Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Si mund t’i afrohemi Perëndisë?

Si mund t’i afrohemi Perëndisë?

Si mund t’i afrohemi Perëndisë?

«Afrojuni Perëndisë dhe ai do t’ju afrohet juve»,​—thuhet te Jakovi 4:8. Duke e treguar se sa shumë dëshiron që njerëzit të kenë një marrëdhënie të ngushtë me të, Perëndia Jehova dha Birin e tij për ne.

NË PËRGJIGJE të kësaj iniciative të dashur, apostulli Gjon shkroi: «Ne kemi dashuri [për Perëndinë], sepse ai na deshi i pari.» (1 Gjonit 4:19) Por, që t’i afrohemi Perëndisë, ne personalisht duhet të bëjmë disa hapa. Ato janë të ngjashme me katër mënyrat si u afrohemi njerëzve, siç u theksua në artikullin e mëparshëm. Le t’i shqyrtojmë tani.

Të vëmë re cilësitë e mrekullueshme të Perëndisë

Perëndia ka shumë cilësi të mrekullueshme dhe disa nga më të dallueshmet janë dashuria, mençuria, drejtësia dhe fuqia e tij. Mençuria dhe fuqia e tij shfaqen me bollëk si në universin e largët, ashtu edhe në botën përreth nesh, që nga galaktikat e stërmëdha deri te atomet mikroskopike. Psalmisti shkroi: «Qiejtë tregojnë lavdinë e Perëndisë dhe kupa qiellore shpall veprën e duarve të tij.»​—Psalmi 19:1; Romakëve 1:20.

Krijimi pasqyron edhe dashurinë e Perëndisë. Për shembull, mënyra si jemi bërë tregon se Perëndia dëshiron që ta gëzojmë jetën. Na ka dhënë aftësinë për të parë ngjyrat, për të shijuar e për të nuhatur, për të pëlqyer muzikën, për të qeshur, për të pëlqyer të bukurën, duke na dhënë edhe shumë aftësi e veçori të tjera që nuk janë aspak thelbësore për jetën. Po, Perëndia është vërtet bujar, mirëdashës e i dashur, cilësi të cilat, patjetër, kontribuojnë që ai të jetë ‘Perëndia i lumtur’.​—1 Timoteut 1:11; Veprat 20:35.

Jehovai kënaqet nga fakti që ushtrimi i sovranitetit të tij dhe mbështetja e këtij sovraniteti nga krijesat e tij inteligjente bazohen kryesisht mbi dashurinë. (1 Gjonit 4:8) Vërtet, Jehovai është Sovrani Universal, por i trajton njerëzit e, veçanërisht, shërbëtorët e tij besnikë, siç i trajton një atë i dashur fëmijët e vet. (Mateu 5:45) Nuk u kursen asgjë që është për të mirën e tyre. (Romakëve 8:38, 39) Siç është përmendur, ai, madje, dha jetën e Birit të tij të vetëmlindur për ne. Tamam, dashuria e Perëndisë është arsyeja përse ekzistojmë dhe përse kemi perspektivën e jetës së përjetshme.​—Gjoni 3:16.

Jezui na dha gjykim të thellë për personalitetin e Perëndisë, sepse e imitoi në mënyrë të përsosur Atin e vet. (Gjoni 14:9-11) Ishte plotësisht altruist, i vëmendshëm ndaj të tjerëve dhe i kujdesshëm. Në një rast, Jezuit i paraqitën një njeri që ishte i shurdhër dhe kishte një pengesë në të folur. Mund ta imagjinoni se ai njeri ndoshta nuk ndihej rehat në mes të një turme. Në mënyrë interesante, Jezui e mori këtë njeri në një vend veçmas dhe e shëroi atje. (Marku 7:32-35) A i çmoni njerëzit që janë të ndjeshëm ndaj ndjenjave tuaja dhe që respektojnë dinjitetin tuaj? Nëse po, atëherë do të afroheni patjetër më shumë me Jehovain dhe me Jezuin, ndërsa mësoni më shumë për ta.

Të mendojmë për cilësitë e Perëndisë

Dikush mund të ketë cilësi të mrekullueshme, por ne duhet të mendojmë për atë person që të ndihemi të tërhequr drejt tij. E njëjta gjë mund të thuhet për Jehovain. Meditimi rreth cilësive të tij është një hap i dytë jetësor për t’iu afruar atij. Mbreti David, një njeri që e donte vërtet Jehovain dhe që ishte «sipas zemrës [së Jehovait]», tha: «Kujtoj ditët e lashta, bie në mendime të thella mbi tërë veprat e tua; reflektoj mbi gjëra që kanë bërë duart e tua.»​—Veprat 13:22; Psalmi 143:5.

Kur vëreni mrekullitë e krijimit ose lexoni Fjalën e Perëndisë, Biblën, a meditoni, ashtu si Davidi, për atë që shihni dhe lexoni? Imagjinoni një djalë që sapo ka marrë një letër nga i ati, të cilin e do shumë. Si do ta konsideronte ai letrën? Patjetër, nuk do t’i kalonte nxitimthi fjalët e saj dhe, pastaj, ta hidhte në një sirtar. Përkundrazi, do ta studionte, duke nxjerrë prej saj çdo hollësi dhe ngjyrim kuptimi. Në mënyrë të ngjashme, Fjala e Perëndisë duhet të jetë e çmuar për ne, siç ishte për psalmistin, i cili këndoi: «Oh, sa shumë e dua ligjin tënd! Ai është përsiatja ime gjithë ditën.»​—Psalmi 119:97.

Të mbajmë komunikim të mirë

Komunikimi i mirë është jetë për çdo marrëdhënie. Përfshin të flasësh dhe të dëgjosh, jo vetëm me mendje por edhe me zemër. Me Krijuesin flasim nëpërmjet lutjes, në të cilën i drejtohemi me përnderim Perëndisë. Jehovai kënaqet me lutjet e atyre që e duan e i shërbejnë dhe që e njohin Jezu Krishtin si kryepërfaqësuesin e Tij.​—Psalmi 65:2; Gjoni 14:6, 14.

Në të kaluarën, Perëndia u foli njerëzve në shumë mënyra të ndryshme, duke përfshirë vizione, ëndrra dhe nëpërmjet engjëjve. Megjithatë, në ditët tona e bën këtë nëpërmjet Fjalës së tij të shkruar, Biblës së Shenjtë. (2 Timoteut 3:16) Fjala e shkruar ka shumë avantazhe. Mund të konsultohemi me të në çdo kohë. Ashtu si një letër, atë mund ta lexojmë vazhdimisht me kënaqësi. Gjithashtu, nuk është subjekt i shtrembërimeve që shpesh karakterizojnë historitë e thëna gojarisht. Prandaj, mendojeni Biblën si një koleksion të madh letrash nga Ati juaj i dashur qiellor dhe, nëpërmjet këtyre letrave, lejojeni t’ju flasë çdo ditë.​—Mateu 4:4.

Për shembull, Bibla paraqet pikëpamjen e Jehovait për të drejtën e të gabuarën. Shpjegon qëllimin që ka ai për njerëzimin dhe për tokën. Gjithashtu, zbulon marrëdhëniet e tij me shumë njerëz dhe kombe, që nga adhuruesit besnikë e deri te armiqtë e egër. Duke bërë që marrëdhëniet e tij me njerëzit të dokumentoheshin në këtë mënyrë, Jehovai na ka paraqitur një portret shumë, shumë të hollësishëm të personalitetit të tij. Ai na zbulon dashurinë, gëzimin, brengosjen, zhgënjimin, zemërimin, mëshirën, merakun e tij, po, tërësinë e mendimeve dhe të ndjenjave të tij, si edhe arsyet përse i ka ato. Që të gjitha këto i shpjegon në një mënyrë që njerëzit mund ta kuptojnë me lehtësi.​—Psalmi 78:3-7.

Pasi keni lexuar një pjesë nga Fjala e Perëndisë, si mund të nxirrni dobi nga leximi? Dhe, në veçanti, si mund t’i afroheni më shumë Perëndisë? Së pari, mendoni për atë që keni lexuar e që keni mësuar për Perëndinë si person, duke i lënë këto pika që të arrijnë në zemrën tuaj. Pastaj, në lutje, tregojini Jehovait mendimet dhe ndjenjat tuaja më të thella për materialin që keni shqyrtuar dhe si do të përpiqeni të nxirrni dobi prej tij. Ky është komunikimi. Sigurisht, nëse keni edhe gjëra të tjera në mendje, patjetër që mund t’i përfshini edhe ato në lutje.

Bëni gjëra së bashku me Perëndinë

Bibla thotë për disa burra besnikë të lashtësisë se ata ecnin me Perëndinë e vërtetë ose që ecnin para tij. (Zanafilla 6:9; 1 Mbretërve 8:25) Çfarë do të thotë kjo? Në thelb, do të thotë se ata e jetonin çdo ditë sikur Perëndia të ishte tamam aty bashkë me ta. Është e vërtetë se ata ishin mëkatarë. Por, gjithsesi, i donin ligjet dhe parimet e Perëndisë dhe jetonin në harmoni me qëllimin e Perëndisë. Jehovai ndihet i tërhequr nga persona të tillë dhe kujdeset për ta, siç e tregon Psalmi 32:8, ku thuhet: «Unë do të të edukoj dhe do të të mësoj rrugën, nëpër të cilën duhet të ecësh; unë do të të këshilloj dhe do ta mbaj syrin tim mbi ty.»

Edhe ne mund ta kemi mik të ngushtë Jehovain, një mik që ecën me ne, që kujdeset për ne dhe që na jep këshilla atërore. Profeti Isaia e përshkroi Jehovain si Ai «që të mëson për të mirën tënde, që të udhëheq nëpër rrugën që duhet të ndjekësh». (Isaia 48:17) Ndërsa përjetojmë këto dobi, ndiejmë praninë e Jehovait si të jetë «në të djathtën [tonë]», siç e ndiente Davidi.​—Psalmi 16:8.

Emri i Perëndisë: Qendra e cilësive të tij

Shumë fe dhe një numër gjithnjë e më i madh përkthimesh të Biblës nuk e përdorin dhe nuk e bëjnë të njohur emrin personal të Perëndisë. (Psalmi 83:18) E, megjithatë, në tekstin origjinal hebraik ky emër, Jehova, shfaqet rreth 7000 herë! (Në mënyrë kontradiktore, ndonëse heqin emrin hyjnor, shumë përkthyes të Biblës mbajnë emrat e shumë perëndive të rremë të përmendur në tekstin origjinal, si Baal, Bel, Merodak e, madje, edhe Satana!)

Disa njerëz mendojnë se heqja e emrit të Perëndisë është një çështje me rëndësi tepër të vogël. Por mendoni: Është më e vështirë apo më e lehtë të zhvillojmë një marrëdhënie të ngushtë e të bazuar në njohuri, me një person pa emër? Tituj të tillë, si Perëndi dhe Zot (të cilët përdoren edhe për perënditë e rremë) mund ta tërheqin vëmendjen ndaj fuqisë, autoritetit ose pozitës së Jehovait, por vetëm emri i tij personal e identifikon në mënyrë të pagabueshme. (Eksodi 3:15; 1 Korintasve 8:5, 6) Emri personal i Perëndisë së vërtetë thekson cilësitë dhe karakteristikat e tij. Teologu Uoltër Lauri tha me të drejtë: «Një njeri që nuk e njeh Perëndinë me emër, nuk e njeh në të vërtetë si person.»

Shqyrtoni shembullin e Marisë, një katolike e sinqertë që jeton në Australi. Kur Dëshmitarët e Jehovait e takuan për herë të parë, Maria i lejoi që t’i tregonin emrin e Perëndisë në Bibël. Si reagoi ajo? «Kur e pashë për herë të parë në Bibël emrin e Perëndisë, qava. Më preku shumë dijenia se mund ta dija dhe ta përdorja emrin personal të Perëndisë.» Maria vazhdoi ta studionte Biblën dhe për herë të parë në jetën e saj, arriti ta njihte Jehovain si një person dhe mundi të ndërtonte një marrëdhënie të qëndrueshme me të.

Po, ne mund t’i ‘afrohemi Perëndisë’, ndonëse nuk mund ta shohim me sytë fizikë. Mund ta «shohim» personalitetin e tij jashtëzakonisht të bukur në mendjen dhe në zemrën tonë dhe kështu do të na shtohet dashuria për të. Kjo dashuri është «një lidhje e përsosur bashkimi».​—Kolosianëve 3:14.

[Kutia dhe figura në faqen 6]

Jehovai i përgjigjet dashurisë sonë për të

MARRËDHËNIET janë të dyanshme. Kur ne i afrohemi Perëndisë, ai na përgjigjet duke u afruar më shumë me ne. Shqyrtoni ndjenjat që kishte ai për të moshuarit Simeon dhe Ana, të cilët u përmendën në veçanti në Bibël. Luka, një shkrimtar Ungjilli, na thotë se Simeoni ishte «i drejtë dhe plot nderim», duke pritur Mesinë. Jehovai i vuri re këto cilësi të shkëlqyera te Simeoni dhe tregoi dashuri për këtë të moshuar të dashur, duke i zbuluar se «nuk do të shihte vdekje para se të kishte parë Krishtin». Jehovai e mbajti premtimin dhe e drejtoi Simeonin te Jezui foshnjë, të cilin prindërit e kishin sjellë në tempull në Jerusalem. I drithëruar dhe shumë mirënjohës, Simeoni e përqafoi foshnjën dhe u lut: «Tani, o Zotëri Sovran, ti po e lë skllavin tënd të shkojë i lirë në paqe, sipas deklaratës sate; sepse sytë e mi kanë parë mjetin tënd të shpëtimit.»​—Luka 2:25-35.

«Tamam në atë orë» Jehovai tregoi dashurinë e tij edhe për Anën 84-vjeçare, duke e drejtuar edhe atë te Jezui. Bibla na thotë se kjo vejushë e dashur ishte gjithnjë në tempull, «duke [i] bërë shërbim të shenjtë» Jehovait. Plot me çmueshmëri, ajo, ashtu si Simeoni, e falënderoi Jehovain për mirëdashjen e tij të jashtëzakonshme dhe më pas u foli për fëmijën «të gjithë atyre që pritnin çlirimin e Jerusalemit».​—Luka 2:36-38.

Po, Jehovai e vuri re sa shumë e donin dhe i frikësoheshin atij Simeoni dhe Ana dhe sa të interesuar ishin për plotësimin e qëllimit të tij. A nuk ju afrojnë këto tregime biblike me Jehovain?

Ashtu si Ati i tij, edhe Jezui e dallonte personin e vërtetë të brendshëm. Ndërsa po mësonte në tempull, ai vuri re një «vejushë nevojtare» që dhuroi vetëm «dy monedha të vogla me shumë pak vlerë». Për vrojtuesit e tjerë, dhurata e saj do të kishte qenë e parëndësishme, por jo për Jezuin. Ai e lavdëroi këtë grua, sepse dha gjithçka që kishte. (Luka 21:1-4) Prandaj, mund të jemi të sigurt se Jehovai dhe Jezui na vlerësojnë nëse u japim atyre më të mirën, sido që të jetë dhurata jonë, e madhe ose e vogël.

Ndërkohë që gëzohet me ata që e duan, Perëndia ndihet i lënduar kur njerëzit largohen prej tij dhe ndjekin një rrugë keqbërjeje. Te Zanafilla 6:6, na thuhet se, për shkak të ligësisë së njerëzimit para Përmbytjes së ditëve të Noes, Jehovai «ndjeu dhembje në zemër». (BR) Më vonë, siç thuhet te Psalmi 78:41, izraelitët e pabindur në mënyrë të përsëritur «e vunë në sprovë Perëndinë, madje edhe i shkaktuan dhembje të Shenjtit të Izraelit». (BR) Po, Perëndia nuk është një «Shkak i parë» indiferent, pa ndjenja. Ai është vërtet një person, i cili nuk i ka ndjenjat të paekuilibruara ose të mpira nga papërsosmëria, siç janë tonat.

[Figurat në faqen 7]

Meditimi rreth asaj që ka krijuar Jehovai është një mënyrë për t’iu afruar atij