Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

«Për një besim që nuk sprapset»

«Për një besim që nuk sprapset»

Jetëshkrim

«Për një besim që nuk sprapset»

TREGUAR NGA HERBERT MYLER

Disa muaj pasi ushtria e Hitlerit e pushtoi Holandën, Dëshmitarët e Jehovait u vunë në ndalim. S’kaloi shumë kohë dhe emri im doli në listën e më të kërkuarve nga nazistët, të cilët më gjëmonin këmba-këmbës si një kafshë.

NË NJË rast, isha kaq i lodhur nga fshehjet dhe arratisjet, saqë i thashë sime shoqeje se, kush e di, mund të ishte një lehtësim po të më kapte ushtria. Pastaj, më erdhën në mendje fjalët e një kënge: «Për një besim që nuk sprapset, dhe pse i shtypur nga çdo armik.» * Meditimi rreth asaj kënge ma përtëriu forcën dhe më solli ndër mend kujtime të prindërve në Gjermani dhe të ditës kur miqtë e mi e kishin kënduar këtë këngë për të më dhënë lamtumirën. A mund të ndaj disa nga këto kujtime me ju?

Shembulli i prindërve

Kur linda unë, në vitin 1913, në qytetin Kopic të Gjermanisë, prindërit ishin pjesëtarë të Kishës Evangjeliste. * Shtatë vjet më vonë, në vitin 1920, babai u largua nga kisha. Më 6 prill, kërkoi një Kirchenaustrittsbescheinigung (Deklaratë tërheqjeje nga kisha). Nëpunësi i zyrës civile të qytetit i përpiloi një kërkesë të tillë. Një javë më vonë, megjithatë, babai u kthye përsëri në zyrë duke shpjeguar se deklarata nuk përmbante emrin e vajzës së tij. Nëpunësi përpiloi një kërkesë të dytë, duke pohuar se tërheqja nga kisha zbatohej edhe për Marta Margareta Mylerin. Në atë kohë, Margareta, motra ime, ishte vetëm një vjeçe e gjysmë. Kur bëhej fjalë për shërbimin ndaj Jehovait, babai nuk kënaqej me masa të pjesshme.

Po atë vit, prindërit u pagëzuan nga Studentët e Biblës, siç njiheshin atëherë Dëshmitarët e Jehovait. Babai na rriti në një mënyrë të rreptë, por besnikëria e tij ndaj Jehovait na e bëri më të lehtë të pranonim udhëheqjen e tij. Besnikëria i shtynte, gjithashtu, prindërit e mi që të bënin rregullime. Për shembull, kishte një periudhë kohe kur nuk na lejohej të luanim përjashta të dielave. Por, një të diel, në vitin 1925, prindërit na thanë se do të dilnim shëtitje. Morëm me vete disa ushqime të lehta dhe kaluam një kohë të këndshme, një ndryshim shumë i madh nga qëndrimi të mbyllur në shtëpi gjatë gjithë ditës. Babai tha se kishte mësuar disa pika në një kongres të kohëve të fundit dhe kishte ndrequr pikëpamjen e tij për aktivitetet e së dielës. Edhe herë të tjera tregoi të njëjtën gatishmëri për të bërë rregullime.

Ndonëse prindërit nuk ishin mirë me shëndet, nuk u frenuan në veprën e predikimit. Për shembull, për të shpërndarë fletushkën Akuzohen klerikët, i hipëm një treni një mbrëmje, së bashku me pjesën tjetër të kongregacionit, dhe udhëtuam për në qytetin Regensburg, rreth 300 kilometra larg nga Drezdeni. Ditën tjetër, i shpërndamë fletushkat në të gjithë qytetin dhe kur mbaruam, morëm trenin për t’u kthyer. Në kohën kur mbërritëm përsëri në shtëpi, kishin kaluar thuajse 24 orë.

Largohem nga shtëpia

Edhe shoqërimi me Jugendgruppe (grupi i të rinjve) në kongregacionin tonë më ndihmoi të rritesha frymësisht. Çdo javë, të rinjtë mbi moshën 14-vjeçare takoheshin me disa nga vëllezërit e moshuar të kongregacionit. Bënim lojëra, u binim veglave muzikore, studionim Biblën dhe flitnim për krijimin e për shkencën. Megjithatë, në vitin 1932, kur isha 19 vjeç, shoqërimit tim me këtë grup i erdhi fundi.

Në prill të atij viti, babai mori një letër nga zyra e Shoqatës Watch Tower në Magdeburg. Shoqata po kërkonte dikë që mund t’i jepte makinës dhe që dëshironte të shërbente si pionier. E dija se prindërit e mi dëshironin që të shërbeja si pionier, por mendoja se nuk e bëja dot. Meqë prindërit ishin të varfër, që në moshën 14-vjeçare kisha filluar të riparoja biçikleta, makina qepëse, makina shkrimi dhe pajisje të tjera zyre. Si mund ta lija familjen? Ata kishin nevojë për mbështetjen time. Për më tepër, as nuk isha i pagëzuar. Babai u ul me mua dhe më bëri disa pyetje, për të parë nëse e kuptoja çfarë përfshinte pagëzimi. Kur përgjigjet e mia e bindën se kisha bërë mjaft përparim frymor sa të pagëzohesha, ai tha: «Duhet të ofrohesh për këtë caktim.» Kështu bëra.

Një javë më vonë, mora ftesën për të shkuar në Magdeburg. Kur u thashë miqve të mi në grupin e të rinjve, ata shprehën dëshirën të më përcillnin me një këngë të gëzueshme. U habitën me këngën që zgjodha, sepse e konsideronin shumë serioze. Megjithatë, disa morën në dorë violinat, mandolinat dhe kitarat e që të gjithë kënduan: «Për një besim që nuk sprapset, dhe pse i shtypur nga çdo armik, që nuk dridhet edhe kur ndeshet, në tokë me mjerim e rrezik.» Atë ditë nuk e dija sa shpesh do të më forconin këto fjalë në vitet që do të vinin.

Një fillim i trazuar

Pasi vëllezërit në Magdeburg kishin provuar aftësitë e mia si shofer, na besuan, mua dhe katër pionierëve të tjerë, një makinë dhe u drejtuam për në Shnaifël, një krahinë afër Belgjikës. Shumë shpejt, e mësuam se makina ishte një domosdoshmëri. Në atë krahinë, kishës katolike nuk i pëlqeu prania jonë dhe fshatarët, të nxitur nga priftërinjtë, shpesh rrinin në pritë për të na dëbuar. Shumë herë, makina na ndihmoi që të shpëtonim për një qime nga shatat dhe sfurqet e tyre.

Pas Përkujtimit në vitin 1933, mbikëqyrësi rajonal, Pol Grosman, na tha se vepra e Shoqatës në Gjermani ishte ndaluar. Pak kohë pas kësaj, zyra e degës më kërkoi të vija në Magdeburg me makinë, të merrja literaturë atje dhe ta transportoja në shtetin e Saksonisë, rreth 100 kilometra larg Magdeburgut. Por, në kohën kur mbërrita në Magdeburg, Gestapoja (policia sekrete naziste) tashmë e kishte mbyllur zyrën e Shoqatës. Ia lashë makinën një vëllai në Lajpcig dhe u ktheva në shtëpi, por jo për shumë kohë.

Zyra e Shoqatës në Zvicër më ftoi të filloja shërbimin si pionier në Holandë. E bëra në plan të nisesha pas një ose dy javësh, por babai më këshilloi të filloja menjëherë të bëja përgatitjet për të ikur. E ndoqa këshillën e tij dhe brenda pak orësh, u largova nga shtëpia. Ditën tjetër, policia erdhi në shtëpinë e babait për të më arrestuar, me akuzën e dezertimit. Kishin arritur tepër vonë.

Fillimi në Holandë

Më 15 gusht 1933, mbërrita në një shtëpi pionierësh në Hemstede, një qytet rreth 25 kilometra larg Amsterdamit. Ditën tjetër, dola të predikoja pa ditur as edhe një fjalë në gjuhën holandeze. I pajisur me një fletë dëshmie, e cila përmbante një fjalim të shtypur, fillova. Çfarë inkurajimi ishte kur një grua katolike pranoi librin Pajtim! Po atë ditë, lashë edhe 27 broshura. Në fund të asaj dite të parë, u ndjeva i kënaqur që mund të predikoja përsëri lirisht.

Në ato ditë, pionierët nuk kishin burim tjetër të ardhurash përveç kontributeve që merrnin kur linin literaturë. Këto para përdoreshin për të blerë ushqime dhe gjëra të tjera të nevojshme. Nëse mbetej ndonjë sasi e vogël parash në fund të muajit, ndahej mes pionierëve për shpenzime personale. Kishim pak nga ana materiale, por Jehovai u kujdes kaq mirë për ne, saqë në vitin 1934 pata mundësi të ndjek një kongres në Zvicër.

Një shoqe besnike

Në kongres, u takova me 18-vjeçaren Erika Finke. E njihja që nga koha kur isha ende në shtëpinë time. Erika ishte shoqe me motrën time, Margaretën, dhe më kishte bërë gjithnjë përshtypje qëndrimi i vendosur i saj për të vërtetën. Jo shumë kohë pas pagëzimit të saj në vitin 1932, dikush kishte informuar Gestapon se Erika kishte refuzuar të thoshte «Hail Hitler!». Gestapoja e ndaloi dhe e pyeti përse kishte refuzuar. Erika i lexoi oficerit në degën e policisë Veprat 17:3 dhe i shpjegoi se Perëndia ka caktuar vetëm një njeri si Shpëtimtar, Jezu Krishtin. «A ka të tjerë që besojnë si ti?»​—kishte kërkuar të dinte oficeri. Erika kishte refuzuar të jepte emra. Kur polici e kishte kërcënuar se do ta burgoste, Erika i kishte thënë se më mirë të vdiste, sesa të jepte emra. Ai e kishte parë me vëmendje dhe i kishte bërtitur: «Dil që këtu. Marsh në shtëpi. Hail Hitler!»

Pas kongresit, unë u ktheva në Holandë, kurse Erika qëndroi në Zvicër. Por, që të dy e ndienim se shoqëria jonë ishte rritur. Ndërsa ishte në Zvicër, Erika mori vesh se Gestapoja kishte shkuar në shtëpinë e saj duke e kërkuar. Vendosi të qëndronte e të shërbente si pioniere në Zvicër. Disa muaj më vonë, Shoqata i kërkoi të shkonte në Spanjë. Shërbeu si pioniere në Madrid, pastaj në Bilbao dhe më vonë në San-Sebastian, ku persekutimi i nxitur nga kleri bëri që së bashku me shoqen e saj të shërbimit të përfundonin në burg. Në vitin 1935 iu urdhërua të largoheshin nga Spanja. Erika erdhi në Holandë dhe po atë vit u martuam.

Re lufte në horizont

Pas dasmës, shërbyem si pionierë në Hemstede dhe më vonë u transferuam në qytetin Roterdam. Atje na lindi djali, Volfgangu, në vitin 1937. Një vit më vonë, u transferuam në qytetin Groningen, në veri të Holandës, ku ishim në një shtëpi me pionierët gjermanë Ferdinand e Helga Holtorf dhe vajzën e tyre. Në korrik të vitit 1938, Shoqata na tha se qeveria holandeze kishte dhënë një paralajmërim që Dëshmitarët me kombësi gjermane nuk lejoheshin më të predikonin. Rreth po asaj kohe, më caktuan shërbëtor të zonës (mbikëqyrës qarkor) dhe familja jonë u transferua në Lichtdrager (Mbajtësja e dritës), anija e Shoqatës që shërbente si shtëpi bazë për pionierët që predikonin në pjesën veriore të Holandës. Pjesën më të madhe të kohës isha larg familjes, duke bërë me biçikletë rrugën nga një kongregacion te tjetri, për të inkurajuar vëllezërit që të vazhdonin të predikonin. Vëllezërit vepruan pikërisht kështu. Disa, madje, e rritën aktivitetin e tyre. Vim Ketelari ishte një shembull i mirë.

Kur e takova Vimin, ishte një i ri që e kishte njohur të vërtetën po ishte shumë i zënë si punëtor në fermë. «Nëse do që të kesh kohë për t’i shërbyer Jehovait,​—e këshillova,​—duhet të gjesh një punë tjetër.» Kështu bëri. Më vonë, kur e takova përsëri, e inkurajova të shërbente si pionier. «Por, më duhet të punoj për të ngrënë»,​—u përgjigj. «Do të kesh për të ngrënë,​—e sigurova.​—Jehovai do të kujdeset për ty.» Vimi filloi të shërbente si pionier. Më vonë, edhe gjatë Luftës II Botërore, shërbeu si mbikëqyrës udhëtues. Sot, në të 80-tat, Vimi është ende një Dëshmitar i zellshëm. Jehovai u kujdes vërtet për të.

Nën ndalim dhe i kërkuar

Në maj të vitit 1940, rreth një vit pas lindjes së fëmijës tonë të dytë, Rainës, ushtria holandeze u dorëzua dhe nazistët pushtuan Holandën. Në korrik, Gestapoja konfiskoi zyrën dhe shtypshkronjën e Shoqatës. Vitin që pasoi, pati një valë arrestimesh të Dëshmitarëve dhe më kapën edhe mua. Duke qenë Dëshmitar dhe gjerman në moshën e rekrutimit, nuk e kisha të vështirë ta imagjinoja ç’mund të më bënte Gestapoja. U përpoqa t’i dorëzohesha mendimit se nuk do ta shihja më familjen time.

Pastaj, në maj të vitit 1941, Gestapoja më liroi nga burgu dhe më urdhëroi të shkoja të raportoja për shërbimin ushtarak. Nuk arrija ta besoja. Po atë ditë dola në ilegalitet dhe po atë muaj isha përsëri në veprën e qarkut. Gestapoja më vuri në listën e vet të më të kërkuarve.

Si ia doli mbanë familja ime

Gruaja dhe fëmijët ishin transferuar në fshatin Vorden, në pjesën lindore të vendit. Por, për t’i zvogëluar rreziqet që u kanoseshin atyre, m’u desh t’i kufizoja shumë vizitat në shtëpi. (Mateu 10:16) Për hir të sigurisë, vëllezërit nuk përdornin emrin tim të vërtetë, por vetëm pseudonimin Duitse Jan (gjermani Xhon). Edhe djalit katërvjeçar, Volfgangut, nuk i lejohej të më thoshte «babi», por vetëm «Ome Jan» (xhaxhi Xhoni). Për të, kjo ishte shumë e vështirë nga ana emocionale.

Ndërsa isha në arrati, Erika u kujdes për fëmijët dhe vazhdoi të predikonte. Kur Raina ishte dyvjeçe, Erika e vuri në koshin e biçikletës dhe e mori me vete ndërsa predikonte nëpër fshatra. Ndonëse ushqimi gjendej me vështirësi, Erika nuk vuajti kurrë nga ndonjë mungesë e rëndë ushqimi në familje. (Mateu 6:33) Një fermer katolik, të cilit i kisha riparuar një herë makinën qepëse, i jepte patate. Gjithashtu, ai i kalonte Erikës mesazhet e mia. Një herë, në një dyqan ajo pagoi një gulden për një produkt. Pronari, duke e ditur se ajo po jetonte në ilegalitet dhe nuk ishte në gjendje të merrte kupona me racione për ushqim, i dha produktin që kërkonte, si edhe dy gulden. Dhurata të tilla, si shprehje mirëkuptimi, e ndihmuan të mbijetonte.​—Hebrenjve 13:5.

Puna krah për krah me vëllezër të guximshëm

Ndërkohë, unë vazhdoja të vizitoja kongregacionet, ndonëse kontaktoja vetëm vëllezërit përgjegjës të kongregacioneve. Duke qenë se Gestapoja më ndiqte këmba-këmbës, nuk rrija dot asnjëherë në një vend më shumë se disa orë. Shumë vëllezërve e motrave nuk u lejohej të më takonin. Ata njihnin vetëm Dëshmitarët që i përkitnin grupit të tyre të vogël të studimit të Biblës. Për pasojë, dy motra gjaku që jetonin në pjesë të ndryshme të të njëjtit qytet, vetëm pas Luftës II Botërore e morën vesh se gjatë luftës që të dyja ishin bërë Dëshmitare.

Një nga detyrat e tjera të miat ishte të gjeja vende për të fshehur literaturën e Shoqatës. Fshihnim edhe letrën, makina me klishe dhe makina shkrimi për të bërë kopje të Kullës së Rojës, rast se do të kishim nevojë. Disa herë, na duhej t’i transferonim librat që shtypte Shoqata, nga njëri vend në tjetrin. Më kujtohet që një herë transportova 30 kuti plot me literaturë, ndërsa përpiqesha të mos bija në sy, një punë që t’i bënte nervat copë!

Përveç kësaj, organizonim transportimin e ushqimit, nga fermat në Holandën Lindore në qytetet e perëndimit, ndonëse kjo ishte e ndaluar. E vinim ushqimin në një karrocë të tërhequr nga kuaj dhe niseshim për në perëndim. Kur arrinim tek ndonjë lumë, nuk përdornim dot asnjë nga urat, sepse i ruanin ushtarët. Në vend të kësaj, e transportonim mallin në varka të vogla, e kalonim ushqimin nga ana tjetër e lumit dhe pastaj e vinim përsëri në një karrocë tjetër. Kur arrinim në qytetin që ishte vendmbërritja jonë, pritnim derisa të binte nata, u vishnim çorape kuajve, që të mos dëgjoheshin potkonjtë, dhe shkonim qetë-qetë në depon e fshehtë të ushqimeve për kongregacionin. Prej aty, ushqimi u shpërndahej vëllezërve nevojtarë.

Nëse ushtria gjermane do të zbulonte një depo të tillë ushqimi, dikujt mund t’i kushtonte jetën. Megjithatë, disa vëllezër dolën vullnetarë për të ndihmuar. Për shembull, familja Blumink në qytetin Amersfort la dhomën e ndenjes të përdorej si depo ushqimi, ndonëse shtëpia e tyre ishte vetëm disa hapa larg një kazerme të ushtrisë gjermane! Dëshmitarë të guximshëm si këta rrezikuan jetën e tyre për vëllezërit.

Jehovai na ndihmoi, mua dhe gruan, të qëndronim besnikë gjatë viteve të ndalimit. Në maj 1945, ushtria gjermane u mund dhe jeta ime në arrati më në fund mbaroi. Shoqata më kërkoi të vazhdoja të shërbeja si mbikëqyrës udhëtues derisa të kishte në dispozicion vëllezër të tjerë. Në vitin 1947, Bertus van der Bejl vazhdoi veprën që bëja unë. * Në atë kohë, na kishte lindur fëmija i tretë dhe u vendosëm në pjesën lindore të vendit.

Trishtim dhe gëzim

Pas luftës, mora vesh se rreth një vit pasi unë kisha ikur nga shtëpia për në Holandë, babanë e kishin burgosur. E kishin liruar dy herë për shkak të shëndetit të keq, por pastaj e kishin burgosur përsëri. Në shkurt të vitit 1938 e kishin dërguar në kampin e përqendrimit në Bukenvald, e pastaj në Dakau. Atje, më 14 maj 1942, babai kishte vdekur. Qëndroi i patundur e besnik deri në fund.

Edhe mamanë e kishin dërguar në kampin e Dakaut. Qëndroi atje derisa e liruan, në vitin 1945. Meqë shembulli i patundur i prindërve të mi i kontribuoi shumë bekimeve frymore që kam gëzuar, ishte një privilegj ta kishim mamanë në shtëpi që nga viti 1954. Erdhi edhe motra ime, Margareta, e cila kishte shërbyer si pioniere në Gjermaninë Lindore komuniste që nga viti 1945. Ndonëse mamaja ishte e sëmurë dhe nuk fliste fare holandisht, vazhdoi të merrte pjesë në shërbimin në fushë derisa e mbaroi besimplotë rrugën e saj tokësore në tetor të vitit 1957.

Kongresi i vitit 1955 në Nuremberg, Gjermani, ishte vërtet special. Pasi mbërritëm atje, vëllezërit nga Drezdeni i thanë Erikës se edhe mamaja e saj ishte në kongres. Meqë në atë kohë Drezdeni ishte nën sundimin e Gjermanisë Lindore, Erika kishte 21 vjet që nuk e shihte mamanë. U fiksua një takim dhe nënë e bijë u përqafuan. Sa bashkim i gëzuar që ishte!

Me kalimin e kohës, familja jonë u rrit deri në tetë fëmijë. Mjerisht, një nga djemtë na vdiq në një aksident rrugor. Megjithatë, kur shohim se të gjithë fëmijët e tjerë i shërbejnë Jehovait është burim gëzimi të madh për ne. Jemi të lumtur që djali ynë Volfgangu dhe gruaja e tij janë në veprën e qarkut, e që po ashtu edhe djali i tyre shërben si mbikëqyrës qarkor.

Jam mirënjohës që kam parë me sytë e mi progresin e veprës së Jehovait në Holandë. Kur fillova të shërbej si pionier këtu, në vitin 1933, kishte vetëm rreth njëqind Dëshmitarë. Sot, ka më shumë se 30.000. Ndonëse tani forca fizike po na dobësohet, unë dhe Erika jemi ende të vendosur të jetojmë në harmoni me fjalët e asaj kënge të ditëve të shkuara: «Për një besim që nuk sprapset.»

[Shënimet]

^ par. 5 Kënga 194.​—Këndojini lavdi Jehovait (1928), anglisht.

^ par. 7 Qyteti Kopic, tani i quajtur Pirna, gjendet përgjatë lumit Elbë, 18 kilometra larg qytetit Drezden.

^ par. 38 Shih Kullën e Rojës, 1 janar 1998, për jetëshkrimin e vëllait Van der Bejl «Nuk ka asgjë më të mirë se e vërteta».

[Figura në faqen 23]

«Jugendgruppe» gjatë një pushimi pas shërbimit në fushë

[Figura në faqen 24]

Pionierë të tjerë dhe unë mbuluam territorin e Shnaifëlit. Isha 20-vjeçar.

[Figura në faqen 25]

Me Erikën dhe Volfgangun, në vitin 1940

[Figura në faqen 26]

Nga e majta në të djathtë: Nipi, Jonathani dhe gruaja e tij, Mirjami; Erika, unë, djali, Volfgangu dhe gruaja e tij, Julia

[Figura në faqen 26]

Një vëlla që ishte në burg me babanë tim, i bëri këtë portret në vitin 1941