Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Mund të qëndrojmë të pastër moralisht

Mund të qëndrojmë të pastër moralisht

Mund të qëndrojmë të pastër moralisht

«Kjo do të thotë dashuri për Perëndinë: të zbatojmë urdhërimet e tij.»​—1 GJONIT 5:3.

1. Çfarë kontrasti në sjellje shihet ndërmjet njerëzve sot?

SHUMË kohë më parë, profeti Malakia u frymëzua të parathoshte një kohë kur sjellja e popullit të Perëndisë do të qëndronte në kontrast të thellë me atë të njerëzve që nuk i shërbejnë Perëndisë. Profeti shkroi: «Atëherë do të shikoni përsëri ndryshimin ndërmjet të drejtit dhe të pabesit, ndërmjet atij që i shërben Perëndisë dhe atij që nuk i shërben atij.» (Malakia 3:18) Kjo profeci po përmbushet sot. Zbatimi i urdhërimeve të Perëndisë, duke përfshirë edhe ato që kërkojnë pastërti morale, është drejtimi i mençur dhe i duhur në jetë. Por, nuk është gjithnjë një drejtim i lehtë. Me arsye të vlefshme, Jezui tha se të krishterët duhet të përpiqen fuqimisht për të marrë shpëtimin.​—Luka 13:23, 24.

2. Cilat presione të jashtme ua bëjnë të vështirë disave të qëndrojnë të dëlirë moralisht?

2 Përse është e vështirë të qëndrojmë të dëlirë moralisht? Një arsye është se ekzistojnë presione të jashtme. Industria e zbavitjes i portretizon marrëdhëniet e paligjshme seksuale si magjepsëse, të këndshme dhe prej të rriturish, ndërkohë që pothuajse i shpërfill pasojat negative që vijnë. (Efesianëve 4:17-19) Shumica e marrëdhënieve intime që portretizohen, janë ndërmjet çifteve të pamartuara me njëri-tjetrin. Shpesh filmat dhe programet televizive i paraqesin marrëdhëniet seksuale në një kontekst marrëdhëniesh të rastit e pa angazhim. Zakonisht, ngrohtësia dhe respekti reciprok mungojnë. Shumë veta janë ekspozuar ndaj këtyre mesazheve që nga fëmijëria e tyre. Për më tepër, ekziston një presion i fortë nga bashkëmoshatarët për t’iu përshtatur klimës së sotme liberale morale dhe ata që nuk e bëjnë këtë, disa herë i vënë në lojë ose edhe i shajnë.​—1 Pjetrit 4:4.

3. Cilat janë disa arsye përse shumë veta në botë përfshihen në imoralitet?

3 Edhe presioni i brendshëm na e bën të vështirë të qëndrojmë të dëlirë moralisht. Jehovai i krijoi njerëzit me dëshira seksuale dhe këto dëshira mund të jenë të forta. Dëshira ka të bëjë shumë me atë që mendojmë dhe imoraliteti lidhet me mendimet që nuk janë në harmoni me ato të Jehovait. (Jakovit 1:14, 15) Për shembull, sipas një studimi të kohëve të fundit, të botuar në një gazetë, British Medical Journal, shumë nga ata që kishin pasur marrëdhënie seksuale për herë të parë, ishin thjesht kureshtarë për të provuar si ishte seksi. Të tjerë besonin se shumica e njerëzve në moshën e tyre ishin aktivë seksualisht kështu që edhe ata donin të humbnin virgjërinë. Të tjerë akoma thanë se ishin rrëmbyer nga ndjenjat ose ishin «pak të dehur në atë moment». Nëse duam t’i pëlqejmë Perëndisë, duhet të arsyetojmë ndryshe. Cila mënyrë të menduari do të na ndihmojë që të mbajmë pastërtinë morale?

Të ndërtojmë bindje të forta

4. Çfarë duhet të bëjmë për të qëndruar të dëlirë moralisht?

4 Për të qëndruar të dëlirë moralisht, duhet të kuptojmë se ndjekja e këtij stili jetese ia vlen. Kjo është në harmoni me atë që u shkroi apostulli Pavël të krishterëve në Romë: «Provoni për veten tuaj vullnetin e mirë, të pranueshëm e të përsosur të Perëndisë.» (Romakëve 12:2) Që të kuptojmë se dëlirësia morale ia vlen duhet më shumë sesa thjesht të dimë se imoraliteti dënohet në Fjalën e Perëndisë. Përfshin edhe të kuptojmë arsyet përse dënohet imoraliteti dhe si nxjerrim dobi duke e shmangur atë. Disa nga këto arsye u shqyrtuan në artikullin e mëparshëm.

5. Kryesisht, përse të krishterët duhet të dëshirojnë të qëndrojnë të dëlirë moralisht?

5 Por, në të vërtetë, për të krishterët arsyet më të fuqishme për të shmangur imoralitetin seksual vijnë nga marrëdhënia jonë me Perëndinë. Kemi mësuar se ai e di çfarë është më e mira për ne. Dashuria për të do të na ndihmojë të urrejmë të keqen. (Psalmi 97:10) Perëndia është Dhuruesi i ‘çdo dhurate të mirë dhe i çdo gjëje të përsosur’. (Jakovit 1:17) Ai na do. Duke iu bindur, tregojmë se e duam dhe çmojmë gjithçka që ka bërë për ne. (1 Gjonit 5:3) Nuk duam t’i shkaktojmë kurrë zhgënjim e dhembje Jehovait, duke thyer urdhrat e tij të drejta. (Psalmi 78:41) Nuk dëshirojmë të veprojmë në një mënyrë, e cila do të bëjë të shahet mënyra e tij e shenjtë dhe e drejtë e adhurimit. (Titit 2:5; 2 Pjetrit 2:2) Duke qëndruar të dëlirë moralisht, e gëzojmë Më të Lartin.​—Fjalët e urta (Proverbat) 27:11.

6. Si na ndihmon fakti që ua bëjmë të ditur të tjerëve normat tona morale?

6 Pasi të kemi vendosur të qëndrojmë të dëlirë moralisht, një mbrojtje e mëtejshme është t’ua bëjmë të ditur këtë bindje të tjerëve. T’u bëjmë të ditur njerëzve se jemi shërbëtorë të Perëndisë Jehova dhe se jemi të vendosur të mbajmë normat e tij të larta. Kjo është jeta jonë, trupi ynë, zgjedhja jonë. Çfarë rrezikohet? Marrëdhënia e çmuar me Atin tonë qiellor. Prandaj, ta bëjmë të qartë se integriteti ynë moral nuk është diçka që mund të kompromentohet. Të jemi krenarë për ta përfaqësuar Perëndinë, duke mbështetur parimet e tij. (Psalmi 64:10) Të mos kemi kurrë turp të flasim me të tjerët për bindjet tona morale. Fakti që flasim hapur mund të na forcojë, të na mbrojë dhe mund t’i inkurajojë të tjerët të ndjekin shembullin tonë.​—1 Timoteut 4:12.

7. Si mund ta mbajmë vendosmërinë për të qëndruar të dëlirë moralisht?

7 Pastaj, pasi kemi vendosur të mbajmë norma të larta morale dhe ua kemi bërë të ditur të tjerëve pozitën tonë, duhet të marrim masa për t’iu përmbajtur këtij vendimi. Një mënyrë për ta bërë këtë është duke qenë të kujdesshëm kur zgjedhim miqtë. «Kush shkon me të urtët bëhet i urtë»,​—thotë Bibla. Të shoqërohemi me ata që kanë të njëjtat vlera morale si ne, sepse do të na forcojnë. Ky shkrim thotë, gjithashtu: «Por shoku i budallenjve do të bëhet i keq.» (Fjalët e urta 13:20) Sa të jetë e mundur, t’i shmangim njerëzit që mund të na e dobësojnë vendosmërinë tonë.​—1 Korintasve 15:33.

8. (a) Përse duhet ta ushqejmë mendjen me gjëra të shëndetshme? (b) Çfarë duhet të shmangim?

8 Gjithashtu, duhet ta ushqejmë mendjen me gjëra që janë të vërteta, serioze, të drejta, të dëlira, të dashura, për të cilat flitet mirë, të virtytshme dhe të denja për lëvdim. (Filipianëve 4:8) Këtë e bëjmë duke qenë përzgjedhës në atë që shohim e lexojmë, si edhe në muzikën që dëgjojmë. Të themi që literatura imorale nuk ushtron ndikim korruptues, është sikur të themi se literatura morale nuk ka fare ndikim pozitiv. Mbani në mend se njerëzit e papërsosur mund të bien me lehtësi në imoralitet. Prandaj, librat, revistat, filmat dhe muzika që inkurajojnë ndjenjat seksuale, do të çojnë në dëshira të gabuara dhe këto, përfundimisht, mund të çojnë në mëkat. Për të mbajtur pastërtinë morale, duhet ta mbushim mendjen me mençurinë hyjnore.​—Jakovit 3:17.

Hapa që çojnë në imoralitet

9-11. Siç e tregoi Solomoni, cilat hapa e çuan gradualisht një të ri në imoralitet?

9 Shpesh, hapat që çojnë në imoralitet mund të identifikohen. Çdo hap që merret e bën gjithnjë e më të vështirë kthimin prapa. Vini re si përshkruhet kjo te Fjalët e urta 7:6-23. Solomoni vëren një «djalë të ri që s’kishte gjykim [të cilit i mungonte zemra, BR]» ose që s’kishte motiv të mirë. Ky i ri po «kalonte nëpër rrugë pranë qoshes së gruas së huaj [një prostitute] dhe drejtohej nga shtëpia e saj, në muzg, kur po ngryste dita». Këtu është gabimi i tij i parë. Në orët e muzgut, «zemra» e tij e drejtoi jo në një rrugë çfarëdo, por në një rrugë ku ai e di se mund të gjendet zakonisht një prostitutë.

10 Më pas lexojmë: «I doli para një grua e veshur si prostitutë dhe dinake.» Tani ai e sheh! Mund të kthehej prapa e të shkonte në shtëpi, por kjo tani është më e vështirë se më parë, veçanërisht sepse ai është i dobët moralisht. Ajo e zë dhe i jep një të puthur. Pasi ka pranuar puthjen, tani dëgjon se si ajo e bind në mënyrë joshëse. «Duhej të bëja flijimet e falënderimit,​—thotë ajo,​—pikërisht sot i plotësova zotimet e mia.» Flijimet e falënderimit përfshinin mish, miell, vaj dhe verë. (Levitiku 19:5, 6; 22:21; Numrat 15:8-10) Duke i përmendur ato, ajo mund të ketë lënë të kuptohej se nuk i mungonte karakteri frymor dhe, në të njëjtën kohë, mund t’i kishte bërë të ditur se në shtëpinë e saj kishte shumë gjëra të mira për të ngrënë e për të pirë. «Eja,​—i lutet ajo,​—të dehemi me dashuri deri në mëngjes, të kënaqemi me qejfe dashurie.»

11 Përfundimi nuk është vështirë të parashikohet. «Ajo e tërhoqi me ëmbëlsinë e buzëve të saj.» Ai e ndjek në shtëpinë e saj, «si një ka që shkon në thertore» dhe ‘si një zog që nxiton në lakun e tij’. Solomoni përfundon me fjalët që të vënë në mendime: ‘Ai nuk e di që një lak është ngritur kundër jetës së tij.’ Vetë jeta e tij është e përfshirë, sepse «Perëndia do të gjykojë kurvarët dhe kurorëshkelësit». (Hebrenjve 13:4) Sa mësim i fuqishëm si për burrat, edhe për gratë! Duhet të shmangim qoftë edhe hapat e parë përgjatë një shtegu që do të na çojë në mosmiratimin e Perëndisë.

12. (a) Çfarë domethënieje ka shprehja ‘i mungon zemra’? (b) Si mund ta rritim forcën morale?

12 Vini re se të riut në tregim i ‘mungonte zemra’. Kjo shprehje na tregon se mendimet, dëshirat, përzemërsitë, emocionet dhe synimet e tij në jetë nuk ishin në harmoni me atë që miraton Perëndia. Dobësia morale e çoi atë në pasoja tragjike. Në këto «ditë të fundit» kritike, duhen përpjekje për të rritur forcën morale. (2 Timoteut 3:1) Perëndia merr masa për të na ndihmuar. Ai i siguron mbledhjet e kongregacionit të krishterë për të na inkurajuar që të vazhdojmë në shtegun e drejtë dhe për të na vënë në kontakt me të tjerë që kanë të njëjtin synim si ne. (Hebrenjve 10:24, 25) Janë edhe pleqtë e kongregacionit që na kullotin dhe na mësojnë udhët e drejtësisë. (Efesianëve 4:11, 12) Kemi Fjalën e Perëndisë, Biblën, për të na drejtuar e për të na udhëhequr. (2 Timoteut 3:16) Gjithashtu, në çdo kohë, kemi mundësinë për t’u lutur për frymën e Perëndisë që të na ndihmojë.​—Mateu 26:41.

Të mësojmë nga mëkatet e Davidit

13, 14. Si u përfshi mbreti David në mëkat të rëndë?

13 Megjithatë, mjerisht, edhe disa shërbëtorë të shquar të Perëndisë janë përfshirë në imoralitet seksual. Një person i tillë ishte mbreti David, i cili i kishte shërbyer me besnikëri Jehovait për dekada. Nuk ka asnjë dyshim se ai e donte shumë Perëndinë. Gjithsesi, u zhyt në një drejtim mëkatar. Ashtu si me të riun që përshkroi Solomoni, kishte disa hapa që e çuan Davidin deri në mëkat dhe që pastaj e formuan këtë mëkat.

14 Në atë kohë, Davidi ishte një mesoburrë, ndoshta në fillim të 50-ave. Që nga tarraca e tij, vuri re Betshebën e bukur që po lahej. Ai pyeti për të dhe mësoi kush ishte. Mori vesh se i shoqi i saj, Uriahu, ishte në rrethimin e Rabahut, një qytet amonit. Davidi urdhëroi që ta sillnin këtë grua në pallatin e tij dhe pati marrëdhënie me të. Më vonë gjërat u komplikuan, pasi ajo zbuloi se kishte mbetur shtatzënë nga Davidi. Duke shpresuar që Uriahu ta kalonte natën me të shoqen, Davidi e thirri nga fusha e betejës. Në këtë mënyrë, do të ishte dukur sikur Uriahu ishte babai i fëmijës së Betshebës. Por Uriahu nuk shkoi në shtëpinë e tij. Duke pasur nevojë të ngutshme për ta mbuluar mëkatin e tij, Davidi më pas e dërgoi përsëri Uriahun në Rabah me një letër për kreun e ushtrisë, ku thuhej se Uriahu duhej vënë në një pozicion luftimi ku do të vritej. Kështu, Uriahu humbi jetën dhe Davidi u martua me vejushën para se të bëhej e njohur në publik se ajo ishte shtatzënë.​—2 Samuelit 11:1-27.

15. (a) Si u demaskua mëkati i Davidit? (b) Si reagoi Davidi ndaj qortimit me mjeshtëri të Natanit?

15 Në dukje, plani i Davidit për të mbuluar mëkatin e tij kishte funksionuar. Kaluan muaj. Lindi fëmija që ishte një djalë. Nëse Davidi kishte këtë ngjarje ndër mend kur kompozoi Psalmin 32, patjetër që ndërgjegjja e mundonte. (Psalmi 32:3-5) Megjithatë, mëkati nuk ishte i fshehur ndaj Perëndisë. Bibla thotë: «Ajo që Davidi kishte bërë nuk i pëlqeu Zotit.» (2 Samuelit 11:27) Jehovai dërgoi profetin Natan, i cili me mjeshtëri e ballafaqoi Davidin me atë që kishte bërë. Menjëherë, Davidi e rrëfeu mëkatin dhe kërkoi faljen e Jehovait. Pendimi i tij i sinqertë solli pajtimin me Perëndinë. (2 Samuelit 12:1-13) Davidit nuk i erdhi keq për qortimin. Përkundrazi, ai tregoi qëndrimin e përshkruar te Psalmi 141:5: «Le të më rrahë madje i drejti, do të jetë një mirësjellje nga ana e tij; le të më qortojë ai, do të jetë si vaji mbi kokë; koka ime nuk ka për ta refuzuar.»

16. Çfarë paralajmërimi e këshille dha Solomoni në lidhje me shkeljet?

16 Solomoni, i cili ishte biri i dytë i Davidit dhe i Betshebës, mund të ketë medituar për këtë episod të zymtë në jetën e të atit. Më vonë, ai shkroi: «Kush i fsheh shkeljet e tij nuk do të ketë mbarësi; por ai që i rrëfen dhe i braktis ato, ka për të fituar mëshirën.» (Fjalët e urta 28:13) Nëse biem në një mëkat të rëndë, duhet t’ia vëmë veshin kësaj këshille të frymëzuar, e cila është edhe paralajmërim, edhe këshillë. Duhet t’ia rrëfejmë Jehovait mëkatin dhe t’u afrohemi pleqve të kongregacionit për ndihmë. Një përgjegjësi e rëndësishme e pleqve është të ndihmojnë për të ndrequr ata që kanë rënë në keqbërje.​—Jakovit 5:14, 15.

Të durojmë pasojat e mëkatit

17. Ndonëse Jehovai i fal mëkatet, nga çfarë nuk na mbron?

17 Jehovai e fali Davidin. Përse? Sepse Davidi ishte një njeri me integritet, sepse ishte i mëshirshëm me të tjerët dhe sepse pendimi i tij ishte i sinqertë. Megjithatë, Davidit nuk iu vu një mburojë për ta mbrojtur nga pasojat shkatërrimtare që vijuan. (2 Samuelit 12:9-14) E njëjta gjë ndodh edhe sot. Ndonëse nuk sjell të ligën mbi të penduarit, Jehovai nuk i kursen ata nga pasojat e natyrshme të veprimeve të tyre të gabuara. (Galatasve 6:7) Ndër pasojat e imoralitetit seksual mund të jenë divorci, shtatzënia e padëshiruar, një sëmundje e transmetuar me rrugë seksuale dhe humbja e mirëbesimit dhe e respektit.

18. (a) Siç e tha Pavli, si duhej të vepronte kongregacioni korintas në një rast të sjelljes së gabuar të rëndë seksuale? (b) Si tregon dashuri dhe mëshirë Jehovai ndaj mëkatarëve?

18 Nëse personalisht kemi gabuar rëndë, është e lehtë të ndihemi të shkurajuar, ndërsa vuajmë pasojat e gabimeve që kemi bërë. Megjithatë, nuk duhet të lëmë asgjë të na pengojë që të pendohemi dhe të pajtohemi me Perëndinë. Gjatë shekullit të parë, Pavli u shkroi korintasve se duhej të hiqnin nga kongregacioni një burrë që praktikonte kurvërinë në formën e incestit. (1 Korintasve 5:1, 13) Pasi ai burrë ishte penduar me të vërtetë, Pavli e udhëzoi kongregacionin: «Faleni me dashamirësi e ngushëllojeni [dhe] vërtetojani dashurinë tuaj për të.» (2 Korintasve 2:5-8) Në këtë këshillë të frymëzuar, shohim dashurinë dhe mëshirën e Jehovait ndaj mëkatarëve të penduar. Engjëjt në qiell gëzohen kur pendohet një mëkatar.​—Luka 15:10.

19. Në çfarë dobish mund të çojë trishtimi i duhur për një drejtim të gabuar?

19 Ndonëse jemi të trishtuar nga një drejtim i gabuar, keqardhja që ndiejmë mund të na ndihmojë të ‘kemi kujdes që të mos anojmë [të mos kthehemi sërish, BR] nga paudhësia’. (Jobi 36:21) Në fakt, pasojat e hidhura të mëkatit duhet të na përmbajnë që të mos e përsëritim më një gabim. Për më tepër, Davidi e përdori përvojën e trishtueshme që mori nga sjellja e tij mëkatare, për të këshilluar të tjerët. Ai tha: «Do t’u mësoj rrugët e tua shkelësve dhe mëkatarët do të kthehen drejt teje.»​—Psalmi 51:13.

Lumturia vjen kur i shërbejmë Jehovait

20. Çfarë dobish vijnë nga bindja ndaj kërkesave të drejta të Perëndisë?

20 «Lum ata që e dëgjojnë fjalën e Perëndisë dhe e ruajnë atë!»​—tha Jezui. (Luka 11:28) Bindja ndaj kërkesave të drejta të Perëndisë sjell lumturi tani dhe në të ardhmen e pafundme. Nëse kemi qëndruar të pastër moralisht, le të vazhdojmë në këtë drejtim, duke përfituar nga të gjitha masat që ka marrë Jehovai për të na ndihmuar. Nëse kemi rënë në imoralitet, le të marrim zemër duke ditur se Jehovai është gati t’i falë ata që pendohen me të vërtetë dhe le të jemi të vendosur për të mos e përsëritur kurrë mëkatin.​—Isaia 55:7.

21. Zbatimi i cilës këshillë të apostullit Pjetër mund të na ndihmojë që të qëndrojmë të pastër moralisht?

21 Së shpejti, kjo botë e padrejtë do të kalojë, së bashku me të gjitha qëndrimet dhe praktikat e saj imorale. Duke mbajtur dëlirësinë morale, do të nxjerrim dobi tani e përgjithmonë. Apostulli Pjetër shkroi: «O të dashur, meqenëse pritni këto gjëra, bëni çmos që së fundi të gjendeni prej tij të panjollë, të patëmetë dhe në paqe. . . . Duke pasur këtë njohuri që më përpara, ruhuni që të mos tërhiqeni bashkë me ta nga mashtrimi i njerëzve që sfidojnë ligjin dhe të mos bini nga palëkundshmëria juaj.»​—2 Pjetrit 3:14, 17.

A mund të shpjegoni?

• Përse mund të jetë e vështirë të qëndrojmë të pastër moralisht?

• Cilat janë disa mënyra për të mbështetur vendosmërinë tonë për të ndjekur norma të larta morale?

• Çfarë mësimesh mund të marrim nga mëkatet e të riut që përmendi Solomoni?

• Çfarë na mëson shembulli i Davidit për pendimin?

[Pyetjet]

[Figura në faqen 13]

Është një mbrojtje t’u bëjmë të ditur të tjerëve qëndrimin tonë në çështjen e normave morale

[Figurat në faqet 16, 17]

Duke qenë se Davidi u pendua sinqerisht, Jehovai e fali