Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A duhet ta besosh?

A duhet ta besosh?

A duhet ta besosh?

NXËNËSI 12-vjeçar po përpiqej të kuptonte parimet themelore të algjebrës. Mësuesi i tij bëri para klasës një llogaritje algjebrike, që në dukje ishte e saktë.

«Supozojmë që x=y dhe të dy kanë vlerën 1»,​—filloi ai.

‘Deri këtu është në rregull’,​—mendoi studenti.

Por, pas katër rreshtash me llogaritje që dukeshin logjike, mësuesi nxori një përfundim të habitshëm: «Atëherë, 2=1!»

«Rrëzojeni këtë përfundim»,​—i sfidoi ai nxënësit e pështjelluar.

Me njohuri shumë të kufizuar në algjebër, nxënësi i ri nuk arrinte ta kuptonte si ta bënte këtë. Çdo hap në llogaritje dukej shumë i vlefshëm. Por, atëherë, a duhej ta besonte këtë përfundim të çuditshëm? Në fund të fundit, mësuesi i tij ishte shumë më i ditur se ai në matematikë. Patjetër që nuk do ta besonte! ‘Nuk kam nevojë ta rrëzoj këtë argument,​—mendoi ai me vete.​—Logjika më thotë se kjo është absurde.’ (Fjalët e urta 14:15, 18) E dinte se as mësuesi i tij dhe as ndonjëri nga nxënësit e tjerë nuk do t’i këmbenin dy dollarë me një.

Me kalimin e kohës, nxënësi i algjebrës arriti ta gjente të metën në llogaritje. Ndërkohë, përvoja i dha një mësim të vlefshëm. Edhe kur dikush me një njohuri shumë më të madhe paraqet një argument të ndërtuar me kujdes dhe në dukje të pakundërshtueshëm, një dëgjues nuk duhet t’i besojë një përfundimi të pamend vetëm sepse në atë moment nuk mund ta rrëzojë. Faktikisht, nxënësi po ndiqte një parim shumë praktik të Biblës, që gjendet te 1 Gjonit 4:1. Parimi është të mos i besosh tepër shpejt çdo gjëje që dëgjon, edhe kur duket se vjen nga një burim autoritar.

Kjo nuk do të thotë se duhet të ngulësh këmbë me kokëfortësi në idetë e formuara që më parë. Është gabim ta mbyllësh mendjen ndaj informacionit që mund të ndreqë pikëpamje të gabuara. Por, as nuk duhet të ‘tronditesh shpejt në arsyen tënde’, përballë presionit nga dikush që pohon se ka njohuri ose autoritet më të madh. (2 Selanikasve 2:2) Patjetër, mësuesi thjesht po u bënte një lojë nxënësve të tij. Por, disa herë gjërat nuk janë kaq të pafajshme. Njerëzit mund të jenë jashtëzakonisht ‘dinakë në sajimin e mashtrimeve’.​—Efesianëve 4:14; 2 Timoteut 2:14, 23, 24.

A kanë gjithnjë të drejtë specialistët?

Sado njohuri që të kenë, specialistët në çdo fushë mund të kenë ide kundërshtare dhe opinione të ndryshueshme. Të marrim, për shembull, debatin që vazhdon ende në shkencën mjekësore, për diçka kaq themelore sa është shkaku i sëmundjeve. «Rëndësia relative e natyrës së brendshme kundër ndikimeve të jashtme, për një sëmundje, përbën bazën e debatit të ashpër ndërmjet shkencëtarëve»,​—shkruan një profesor mjekësie në Universitetin e Harvardit. Ata që bëjnë pjesë në atë që është quajtur kampi determinist, besojnë fortësisht se gjenet luajnë rol vendimtar në prirjen për t’u prekur nga sëmundje të ndryshme. Por, të tjerë argumentojnë se ambienti dhe stili i jetesës janë faktorët kryesorë në patologjinë njerëzore. Që të dyja palët citojnë menjëherë studime dhe statistika për të mbështetur çështjen e tyre. Gjithsesi, debati vazhdon.

Mendimtarët më të shquar kanë dalë vazhdimisht në gabim, ndonëse ajo që mësonin dukej e padiskutueshme në kohën e tyre. Filozofi Bertrand Rasëll e përshkroi Aristotelin si një nga «filozofët më me ndikim nga të gjithë». Megjithatë, Rasëlli theksoi edhe se shumë nga doktrinat e Aristotelit ishin «krejtësisht të rreme». «Në kohët moderne,​—shkroi ai,​—pothuajse çdo përparim në shkencë, në logjikë ose në filozofi është dashur të bëhet nën kundërshtimin e drejtpërdrejtë nga dishepujt e Aristotelit.»​—History of Western Philosophy.

«Ajo që në mënyrë të rreme quhet ‘njohuri’»

Ka të ngjarë që të krishterët e hershëm të kenë takuar shumë që ishin dishepuj të filozofëve të shquar grekë, si Sokrati, Platoni dhe Aristoteli. Njerëzit e arsimuar të asaj kohe e konsideronin veten më të lartë nga ana intelektuale se shumë të krishterë. Nga dishepujt e Jezuit nuk kishte shumë që konsideroheshin «të mençur sipas mishit». (1 Korintasve 1:26) Në fakt, ata që ishin shkolluar në filozofitë e kohës mendonin se ajo që besonin të krishterët ishte thjesht «marrëzi» ose «tërësisht gjepura».​—1 Korintasve 1:23, Phillips.

Po të kishe qenë ndër ata të krishterë të hershëm, a do të të kishin bërë përshtypje argumentet mbushamendëse të elitës intelektuale të kohës ose a do të ishe frikësuar nga shfaqja e mençurisë së tyre? (Kolosianëve 2:4) Nuk do të kishe pasur arsye për këtë, sipas apostullit Pavël. Ai u kujtoi të krishterëve se Jehovai e konsideron ‘mençurinë e të mençurve’ dhe «zgjuarsinë e intelektualëve» të kohës si marrëzi. (1 Korintasve 1:19) «Çfarë ka filozofi, shkrimtari dhe kritiku i kësaj bote për të treguar për gjithë mençurinë e tij?»​—pyeti ai. (1 Korintasve 1:20; Phillips) Pavarësisht nga shkëlqimi i tyre intelektual, filozofët, shkrimtarët dhe kritikët e ditëve të Pavlit nuk kishin dhënë përgjigje të vërtetë për problemet e njerëzimit.

Prandaj, të krishterët mësuan të shmangnin ato që apostulli Pavël tha se ishin «kontradiktat e asaj që në mënyrë të rreme quhet ‘njohuri’». (1 Timoteut 6:20) Arsyeja përse Pavli e quajti «të rreme» është se kësaj njohurie i mungonte një faktor kyç: ndonjë referim ose fakt me burim nga Perëndia, për të mbështetur teoritë e tyre. (Jobi 28:12; Fjalët e urta 1:7) Ngaqë u mungonte kjo dhe, në të njëjtën kohë, ngaqë ishin verbuar nga kryemashtruesi, Satanai, ata që kapeshin fort pas kësaj njohurie nuk mund të shpresonin kurrë të gjenin të vërtetën.​—1 Korintasve 2:6-8, 14; 3:18-20; 2 Korintasve 4:4; 11:14; Zbulesa 12:9.

Bibla​—Një udhërrëfyese e frymëzuar

Të krishterët e hershëm nuk dyshuan kurrë se Perëndia e kishte zbuluar vullnetin, qëllimin dhe parimet e tij në Shkrime. (2 Timoteut 3:16, 17) Kjo i mbrojti që të mos ‘bëheshin pre nëpërmjet filozofisë dhe mashtrimeve boshe, sipas traditës së njerëzve’. (Kolosianëve 2:8) Sot situata është e njëjtë. Në kontrast me opinionet ngatërruese dhe të kundërta të njerëzve, Fjala e frymëzuar e Perëndisë siguron një themel të fortë mbi të cilin mund të bazojmë bindjet tona. (Gjoni 17:17; 1 Selanikasve 2:13; 2 Pjetrit 1:21) Pa të, do të ishim në një situatë të pamundur, si të ishim duke u përpjekur të ndërtonim diçka të fortë në rërën rrëshqitëse të teorive dhe filozofive njerëzore.​—Mateu 7:24-27.

‘Por, prit një minutë,​—mund të thotë dikush.​—A nuk është e vërtetë se faktet shkencore kanë treguar që Bibla është në gabim dhe prandaj nuk është më e besueshme se filozofitë gjithnjë të ndryshueshme të njerëzve?’ Për shembull, Bertrand Rasëlli pohonte se «Kopernikut, Keplerit dhe Galileut iu desh të luftonin Aristotelin, si edhe Biblën, për të themeluar pikëpamjen se toka nuk është qendra e universit». (Kursivi është yni.) Dhe, a nuk është e vërtetë që sot, për shembull, ata që besojnë në krijim ngulin këmbë se Bibla mëson që toka u krijua në gjashtë ditë 24-orëshe, kur të gjitha faktet tregojnë se toka vetë është miliardavjeçare?

Faktikisht, Bibla nuk thotë që toka është qendra e universit. Ky ishte një mësim i udhëheqësve të kishës, që për vete nuk i përmbaheshin Fjalës së Perëndisë. Tregimi i Zanafillës për krijimin nuk është në kundërshtim me faktin që toka është miliardavjeçare dhe nuk e kufizon çdo ditë krijuese në 24 orë. (Zanafilla 1:1, 5, 8, 13, 19, 23, 31; 2:3, 4) Një shqyrtim i ndershëm i Biblës tregon se ndonëse nuk është libër shkencor, ajo patjetër që nuk është «tërësisht gjepura». Në fakt, është në harmoni të plotë me shkencën e provuar. *

‘Fuqia për të arsyetuar’

Ndonëse shumë nga dishepujt e Jezuit ishin burra të thjeshtë e gra të thjeshta, ndoshta me arsimim të kufizuar, ata kishin një virtyt tjetër në dispozicion nga Perëndia. Pavarësisht nga prejardhja e tyre, të gjithë u pajisën me fuqinë për të arsyetuar dhe me aftësinë për të menduar. Apostulli Pavël i inkurajoi të bashkëkrishterët që ta përdornin plotësisht «fuqinë për të arsyetuar» që të ‘provonin për veten e tyre vullnetin e mirë, të pranueshëm e të përsosur të Perëndisë’.​—Romakëve 12:1, 2.

Me «fuqinë për të arsyetuar» që u kishte dhënë Perëndia, të krishterët e hershëm e panë me qartësi se çdo filozofi ose mësim që nuk ishte në harmoni me Fjalën e zbuluar të Perëndisë, ishte i padobishëm. Në disa raste, të mençurit e ditëve të tyre, në fakt, po e ‘mbytnin të vërtetën’ dhe po shpërfillnin dëshmitë që ekzistonin përreth tyre se ka një Perëndi. «Ndonëse pohonin se ishin të mençur, u bënë të marrë»,​—shkroi apostulli Pavël. Duke qenë se hodhën poshtë të vërtetën për Perëndinë dhe për qëllimin e tij, «u bënë mendjelehtë në arsyetimet e tyre dhe zemra e tyre pa gjykim u errësua».​—Romakëve 1:18-22; Jeremia 8:8, 9.

Ata që pohojnë se janë të mençur, shpesh dalin në përfundime të tilla, si «nuk ka Perëndi» ose «Bibla nuk duhet besuar» ose «këto nuk janë ‘ditët e fundit’». Në sytë e Perëndisë, ide të tilla janë po aq të marra sa edhe përfundimi «2=1». (1 Korintasve 3:19) Çfarëdo autoriteti që njerëzit mund t’i japin vetes, nuk të duhet medoemos të pranosh përfundimet e tyre nëse bien në kundërshtim me Perëndinë, shpërfillin Fjalën e tij dhe shkelin gjykimin e shëndoshë. Përfundimisht, gjithmonë drejtimi i mençur është që «le të dalë Perëndia i vërtetë, edhe sikur çdo njeri të gjendet gënjeshtar».​—Romakëve 3:4.

[Shënimi]

^ par. 20 Për hollësi, shih librat Bibla: Fjalë njeriu apo Perëndie?, anglisht, dhe A ka një Krijues që interesohet për ju?, botuar nga Watchtower Bible and Tract Society of New York, Inc.

[Figurat në faqen 31]

Në kontrast me opinionet e ndryshueshme të njerëzve, Bibla siguron një bazë të fortë për të besuar

[Burimet]

Majtas, Epikuri: Fotografi e bërë me mirësjelljen e Muzeut Britanik; sipër në mes, Platoni: Muzeu Kombëtar Arkeologjik, Athinë, Greqi; djathtas, Sokrati: Roma, Musei Capitolini