Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A janë normat morale të Biblës më të mirat?

A janë normat morale të Biblës më të mirat?

A janë normat morale të Biblës më të mirat?

«SHOQËRIA ka nevojë për një strukturë vlerash themelore, të cilat u japin anëtarëve të saj siguri dhe udhëheqje.» Kështu komentoi një shkrimtar gjerman me përvojë dhe prezantues televiziv. Patjetër, kjo është e logjikshme. Që shoqëria njerëzore të jetë e qëndrueshme dhe e begatë, njerëzit duhet të kenë një themel normash të pranuara në përgjithësi, të cilat identifikojnë çfarë është e drejtë ose e gabuar, e mirë ose e keqe. Pyetja është: Cilat norma janë më të mirat për shoqërinë dhe për anëtarët e saj?

Nëse përvetësohen si norma vlerat morale të Biblës, ato duhet t’i ndihmojnë njerëzit që të kenë një jetë të qëndrueshme e të lumtur. Kjo, në një masë të madhe, do ta bënte më të lumtur e më të qëndrueshme shoqërinë që do të ndiqte këto vlera morale. A është kështu? Le të shqyrtojmë atë që thotë Bibla për dy çështje të rëndësishme: besnikërinë në martesë dhe ndershmërinë në jetën e përditshme.

Bashkëshortë: Qëndroni të bashkuar

Krijuesi ynë krijoi Adamin dhe pastaj i bëri Evën që të ishte bashkëshortja e tij. Bashkimi i tyre ishte martesa e parë në histori dhe duhej të ishte një marrëdhënie e qëndrueshme. Perëndia tha: «Njeriu do të braktisë babanë dhe nënën e tij dhe do të bashkohet me gruan e tij.» Rreth 4.000 vjet më vonë, Jezu Krishti e përsëriti këtë normë martesore për të gjithë ithtarët e tij. Më tej, ai dënoi marrëdhëniet seksuale jashtë martesës.​—Zanafilla 1:27, 28; 2:24; Mateu 5:27-30; 19:5.

Sipas Biblës, dy çelësa të rëndësishëm për një martesë të lumtur janë dashuria dhe respekti nga ana e të dy bashkëshortëve. Burri, i cili është kreu i familjes, duhet të tregojë dashuri altruiste duke kërkuar interesat më të mira të së shoqes. Ai duhet të jetojë me të «sipas njohurisë» dhe nuk duhet të ‘zemërohet në mënyrë të hidhur’ me të. Gruaja duhet ta trajtojë burrin e saj me «respekt të thellë». Nëse bashkëshortët ndjekin këto parime, shumë vështirësi martesore mund të shmangen ose të kapërcehen. Burri do të dëshirojë të qëndrojë i bashkuar me gruan e tij dhe gruaja me burrin e saj.​—1 Pjetrit 3:1-7; Kolosianëve 3:18, 19; Efesianëve 5:22-33.

A i kontribuon një martese të lumtur norma biblike që bashkëshortët të qëndrojnë besnikërisht të bashkuar me njëri-tjetrin? Mirë, pra, shqyrtoni rezultatet e një ankete të bërë në Gjermani. Njerëzit u pyetën se çfarë faktorësh janë të rëndësishëm për një martesë të mirë. E para në listë ishte besnikëria reciproke. A nuk jeni dakord se të martuarit janë shumë më të lumtur kur e dinë se bashkëshortët e tyre janë besnikë?

Po sikur të lindin probleme?

Por, ç’të themi nëse një burrë e një grua kanë mosmarrëveshje serioze? Po sikur dashuria e tyre të shuhet? Në këto rrethana, a nuk është më e mira t’i jepet fund martesës? Apo norma biblike që bashkëshortët të qëndrojnë besnikërisht të bashkuar me njëri-tjetrin do të jetë ende gjëja më me mend për të bërë?

Shkrimtarët e Biblës e pranuan se të gjitha çiftet e martuara do të kenë probleme, për shkak të papërsosmërisë njerëzore. (1 Korintasve 7:28) Megjithatë, çiftet që zbatojnë normat morale të Biblës përpiqen të falin e t’i zgjidhin së bashku vështirësitë. Sigurisht, ka disa rrethana, si kurorëshkelja ose abuzimi fizik, kur një i krishterë mund të shqyrtojë me të drejtë ndarjen ose divorcin. (Mateu 5:32; 19:9) Por, t’i jepet fund me ngut një martese, pa ndonjë arsye shumë serioze ose për t’u martuar me dikë tjetër, zbulon një mospërfillje egoiste për të tjerët. Patjetër, nuk sjell qëndrueshmëri ose lumturi në jetë. Le të shohim një shembull.

Piteri e ndjeu se martesa e tij e kishte humbur shkëndijën që kishte një herë e një kohë. * Kështu, e la gruan e tij dhe filloi të jetonte me Monikën, e cila kishte braktisur të shoqin. Si shkuan punët? Siç e pranoi Piteri, brenda pak muajsh jetesa me Monikën «nuk ishte aq e lehtë sa e kisha imagjinuar». Përse? Mangësitë njerëzore ishin po aq të dukshme në marrëdhënien e re, sa kishin qenë në të vjetrën. Si për t’i keqësuar gjërat, vendimi i tij i nxituar dhe egoist e futi në probleme të rënda financiare. Për më tepër, fëmijët e Monikës u tronditën emocionalisht nga ndryshimi rrënjësor në jetën e tyre familjare.

Siç e ilustron kjo përvojë, kur një martesë has mot të ashpër, rrallëherë zgjidhja është ta braktisësh anijen. Nga ana tjetër, përballë një stuhie, jetesa sipas vlerave morale të Fjalës së Perëndisë, Biblës, shpesh mund ta ruajë një martesë nga mbytja dhe ta çojë në ujëra më të qeta. Kështu ndodhi me Tomasin dhe Dorisin.

Tomasi kishte 30 vjet martesë me Dorisin kur filloi të pinte rëndë. Dorisi ra në depresion dhe që të dy menduan të divorcoheshin. Dorisi ia hapi zemrën një Dëshmitareje të Jehovait. Dëshmitarja i tregoi Dorisit atë që thotë Bibla për martesën, duke e inkurajuar që të mos nxitohej për t’u ndarë, por së pari të punonte me burrin për të gjetur një zgjidhje. Pikërisht këtë bëri Dorisi. Brenda pak muajsh, nuk bëhej më fjalë për divorcin. Tomasi dhe Dorisi po punonin së bashku për t’i zgjidhur problemet. Ndjekja e këshillës së Biblës e forcoi martesën e tyre dhe u dha kohë për t’i zgjidhur problemet.

Ndershmëri në çdo gjë

Që bashkëshortët të qëndrojnë besnikërisht të bashkuar me njëri-tjetrin kërkon forcë karakteri dhe dashuri për parimet. Të njëjtat cilësi kërkohen për të qëndruar të ndershëm në një botë të pandershme. Bibla ka shumë për të thënë rreth ndershmërisë. Apostulli Pavël u shkroi të krishterëve të shekullit të parë në Jude: «Duam të sillemi me ndershmëri në çdo gjë.» (Hebrenjve 13:18) Çfarë do të thotë kjo?

Një person i ndershëm thotë të vërtetën dhe nuk mashtron. Është i ndershëm në marrëdhëniet me të tjerët, i drejtë, i respektueshëm, jo mashtrues ose gënjeshtar. Gjithashtu, një person i ndershëm është njeri me integritet, i cili nuk i bën hile tjetrit. Njerëzit e ndershëm i kontribuojnë një mjedisi mirëbesimi dhe sigurie, i cili çon në qëndrime të shëndetshme dhe nxit marrëdhënie të forta njerëzore.

A janë të lumtur njerëzit e ndershëm? Kanë arsye për të qenë të tillë. Me gjithë korrupsionin dhe mashtrimin e përhapur kudo​—ose ndoshta edhe për shkak të tij​—njerëzit e ndershëm në përgjithësi i admirojnë. Sipas një ankete të bërë te të rinjtë, ndershmëria është një cilësi që u vlerësua shumë nga 70 për qind e të anketuarve. Për më tepër, cilado qoftë mosha jonë, ndershmëria është një kërkesë e parë tek ata që i konsiderojmë si miq.

Kristinën e mësuan të vidhte që kur ishte 12 vjeçe. Me kalimin e viteve ajo fitoi përvojë si hajdute xhepash. «Kishte ditë kur sillja në shtëpi deri në 5.000 marka [2.200 dollarë amerikanë] në para të thata»,​—shpjegon ajo. Por Kristinën e kishin arrestuar disa herë dhe jetonte me rrezikun e përhershëm se do ta burgosnin. Kur Dëshmitarët e Jehovait i shpjeguan çfarë thotë Bibla për ndershmërinë, Kristinën e bënë për vete normat morale të Biblës. Ajo mësoi t’i bindet këshillës: «Vjedhësi le të mos vjedhë më.»​—Efesianëve 4:28.

Në kohën kur u pagëzua si Dëshmitare e Jehovait, Kristina nuk ishte më hajdute. Ajo po përpiqej të ishte e ndershme në çdo gjë, pasi Dëshmitarët e vënë shumë theksin mbi ndershmërinë dhe cilësitë e tjera të krishtere. Gazeta Lausitzer Rundschau raporton: «Terma të tillë moralë, si ndershmëria, modestia dhe dashuria për të afërmin, kanë shumë rëndësi në besimin e Dëshmitarëve.» Si ndihet Kristina për ndryshimin në jetën e saj? «Jam shumë më e lumtur tani që nuk vjedh më. Ndihem një pjesëtare e nderuar e shoqërisë.»

E gjithë shoqëria nxjerr dobi

Njerëzit që janë besnikë ndaj bashkëshortëve dhe që janë të ndershëm, jo vetëm që janë më të lumtur vetë, por edhe janë të dobishëm për shoqërinë në përgjithësi. Punëdhënësit preferojnë punëtorët që nuk bëjnë hile. Që të gjithëve na pëlqen të kemi fqinj të besuar dhe na pëlqen të blejmë gjëra në dyqane ku shesin tregtarë të ndershëm. A nuk i respektojmë politikanët, policët dhe gjykatësit që e shmangin korrupsionin? Shoqëria nxjerr shumë dobi kur anëtarët e saj sillen me ndershmëri duke e pasur këtë si parim, jo thjesht kur u duket e volitshme.

Për më tepër, bashkëshortët besnikë janë baza për familje të qëndrueshme. Shumica e njerëzve do të ishin dakord me një politikan evropian, i cili deklaroi: «Familja [tradicionale] mbetet edhe sot e kësaj dite limani më i rëndësishëm i sigurisë dhe i qëllimit për njerëzit.» Njësia paqësore familjare është vendi ku të rriturit dhe fëmijët kanë mundësinë më të madhe të ndihen të sigurt emocionalisht. Ata që janë besnikë në martesë po ndihmojnë në këtë mënyrë për të krijuar një shoqëri të qëndrueshme.

Mendoni sa shumë do të nxirrte dobi gjithsecili, nëse nuk do të kishte bashkëshortë të braktisur, gjyqe për divorce ose raste për kujdestarinë e fëmijëve. Pastaj, po sikur të mos kishte më hajdutë xhepash, grabitës dyqanesh, mashtrues, nëpunës të korruptuar ose shkencëtarë mashtrues? A ju tingëllon kjo thjesht si një ëndërr? Jo për njerëzit që kanë interes të mprehtë për Biblën dhe për atë që thotë në lidhje me të ardhmen. Fjala e Perëndisë premton se Mbretëria Mesianike e Jehovait së shpejti do të marrë në dorë qeverisjen e gjithë shoqërisë njerëzore në tokë. Nën atë Mbretëri, tërë nënshtetasit e saj do të mësohen të jetojnë në harmoni me normat morale të Biblës. Në atë kohë, «të drejtët do të trashëgojnë tokën dhe do të banojnë gjithnjë mbi të».​—Psalmi 37:29.

Normat morale të Biblës janë më të mirat

Miliona njerëz që u kanë hedhur një sy më nga afër Shkrimeve të Shenjta, kanë arritur të kuptojnë se këshillat e Biblës bazohen në mençurinë hyjnore, e cila është shumë më e lartë se mendimet njerëzore. Këta persona e konsiderojnë Biblën të denjë për besim dhe të rëndësishme për jetën në botën tonë moderne. Ata e dinë se është në interesat e tyre më të mira t’u vënë veshin këshillave të Fjalës së Perëndisë.

Prandaj, këta individë e marrin për zemër këshillën e Biblës: «Ki besim tek Zoti me gjithë zemër dhe mos u mbështet në gjykimin tënd; pranoje në të gjitha rrugët e tua dhe ai do të drejtojë shtigjet e tua.» (Fjalët e urta 3:5, 6) Duke vepruar kështu, ata e përmirësojnë shumë jetën e tyre dhe u sjellin dobi në jetë atyre që i rrethojnë. Gjithashtu, zhvillojnë një siguri të fortë në ‘jetën . . . që do të vijë’, kur normat morale të Biblës do të ndiqen nga i gjithë njerëzimi.​—1 Timoteut 4:8.

[Shënimi]

^ par. 11 Emrat në këtë artikull janë ndryshuar.

[Diçitura në faqen 5]

Përballë një stuhie martesore, jetesa sipas normave të Biblës, shpesh, mund ta ruajë një martesë nga mbytja dhe ta sjellë në ujëra më të qeta

[Diçitura në faqen 6]

Me gjithë korrupsionin e përhapur kudo​—ose ndoshta edhe për shkak të tij​—njerëzit e ndershëm në përgjithësi i admirojnë