmë që jeta jonë të jetë në harmoni me këtë frymë. Duhet të duam që ajo të jetë ndihmësi ynë personal.

Përse nevojitet një ndihmës?

Duke folur që më përpara për ikjen e tij nga toka, Jezui i qetësoi dishepujt: «Unë do t’i lutem Atit e ai do t’ju japë një ndihmës tjetër, që të jetë me ju përgjithmonë.» Dhe përsëri: «Sidoqoftë, po ju them të vërtetën: Është në dobinë tuaj që unë po iki. Sepse nëse nuk iki, ndihmësi nuk do të vijë kurrsesi te ju, por po të shkoj, do t’jua dërgoj.»​—Gjoni 14:16, 17; 16:7.

Jezui u dha dishepujve një detyrë serioze duke i udhëzuar: «Shkoni, pra, dhe bëni dishepuj nga njerëz të të gjitha kombeve, duke i pagëzuar në emër të Atit, të Birit dhe të frymës së shenjtë, duke u mësuar të zbatojnë gjërat që ju kam urdhëruar.» (Mateu 28:19, 20) S’ishte aspak detyrë e lehtë, sepse do të kryhej përballë kundërshtimit.​—Mateu 10:22, 23.

Kundërshtimi nga jashtë do të shoqërohej nga disa fërkime brenda kongregacionit. «Tani, o vëllezër, ju nxit​—u shkroi Pavli të krishterëve në Romë rreth vitit 56 të e.s.,​—të jeni vigjilentë ndaj atyre që shkaktojnë përçarje dhe raste për pengesë në kundërshtim me mësimin që keni marrë dhe shmangini ata.» (Romakëve 16:17, 18) Kjo situatë do të keqësohej pasi të vdisnin apostujt. Pavli paralajmëroi: «E di se pas ikjes sime do të hyjnë mes jush ujqër që shtypin e nuk do ta trajtojnë kopenë me zemërbutësi dhe prej jush vetë do të ngrihen njerëz e do të thonë gjëra të shtrembëruara, për të tërhequr pas vetes dishepujt.»​—Veprat 20:29, 30.

Për t’iu kundërvënë këtyre pengesave nevojitej ndihma e Perëndisë. Ai e siguroi këtë ndihmë me anë të Jezuit. Pas ringjalljes së tij, në Festën e Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s., rreth 120 ithtarë të tij «u mbushën me frymë të shenjtë».​—Veprat 1:15; 2:4.

Dishepujt e kuptuan se fryma e shenjtë që u derdh në këtë rast ishte ndihma që kishte premtuar Jezui. Pa dyshim, tani e kuptonin më mirë identifikimin që kishte dhënë Jezui: «Ndihmësi, fryma e shenjtë, të cilën Ati do ta dërgojë në emrin tim, ai do t’ju mësojë gjithçka dhe do t’ju sjellë ndër mend të gjitha gjërat që ju thashë.» (Gjoni 14:26) Gjithashtu, ai e quajti atë ‘ndihmësi, fryma e së vërtetës’.​—Gjoni 15:26.

Në ç’mënyrë fryma është një ndihmës?

Fryma do të shërbente si ndihmës në disa mënyra. Së pari, Jezui premtoi se ajo do t’u sillte ndër mend dishepujve gjërat që u kishte thënë ai. Me këtë ai donte të thoshte më shumë sesa thjesht t’i ndihmonte për të kujtuar fjalët. Fryma do t’i ndihmonte të kuptonin domethënien më të thellë dhe kuptimin e asaj që u kishte mësuar ai. (Gjoni 16:12-14) Me pak fjalë, fryma do t’i udhëhiqte dishepujt e tij drejt një kuptueshmërie më të mirë për të vërtetën. Më vonë, apostulli Pavël shkroi: «Perëndia na i ka zbuluar neve nëpërmjet frymës së tij, pasi fryma shqyrton çdo gjë, madje edhe gjërat e thella të Perëndisë.» (1 Korintasve 2:10) Nëse ithtarët e mirosur të Jezuit donin t’u jepnin një njohuri të saktë të tjerëve, kuptueshmëria e tyre duhej të kishte themele të shëndosha.

Së dyti, Jezui i mësoi dishepujt të luten dhe ta bëjnë shpesh këtë. Nëse, ndonjëherë, nuk ishin të sigurt për çfarë duhej të luteshin, fryma mund të ndërhynte për ta ose t’i ndihmonte. «Në mënyrë të ngjashme, edhe fryma na vjen në ndihmë për shkak të dobësisë sonë; sepse ne nuk dimë për çfarë duhet të lutemi siç kemi nevojë të bëjmë, por vetë fryma ndërmjetëson për rënkimet tona të pathëna.»​—Romakëve 8:26.

Së treti, fryma do t’i ndihmonte dishepujt e Jezuit për ta mbrojtur publikisht të vërtetën. Ai i paralajmëroi: «Do t’ju dorëzojnë në gjykatat lokale dhe do t’ju fshikullojnë nëpër sinagogat e tyre. Po, për shkakun tim do t’ju detyrojnë të shkoni përpara guvernatorëve dhe mbretërve, për një dëshmi para atyre dhe kombeve. Megjithatë, kur t’ju dorëzojnë, mos jini në ankth se si ose ç’keni për të folur; sepse në atë orë do t’ju jepet se ç’keni për të folur; sepse ata që flasin nuk jeni ju, por është fryma e Atit tuaj që flet nëpërmjet jush.»​—Mateu 10:17-20.

Fryma e shenjtë, gjithashtu, do të ndihmonte për të identifikuar kongregacionin e krishterë dhe për t’i nxitur pjesëtarët e tij të merrnin vendime të mençura personale. Le t’i shqyrtojmë më me hollësi këto dy aspekte të kësaj çështjeje dhe të shohim çfarë domethënieje kanë për ne sot.

Do të shërbente si shenjë identifikuese

Për shekuj të tërë, hebrenjtë shërbyen nën Ligjin e Moisiut si populli i zgjedhur i Perëndisë. Duke qenë se e hodhën poshtë Jezuin si Mesia, ai paratha se pas pak kohe vetë ata do të hidheshin poshtë: «Nuk e keni lexuar kurrë në Shkrimet: ‘Guri që ndërtuesit e hodhën poshtë është bërë guri kryesor i qoshes. Nga Jehovai u bë kjo, dhe është i mrekullueshëm në sytë tanë’? Prandaj po ju them: Mbretëria e Perëndisë do t’ju merret dhe do t’i jepet një kombi që prodhon frytet e saj.» (Mateu 21:42, 43) Kur u themelua kongregacioni i krishterë në Festën e Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s., ithtarët e Krishtit u bënë «kombi që prodhon frytet e saj». Që nga ajo kohë, ky kongregacion ishte kanali që kishte Perëndia për të komunikuar. Për t’u dhënë mundësi njerëzve të kuptonin këtë zhvendosje të miratimit hyjnor, Perëndia siguroi një shenjë të pagabueshme identifikuese.

Në Festën e Ditës së Pesëdhjetë, fryma e shenjtë u dha mundësi dishepujve të flitnin në gjuhë që nuk i kishin mësuar kurrë, duke i bërë të pranishmit të reagonin të befasuar dhe të pyetnin: «Si vallë secili nga ne po dëgjon gjuhën e vet, atë në të cilën lindëm?» (Veprat 2:7, 8) Aftësia për të folur në gjuhë të panjohura, së bashku me ‘çudirat dhe shenjat e shumta që filluan të ndodhnin nëpërmjet apostujve’, i bëri rreth tre mijë veta të kuptonin se fryma e Perëndisë po vepronte vërtet.​—Veprat 2:41, 43.

Gjithashtu, duke prodhuar «frytin e frymës»​—dashurinë, gëzimin, paqen, shpirtgjerësinë, mirëdashjen, mirësinë, besimin, butësinë, vetëkontrollin​—dishepujt e Krishtit identifikoheshin qartë se ishin shërbëtorë të Perëndisë. (Galatasve 5:22, 23) Në fakt, dashuria e identifikoi në mënyrë të spikatshme kongregacionin e vërtetë të krishterë. Jezui paratha: «Nga kjo do ta dinë të gjithë se jeni dishepujt e mi, nëse keni dashuri mes jush.»​—Gjoni 13:34, 35.

Pjesëtarët e kongregacionit të hershëm të krishterë e pranuan udhëheqjen e frymës së shenjtë të Perëndisë dhe nxorën dobi nga ndihma që ofroi ajo. Edhe pse të krishterët sot e kuptojnë se Perëndia nuk po ngre tani të vdekurit dhe nuk po kryen mrekulli si në shekullin e parë, ata lejojnë që frytet e frymës së Perëndisë t’i identifikojnë si dishepuj të vërtetë të Jezu Krishtit.​—1 Korintasve 13:8.

Një ndihmës për të marrë vendime personale

Bibla është prodhim i frymës së shenjtë. Prandaj, kur e lejojmë Biblën të na bindë, është sikur po na udhëzon fryma e shenjtë. (2 Timoteut 3:16, 17) Ajo mund të na ndihmojë të marrim vendime të mençura. Por a e lejojmë ta bëjë këtë?

Ç’të themi për zgjedhjen tonë në lidhje me zanatin ose punësimin? Fryma e shenjtë do të na aftësojë që një punë të mundshme ta shohim nga këndvështrimi i Jehovait. Puna jonë duhet të jetë në harmoni me parimet biblike dhe do të ishte mirë të na ndihmonte për të ndjekur synime teokratike. Paga ose rëndësia e prestigji që lidhen me një punë, në të vërtetë, kanë më pak rëndësi. Më e rëndësishme është nëse ajo na siguron gjërat e nevojshme të jetës dhe na lë kohë e mundësi të mjaftueshme që të përmbushim detyrimet tona të krishtere.

Dëshira për ta gëzuar jetën është normale dhe e përshtatshme. (Predikuesi 2:24; 11:9) Prandaj, një i krishterë i ekuilibruar mund të zbavitet për të gjetur freskim e kënaqësi. Por, ai duhet të zgjedhë llojin e zbavitjes që pasqyron frytet e frymës, jo llojin që nxjerr në pah «veprat e mishit». Pavli shpjegon: «Tani, veprat e mishit duken qartë dhe ato janë kurvëria, ndyrësia, sjellja e shthurur, idhujtaria, praktika e spiritizmit, armiqësitë, konflikti, xhelozia, shpërthimet e zemërimit, grindjet, përçarjet, sektet, smirat, dehjet, ahengjet e shfrenuara dhe gjëra si këto.» Gjithashtu, duhet të shmangim «frymën e unit, duke ngjallur konkurrencë me njëri-tjetrin, duke e pasur smirë njëri-tjetrin».​—Galatasve 5:16-26.

Edhe kur bëhet fjalë për zgjedhjen e miqve, është një gjë e ngjashme. Është e mençur t’i zgjedhim ata sipas gjendjes frymore, jo sipas pamjes së jashtme ose sipas zotërimeve që kanë. Davidi, një njeri, ishte, pa dyshim, miku i Perëndisë, sepse Perëndia e përshkroi si «një njeri sipas zemrës [së tij]». (Veprat 13:22) Duke shpërfillur pamjen e jashtme, Perëndia e zgjodhi Davidin që të ishte mbret i Izraelit, sipas parimit: «Zoti nuk shikon si shikon njeriu, njeriu shikon pamjen, kurse Zoti shikon zemrën.»​—1 Samuelit 16:7.

Mijëra miqësi kanë dështuar, sepse ishin bazuar në pamjen e jashtme ose në zotërimet materiale. Miqësitë e bazuara në pasuritë e pasigurta mund të përfundojnë papritur. (Fjalët e urta 14:20) Fjala e frymëzuar nëpërmjet frymës së Perëndisë na këshillon që, kur zgjedhim miq, duhet të zgjedhim ata që mund të na ndihmojnë t’i shërbejmë Jehovait. Na thotë të përqendrohemi te dhënia, në vend që të përqendrohemi te marrja, sepse dhënia sjell më shumë gëzim. (Veprat 20:35) Koha dhe përzemërsia janë ndër gjërat më të çmuara që mund t’u japim miqve.

Një të krishteri që po kërkon bashkëshort ose bashkëshorte, Bibla i jep këshilla të frymëzuara nga fryma. Nga një këndvështrim thotë: ‘Shiko përtej fytyrës dhe shtatit. Shiko këmbët.’ Këmbët? Po, në këtë kuptim: A po i përdor ato për të kryer veprën e Jehovait, predikimin e lajmit të mirë, dhe a janë në këtë mënyrë të bukura, si të thuash, në sytë e tij? A janë të mbathura me mesazhin e së vërtetës dhe me lajmin e mirë të paqes? Lexojmë: «Sa të bukura janë mbi malet këmbët e lajmëtarit që sjell lajme të mira që njofton paqen, që sjell lajme të bukura mbi gjëra të mira, që shpall shpëtimin, që i thotë Sionit: ‘Perëndia yt mbretëron!’»​—Isaia 52:7; Efesianëve 6:15.

Duke jetuar në «kohë kritike, të vështira për t’u përballuar», kemi nevojë për ndihmë që të bëjmë vullnetin e Perëndisë. (2 Timoteut 3:1) Ndihmësi, fryma e shenjtë e Perëndisë, i dha mbështetje të fuqishme veprës së të krishterëve në shekullin e parë, duke qenë edhe ndihmësi i tyre personal. Studimi i zellshëm i Fjalës së Perëndisë, prodhim i frymës së shenjtë, është një mënyrë kryesore se si edhe ne mund ta bëjmë frymën e shenjtë ndihmësin tonë personal. A e kemi bërë?

[Figura që zënë gjithë faqen 23]