Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A sjell lutja ndonjë dobi?

A sjell lutja ndonjë dobi?

A sjell lutja ndonjë dobi?

NË NJË rast a në një tjetër, gati të gjithë e ndiejnë nevojën për t’u lutur. Në fakt, njerëz nga pothuajse çdo bindje fetare luten me zell. Një budist, për shembull, mund ta përsëritë mijëra herë në ditë lutjen «e vë besimin tim tek Amida Buda».

Duke pasur parasysh problemet që vazhdojnë të ekzistojnë në mbarë tokën, është e arsyeshme të pyesim: Çfarë presin të arrijnë njerëzit duke u lutur? A po sjellin ndonjë dobi gjithë këto lutje?

Përse luten njerëzit?

Shumë njerëz të Lindjes u luten të parëve të tyre dhe perëndive të Shintos ose të Taos. E bëjnë këtë me shpresën që të kalojnë provimet në shkollë, të marrin të korra të mira ose të mbajnë larg sëmundjet. Me përpjekjet e tyre, budistët shpresojnë të fitojnë ndriçimin. Hinduistët u luten me përkushtim perëndive dhe perëndeshave të tyre të preferuara që t’u japin njohuri, pasuri dhe mbrojtje.

Disa katolikë shpresojnë t’i sjellin dobi njerëzimit duke e përkushtuar jetën e tyre si murgj ose murgesha në manastire a kuvende të mbyllura, duke u lutur vazhdimisht. Miliona katolikë i kërkojnë favore Marisë duke thënë lutje të mësuara përmendësh, ndoshta me ndihmën e rruazave të rruzareve. Në vendet e Lindjes, shumë njerëz përdorin «rrotat e lutjeve». Protestantët përsëritin fjalët e Lutjes së Zotërisë, ndonëse ia shprehin edhe spontanisht ndjenjat e tyre Perëndisë. Shumë judenj përshkojnë distanca të gjata për t’u lutur në Murin Perëndimor në Jerusalem, duke shpresuar për një rivendosje të tempullit dhe për një epokë të re begatie e paqeje.

Ndonëse miliona veta luten me zell, shoqëria njerëzore po plagoset gjithnjë e më shumë me problemet e varfërisë, të narkomanisë, të familjeve të prishura, të krimit dhe të luftës. Mos ndoshta gjithë këta njerëz nuk po luten në mënyrën e duhur? Veç kësaj, a i dëgjon në të vërtetë dikush lutjet?

A i dëgjon dikush lutjet?

Lutjet nuk mund të sjellin asnjë dobi reale, nëse nuk ka ndonjë që t’i dëgjojë. Kur një person lutet, është e qartë se beson që dikush në sferën e padukshme frymore e dëgjon. Megjithatë, lutjet nuk transmetohen thjesht nga valët e zërit. Shumë njerëz besojnë se dikush mund të lexojë edhe mendimet e personit që po lutet. Kush mund të jetë ky?

Për kërkuesit, edhe mënyra si lindin mendimet në miliarda neuronet që përbëjnë koren e trurit tonë është në përgjithësi një mister. Megjithatë, në mënyrë të arsyeshme, Ai që e projektoi trurin mund t’i lexojë këto mendime. Ky nuk është askush tjetër përveç Krijuesit tonë, Perëndisë Jehova. (Psalmi 83:18; Zbulesa 4:11) Lutjet i duhen drejtuar atij. Por, a u kushton vëmendje Jehovai të gjitha këtyre lutjeve?

A dëgjohen të gjitha lutjet?

Mbreti David i Izraelit të lashtë ishte njeri i lutjes. Në rolin e psalmistit të frymëzuar në mënyrë hyjnore, ai këndoi: «O Dëgjues i lutjes, te ti do të vijnë njerëz të çdo mishi.» (Psalmi 65:2, BR) Jehovai është në gjendje t’i kuptojë lutjet e shqiptuara në çdonjërën nga mijëra gjuhët që flet njerëzimi. Fakti që asnjë mendje njerëzore nuk mund të mbajë kaq shumë informacion, nuk do të thotë se Perëndia nuk mund t’u kushtojë vëmendje të gjithë atyre që i luten në mënyrë të pranueshme.

Megjithatë, Jezu Krishti, edhe ky një njeri i lutjes, zbuloi se jo të gjitha lutjet i pëlqejnë Perëndisë. Vini re çfarë tha Jezui për praktikën e përhapur të atëhershme, ku përsëriteshin lutjet e mësuara përmendësh. Sipas versionit katolik Jerusalem Bible, ai tha: «Në lutjet tuaja mos dërdëllitni siç bëjnë paganët, sepse ata mendojnë që duke përdorur shumë fjalë, do të dëgjohen.» (Mateu 6:7) Nuk mund të presim që Jehovai t’i dëgjojë lutjet që nuk shprehin ndjenjat tona të vërteta.

Duke treguar përse disa lutje nuk i pëlqejnë Perëndisë, një proverb i Biblës thotë: «Në rast se dikush e kthen veshin gjetiu për të mos dëgjuar ligjin, vetë lutja e tij do të jetë një gjë e neveritshme.» (Fjalët e urta 28:9) Një proverb tjetër thotë: «Zoti u rri larg të pabesëve, por dëgjon lutjet e të drejtëve.» (Fjalët e urta 15:29) Në një kohë kur udhëheqësit e Judës së lashtë mbanin një faj të rëndë, Jehovai deklaroi: «Kur i shtrini duart tuaja, unë i fsheh sytë e mi nga ju; edhe kur i shumoni lutjet tuaja, unë nuk dëgjoj; duart tuaja janë tërë gjak.»​—Isaia 1:1, 15.

Apostulli Pjetër përmendi diçka tjetër që mund t’i bënte lutjet të papranueshme për Perëndinë. Pjetri shkroi: «Ju, burra, vazhdoni të banoni në mënyrë të ngjashme me [gratë tuaja], sipas njohurisë, duke u dhënë nderim si një ene më të dobët, asaj femërore, përderisa edhe ju jeni trashëgimtarë me to të favorit të pamerituar të jetës, që të mos pengohen lutjet tuaja.» (1 Pjetrit 3:7) Lutjet e një burri që shpërfill këtë këshillë, mund të mos shkojnë më lart se te tavani.

Qartë, nëse duam që të na dëgjohen lutjet, duhet të plotësojmë disa kërkesa. Megjithatë, shumë veta që luten tregojnë pak interesim për të bërë atë që kërkon Perëndia prej nesh. Ja përse gjithë ky zell në lutje nuk ka sjellë si rezultat një botë më të mirë.

Çfarë kërkon, pra, Perëndia që lutjet tona të dëgjohen? Përgjigjja ka të bëjë me vetë arsyen përse lutemi. Në fakt, nëse dëshirojmë të dimë a sjellin ndonjë dobi lutjet, duhet të kuptojmë qëllimin e tyre. Përse Jehovai ka bërë të mundur që ne t’i flasim?

[Burimi i figurës në faqen 3]

G.P.O., Jerusalem