Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Si e matni suksesin?

Si e matni suksesin?

Si e matni suksesin?

NJË fjalor e përkufizon suksesin si «arritjen e pasurisë, të miratimit ose të famës». A është ky një përkufizim i plotë? A janë pasuria, miratimi ose fama të vetmet njësi matëse për suksesin? Para se të përgjigjeni, shqyrtoni këtë: Jezu Krishti nuk grumbulloi asnjë pasuri materiale gjatë jetës së tij. Nuk fitoi miratimin e shumicës dhe as nuk mori ndonjë vlerësim të lartë nga ata që përcaktonin modën e atyre ditëve. Gjithsesi, Jezui ishte një njeri i suksesshëm. Përse?

Kur ishte në tokë, Jezui ishte «i pasur kundrejt Perëndisë». (Luka 12:21) Pas ringjalljes, Perëndia e shpërbleu duke e kurorëzuar «me lavdi dhe nderim». Jehovai e lartësoi Birin e tij «në një pozitë më të lartë dhe me dashamirësi i dha emrin që është mbi çdo emër tjetër». (Hebrenjve 2:9; Filipianëve 2:9) Drejtimi që mori Jezui në jetë ia gëzoi zemrën Jehovait. (Fjalët e urta 27:11) Jeta e Jezuit në tokë ishte e suksesshme, sepse ia arriti qëllimit. Jezui bëri vullnetin e Perëndisë dhe i solli nder emrit të Tij. Nga ana e vet, Perëndia e nderoi Jezuin me pasuri, miratim dhe famë të një lloji që asnjë akademik, politikan ose kampion sporti nuk do ta provojë kurrë. Jezui ishte vërtet njeriu më i suksesshëm që ka jetuar në tokë.

Prindërit e krishterë e kuptojnë se, nëse fëmijët e tyre ndjekin gjurmët e Krishtit, duke u bërë të pasur kundrejt Perëndisë në atë kuptim që ishte Jezui, do të korrin bekime të pasura tani dhe do të gëzojnë shpërblime të paimagjinueshme në sistemin që po vjen. Nëse një i ri dëshiron të ndjekë gjurmët e Krishtit, mënyra më e mirë është të bëjë veprën që bëri Jezui, duke u angazhuar në shërbimin e plotkohor, nëse kjo është e mundur.

Megjithatë, në disa kultura ekziston zakoni mbizotërues që të rinjtë të mos ndërmarrin shërbimin e plotkohor. Kur një i ri mbaron arsimimin, nga ai mund të pritet të gjejë një punë në kohë të plotë, të martohet dhe të rregullohet. Disa herë, të rinjtë që vijnë nga prejardhje të tilla frenohen, në mënyrë të gabuar, dhe nuk ndërmarrin shërbimin e plotkohor. (Fjalët e urta 3:27) Përse? Për shkak të presionit, ata u përshtaten normave kulturore mbizotëruese. Kjo gjë i ndodhi Robertit. *

Kur tradita dhe ndërgjegjja bien ndesh

Roberti u rrit si Dëshmitar i Jehovait. Në vitet e adoleshencës, sjellja dhe zgjedhja e miqve nga ana e tij la shumë për të dëshiruar. E ëma filloi të shqetësohej për të. Prandaj, i kërkoi një pionieri, një Dëshmitar i Jehovait që shërben në kohë të plotë, që ta inkurajonte këtë të ri. Roberti shpjegon çfarë ndodhi më pas.

«E vlerësoja vërtet interesin që më tregonte vëllai pionier. Shembulli i tij i mirë më bëri të dëshiroja të ndërmerrja si karrierë shërbimin si pionier sapo të mbaroja shkollën. Këtu mamaja filloi të shqetësohej përsëri, por, kësaj radhe, për një arsye tjetër. Duhet ta kuptoni se në kulturën tonë s’ka problem nëse një vajzë fillon të shërbejë si pioniere sapo të mbarojë shkollën, por nga një djalë pritet që së pari të sigurohet financiarisht, pastaj mund të mendojë për shërbimin e pionierit.

Mora një zanat dhe fillova një biznes më vete. Shpejt, isha përfshirë thellë në këtë biznes dhe vetëm sa i vazhdoja si rutinë mbledhjet dhe predikimin. Ndërgjegjja më shqetësonte, pasi e dija se mund t’i shërbeja Jehovait në mënyrë më të plotë. Gjithsesi, ishte një luftë e vërtetë të çlirohesha nga ajo që pritnin të tjerët prej meje, por jam i lumtur që e bëra këtë. Tani jam i martuar dhe, së bashku me gruan, kemi shërbyer si pionierë për dy vitet e kaluara. Së fundi, më emëruan shërbëtor ndihmës në kongregacion. Mund ta them me ndershmëri se tani ndiej kënaqësi të vërtetë duke i shërbyer Jehovait me gjithë zemër, me të gjitha mundësitë e mia.»

Kjo revistë i ka inkurajuar vazhdimisht të rinjtë që të mësojnë një zanat ose të zhvillojnë disa kualifikime të dobishme, ndërsa janë ende në shkollë, po të jetë e mundur. Me çfarë synimi? Që të bëhen të pasur? Jo, arsyeja kryesore është që të jenë në gjendje të mbajnë veten në mënyrë të përshtatshme financiarisht si të rritur dhe t’i shërbejnë Jehovait sa më plotësisht që të munden, veçanërisht në shërbimin e plotkohor. Gjithsesi, shpesh ka ndodhur që të rinjtë e të rejat angazhohen kaq shumë për të ndjekur një karrierë shekullare, saqë shërbimit i zvogëlohet rëndësia. Disa as që e mendojnë të ndërmarrin shërbimin e plotkohor. Përse jo?

Komentet e Robertit hedhin disi dritë mbi këtë argument. Pasi kishte mësuar zanatin e tij, Roberti filloi një biznes. Shpejt, ai u gjend në një pistë vrapi figurative që nuk po e çonte asgjëkundi. Synimi i tij ishte të bëhej i sigurt financiarisht. Por, a e arrin ndonjëherë dikush brenda ose jashtë kongregacionit të krishterë plotësisht këtë synim? Të krishterët duhet të përpiqen të jenë të përgjegjshëm nga ana financiare, duke u kujdesur me zell për detyrimet e tyre financiare, por duhet edhe ta kuptojnë se në këto kohë të pasigurta, pak veta e arrijnë ndonjëherë pikën ku mund ta konsiderojnë veten vërtet të sigurt financiarisht. Ja përse premtimi i Jezuit, i dokumentuar te Mateu 6:33 është kaq ngushëllues për të krishterët.

Roberti është i lumtur që vendosi të ndiqte dëshirat e zemrës në vend të asaj që i diktonte tradita. Sot, ai gëzon një karrierë në shërbimin e plotkohor. Po, shërbimi i plotkohor është një karrierë e nderuar. Roberti gëzon një paqe të brendshme, sepse po i shërben Jehovait, siç thotë ai, ‘me të gjitha mundësitë e tij’.

Përdorini sa më mirë talentet tuaja

Midis Dëshmitarëve të Jehovait ka shumë njerëz me dhunti. Disa kanë aftësi të jashtëzakonshme intelektuale, të tjerë janë të talentuar në aktivitetet fizike. Që të gjitha këto dhunti vijnë nga Jehovai, i cili u jep «të gjithëve jetë, frymë dhe gjithçka». (Veprat 17:25) Pa jetën, këto dhunti nuk do të kishin asnjë vlerë.

Pra, është më se e përshtatshme që ta përdorim jetën tonë të dedikuar në shërbim të Jehovait. Kjo është ajo që vendosi të bënte një i ri i talentuar. Ai jetonte në shekullin e parë të e.s. Si pjesëtar i një familjeje të shquar, e kaloi rininë në qytetin e mirënjohur Tars të Kilikisë. Ndonëse i lindur jude, ai trashëgoi qytetarinë romake nga i ati. Kjo e pajisi me shumë të drejta e privilegje. Kur u rrit, studioi Ligjin me një nga «profesorët» më të shquar të kohës, me Gamalielin. Dukej se s’do të kalonte shumë kohë dhe ‘pasuria, miratimi e fama’ do të ishin të tijat.​—Veprat 21:39; 22:3, 27, 28.

Kush ishte ky i ri? Emri i tij ishte Saul. Por Sauli u bë i krishterë dhe me kohë u bë apostulli Pavël. Ai i la mënjanë aspiratat e tij fillestare dhe e përkushtoi tërë jetën në shërbim të Jehovait si i krishterë. Pavli u bë i njohur, jo si një avokat i shquar, por si një predikues i zellshëm i lajmit të mirë. Pasi kaloi pothuajse 30 vjet si misionar, Pavli u shkroi një letër miqve të tij në Filipi. Në të, ai rishikoi disa nga arritjet e tij të kaluara para se të bëhej i krishterë dhe pastaj tha: «Për shkak të [Jezu Krishtit] kam pranuar humbjen e çdo gjëje dhe i konsideroj ato si shumë plehra, që të fitoj Krishtin.» (Filipianëve 3:8) Jo, Pavli nuk ndiente keqardhje për mënyrën si e kishte përdorur jetën!

Ç’të themi për stërvitjen që Pavli mori nga Gamalieli? A e përdori ndonjëherë? Po! Në disa raste, ai kontribuoi «në mbrojtjen dhe në themelimin ligjërisht të lajmit të mirë». Por, si punë kryesore, Pavli kishte veprën e predikuesit të lajmit të mirë, diçka që arsimimi i tij i hershëm nuk mund t’ia kishte mësuar kurrë.​—Filipianëve 1:7; Veprat 26:24, 25.

Në mënyrë të ngjashme sot, disa kanë qenë në gjendje t’i përdorin dhuntitë dhe talentet e tyre, e madje edhe arsimimin, për të çuar përpara interesat e Mbretërisë. Emi, për shembull, ka një diplomë universiteti në biznes dhe një tjetër në juridik. Një kohë, ajo kishte një punë fitimprurëse në një zyrë avokatie, por sot shërben si shërbëtore vullnetare pa pagesë në një nga zyrat e degës së Shoqatës Watch Tower. Ja si e përshkruan Emi jetën e saj tani: «Besoj se kam bërë zgjedhjen më të mirë në jetë. . . . Nuk kam dëshirë ta ndërroj vendin me asnjë nga shokët e mi të universitetit. Jam krenare për drejtimin që kam zgjedhur. Kam gjithçka që më duhet e që dëshiroj, një jetë të lumtur e të gëzuar dhe një karrierë domethënëse e të kënaqshme.»

Emi zgjodhi një drejtim që i solli paqe mendore, kënaqësi dhe bekimin e Jehovait. Patjetër, prindërit e krishterë nuk duan më pak për fëmijët e tyre.

Sukses në shërbimin e krishterë

Sigurisht, është jetësore të kemi pikëpamjen e duhur për suksesin edhe në shërbimin e krishterë. Nuk është e vështirë të ndihemi të suksesshëm kur kemi kaluar një kohë të këndshme në shërbimin në fushë, duke lënë literaturë biblike ose duke filluar biseda nxitëse biblike me pronarët e shtëpive. Por, nëse rrallëherë gjejmë dikë që na dëgjon, mund të tundohemi të nxjerrim përfundimin se po e humbim kohën tonë kot. Por, kujtoni se një nga përkufizimet e suksesit është ‘arritja e miratimit’. Miratimin e kujt dëshirojmë të fitojmë? Të Jehovait, patjetër. Këtë mund ta arrijmë, e dëgjojnë apo jo njerëzit mesazhin tonë. Jezui u dha dishepujve të tij një mësim të fuqishëm në këtë aspekt.

Ju e kujtoni se Jezui dërgoi 70 predikues të Mbretërisë «në çdo qytet dhe vend ku do të shkonte vetë». (Luka 10:1) Duhej të predikonin në qytete e fshatra, pa qenë të shoqëruar nga Jezui. Kjo ishte një përvojë e re për ta. Prandaj, Jezui u dha udhëzime të hollësishme para se t’i niste. Kur të takonin ‘një mik të paqes’, ata duhej t’i jepnin një dëshmi të plotë në lidhje me Mbretërinë. Megjithatë, kur të tjerët të refuzonin, duhej të vazhdonin udhën e tyre pa u shqetësuar shumë. Jezui shpjegoi se ata që refuzonin t’i dëgjonin, në fakt, po hidhnin poshtë vetë Jehovain.​—Luka 10:4-7, 16.

Kur të 70-t e përfunduan caktimin për të predikuar, i raportuan Jezuit «me gëzim, duke thënë: ‘Zotëri, edhe demonët na janë nënshtruar duke përdorur emrin tënd’». (Luka 10:17) Për ata njerëz të papërsosur duhet të ketë qenë entuziazmuese të dëbonin krijesa të fuqishme frymore! Megjithatë, Jezui i paralajmëroi dishepujt e tij entuziastë: «Mos gëzoni për këtë, që frymërat ju janë nënshtruar, por gëzoni sepse emrat tuaj janë shkruar në qiej.» (Luka 10:20) Të 70-t mund të mos e kishin gjithnjë fuqinë për të dëbuar demonët, as nuk do të përjetonin çdo herë rezultate pozitive në shërbim. Por, nëse mbeteshin besimplotë, do të kishin gjithmonë miratimin e Jehovait.

A i vlerësoni shërbëtorët e plotkohorë?

Një i ri i tha një herë një plaku të krishterë: «Kur të mbaroj shkollën e mesme, do të përpiqem të gjej ndonjë punë. Po nuk gjeta dot punë, do të marr në shqyrtim të hyj në ndonjë formë të shërbimit të plotkohor.» Megjithatë, kjo nuk është pikëpamja e shumicës së atyre që kanë ndërmarrë shërbimin e pionierit. Që të shërbejnë si pionierë, disa kanë hequr dorë nga mundësi për të ndjekur karriera fitimprurëse. Të tjerë kanë refuzuar mundësi entuziaste arsimimi. Ashtu si apostulli Pavël, ata kanë bërë sakrifica, por, ashtu si Pavli, Roberti dhe Emi, nuk ndiejnë keqardhje për zgjedhjet që kanë bërë. E vlerësojnë privilegjin për t’i përdorur dhuntitë e tyre në lavdi të Jehovait, i cili meriton më të mirën që mund të ofrojnë ata.

Për arsye të ndryshme, shumë Dëshmitarë besnikë të Jehovait nuk janë në gjendje të shërbejnë si pionierë. Ndoshta kanë detyrime biblike për të përmbushur. Megjithatë, nëse po i shërbejnë Perëndisë me gjithë ‘zemrën, shpirtin dhe mendjen’ e tyre, Jehovai është i kënaqur me ta. (Mateu 22:37) Ndonëse nuk janë në gjendje të shërbejnë vetë si pionierë, e kuptojnë se personat që shërbejnë si pionierë, kanë zgjedhur një karrierë të shkëlqyer.

Apostulli Pavël shkroi: «Mjaft u formuat sipas këtij sistemi.» (Romakëve 12:2) Në harmoni me këshillën e Pavlit, nuk duhet të lejojmë që normat tradicionale ose shekullare të këtij sistemi të modelojnë mënyrën tonë të të menduarit. Edhe nëse mund të shërbeni si pionierë, edhe nëse jo, bëjeni shërbimin e Jehovait qendrën e jetës suaj. Do të jeni të suksesshëm, për sa kohë që do të keni miratimin e Jehovait.

[Shënimi]

^ par. 5 Emrat janë ndryshuar.

[Figura në faqen 19]

Mos ngecni në një pistë vrapi figurative që nuk ju çon asgjëkundi