Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Predikojnë Mbretërinë në Altiplano, Peru

Predikojnë Mbretërinë në Altiplano, Peru

Ne jemi lloji që ka besim

Predikojnë Mbretërinë në Altiplano, Peru

NDËRMJET vargmaleve lindore dhe perëndimore të maleve Ande, aty ku takohen Bolivia dhe Peruja, ndodhet Altiplanoja. Emri i saj do të thotë «pllajë e lartë» ose «rrafshnaltë». Pjesa më e madhe gjendet në Bolivi.

Altiplanoja është 100 kilometra e gjerë dhe më shumë se 1.000 kilometra e gjatë, me një lartësi mesatare rreth 3.700 metra mbi nivelin e detit. Duke fluturuar me avion që nga kryeqyteti bregdetar i Perusë, Lima, kalojmë El Mistin e mbuluar me dëborë, i cili është një vullkan që depërton mbi re deri në një lartësi prej 5.822 metrash. Duke u ngritur në lartësinë mbi 6.000 metra gjenden majat e largëta të mbuluara me borë, Nevado-Ampato dhe Nevado-Koropuna. Menjëherë pas këtyre, shfaqet një rrafshnaltë e gjerë, Altiplanoja e Perusë Jugore.

Kryeqyteti i Altiplanos peruane është Puno, i cili gjendet në skajin veriperëndimor të liqenit Titikaka, liqeni më i lundrueshëm i botës. Duke qenë se krahina ndodhet më shumë se 3 kilometra lart, vizitorëve u duhet njëfarë kohe për t’u mësuar me ajrin e rralluar. Pranë liqenit Titikaka jetojnë indianët e fiseve ketçua dhe aimara. Të veshur me rroba me ngjyra të ndezura të kuqe, të gjelbër ose blu, mund t’i shohësh duke punuar nëpër fermat e tyre të vogla që quhen çakras. Ndonëse në Peru gjuha kryesore është spanjishtja, në Altiplano fliten edhe gjuhët ketçua dhe aimara.

Prijnë veprën e predikimit

Shumë nga njerëzit e përulur dhe punëtorë që flasin ketçua dhe aimara, kohët e fundit kanë marrë njohurinë e saktë të së vërtetës biblike. Kjo ka ndodhur kryesisht për shkak të bekimit të pasur të Jehovait në përpjekjet e zellshme të lajmëtarëve të plotkohorë të Mbretërisë, të cilët shërbejnë si pionierë specialë.

Për shembull, pionierët specialë Hoze dhe Silvia u caktuan në qytetin Putina, rreth 50 kilometra larg liqenit Titikaka. Brenda dy muajsh, Silvia po drejtonte 16 studime biblike dhe Hozeja 14. Vetëm pas gjashtë muajsh, numri i lajmëtarëve të kongregacionit u rrit nga 23 në 41. Ndërkohë, prania në mbledhje u rrit nga 48 në një maksimum prej 132 vetash.

«Kur fillojmë mbledhjet e kongregacionit në këto vende të izoluara,​—thotë Hozeja,​—na duket praktike të fillojmë me Mbledhjen Publike dhe me Studimin e Librit të Kongregacionit. Kjo ua bën më të lehtë të sapointeresuarve të fillojnë të ndjekin mbledhjet.»

Dy motra gjaku​—njëra prej tyre pioniere​—e sollën fillimisht lajmin e mirë në komunitetin e izoluar të Munjanit, rreth 20 kilometra larg Putinës. Atje, filluan një studim biblik me një të verbër, me emrin Lusio. * Ai e ftoi të vëllanë, Migelin, që ishte një misionar laik katolik dhe udhëheqës komuniteti nga një zonë aty afër. Kur një mik e pyeti Migelin përse shkonte në Munjani çdo javë, ai i tha se shkonte për të mësuar rreth Jehovait dhe rreth Fjalës së tij. Atëherë, lindi pyetja: «Përse nuk e studiojmë Biblën këtu?» Për shkak të interesit që treguan njerëzit në komunitetin e Migelit, shpejt Dëshmitarët morën masa për të mbajtur mbledhje atje.

Migeli filloi ta ndante me të tjerët atë që po mësonte. Por, ç’ndodhi me postin e tij si misionar laik katolik dhe zëvendës-guvernator? Në një mbledhje në sallën e komunitetit, ai njoftoi dorëheqjen e tij si misionar katolik. A do të caktohej ndonjë person tjetër? Dikush në sallë tha: «E ç’të na duhet një misionar tjetër, kur po mësojmë të vërtetën?» Patjetër, po u referohej gjërave që po mësonin nga Dëshmitarët e Jehovait. Një person tjetër shtoi: «Nuk jemi dakord që të japësh dorëheqjen vetëm. Përse të mos japim të gjithë dorëheqjen?» Të gjithë të pranishmit thirrën njëzëri: «Japim të gjithë dorëheqjen!»

Jo shumë kohë pas kësaj, në një mbledhje të komunitetit u fol për idhujt dhe kryqet. Një burrë kërkoi që të gjithë të pranishmit të lexonin Ligjin e përtërirë 7:25, ku thuhet: «Do t’u vësh flakën shëmbëlltyrave të gdhendura të perëndive të tyre; nuk do të dëshirosh arin dhe argjendin që ndodhet mbi to dhe nuk do ta marrësh për vete, përndryshe do të biesh në kurth, sepse kjo është një gjë e neveritshme për Zotin, Perëndinë tënd.»

Atëherë, burri u kërkoi tërë atyre që ishin pro djegies së të gjithë idhujve të ngrinin dorën. Menjëherë, të gjitha duart ishin ngritur. (Veprat 19:19, 20) Tani, 23 nga 25 familjet e komunitetit po studiojnë Fjalën e Perëndisë. Dy veta po shërbejnë si lajmëtarë të papagëzuar dhe pesë çifte planifikojnë ta ligjërojnë martesën e tyre, për të pasur një qëndrim të pastër para Jehovait.​—Titit 3:1; Hebrenjve 13:4.

Japin mësim me kaseta

Meqë në Altiplano nuk ka shumë që dinë shkrim e këndim, videot dhe kasetat e Shoqatës Watch Tower në gjuhët vendëse janë një ndihmë e madhe, madje, edhe për të drejtuar studime biblike në shtëpi. Me ndihmën e një kasete, një pioniere speciale me emrin Dora drejton studime me broshurën Çfarë kërkon Perëndia prej nesh? Pasi dëgjojnë nga një paragraf, ajo i bën studentit biblik pyetje për materialin që sapo ka dëgjuar.

Një stacion radiofonik vendës transmeton rregullisht fragmente nga broshura Çfarë kërkon? në gjuhën ketçua. Të njëjtën gjë bën me pjesë nga revista Zgjohuni! në spanjisht. Prandaj, shumë njerëz e njohin mesazhin e Mbretërisë dhe duan të mësojnë më shumë, kur Dëshmitarët e Jehovait u bëjnë vizita në shtëpi.

Altiplanoja është larg syve të botës në përgjithësi, por jo larg syve të Perëndisë. Falë dashurisë së Jehovait për njerëzimin, shumë njerëz që jetojnë lart në Altiplanon e Andeve po bëhen pjesë e turmës që i jep lavdi shtëpisë së tij madhështore të adhurimit.​—Hageu 2:7.

[Shënimi]

^ par. 10 Në këtë artikull, disa emra janë ndryshuar.