Vlerat morale në rënie
Vlerat morale në rënie
«KËTO lloj gjërash nuk ndodhnin kurrë»,—komentoi Helmut Shmit, ish-kancelar i Gjermanisë. Ai po ankohej për rastet e kohëve të fundit, ku zyrtarë publikë kishin kryer akte të rënda pandershmërie, të cilat kishin dalë në kryeartikuj gazetash. «Normat morale kanë humbur për shkak të lakmisë»,—tha ai.
Shumë veta do të ishin dakord me të. Vlerat morale që janë të rrënjosura në Fjalën e Perëndisë, në Bibël, dhe që janë pranuar gjerësisht prej kohësh si udhëheqje për atë që është e drejtë dhe e gabuar, tani po lihen mënjanë. Kjo ndodh edhe në vende që mbahen si të krishtere.
A janë të rëndësishme normat morale të Biblës?
Normat morale të bazuara në mësimet biblike përfshijnë ndershmërinë dhe integritetin. Megjithatë, hilet, korrupsioni dhe mashtrimi janë shumë të përhapura. The Times e Londrës raporton se disa dedektivë «akuzohen se kanë futur në xhep deri në 100.000 sterlina çdo herë, për të vënë përsëri në duart e kriminelëve drogën e konfiskuar nga policia ose për të humbur prova kundër personazheve
kryesore të krimit të organizuar». Thuhet se në Austri mashtrimi në sigurime është një praktikë e zakonshme. Ndërsa në Gjermani, komuniteti shkencor u trondit kur kohët e fundit kërkuesit zbuluan «një nga rastet më skandaloze të mashtrimit në shkencën gjermane». Një profesor, një «yll midis gjenetistëve gjermanë», u akuzua se kishte falsifikuar ose shpikur të dhëna në një shkallë të gjerë.
Normat morale të bazuara në Bibël përfshijnë edhe besnikërinë në martesë, e cila është projektuar për të qenë një lidhje e qëndrueshme. Por, një numër në rritje çiftesh përfundojnë në gjyq për divorc. Gazeta katolike Christ in der Gegenwart (I krishteri bashkëkohor) raporton se «edhe në Zvicrën ‘konservatore’, gjithnjë e më shumë martesa po prishen». Në Holandë, 33 për qind e të gjitha martesave përfundojnë me divorc. Një zonjë që vërejti ndryshimet shoqërore në Gjermani në disa vitet e kaluara, shkroi për atë që e shqetësonte: «Tani martesa po konsiderohet si e vjetër dhe e dalë mode. Njerëzit nuk po martohen më për të qëndruar bashkë gjithë jetën.»
Nga ana tjetër, miliona veta i konsiderojnë normat morale që mëson Bibla si të denja për besim dhe të rëndësishme për jetën në botën tonë moderne. Një çift i martuar, të cilët jetojnë në kufirin e Zvicrës me Gjermaninë, panë se ishin më të lumtur kur mësuan të jetonin sipas normave morale të Biblës. Për ata, «ekziston vetëm një udhërrëfyese për të gjitha fushat e jetës. Kjo udhërrëfyese është Bibla».
Po ju, çfarë mendoni? A mund të shërbejë Bibla si një udhërrëfyese e vlefshme? A janë praktike sot normat morale të bazuara në Bibël?