Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Të krishterët gjejnë lumturi duke shërbyer

Të krishterët gjejnë lumturi duke shërbyer

Të krishterët gjejnë lumturi duke shërbyer

«Ka më shumë lumturi të japësh se të marrësh.»​—VEPRAT 20:35.

1. Cili qëndrim i gabuar është mbizotërues sot dhe përse është dëmtues ai?

GJATË dekadave të fundit të shekullit të 20-të, u dëgjua shpesh fjala «uni». «Uni», në fakt, do të thotë «unë i pari» dhe tregon një qëndrim ku egoizmi e lakmia kombinohen me mungesën e interesimit për të tjerët. Mund të jemi të sigurt se në vitin 2000, uni nuk e ka humbur aspak rëndësinë. Sa herë i dëgjoni pyetjet: «Çfarë përfitoj unë?» ose «Çfarë do të nxjerr unë nga kjo?» Një qëndrim i tillë egoist nuk favorizon lumturinë. Është krejt e kundërta e parimit që tha Jezui: «Ka më shumë lumturi të japësh se të marrësh.»​—Veprat 20:35.

2. Nga kuptohet që dhënia sjell lumturi?

2 A është e vërtetë që ka më shumë lumturi kur jep, sesa kur merr? Po. Mendoni për Perëndinë Jehova. Tek ai është «burimi i jetës». (Psalmi 36:9) Ai siguron çdo gjë që na nevojitet për të na bërë të lumtur e të frytshëm. Në fakt, ai është Burimi i ‘çdo dhurate të mirë dhe i çdo gjëje të përsosur’. (Jakovit 1:17) Jehovai, ‘Perëndia i lumtur’, jep vazhdimisht. (1 Timoteut 1:11) Ai e do krijimin e tij njerëzor, të cilit i jep shumë gjëra. (Gjoni 3:16) Mendoni, gjithashtu, për një familje njerëzore. Nëse jeni prindër, e dini sa shumë sakrifica e sa shumë gjëra duhet të jepni për të rritur një fëmijë. Dhe për shumë vjet, fëmija nuk është i vetëdijshëm për sakrificat që bëni. I merr që të gjitha ato si gjëra normale. Megjithatë, ju jeni të lumtur kur e shihni fëmijën të ecë mbarë, ngaqë keni dhënë me altruizëm. Përse? Sepse e doni fëmijën.

3. Përse është një kënaqësi t’i shërbejmë Jehovait dhe bashkëbesimtarëve tanë?

3 Në mënyrë të ngjashme, adhurimi i vërtetë karakterizohet nga dhënia e bazuar në dashurinë. Meqë e duam Jehovain dhe i duam bashkëbesimtarët tanë, është një kënaqësi t’u shërbejmë atyre, t’u japim nga vetja jonë. (Mateu 22:37-39) Kushdo që adhuron me motive egoiste, do të ketë shumë pak gëzim. Por, ata që shërbejnë me altruizëm, duke qenë më shumë të interesuar për atë që mund të japin, sesa për atë që shpresojnë të marrin, gjejnë vërtet lumturi. Kjo e vërtetë kuptohet duke shqyrtuar se si përdoren në Shkrime disa fjalë biblike që lidhen me adhurimin tonë. Do të shqyrtojmë tri nga këto fjalë në këtë artikull dhe në atë vijues.

Shërbimi publik i Jezuit

4. Çfarë natyre ka «shërbimi publik» në të ashtuquajturin krishterim?

4 Në greqishten origjinale, një fjalë e rëndësishme që ka të bëjë me adhurimin është leitourgia, e cila në Përkthimin Bota e Re përkthehet «shërbimi publik». Në të ashtuquajturin krishterim, nga fjala leitourgia ka rrjedhur fjala «liturgji». * Megjithatë, liturgjitë formaliste të të ashtuquajturit krishterim nuk përbëjnë një shërbim vërtet të dobishëm publik.

5, 6. (a) Cili shërbim publik kryhej në Izrael dhe me çfarë dobish? (b) Cili shërbim publik shumë më i madh zëvendësoi atë që kryhej në Izrael dhe përse?

5 Apostulli Pavël përdori një fjalë greke që lidhet me leitourgia, kur iu referua priftërinjve të Izraelit. Ai tha: «Çdo prift zë ditë për ditë vendin e tij, që të bëjë shërbim publik [një formë e leitourgia] dhe të ofrojë shpesh të njëjtat flijime.» (Hebrenjve 10:11) Priftërinjtë levitë bënin një shërbim publik shumë të vlefshëm në Izrael. U mësonin të tjerëve Ligjin e Perëndisë dhe ofronin flijime që mbulonin mëkatet e popullit. (2 Kronikave 15:3; Malakia 2:7) Kur priftërinjtë dhe populli ndiqnin Ligjin e Jehovait, kombi kishte arsye për të qenë i gëzuar.​—Ligji i përtërirë 16:15.

6 Kryerja e shërbimit publik nën Ligj ishte një privilegj i vërtetë për priftërinjtë izraelitë, por shërbimi i tyre nuk pati më vlerë kur Izraeli u hodh poshtë, për shkak të jobesnikërisë së tij. (Mateu 21:43) Jehovai mori masa për diçka shumë më të madhe, për shërbimin publik të kryer nga Jezui, Kryeprifti i madh. Për të lexojmë: «Ai, meqenëse mbetet i gjallë përgjithmonë, e ka priftërinë e tij pa asnjë pasues. Prandaj, ai është edhe në gjendje t’i shpëtojë plotësisht ata që i afrohen Perëndisë nëpërmjet tij, sepse është gjithmonë gjallë për të ndërmjetësuar për ta.»​—Hebrenjve 7:24, 25.

7. Përse shërbimi publik i Jezuit sjell dobi të pakrahasueshme?

7 Jezui vazhdon si prift përgjithmonë, pa pasues. Kështu, vetëm ai mund t’i shpëtojë plotësisht njerëzit. Këtë shërbim publik të pakrahasueshëm ai e kryen jo në një tempull të bërë nga njerëzit, por në tempullin antitipik, në rregullimin e madh të Jehovait për adhurim, i cili hyri në veprim në vitin 29 të e.s. Tani Jezui shërben në Më të Shenjtën e atij tempulli, në qiell. Ai është një «shërbëtor publik [leitourgos] i vendit të shenjtë dhe i tendës së vërtetë, të cilin e ngriti Jehovai e jo njeriu». (Hebrenjve 8:2; 9:11, 12) Sado e lartë që është pozita e Jezuit, ai prapëseprapë është një «shërbëtor publik». Autoritetin e tij të lartë ai e përdor për të dhënë, jo për të marrë. Një dhënie e tillë i sjell gëzim. Është pjesë e ‘gëzimit që iu vu përpara’ dhe që i dha forcën për të qëndruar gjatë gjithë jetës së tij në tokë.​—Hebrenjve 12:2.

8. Si kreu Jezui një shërbim publik për të zëvendësuar besëlidhjen e Ligjit?

8 Shërbimi publik i Jezuit ka edhe një aspekt tjetër. Pavli shkroi: «Jezui ka marrë një shërbim publik më të shkëlqyer, kështu që është edhe ndërmjetësi i një besëlidhjeje korresponduese më të mirë, e cila është themeluar ligjërisht mbi premtime më të mira.» (Hebrenjve 8:6) Moisiu shërbeu si ndërmjetës për besëlidhjen që ishte baza e marrëdhënies së Izraelit me Jehovain. (Eksodi [Dalja] 19:4, 5) Jezui ndërmjetësoi një besëlidhje të re, e cila bëri të mundur lindjen e një kombi të ri, «Izraelin e Perëndisë», të përbërë nga të krishterë të mirosur nga fryma që vijnë nga shumë kombe. (Galatasve 6:16; Hebrenjve 8:8, 13; Zbulesa 5:9, 10) Sa shërbim i shkëlqyer që ishte ky! Sa të lumtur jemi që e njohim Jezuin, një shërbëtor publik me anë të të cilit mund t’i bëjmë Jehovait adhurim të pranueshëm!​—Gjoni 14:6.

Edhe të krishterët bëjnë shërbim publik

9, 10. Cilat janë disa lloje shërbimi publik që kryejnë të krishterët?

9 Asnjë njeri nuk kryen një shërbim publik aq të lartë sa ai i Jezuit. Por, kur të krishterët e mirosur marrin shpërblimin qiellor, zënë vend përkrah Jezuit dhe marrin pjesë në shërbimin e tij publik si mbretër dhe priftërinj qiellorë. (Zbulesa 20:6; 22:1-5) Megjithatë, edhe të krishterët në tokë kryejnë një shërbim publik dhe gjejnë shumë kënaqësi duke e bërë atë. Për shembull, kur në Palestinë kishte mungesë ushqimi, apostulli Pavël mori dhurata nga vëllezërit në Evropë për t’ua lehtësuar sadopak dëshpërimin të krishterëve judenj në Jude. Ky ishte një shërbim publik. (Romakëve 15:27; 2 Korintasve 9:12) Sot, të krishterët janë të lumtur të bëjnë një shërbim të ngjashëm, duke dhënë ndihmë të menjëhershme kur vëllezërit e tyre kanë vështirësi, katastrofa natyrore ose gjëma të tjera.​—Fjalët e urta (Proverbat) 14:21.

10 Pavli iu referua një shërbimi tjetër publik kur shkroi: «Edhe sikur të derdhem si një blatim në pije mbi sakrificën dhe shërbimin publik, tek të cilët ju ka çuar besimi, jam i lumtur dhe gëzoj me të gjithë ju.» (Filipianëve 2:17) Mundi i Pavlit në dobi të filipianëve kishte qenë një shërbim publik i bërë me dashuri dhe zell. Një shërbim i ngjashëm publik po bëhet sot, veçanërisht nga të krishterët e mirosur, të cilët shërbejnë si «skllavi i besueshëm dhe i matur», duke dhënë ushqim frymor në kohën e duhur. (Mateu 24:45-47) Më tej, si grup, këta janë «një priftëri e shenjtë», të autorizuar ‘që të ofrojnë sakrifica frymore të pranueshme për Perëndinë nëpërmjet Jezu Krishtit’ dhe që të ‘shpallin kudo shkëlqesitë e atij që i thirri nga errësira në dritën e tij të mrekullueshme’. (1 Pjetrit 2:5, 9) Ashtu si Pavli, ata gëzohen me privilegje të tilla, ndërsa e ‘derdhin vetveten’ për të përmbushur përgjegjësitë e tyre. Gjithashtu, shokët e tyre, ‘delet e tjera’, bashkohen me ta dhe i mbështetin në veprën për t’i treguar njerëzimit për Jehovain dhe qëllimet e tij. * (Gjoni 10:16; Mateu 24:14) Sa shërbim madhështor e i gëzueshëm është ky!​—Psalmi 107:21, 22.

Të bëjmë shërbim të shenjtë

11. Si siguroi profetesha Ana një shembull të shkëlqyer për të gjithë të krishterët?

11 Një fjalë tjetër greke që ka të bëjë me adhurimin tonë është latreia, e përkthyer «shërbim i shenjtë» në Përkthimin Bota e Re. Shërbimi i shenjtë ka të bëjë me aktet e adhurimit. Për shembull, Ana, profetesha dhe vejusha 84-vjeçare përshkruhet se «nuk mungonte kurrë në tempull, duke bërë shërbim të shenjtë [një fjalë greke e lidhur me latreia] natë e ditë me agjërime dhe përgjërime». (Luka 2:36, 37) Ana e adhuronte Jehovain në mënyrë të vazhdueshme. Ajo është një shembull i shkëlqyer për të gjithë ne, të rinj e të moshuar, burra e gra. Ashtu si Ana që i lutej me zell Jehovait dhe e adhuronte rregullisht në tempull, edhe për ne shërbimi i shenjtë përfshin lutjen dhe praninë në mbledhje.​—Romakëve 12:12; Hebrenjve 10:24, 25.

12. Cili është një aspekt kryesor i shërbimit tonë të shenjtë dhe si është ky edhe një shërbim publik?

12 Apostulli Pavël përmendi një aspekt kryesor të shërbimit tonë të shenjtë, kur shkroi: «Perëndia, të cilit i bëj shërbim të shenjtë me frymën time në lidhje me lajmin e mirë për Birin e tij, më është dëshmitar se pa pushim ju përmend gjithmonë në lutjet e mia.» (Romakëve 1:9) Po, predikimi i lajmit të mirë nuk është vetëm një shërbim publik ndaj atyre që dëgjojnë, por edhe një akt adhurimi ndaj Perëndisë Jehova. Sido që të jetë, gjejmë apo jo dikë që na dëgjon, vepra e predikimit është shërbim i shenjtë që i bëhet Jehovait. Patjetër që kemi shumë gëzim kur përpiqemi t’u tregojmë të tjerëve për cilësitë e shkëlqyera dhe qëllimet mirëdashëse të Atit tonë të dashur qiellor.​—Psalmi 71:23.

Ku bëjmë shërbim të shenjtë?

13. Cila është shpresa e atyre që bëjnë shërbim të shenjtë në oborrin e brendshëm të tempullit frymor të Jehovait dhe cilët gëzojnë bashkë me ta?

13 Të krishterëve të mirosur, Pavli u shkroi: «Meqë kemi për të marrë një mbretëri që nuk mund të tronditet, le të vazhdojmë të kemi dashamirësi të pamerituar, nëpërmjet së cilës t’i bëjmë Perëndisë shërbim të shenjtë në mënyrë të pranueshme, me frikë Perëndie dhe nderim të thellë.» (Hebrenjve 12:28) Duke pritur të sigurt trashëgimin e Mbretërisë, të mirosurit janë të patundur në besim, ndërsa adhurojnë Më të Lartin. Vetëm ata mund t’i bëjnë shërbim të shenjtë në të ndarën e Së Shenjtës dhe në oborrin e brendshëm të tempullit frymor të Jehovait, dhe shohin përpara duke pritur me padurim të shërbejnë së bashku me Jezuin në Më të Shenjtën, në vetë qiellin. Shokët e tyre, klasa e deleve të tjera, gëzohen së bashku me ta në shpresën e mrekullueshme që kanë.​—Hebrenjve 6:19, 20; 10:19-22.

14. Si nxjerr dobi shumica e madhe nga shërbimi publik i Jezuit?

14 Por, ç’të themi për ato dele të tjera? Siç e parapa apostulli Gjon, një shumicë e madhe prej tyre është shfaqur në këto ditë të fundit dhe «i kanë larë petkat e tyre të gjata e i kanë zbardhur në gjakun e Qengjit». (Zbulesa 7:14) Kjo do të thotë se, ashtu si bashkadhuruesit e tyre të mirosur, ata ushtrojnë besim në shërbimin publik të Jezuit, në ofrimin e jetës së tij të përsosur njerëzore për njerëzimin. Gjithashtu, delet e tjera nxjerrin dobi nga shërbimi publik i Jezuit sepse po «rrokin besëlidhjen [e Jehovait]». (Isaia 56:6, BR) Jo, ata nuk janë palë të besëlidhjes, por e rrokin këtë besëlidhje në kuptimin që u binden ligjeve të lidhura me të dhe bashkëpunojnë me rregullimet e bëra nëpërmjet saj. Ata shoqërohen me Izraelin e Perëndisë, duke u ushqyer në të njëjtën tryezë frymore dhe duke punuar përkrah pjesëtarëve të tij, duke e lavdëruar Perëndinë publikisht dhe duke ofruar sakrifica frymore që i pëlqejnë atij.​—Hebrenjve 13:15.

15. Ku bën shërbim të shenjtë shumica e madhe dhe si ndikon tek ata ky bekim?

15 Kështu, shumica e madhe shihet ‘duke qëndruar përpara fronit dhe përpara Qengjit, veshur me petka të bardha të gjata’. Gjithashtu, ata «janë përpara fronit të Perëndisë; dhe i bëjnë atij shërbim të shenjtë ditë e natë në tempullin e tij; dhe Ai që ulet në fron do të shtrijë tendën e tij mbi ta». (Zbulesa 7:9, 15) Në Izrael, prozelitët adhuronin në oborrin e jashtëm të tempullit të Solomonit. Në mënyrë të ngjashme, shumica e madhe e adhuron Jehovain në oborrin e jashtëm të tempullit të tij frymor. Gjejnë shumë gëzim duke shërbyer atje. (Psalmi 122:1) Edhe pasi i fundit nga shokët e tyre të mirosur të marrë trashëgiminë e vet qiellore, ata do të vazhdojnë t’i bëjnë shërbim të shenjtë Jehovait si populli i tij.​—Zbulesa 21:3.

Shërbim i shenjtë që është i papranueshëm

16. Çfarë paralajmërimesh jepen lidhur me shërbimin e shenjtë?

16 Në ditët e Izraelit të lashtë, shërbimi i shenjtë duhej bërë në harmoni me ligjet e Jehovait. (Eksodi 30:9; Levitiku 10:1, 2) Sot, në mënyrë të ngjashme, ka disa kërkesa që duhen plotësuar, nëse duam që shërbimi ynë i shenjtë të jetë i pranueshëm për Jehovain. Ja përse Pavli u shkroi kolosianëve: «Ne nuk kemi pushuar së luturi për ju e së kërkuari që të jeni të mbushur me njohurinë e saktë të vullnetit të tij me plot mençuri dhe kuptueshmëri frymore, në mënyrë që të ecni denjësisht për Jehovain me synimin që t’i pëlqeni plotësisht atij, ndërsa vazhdoni të jepni fryt në çdo vepër të mirë e të rriteni në njohurinë e saktë të Perëndisë.» (Kolosianëve 1:9, 10) Nuk na përket neve të përcaktojmë mënyrën e duhur për të adhuruar Perëndinë. Njohuria e saktë biblike, kuptueshmëria frymore dhe mençuria hyjnore janë jetësore. Përndryshe, gjërat mund të shkojnë shumë, shumë keq.

17. (a) Si u degjenerua shërbimi i shenjtë në ditët e Moisiut? (b) Si mund të jetë i keqdrejtuar sot shërbimi i shenjtë?

17 Kujtoni izraelitët në ditët e Moisiut. Lexojmë: «Perëndia u kthye dhe i la t’i bënin shërbim të shenjtë ushtrisë së qiellit.» (Veprat 7:42) Ata izraelitë kishin parë veprimet e fuqishme të Jehovait në dobi të tyre. Megjithatë, u kthyen te perënditë e tjerë kur menduan se kjo do të ishte në avantazh të tyre. Nuk ishin besnikë dhe besnikëria është e domosdoshme që shërbimi ynë i shenjtë t’i pëlqejë Perëndisë. (Psalmi 18:25) Vërtet, pak veta sot do të largoheshin nga Jehovai për të adhuruar yjet ose viçat e artë, por ka edhe forma të tjera idhujtarie. Jezui paralajmëroi për rrezikun se mos i shërbejmë «Pasurisë» dhe Pavli e quajti lakminë idhujtari. (Mateu 6:24; Kolosianëve 3:5) Satanai e lartëson veten si perëndi. (2 Korintasve 4:4) Këto lloje idhujtarish janë shumë të përhapura dhe janë një kurth. Mendoni, për shembull, për dikë që pohon se ndjek Jezuin, por qëllimi i tij i vërtetë në jetë është të bëhet i pasur ose besimi i tij i vërtetë është te vetja dhe në idetë e veta. Kujt po i shërben në të vërtetë? Sa ndryshon ai nga hebrenjtë e ditëve të Isaisë, të cilët betoheshin në emër të Jehovait, por meritën për veprat e tij madhështore ua jepnin idhujve të papastër?​—Isaia 48:1, 5.

18. Si është kryer në mënyrë të gabuar shërbimi i shenjtë në të kaluarën dhe sot?

18 Jezui paralajmëroi, gjithashtu: «Po vjen ora kur kushdo që ju vret, do të kujtojë se i ka bërë shërbim të shenjtë Perëndisë.» (Gjoni 16:2) Sauli, që u bë apostulli Pavël, pa dyshim mendonte se po i shërbente Perëndisë kur ‘miratoi vrasjen e Stefanit’ dhe ‘shfryu kërcënim e vrasje kundër dishepujve të Zotërisë’. (Veprat 8:1; 9:1) Sot, disa autorë të spastrimit etnik e të gjenocidit pohojnë, gjithashtu, se adhurojnë Perëndinë. Ka shumë njerëz që pohojnë se e adhurojnë Perëndinë, por adhurimi i tyre në të vërtetë u drejtohet perëndive të nacionalizmit, ndarjes fisnore, pasurisë, vetes së tyre ose ndonjë hyjnie tjetër.

19. (a) Si e konsiderojmë shërbimin tonë të shenjtë? (b) Cili lloj i shërbimit të shenjtë do të na sjellë gëzim?

19 Jezui tha: «Jehovain, Perëndinë tënd, duhet të adhurosh dhe vetëm atij duhet t’i bësh shërbim të shenjtë.» (Mateu 4:10) Ai po i fliste Satanait, por sa jetësore është që të gjithë ne t’ua vëmë veshin fjalëve të tij! T’i bëjmë shërbim të shenjtë Zotërisë Sovran të universit është një privilegj i lartë, që të mbush me nderim e frikë. Por, ç’mund të themi për kryerjen e shërbimit publik që lidhet me adhurimin tonë? Të bësh këtë shërbim në dobi të njerëzve të tjerë është një vepër e gëzueshme që sjell lumturi të madhe. (Psalmi 41:1, 2; 59:16) Megjithatë, ky shërbim sjell lumturi të vërtetë vetëm nëse ofrohet me gjithë zemër dhe në mënyrën e duhur. Cilët po e adhurojnë Perëndinë siç duhet? Shërbimin e shenjtë të kujt pranon Jehovai? Këtyre pyetjeve mund t’u përgjigjemi nëse shqyrtojmë fjalën e tretë biblike që ka të bëjë me adhurimin tonë. Këtë do ta bëjmë në artikullin vijues.

[Shënimet]

^ par. 4 Liturgjitë e të ashtuquajturit krishterim në përgjithësi janë ose shërbesa adhurimi, ose rite specifike, si kungimi në Kishën Katolike të Romës.

^ par. 10 Te Veprat 13:2, raportohet se profetët dhe mësuesit në Antioki po ‘i shërbenin publikisht’ (duke përkthyer një fjalë greke të lidhur me leitourgia) Jehovait. Ka të ngjarë që ky shërbim publik të përfshinte predikimin në publik.

Si do të përgjigjeshit?

• Cilin shërbim madhështor publik kreu Jezui?

• Çfarë shërbimi publik kryejnë të krishterët?

• Çfarë është shërbimi i shenjtë i krishterë dhe ku kryhet ai?

• Çfarë duhet të fitojmë nëse duam që shërbimi ynë i shenjtë t’i pëlqejë Perëndisë?

[Pyetjet]

[Figura në faqen 10]

Prindërit gjejnë shumë gëzim kur japin

[Figurat në faqet 12, 13]

Të krishterët bëjnë shërbim publik kur i ndihmojnë të tjerët dhe kur shpallin lajmin e mirë

[Figura në faqen 14]

Na duhet njohuri dhe kuptueshmëri e saktë për të qenë të sigurt se shërbimi ynë i shenjtë është i pranueshëm për Perëndinë