Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A mund t’i afrohemi një Perëndie të padukshëm?

A mund t’i afrohemi një Perëndie të padukshëm?

A mund t’i afrohemi një Perëndie të padukshëm?

‘Si mund të zhvilloj një marrëdhënie të ngushtë me dikë që s’mund ta shoh?’​—mund të pyetni. Kjo ndoshta duket një pyetje me bazë. Por bëni këtë shqyrtim:

SA I rëndësishëm është shikimi për të zhvilluar marrëdhënie të dashura e të qëndrueshme? A nuk janë po njëlloj, për të mos thënë më shumë të rëndësishëm, faktorët që nuk shihen? Patjetër! Për këtë arsye disa njerëz kanë zhvilluar marrëdhënie të ngushta me të tjerët nëpërmjet korrespondencës së rregullt: letrat e tyre përcjellin me ndershmëri çfarë u pëlqen dhe çfarë nuk u pëlqen, përcjellin synimet, parimet, ndjenjën e humorit dhe aspekte të personalitetit ose interesa të tjera.

Edhe njerëzit e verbër përbëjnë një dëshmi se shikimi nuk është jetësor për të zhvilluar një marrëdhënie të ngushtë me një person tjetër. Shqyrtoni rastin e Eduardit dhe Guenit, një çift i martuar, që të dy të verbër. * Eduardi e takoi Guenin në një shkollë për të verbër, ku edhe ajo ishte një studente. Ai admironte cilësitë e Guenit dhe, në veçanti, ndershmërinë e saj në të folur e në sjellje dhe qëndrimin e shkëlqyer ndaj punës. Nga ana e saj, Gueni u ndie e tërhequr ndaj Eduardit sepse, për ta shprehur me fjalët e saj, «ai kishte të gjitha cilësitë që më kishin mësuar t’i konsideroja të rëndësishme». Filluan një periudhë njohjeje dhe tri vjet më vonë u martuan.

«Kur je bashkë me një person tjetër,​—thotë Eduardi,​—verbëria nuk ndikon në të vërtetë për të ndërtuar një marrëdhënie me të. Mund të mos jeni në gjendje ta shihni njëri-tjetrin, por ndjenjat nuk janë të verbra.» Tani, 57 vjet më vonë, ata janë ende thellësisht të dashuruar me njëri-tjetrin. Shpjegojnë se sekreti për marrëdhënien e tyre të mrekullueshme gjendet të paktën në katër gjëra: (1) të vëmë re cilësitë e personit tjetër, (2) t’i mendojmë e të ndihemi të tërhequr nga këto cilësi, (3) të mbajmë komunikim të mirë dhe (4) të bëjmë gjëra së bashku.

Këto katër pika janë jetësore për çfarëdo marrëdhënie të mirë, si midis miqve, midis bashkëshortëve, por edhe më e rëndësishmja, ndërmjet njerëzve dhe Perëndisë. Në artikullin vijues, do të shohim si mund të na ndihmojë zbatimi i këtyre pikave për të zhvilluar një marrëdhënie të ngushtë me Perëndinë, ndonëse nuk mund ta shohim. *

[Shënimet]

^ par. 4 Emrat janë ndryshuar.

^ par. 6 Ndryshe nga marrëdhëniet midis njerëzve, marrëdhënia me Perëndinë bazohet në besimin se ai ekziston. (Hebrenjve 11:6) Për një trajtim të hollësishëm se si mund të ndërtojmë një besim të fortë te Perëndia, të lutemi shih A ka një Krijues që interesohet për ju?, botuar nga Watchtower Bible and Tract Society of New York, Inc.