Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Përse duhet të lutemi?

Përse duhet të lutemi?

Përse duhet të lutemi?

«JU KËRKONI dhe megjithatë nuk merrni, sepse kërkoni për një qëllim të gabuar . . . Afrojuni Perëndisë dhe ai do t’ju afrohet juve.» (Jakovit 4:3, 8) Këto fjalë të Jakovit, dishepullit të Jezuit, mund të na nxitin fare mirë që të shqyrtojmë arsyet përse lutemi.

Lutja nuk është vetëm një mjet për t’i thënë Perëndisë çfarë na nevojitet. Në Fjalimin e tij të famshëm në Mal, Jezui tha: «Ati juaj e di se për ç’gjëra keni nevojë, madje përpara se t’ia kërkoni.» Gjithsesi, Jezui tha edhe: «Vazhdoni të kërkoni dhe do t’ju jepet.» (Mateu 6:8; 7:7) Pra, Jehovai dëshiron që t’i themi atë që mendojmë se na nevojitet. Por, lutja përfshin shumë më tepër se kaq.

Miqtë e vërtetë nuk komunikojnë vetëm kur kanë nevojë për diçka. Ata interesohen për njëri-tjetrin dhe miqësia e tyre rritet kur ia shprehin ndjenjat njëri-tjetrit. Në mënyrë të ngjashme, lutja ka një qëllim më të madh sesa thjesht të kërkojmë gjërat e nevojshme. Na jep mundësi të forcojmë marrëdhënien tonë me Jehovain duke ia shprehur atij devocionin tonë të sinqertë.

Po, Perëndia na e ka dhënë privilegjin e lutjes që t’i afrohemi atij. Kjo mund të ndodhë vetëm nëse i shprehim Perëndisë ndjenjat tona, në vend që të përsëritim lutje të mësuara përmendësh. Sa kënaqësi është të flasim me Jehovain në lutje! Për më tepër, një proverb i Biblës thotë: «Lutja e njerëzve të drejtë i pëlqen atij.»​—Fjalët e urta 15:8.

«Sa për mua, e mira është t’i afrohem Perëndisë»,​—këndoi psalmisti Asaf. (Psalmi 73:28) Por, që t’i afrohemi Perëndisë, duhet të bëjmë më shumë se vetëm të lutemi. Vini re si e bën të qartë këtë tregimi i mëposhtëm:

«Njëri prej dishepujve të [Jezuit] i tha: ‘Zotëri, na mëso si të lutemi.’» Duke iu përgjigjur Jezui i tha: «Kurdo që të luteni, thoni: ‘Atë, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote.’» (Luka 11: 1, 2) A mund të ketë kuptim të lutemi në këtë mënyrë, pa mësuar së pari cili është emri i Perëndisë dhe si do të shenjtërohet ai? Gjithashtu, a mund të lutemi në harmoni me këto fjalë të Jezuit, nëse nuk kuptojmë çfarë është Mbretëria e Perëndisë? Këto çështje mund t’i kuptojmë nëse e shqyrtojmë me kujdes Biblën. Njohuria e fituar në këtë mënyrë do të na ndihmojë ta njohim Perëndinë dhe të kuptojmë udhët e tij. Për më tepër, njohja me Perëndinë Jehova do të na bëjë të ndihemi më afër e më të përkushtuar ndaj tij. Nga ana e vet, kjo do të na ndihmojë t’i flasim më lirisht në lutje.

Lutja mund të zgjidhë problemet

Zhvillimi i një marrëdhënieje të ngushtë me Jehovain do të na ndihmojë të zgjidhim problemet. Vini re si ndodhi kjo në secilën nga rrethanat vijuese. Ato ilustrojnë se personat që u lutën, patën mundësi të forconin marrëdhënien e tyre me Jehovain.

Në Brazil, një grua me emrin Maria iu lut Perëndisë për ndihmë. Ajo kishte dashur të rebelohej kundër normave të pranuara të sjelljes, pjesërisht për shkak të hipokrizisë që kishte parë në shoqëri. Madje, Maria kishte lënë edhe burrin, fëmijët dhe shtëpinë e saj. Gjithashtu, kishte filluar të përdorte drogën. Por, kur nuk arriti të gjente lumturinë, ia hapi zemrën Perëndisë dhe u lut për ndihmë.

Pak kohë pas kësaj, dy Dëshmitarë të Jehovait i bënë vizitë dhe i lanë Marisë një numër të Kullës së Rojës që përmbante informacione rreth vlerës së pranimit të udhëheqjes hyjnore. Këto informacione ia prekën zemrën dhe filloi të studionte Biblën me Dëshmitarët që atë ditë. Përfundimisht, kjo çoi në rregullimin e jetës së saj familjare. Ndërsa mësonte për Jehovain, ajo dëshironte ta shprehte dashurinë që ndiente për të. «Bëra ndryshime për mirë,​—tha Maria.​—Fillimisht, im shoq dhe familja e kundërshtuan studimin tim të Biblës. Por, kur panë ndryshimet që po bëja, filluan të më inkurajonin.» Më vonë, Maria ia dedikoi jetën Dëgjuesit të lutjes, për t’i shërbyer atij.

Ndonëse Hozeja kishte një grua të bukur dhe një aktivitet biznesi të begatë në Bolivi, nuk ishte i lumtur. Një lidhje jashtëmartesore qe shkak që e shoqja ta linte. Ai filloi të pinte tej mase dhe të ndihej i pavlefshëm. Hozeja thotë: «Fillova të lutesha me gjithë zemër, duke pyetur çfarë duhet të bëja për t’i pëlqyer Perëndisë. Shpejt, Dëshmitarët e Jehovait erdhën në vendin ku kisha aktivitetin, duke ofruar studime biblike pa pagesë në shtëpi, por unë nuk i pranova. Kjo ndodhi tri herë. Çdo herë që lutesha për ndihmë, ata ishin aty. Më në fund, vendosa t’i dëgjoja herën tjetër që do të vinin. E kisha lexuar të gjithë Biblën dhe kisha shumë pyetje, por ata kishin gjithnjë përgjigje që më kënaqnin. Mësimi rreth Jehovait më dha një qëllim të ri në jetë dhe miqtë që zura mes Dëshmitarëve ishin vërtet shembuj inkurajues. E lashë të dashurën time dhe shokët me të cilët pija. S’kaloi shumë dhe u bashkova përsëri me gruan dhe fëmijët e mi. U pagëzova në fillim të vitit 1999.»

Në Itali, martesa e Tamarës ishte në telashe, kështu që ajo u lut për mençuri. Kishte zhvilluar një qëndrim agresiv, pasi në familje e kishin rrahur dhe e kishin nxjerrë nga shtëpia në moshën 14-vjeçare. Tamara thotë: «Gjeta një Bibël dhe fillova ta lexoja. Një mbrëmje, lexova se ‘të gjesh mençuri është si të gjesh thesare të fshehura’. U luta për këtë mençuri. (Fjalët e urta 2:1-6) Mëngjesin vijues, më vizituan Dëshmitarët e Jehovait. Fillova të studioja Biblën me ta, por m’u desh ca kohë për ta vënë në praktikë atë që mësoja. Më në fund, vendosa të ndiqja mënyrën e krishterë të jetesës dhe u pagëzova. Tani, së bashku me tim shoq, ndihmoj të tjerët që të nxjerrin dobi nga mençuria e Perëndisë.»

Beatrizi bënte pjesë në shoqërinë e lartë në Karakas, Venezuelë. Megjithatë, ishte e divorcuar dhe e zhgënjyer. Një herë, e dëshpëruar, ajo kaloi orë të tëra duke u lutur. Mëngjesin vijues, ra zilja e derës. E acaruar, ajo pa nga syri magjik dy njerëz me çanta. Bëri sikur nuk ishte në shtëpi, por çifti, para se të largohej, la poshtë derës një ftesë. «Njiheni Biblën», thuhej aty. Mos ndoshta vizita e tyre lidhej me lutjet që kishte bërë një natë më parë? U thirri që të ktheheshin. Jo shumë kohë më pas ishte duke studiuar Biblën dhe më vonë u pagëzua. Më në fund e lumtur, Beatrizi tani u mëson të tjerëve si të gjejnë lumturinë.

Karmeni lutej për luftën e saj kundër varfërisë. Kishte dhjetë fëmijë dhe një burrë pijanec, Rafaelin. «Përpiqesha të fitoja para duke larë rroba»,​—thotë Karmeni. Por vesi i alkoolizmit që kishte Rafaeli u keqësua më tepër. «Vetëm kur filluam të studionim Biblën me Dëshmitarët e Jehovait im shoq filloi të ndryshonte. Mësuam për premtimin e Mbretërisë, pra, që Jehovai së shpejti do ta eliminojë varfërinë dhe shtypjen nga bota. Më në fund, lutjet që i bëra Perëndisë morën përgjigje.» Mësimi për udhët e Jehovait e ndihmoi Rafaelin të hiqte dorë nga pija dhe të vishte «personalitetin e ri». (Efesianëve 4:24) Ai dhe familja e tij mundën ta përmirësonin standardin e jetesës. Rafaeli thotë: «Ndoshta nuk jemi të pasur dhe nuk kemi një shtëpi tonën, por kemi gjërat e nevojshme të jetës dhe jemi të lumtur.»

Kur të gjitha lutjet të marrin përgjigje

A u solli lutja ndonjë dobi këtyre njerëzve? Patjetër! Gjithashtu, a e vutë re se në shumicën e rasteve, lutjet morën përgjigje kur dikush nga kongregacioni i krishterë i ndihmoi t’i afroheshin Perëndisë Jehova, duke studiuar Biblën?​—Veprat 9:11.

Pra, kemi arsye të vlefshme për t’u lutur. Tani së shpejti, lutja që të vijë Mbretëria e Perëndisë dhe të bëhet vullneti i tij në tokë do të marrë përgjigje. (Mateu 6:10) Pasi Perëndia ta ketë pastruar globin tonë nga ata që e kundërshtojnë, «vendi do të mbushet me njohurinë e Zotit, ashtu si ujërat mbulojnë detin». (Isaia 11:9) Atëherë, të gjithë ata që e duan Jehovain do të gëzojnë «lirinë e lavdishme të fëmijëve të Perëndisë» dhe patjetër që lutjet e tyre do të marrin përgjigje.​—Romakëve 8:18-21.

[Figura në faqen 7]

A e dini përse duhet të lutemi?