Bibla—Një manual për jetën
Bibla—Një manual për jetën
«FJALA e Perëndisë është e gjallë dhe ushtron fuqi; është më e mprehtë se çdo shpatë me dy tehe . . . dhe është në gjendje të dallojë mendimet dhe qëllimet e zemrës.» (Hebrenjve 4:12) Ky përshkrim që na tregon se çfarë mund të bëjë Fjala e Perëndisë, patjetër e dallon Biblën si më tepër sesa thjesht një libër të mirë.
«Mesazhi i saj është po aq jetësor për jetën tonë, sa edhe frymëmarrja»,—e përmblodhi me pak fjalë një shkrimtar për fenë. Pastaj, shtoi: «Kur shqyrtojmë dëshirën dhe nevojën tonë për shërim sot dhe e lexojmë Biblën me këtë gjë në mendje, kemi rezultate mahnitëse.» Si një llambë që ndriçon fort, Bibla hedh dritë mbi çështjet dhe problemet e shumta të ndërlikuara të jetës moderne.—Psalmi 119:105.
Në fakt, mençuria e shprehur në Bibël ka fuqinë të na modelojë mënyrën e të menduarit, të na ndihmojë që të zgjidhim problemet, të na përmirësojë cilësinë e jetës dhe të na pajisë me aftësinë për të përballuar ato situata që nuk mund t’i ndryshojmë. Ç’është më e rëndësishmja, Bibla na jep mundësi ta njohim dhe ta duam Perëndinë.
Një libër që të jep qëllim
Autori i Biblës, Perëndia Jehova, ‘i njeh thellë të gjitha rrugët tona’. Di më shumë për nevojat tona fizike, emocionale dhe frymore, sesa dimë vetë ne. (Psalmi 139:1-3) Me kujdes, ai vendos kufizime të qarta për sjelljen e njerëzve. (Mikea 6:8) Është mirë të përpiqemi t’i kuptojmë këto kufizime dhe udhëzime e të mësojmë të jetojmë sipas tyre. Psalmisti thotë se njeriu «që gjen kënaqësinë e tij në ligjin e Zotit» është i lumtur. «Gjithçka bën do të ketë mbarësi.» (Psalmi 1:1-3) Patjetër që ia vlen ta shqyrtojmë një perspektivë të tillë.
Morisi, një mësues në pension, kishte besuar gjithnjë se Bibla ka disa vlera historike dhe letrare. Megjithatë ishte skeptik në lidhje me frymëzimin hyjnor të saj. Pasi dëgjoi një shpjegim përse Perëndia ua dha njerëzve Fjalën e tij të shkruar, Morisi shqyrtoi profeci të ndryshme biblike. Kur ishte i ri, kishte studiuar historinë e lashtësisë, letërsinë, shkencën dhe gjeografinë. Ai pranon se e kishte konsideruar veten tepër të zgjuar për të pranuar shembujt e shumtë në mbështetje të autenticitetit të Biblës. «Isha zhytur në garën e verbër
për rehati, pasuri dhe kënaqësi në jetë. Mjerisht, mbeta i painformuar dhe në padije për bukurinë dhe vërtetësinë e librit më të madh që është shkruar ndonjëherë.»Tani në të 70-tat, Morisi, duke iu referuar në mënyrë të tërthortë tregimit kur Jezui iu shfaq apostullit Thoma, thotë me mirënjohje: «Dora ime është udhëhequr për te ‘plaga që pikon gjak’, e cila do të më heqë një herë e mirë nga mendja çdo dyshim se Bibla mund të jetë çfarëdo tjetër, por jo e vërteta.» (Gjoni 20:24-29) Siç tha me të drejtë apostulli Pavël, Bibla zbulon qëllimet e zemrës dhe i jep domethënie jetës. Është vërtet një manual për jetën.
I shton qëndrueshmëri një jete të trazuar
Bibla jep edhe këshilla që i ndihmojnë njerëzit të çlirohen nga veset e këqija. Danieli arriti ta mposhtte vesin e papastër të duhanit, si edhe të mos shkonte më nëpër festa të shfrenuara e të mos abuzonte me alkoolin. (Romakëve 13:13; 2 Korintasve 7:1; Galatasve 5:19-21) Të themi realitetin, që të çrrënjosen këto vese dhe të vishet ‘personaliteti i ri’ kërkohen përpjekje të vendosura. (Efesianëve 4:22-24) «Qe një sfidë,—thotë Danieli,—sepse jemi shumë të papërsosur.» Megjithatë, ia doli mbanë. Tani Danieli e lexon Fjalën e Perëndisë çdo ditë dhe kjo e mban afër Jehovait.
Ndërsa rritej, Danieli kishte pasur gjithnjë respekt të thellë për Biblën, ndonëse nuk e kishte lexuar kurrë, dhe i lutej Perëndisë çdo natë. Megjithatë, diçka mungonte. Lumturia i ikte nga duart. Pika e kthesës erdhi kur pa për herë të parë në Bibël emrin e Perëndisë. (Eksodi 6:3; Psalmi 83:18) Pas kësaj, përdorte emrin Jehova kur lutej dhe lutjet e tij u bënë shumë më personale. «Për mua, Jehovai u bë personi më i afërt dhe është ende miku im më i ngushtë.»
Para se të mësonte rreth Biblës, pikëpamja e Danielit për të ardhmen ishte e zymtë. «Nuk duhet shumë inteligjencë për të kuptuar çfarë po ndodh në botë,—thotë ai.—Isha i frikësuar dhe përpiqesha të mbahesha i zënë me punë që të mos kisha kohë për ta menduar këtë.» Pastaj, mësoi se Perëndia do të vendosë drejtësi për të gjithë në një tokë të pastruar, ku njerëzit e bindur mund të gëzojnë paqe dhe lumturi të përjetshme. (Psalmi 37:10, 11; Danieli 2:44; Zbulesa 21:3, 4) Tani Danieli ka një shpresë të sigurt. Ky ndikim stabilizues i Biblës i jep mundësi të mbajë një pikëpamje pozitive për jetën.
Ndihmë për të kapërcyer problemet emocionale
Xhorxhi ishte 7 vjeç kur i vdiq mamaja. Tmerrohej kur duhej të shkonte të flinte natën, duke mos e ditur nëse do të zgjohej të nesërmen. Pastaj lexoi atë që tha Jezui për vdekjen dhe për ringjalljen: «Po vjen ora, kur të gjithë ata që janë në varret përkujtimore do ta dëgjojnë zërin [e Jezuit] dhe do të dalin.» Atë e prekën, gjithashtu, fjalët e Jezuit: «Unë jam ringjallja dhe jeta. Ai që ushtron besim tek unë, edhe sikur të vdesë, do të vijë në jetë.» (Gjoni 5:28, 29; 11:25) Këto mendime iu dukën të arsyeshme, logjike dhe ngushëlluese. «Kjo e vërtetë,—thotë Xhorxhi,—jo vetëm që bën për vete mendjen, por prek edhe zemrën.»
Edhe Danieli, i përmendur më sipër, kishte frikë. Mamaja e tij nuk kishte mundësi ta rriste vetë, kështu që e dërguan të jetonte në shumë shtëpi adoptive. Ai ndihej gjithnjë si një i huaj dhe e dëshironte shumë sigurinë e një familjeje të dashur. Së fundi, nëpërmjet studimit të Biblës gjeti atë që po kërkonte. Danieli krijoi shoqëri me kongregacionin e krishterë të Dëshmitarëve të Jehovait dhe u bë pjesë e një familjeje frymore, ku përjetoi ndjenjën e pranimit
dhe të dashurisë së të tjerëve. Në fakt, Bibla është e dobishme në një mënyrë praktike dhe që të kënaq emocionalisht.Mos harroni, Jehovai shikon atë që kemi në zemër dhe e di çfarë po kërkojmë. Perëndia «peshon zemrat» dhe i jep «secilit sipas rrugëve të tij».—Fjalët e urta 21:2; Jeremia 17:10.
Këshilla praktike për jetën familjare
Bibla jep këshilla praktike kur bëhet fjalë për marrëdhëniet njerëzore. Xhorxhi thotë: «Konfliktet për shkak të personalitetit ose keqkuptimet janë ndër situatat më stresuese në jetë.» Si reagon ai ndaj tyre? «Nëse mendoj se dikush ka diçka kundër meje, zbatoj këshillën e drejtpërdrejtë të Mateut 5:23, 24: ‘Bëj paqe me vëllanë tënd.’ Fakti i thjeshtë që mund të flas me të për konfliktin jep rezultate. Arrij ta ndiej paqen e Perëndisë për të cilën flet Bibla. Kjo këshillë ka vërtet forcë. Është shumë praktike.»—Filipianëve 4:6, 7.
Kur burri dhe gruaja nuk janë dakord me njëri-tjetrin, që të dy duhet ‘të jenë të shpejtë për të dëgjuar, të ngadalshëm për të folur, të ngadalshëm për t’u zemëruar’. (Jakovit 1:19) Kjo këshillë e përmirëson komunikimin. Xhorxhi shton: «Kur zbatoj këshillën për ta dashur dhe për ta trajtuar gruan si veten time, shoh rezultate të menjëhershme. Ajo e ka më të lehtë të më respektojë.» (Efesianëve 5:28-33) Po, Bibla na mëson si t’i pranojmë e si të veprojmë ndaj papërsosmërive tona, dhe si t’ia dalim mbanë që të përballojmë ato të të tjerëve.
Këshilla që qëndrojnë
Mbreti i mençur Solomon tha: «Ki besim tek Zoti me gjithë zemër dhe mos u mbështet në gjykimin tënd; pranoje në të gjitha rrugët e tua dhe ai do të drejtojë shtigjet e tua.» (Fjalët e urta 3:5, 6) Sa të thjeshta e megjithatë të thella janë këto fjalë!
Bibla është një forcë që vepron për mirë. Ajo i aftëson ata që e duan Perëndinë ta sjellin jetën e tyre në harmoni me vullnetin e tij dhe të gjejnë lumturi duke ‘ecur me ligjin e Zotit’. (Psalmi 119:1) Pavarësisht se cilat janë rrethanat tona, Bibla përmban udhëzimet dhe këshillat që na nevojiten. (Isaia 48:17, 18) Lexojeni çdo ditë, meditoni për atë që lexoni dhe zbatojeni. Do t’jua mbajë mendjen të qartë dhe të përqendruar në gjërat që janë të pastra e të shëndetshme. (Filipianëve 4:8, 9) Do të mësoni jo vetëm si të jetoni dhe ta gëzoni jetën, por edhe si të doni Krijuesin e jetës.
Duke ndjekur një drejtim të tillë, Bibla do të bëhet për ju,—siç është bërë për miliona të tjerë,—më shumë se vetëm një libër i mirë. Do të provojë vërtet se është një manual për jetën!
[Figura në faqen 6]
Bibla mund të na e forcojë vendosmërinë për të mposhtur veset e dëmshme
[Figura në faqen 7]
Bibla na mëson si t’i afrohemi Perëndisë