Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A i doni tej mase përkujtuesit e Jehovait?

A i doni tej mase përkujtuesit e Jehovait?

A i doni tej mase përkujtuesit e Jehovait?

«Shpirti im i ka zbatuar përkujtuesit e tu dhe unë i dua ata tej mase.»​—PSALMI 119:167, BR.

1. Ku gjejmë veçanërisht referime të përsëritura për përkujtuesit e Jehovait?

JEHOVAI do që populli i tij të jetë i lumtur. Sigurisht, për të pasur lumturi të vërtetë, duhet të ecim në ligjin e Perëndisë dhe të zbatojmë urdhrat e tij. Për këtë qëllim, ai na jep përkujtues. Këta përmenden vazhdimisht në Shkrime, veçanërisht në Psalmin 119, të cilin ka mundësi ta ketë kompozuar Hezekia, princi i ri i Judës. Kjo këngë e bukur fillon me fjalët: «Lum ata që kanë një rrugë pa njollë dhe që ecin në ligjin e Zotit. Lum ata që respektojnë mësimet [përkujtuesit, BR] e tij, që e kërkojnë me gjithë zemër.»​—Psalmi 119:1, 2.

2. Si lidhen përkujtuesit e Perëndisë me lumturinë?

2 ‘Ecim në ligjin e Jehovait’ duke marrë njohuri të saktë për Fjalën e tij dhe duke e zbatuar atë në jetë. Por, meqë jemi të papërsosur, kemi nevojë për përkujtues. Fjala hebraike e përkthyer «përkujtues» tregon që Perëndia na i rikujton ligjet, urdhrat, rregullat, urdhërimet dhe statutet e tij. (Mateu 10:18-20) Do të mbetemi të lumtur vetëm nëse vazhdojmë t’i zbatojmë këta përkujtues, sepse na ndihmojnë të shmangim grackat frymore që sjellin si pasojë katastrofa dhe brenga.

Kapuni pas përkujtuesve të Jehovait

3. Duke u bazuar te Psalmi 119:60, 61, çfarë sigurie kemi?

3 Përkujtuesit e Perëndisë ishin të çmuar për psalmistin, i cili këndoi: «Pa asnjë mëdyshje nxitova të respektoj urdhërimet e tua. Litarët e të pabesëve më kanë mbështjellë, por unë nuk e kam harruar ligjin tënd.» (Psalmi 119:60, 61) Përkujtuesit e Jehovait na ndihmojnë të durojmë persekutimin, sepse jemi të sigurt që Ati ynë qiellor mund t’i presë litarët e kufizimit që na lidhin armiqtë. Në kohën e duhur, ai na çliron nga këto pengesa, që të mund të kryejmë veprën e predikimit të Mbretërisë.​—Marku 13:10.

4. Si duhet të reagojmë ndaj përkujtuesve të Perëndisë?

4 Disa herë, përkujtuesit e Jehovait na korrigjojnë. Ta vlerësojmë gjithnjë këtë korrigjim, siç bëri edhe psalmisti. Në lutje, ai i tha Perëndisë: «Përkujtuesit e tu janë ata që i kam për zemër . . . Unë i kam dashur përkujtuesit e tu.» (Psalmi 119:24, 119, BR) Ne kemi më shumë përkujtues të Perëndisë, sesa kishte psalmisti. Qindra citime nga Shkrimet Hebraike, që gjenden në Shkrimet Greke, na kujtojnë jo vetëm udhëzimet që i dha Jehovai popullit të tij nën Ligj, por edhe qëllimet e tij në lidhje me kongregacionin e krishterë. Kur Perëndia e shikon të përshtatshme të na kujtojë gjëra që kanë të bëjnë me ligjet e tij, jemi mirënjohës për këtë drejtim. Gjithashtu, duke ‘u kapur pas përkujtuesve të Jehovait’, shmangim joshjet mëkatare që i shkaktojnë pakënaqësi Krijuesit tonë dhe që na heqin lumturinë.​—Psalmi 119:31, BR.

5. Si mund të arrijmë t’i duam tej mase përkujtuesit e Jehovait?

5 Sa duhet t’i duam përkujtuesit e Jehovait? «Shpirti im i ka zbatuar përkujtuesit e tu dhe unë i dua ata tej mase»,​—këndoi psalmisti. (Psalmi 119:167, BR) Do të arrijmë t’i duam tej mase përkujtuesit e Jehovait nëse i konsiderojmë dhe i pranojmë si këshilla të një Ati që kujdeset vërtet për ne. (1 Pjetrit 5:6, 7) Kemi nevojë për përkujtuesit e tij dhe dashuria jonë për ta do të rritet ndërsa shohim se si na sjellin dobi.

Përse kemi nevojë për përkujtuesit e Perëndisë?

6. Cila është një arsye përse kemi nevojë për përkujtuesit e Jehovait dhe çfarë do të na ndihmojë t’i kujtojmë ata?

6 Një arsye për të cilën na duhen përkujtuesit e Jehovait është se ne harrojmë. Një enciklopedi, The World Book Encyclopedia, thotë: «Në përgjithësi, njerëzit harrojnë gjithnjë e më shumë me kalimin e kohës. . . . Ndoshta e keni provuar ndonjëherë që nuk arrinit të kujtonit një emër ose ndonjë informacion tjetër që e kishit në majë të gjuhës. . . . Kjo humbje e përkohshme e kujtesës, e cila ndodh shpesh, quhet pamjaftueshmëri e riprodhimit të informacioneve. Shkencëtarët thonë që është si të përpiqesh të gjesh, në një dhomë rrëmujë, një objekt që nuk është vënë në vendin e duhur. . . . Një mënyrë e mirë për t’u siguruar se e mbajmë mend një informacion është ta studiojmë shumë kohë pasi mendojmë se e dimë fare mirë.» Studimi i zellshëm dhe përsëritja do të na ndihmojnë t’i kujtojmë përkujtuesit e Perëndisë dhe t’i zbatojmë për të mirën tonë.

7. Përse përkujtuesit e Perëndisë sot nevojiten më shumë se kurrë më parë?

7 Sot kemi më shumë nevojë se kurrë për përkujtuesit e Jehovait, sepse ligësia ka arritur përmasat më të mëdha në historinë njerëzore. Nëse u kushtojmë vëmendje përkujtuesve të Perëndisë, fitojmë atë gjykim të thellë që nevojitet për të shmangur joshjen në udhët e liga të botës. «Kujtoj [kam gjykim të thellë, BR] më shumë se të gjithë mësuesit e mi,​—tha psalmisti,​—sepse urdhërimet [përkujtuesit, BR] e tua janë përsiatja ime. Kam më tepër zgjuarsi se pleqtë, sepse respektoj urdhërimet e tua. Kam përmbajtur hapat e mia nga çdo shteg i keq, për të respektuar fjalën tënde.» (Psalmi 119:99-101) Duke zbatuar përkujtuesit e Perëndisë, do të qëndrojmë larg ‘çdo shtegu të keq’ dhe nuk do të jemi si masat e njerëzve që janë «në errësirë mendërisht dhe të ndarë nga jeta që i përket Perëndisë».​—Efesianëve 4:17-19.

8. Si mund të pajisemi më mirë për t’i kapërcyer me sukses sprovat e besimit?

8 Përkujtuesit e Perëndisë nevojiten, gjithashtu, sepse na forcojnë që të durojmë sprovat e shumta në këtë ‘kohë të mbarimit’. (Danieli 12:4) Pa këta përkujtues do të bëheshim ‘dëgjues harraqë’. (Jakovit 1:25) Por, studimi i zellshëm personal dhe në kongregacion i Shkrimeve, me ndihmën e botimeve që marrim nga «skllavi i besueshëm dhe i matur», do të na ndihmojë që t’i kapërcejmë me sukses sprovat e besimit. (Mateu 24:45-47) Këto masa frymore na japin mundësi të kuptojmë çfarë duhet të bëjmë për t’i pëlqyer Jehovait kur gjendemi në rrethana sprovuese.

Roli jetësor i mbledhjeve tona

9. Cilët janë «dhurata në njerëz» dhe si i ndihmojnë ata bashkëbesimtarët?

9 Nevoja për përkujtuesit e Perëndisë pjesërisht përmbushet në mbledhjet e krishtere, ku sigurohen udhëzime nga vëllezërit e caktuar. Apostulli Pavël shkroi se kur Jezui «u ngjit lart, ai mori me vete robër; dha dhurata në njerëz». Pavli shtoi: «[Krishti] disa i dha si apostuj, disa si profetë, disa si ungjillëzues, disa si barinj e mësues, për ndreqjen e të shenjtëve, për veprën e shërbesës, për ndërtimin e trupit të Krishtit.» (Efesianëve 4:8, 11, 12) Sa mirënjohës mund të jemi që këto «dhurata në njerëz»​—pleqtë e emëruar​—na e drejtojnë vëmendjen te përkujtuesit e Jehovait, kur mblidhemi së bashku për të adhuruar!

10. Cila është pika kryesore te Hebrenjve 10:24, 25?

10 Mirënjohja për masat hyjnore do të na shtyjë të jemi të pranishëm në të pesë mbledhjet e kongregacionit çdo javë. Pavli e theksoi nevojën për t’u mbledhur së bashku rregullisht. Ai shkroi: «Le të interesohemi për njëri-tjetrin, që të nxitemi për dashuri dhe vepra të shkëlqyera, pa braktisur mbledhjen tonë së bashku, siç e kanë zakon disa, por duke inkurajuar njëri-tjetrin e aq më tepër tani, ndërsa e shikoni që dita po afrohet.»​—Hebrenjve 10:24, 25.

11. Si nxjerrim dobi nga çdo mbledhje javore?

11 A e vlerësoni atë që na sigurojnë mbledhjet? Studimi javor i Kullës së Rojës na e forcon besimin, na ndihmon të zbatojmë përkujtuesit e Jehovait dhe na forcon kundër ‘frymës së botës’. (1 Korintasve 2:12; Veprat 15:31) Në Mbledhjen Publike, oratorët paraqesin udhëzime nga Fjala e Perëndisë, duke përfshirë përkujtuesit e Jehovait dhe ‘fjalët [e mrekullueshme] të jetës së përhershme’ të Jezuit. (Gjoni 6:68; 7:46; Mateu 5:1–7:29) Aftësitë tona të mësimdhënies mprehen në Shkollën e Shërbimit Teokratik. Mbledhja e Shërbimit është shumë e vlefshme, pasi na ndihmon të përmirësojmë prezantimin e lajmit të mirë nga shtëpia në shtëpi, në rivizita, në studimet biblike në shtëpi dhe në aspekte të tjera të shërbimit tonë. Një grup më i vogël në Studimin e Librit të Kongregacionit na jep më shumë mundësi të shprehemi me fjalë që shpesh përfshijnë përkujtues të Perëndisë.

12, 13. Si ka treguar çmueshmëri për mbledhjet e krishtere populli i Perëndisë në një vend aziatik?

12 Prania e rregullt në mbledhjet e kongregacionit shërben për të na kujtuar urdhërimet e Perëndisë dhe ndihmon për të na mbajtur të fortë frymësisht përballë luftërave, vështirësive ekonomike dhe sprovave të tjera të besimit. Rreth 70 të krishterë në një vend aziatik, të cilët u dëbuan nga shtëpitë e tyre dhe u detyruan të jetonin në një pyll të thellë, e kuptuan më fort rëndësinë e mbledhjeve. Të vendosur që të vazhdonin të mblidheshin bashkë rregullisht, ata u kthyen në qytetin e tyre të shkatërruar nga lufta, çmontuan atë që mbetej nga Salla e Mbretërisë dhe e rindërtuan në xhungël.

13 Pasi ka duruar vite të tëra lufte në një pjesë tjetër të po këtij vendi, populli i Jehovait po shërben ende me zell. Njërin nga pleqtë e asaj zone e pyetën: «Cila ka qenë mënyra më e dobishme për t’i mbajtur vëllezërit bashkë?» Përgjigjja e tij? «Në 19 vjet, nuk kemi anuluar kurrë një mbledhje. Disa herë, për shkak të bombardimeve ose të vështirësive të tjera, disa vëllezër nuk vinin dot në vendin e mbledhjes, por ne nuk i anuluam kurrë mbledhjet.» Këta vëllezër të dashur e motra të dashura patjetër e kuptojnë rëndësinë për të ‘mos braktisur mbledhjen e tyre të bashku’.

14. Çfarë mund të mësojmë nga zakoni që kishte Ana e moshuar?

14 Ana, vejusha 84-vjeçare, «nuk mungonte kurrë në tempull». Si rezultat, qe e pranishme kur sollën aty foshnjën Jezu, pak kohë pasi kishte lindur. (Luka 2:36-38) A e bëni rregull që të mos i humbitni mbledhjet? A po bëni çmos për të qenë në çdo sesion të asambleve dhe të kongreseve tona? Udhëzimet e dobishme frymore që merren në këto grumbullime na japin dëshmi të qartë se Ati ynë qiellor kujdeset për popullin e tij. (Isaia 40:11) Gjithashtu, këto raste nxitin gëzimin dhe prania jonë tregon çmueshmërinë që kemi për përkujtuesit e Jehovait.​—Nehemia 8:5-8, 12.

Përkujtuesit e Jehovait na ndajnë veç

15, 16. Si ndikon në sjelljen tonë zbatimi i përkujtuesve të Jehovait?

15 Zbatimi i përkujtuesve të Perëndisë na ndihmon të ndahemi veç nga kjo botë e ligë. Për shembull, duke u vënë veshin përkujtuesve të Perëndisë shmangim përfshirjen në imoralitet seksual. (Ligji i përtërirë 5:18; Fjalët e urta [Proverbat] 6:29-35; Hebrenjve 13:4) Tundimi për të gënjyer, për të qenë të pandershëm ose për të vjedhur mund të mposhtet me sukses duke zbatuar përkujtuesit hyjnorë. (Eksodi [Dalja] 20:15, 16; Levitiku 19:11; Fjalët e urta 30:7-9; Efesianëve 4:25, 28; Hebrenjve 13:18) Zbatimi i përkujtuesve të Jehovait na frenon edhe që të mos marrim hak, të mos mbajmë mëri ose të mos shpifim për të tjerët.​—Levitiku 19:16, 18; Psalmi 15:1, 3.

16 Duke u vënë veshin përkujtuesve të Perëndisë mbetemi të shenjtëruar ose të ndarë veç për shërbimin e tij. Sa e rëndësishme është të jemi të ndarë nga kjo botë! Duke iu lutur Jehovait natën e fundit të jetës së tij tokësore, Jezui bëri këtë kërkesë për ithtarët e tij: «U kam dhënë atyre fjalën tënde, por bota i ka urryer, sepse nuk janë pjesë e botës, ashtu si unë nuk jam pjesë e botës. Të kërkoj, jo t’i heqësh nga bota, por t’i ruash për shkak të të ligut. Ata nuk janë pjesë e botës, ashtu si unë nuk jam pjesë e botës. Shenjtëroji me anë të së vërtetës; fjala jote është e vërteta.» (Gjoni 17:14-17) Le të vazhdojmë ta çmojmë Fjalën e Perëndisë, e cila na ndan veç për shërbimin e tij të shenjtë!

17. Çfarë mund të ndodhë nëse shpërfillim përkujtuesit e Perëndisë, prandaj, çfarë duhet të bëjmë?

17 Si shërbëtorë të Jehovait, duam të mbetemi të pranueshëm për shërbimin e tij. Por, nëse do t’i shpërfillim përkujtuesit e Perëndisë, mund të na mbytë fryma e kësaj bote, e cila nxitet në shumicën e bisedave, të literaturës, të zbavitjes dhe të sjelljes së saj. Dhe patjetër nuk duam të bëhemi të dashuruar pas parave, mendjemëdhenj, fodullë, mosmirënjohës, të pabesë, të egër, kokëkrisur, të krekosur, kënaqësidashës në vend se perëndidashës​—për të përmendur vetëm disa nga tiparet që shfaqin ata që janë larguar nga Perëndia. (2 Timoteut 3:1-5) Meqë po jetojmë thellë në ditët e fundit të këtij sistemi të lig, le të vazhdojmë të lutemi për ndihmën hyjnore, që të mund të vazhdojmë t’i zbatojmë përkujtuesit e Jehovait dhe, kështu, të ‘qëndrojmë vigjilentë sipas fjalës së tij’.​—Psalmi 119:9, BR.

18. Cilat hapa pozitivë do të na bëjë të ndërmarrim zbatimi i përkujtuesve të Perëndisë?

18 Përkujtuesit e Jehovait nuk janë vetëm për të na mbajtur vigjilentë ndaj gjërave që nuk duhet të bëjmë. Zbatimi i këtyre përkujtuesve do të na bëjë të ndërmarrim veprime pozitive, të cilat do të na shtyjnë të kemi besim të patundur te Jehovai dhe ta duam me gjithë zemrën, shpirtin, mendjen dhe forcën tonë. (Ligji i përtërirë 6:5; Psalmi 4:5; Fjalët e urta 3:5, 6; Mateu 22:37; Marku 12:30) Gjithashtu, përkujtuesit e Perëndisë na motivojnë ta duam të afërmin tonë. (Levitiku 19:18; Mateu 22:39) Dashurinë për Perëndinë dhe për të afërmin e shprehim në veçanti duke bërë vullnetin hyjnor dhe duke ndarë me të tjerët «njohurinë [jetëdhënëse] të Perëndisë».​—Proverbat 2:1-5, BR.

Zbatimi i përkujtuesve të Jehovait do të thotë jetë!

19. Si mund t’u tregojmë të tjerëve se është praktike dhe dobiprurëse t’u vëmë veshin përkujtuesve të Jehovait?

19 Nëse i zbatojmë përkujtuesit e Jehovait dhe i ndihmojmë të tjerët për ta bërë këtë, do të shpëtojmë veten dhe ata që na dëgjojnë. (1 Timoteut 4:16) Si mund t’u tregojmë të tjerëve se është vërtet praktike dhe dobiprurëse t’u vëmë veshin përkujtuesve të Jehovait? Duke i zbatuar parimet biblike në jetën tonë. Në këtë mënyrë, ata që janë «të prirur drejt jetës së përhershme» do të kenë dëshmi se drejtimi që gjendet në Fjalën e Perëndisë është vërtet më i miri për t’u ndjekur. (Veprat 13:48) Do të shohin, gjithashtu, se ‘Perëndia është vërtet mes nesh’ dhe do të shtyhen të bashkohen me ne në adhurimin e Zotërisë Sovran Jehova.​—1 Korintasve 14:24, 25.

20, 21. Çfarë do të na japin mundësi të bëjmë përkujtuesit e Perëndisë dhe fryma e tij?

20 Duke vazhduar të studiojmë Shkrimet, duke zbatuar atë që mësojmë dhe duke përfituar plotësisht nga masat frymore të Jehovait, do të arrijmë t’i duam tej mase përkujtuesit e tij. Nëse ua vëmë veshin, këta përkujtues do të na ndihmojnë të veshim «personalitetin e ri, i cili u krijua sipas vullnetit të Perëndisë në drejtësi dhe besnikëri të vërtetë». (Efesianëve 4:20-24) Përkujtuesit e Jehovait dhe fryma e tij e shenjtë do të na japin mundësi të shfaqim dashuri, gëzim, paqe, shpirtgjerësi, mirëdashje, mirësi, besim, butësi, vetëkontroll​—cilësi kaq të ndryshme nga tiparet e botës që dergjet nën pushtetin e Satanait! (Galatasve 5:22, 23; 1 Gjonit 5:19) Prandaj, mund të jemi mirënjohës kur kërkesat e Jehovait na rikujtohen me anë të studimit personal të Biblës, nga pleqtë e emëruar dhe në mbledhjet, asambletë e kongreset tona.

21 Duke qenë se zbatojmë përkujtuesit e Jehovait, kemi mundësi të gëzojmë edhe kur vuajmë për hir të drejtësisë. (Luka 6:22, 23) Mbështetemi te Perëndia që të na shpëtojë edhe nga situatat më kërcënuese. Kjo është veçanërisht e rëndësishme tani që të gjitha kombet po mblidhen për «luftën e ditës së madhe të Perëndisë të Plotfuqishëm» në Harmagedon.​—Zbulesa 16:14-16.

22. Cila duhet të jetë vendosmëria jonë për sa u përket përkujtuesve të Jehovait?

22 Nëse duam të marrim dhuratën e pamerituar të jetës së përhershme, duhet t’i duam tej mase përkujtuesit e Jehovait dhe t’i zbatojmë ata me gjithë zemër. Pra, le të kemi edhe ne frymën e psalmistit, i cili këndoi: «Drejtësia e përkujtuesve të tu është deri në kohë të pacaktuar. Më bëj të kuptoj, që të vazhdoj të jetoj.» (Psalmi 119:144, BR) Gjithashtu, le të shfaqim vendosmërinë që është e dukshme në fjalët e psalmistit: «Unë të kam thirrur [Jehova]. Oh, më shpëto! Dhe unë do të zbatoj përkujtuesit e tu.» (Psalmi 119:146, BR) Po, me fjalë dhe me vepra, le të provojmë se i duam vërtet tej mase përkujtuesit e Jehovait!

Si do të përgjigjeshit?

• Si i konsideronte psalmisti përkujtuesit e Jehovait?

• Përse kemi nevojë për përkujtuesit e Perëndisë?

• Çfarë roli luajnë mbledhjet tona për sa u përket përkujtuesve hyjnorë?

• Si na ndajnë veç përkujtuesit e Jehovait nga kjo botë?

[Pyetjet]

[Figura në faqen 15]

Psalmisti i donte tej mase përkujtuesit e Jehovait

[Figurat në faqet 16, 17]

Duke ndjekur shembullin e Anës, a e bëni rregull që të mos i humbitni mbledhjet?

[Figura në faqen 18]

Duke u vënë veshin përkujtuesve të Jehovait ndahemi veç si të pastër dhe të pranueshëm për shërbimin e tij