Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pyetje nga lexuesit

Pyetje nga lexuesit

Pyetje nga lexuesit

Duke pasur parasysh urdhrat e Biblës për përdorimin e duhur të gjakut, si i konsiderojnë Dëshmitarët e Jehovait procedurat mjekësore ku përdoret gjaku i vetë pacientit?

Në vend që të vendosë vetëm në bazë të preferencës personale ose në bazë të ndonjë rekomandimi mjekësor, çdo i krishterë duhet të shqyrtojë seriozisht atë që thotë Bibla. Kjo është një çështje mes tij dhe Jehovait.

Jehovai, të cilit i detyrojmë jetën, dekretoi që gjaku nuk duhej ngrënë ose pirë. (Zanafilla 9:3, 4) Në Ligjin për Izraelin e lashtë, Perëndia e kufizoi përdorimin e gjakut, sepse ai përfaqëson jetën. Ai dekretoi: «Jeta e mishit është në gjak. Prandaj ju kam urdhëruar ta vini mbi altar për të bërë shlyerjen për jetën tuaj.» Po në rastin kur një njeri vriste një kafshë për ta ngrënë? Perëndia tha: «Do të derdhë gjakun e tij dhe do ta mbulojë me dhe.» * (Levitiku 17:11, 13) Jehovai e përsëriti vazhdimisht këtë urdhër. (Ligji i përtërirë 12:16, 24; 15:23) Versioni judaik Soncino Chumash thotë: «Gjaku nuk duhet ruajtur, por duhet bërë i papërshtatshëm për konsumim, duke e derdhur përtokë.» Asnjë izraelit nuk duhej të përvetësonte, të ruante dhe të përdorte gjakun e ndonjë krijese tjetër, jeta e së cilës i përkiste Perëndisë.

Detyrimi për të mbajtur Ligjin e Moisiut mbaroi kur vdiq Mesia. Megjithatë, pikëpamja e Perëndisë për shenjtërinë e gjakut mbetet ende. Të shtyrë nga fryma e shenjtë e Perëndisë, apostujt i udhëzuan të krishterët që të ‘përmbaheshin nga gjaku’. Ai urdhër nuk duhej marrë lehtë. Ishte po aq i rëndësishëm nga ana morale, sa edhe përmbajtja nga imoraliteti seksual ose nga idhujtaria. (Veprat 15:28, 29; 21:25) Në shekullin e 20-të, kur dhurimi dhe transfuzioni i gjakut u bënë të zakonshme, Dëshmitarët e Jehovait e kuptuan se kjo praktikë binte ndesh me Fjalën e Perëndisë. *

Në disa raste, një mjek mund ta nxitë një pacient që të depozitojë gjakun e vet disa javë para operacionit (dhurim autolog paraoperativ i gjakut ose PAD) kështu që, nëse lind nevoja, ai mund t’i bëjë pacientit transfuzion me gjakun e vet të ruajtur mënjanë. Megjithatë, kjo mbledhje, ruajtje dhe transfuzion gjaku bie drejtpërdrejt në kundërshtim me atë që thuhet te Levitiku dhe te Ligji i përtërirë. Gjaku nuk duhet ruajtur, por duhet derdhur; si të thuash, i duhet kthyer Perëndisë. Kuptohet, tani Ligji i Moisiut nuk është në fuqi. Megjithatë, Dëshmitarët e Jehovait i respektojnë parimet që Perëndia përfshiu në të dhe janë të vendosur të ‘përmbahen nga gjaku’. Prandaj, ne nuk dhurojmë gjak, as nuk ruajmë për transfuzion gjakun tonë që duhet ‘derdhur’. Kjo praktikë bie në kundërshtim me ligjin e Perëndisë.

Procedura ose analiza të tjera që kanë të bëjnë me gjakun e një personi nuk janë kaq qartësisht në kundërshtim me parimet e caktuara të Perëndisë. Për shembull, shumë të krishterë kanë lejuar që t’u marrin pak gjak për kontroll ose për analiza, gjak i cili pastaj hidhet. Mjekët mund të rekomandojnë edhe procedura të tjera më komplekse që kanë të bëjnë me gjakun e personit.

Për shembull, gjatë disa procedurave kirurgjikale, një pjesë e gjakut mund të devijohet nga trupi, në një proces të quajtur hollimi i gjakut. Gjaku që mbetet në trupin e pacientit hollohet. Më vonë, gjaku që është në qarkullimin jashtëtrupor drejtohet përsëri në trup, duke e sjellë përqendrimin e rruazave të gjakut në një nivel më afër normales. Në mënyrë të ngjashme, gjaku që rrjedh prej një plage mund të thithet, të filtrohet, në mënyrë që rruazat e kuqe të rikthehen te pacienti, kjo quhet riaftësimi i gjakut. Në një proces tjetër, gjaku mund të drejtohet në një makinë që kryen përkohësisht funksionet që normalisht i kryejnë organet e trupit (për shembull, zemra, mushkëritë ose veshkat). Më pas, gjaku nga makina rikthehet në trupin e pacientit. Në procedura të tjera, gjaku devijohet në një aparat ndarës (centrifugë), në mënyrë që të eliminohen sasitë e dëmtuara ose me defekt. Ose synimi mund të jetë të izolohet një sasi e një përbërësi të gjakut dhe të aplikohet në një vend tjetër të trupit. Ka edhe analiza ku merret një sasi gjaku për ta shënuar ose për ta përzier me një ilaç, e pastaj vihet përsëri te pacienti.

Hollësitë mund të ndryshojnë dhe patjetër do të zhvillohen procedura, trajtime dhe analiza të reja. Nuk është përgjegjësia jonë të analizojmë çdo alternativë dhe të japim ndonjë vendim. Një i krishterë duhet të vendosë vetë si do të përdoret gjaku i tij gjatë një procedure kirurgjikale, një analize mjekësore ose një terapie që përdoret sot. Që më përpara, ai duhet të marrë nga mjeku ose specialisti faktet për atë që mund të bëhet me gjakun e tij gjatë procedurës. Pastaj duhet të vendosë sipas asaj që lejon ndërgjegjja e tij. (Shiko kutinë.)

Të krishterët duhet të mbajnë në mend dedikimin e tyre ndaj Perëndisë dhe detyrimin që ‘ta duan atë me gjithë zemrën, me gjithë shpirtin, me gjithë forcën dhe me gjithë mendjen e tyre’. (Luka 10:27) Ndryshe nga pjesa më e madhe e botës, Dëshmitarët e Jehovait e vlerësojnë shumë marrëdhënien e tyre të mirë me Perëndinë. Jetëdhënësi i nxit të gjithë që të besojnë në gjakun e derdhur të Jezuit. Lexojmë: «Me anë të tij [Jezu Krishtit] ne kemi çlirimin nëpërmjet shpërblesës me anë të gjakut të tij, po, faljen e shkeljeve tona.»​—Efesianëve 1:7.

[Shënimet]

^ par. 4 Profesori Frenk H. Gorman shkruan: «Fakti që gjaku derdhet kuptohet më mirë si një akt nderimi i thellë që tregon respekt për jetën e kafshës e, në këtë mënyrë, respekt për Perëndinë, që e krijoi e që vazhdon të kujdeset për atë jetë.»

^ par. 5 Kulla e Rojës, 1 korrik 1951, anglisht, iu përgjigj pyetjeve kyçe rreth këtij argumenti, duke treguar përse transfuzionet e gjakut të dhuruar nuk janë të përshtatshme.

[Kutia dhe figurat në faqen 31]

PYETJE QË DUHET T’I BËNI VETES

Nëse një pjesë e gjakut tim do të devijohet jashtë trupit dhe rrjedha mund të ndërpritet për njëfarë kohe, a do të më lejojë ndërgjegjja ta konsideroj këtë gjak ende si një pjesë timen, duke mos kërkuar kështu që të ‘derdhet në tokë’?

A do të më trazohet ndërgjegjja e stërvitur nga Bibla, nëse gjatë një procedure diagnostikuese ose terapeutike, një pjesë e gjakut tim do të merrej, do të modifikohej dhe do të më futej prapë në (ose brenda) trup?