Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Jehovai i siguron popullit të tij një vend çlodhjeje

Jehovai i siguron popullit të tij një vend çlodhjeje

Lajmëtarët e Mbretërisë raportojnë

Jehovai i siguron popullit të tij një vend çlodhjeje

PËR një udhëtar të lodhur, një vend çlodhjeje me hije, në një shteg malor, është një pamje shumë e kënaqshme. Në Nepal, këto vende çlodhjeje quhen kautara. Një kautara tipike mund të gjendet pranë një peme të harlisur fiku të Bengalit, një vend me hije për t’u ulur e për të pushuar. Ndërtimi i një kautare është një akt dashamirësie dhe pjesa më e madhe e mirëbërësve mbetet anonime.

Përvojat nga Nepali tregojnë se si Perëndia Jehova është bërë Burim gëzimi dhe freskie frymore për shumë «udhëtarë» të lodhur në këtë sistem.​—Psalmi 23:2.

• Lil Kumari jeton në qytetin e bukur të Pokharës, me një pamje madhështore të maleve Himalaja të mbuluar me borë. Por, e shqetësuar për gjendjen financiare të familjes, Lil Kumari mendonte se e ardhmja nuk linte shumë për të shpresuar. Kur një Dëshmitare e Jehovait i bëri vizitë, ajo u prek nga shpresa e mrekullueshme e Biblës dhe menjëherë kërkoi një studim biblik.

Ndonëse Lil Kumarit i pëlqente studimi, nuk e kishte të lehtë të vazhdonte për shkak të kundërshtimit të fortë nga familja. Por, nuk u dorëzua. Ajo i ndiqte rregullisht mbledhjet e krishtere dhe e zbatonte atë që po mësonte, veçanërisht për sa i përket nënshtrimit të gruas. Si rezultat, i shoqi dhe mamaja e saj arritën të kuptonin se studimi biblik që po bënte Lil Kumari po i sillte dobi tërë familjes.

Burri i saj dhe disa të afërm tani po studiojnë Fjalën e Perëndisë. Në një asamble të kohëve të fundit, të mbajtur në Pokhara, Lil Kumari ishte gjatë programit së bashku me 15 të afërm të saj. Ajo thotë: «Shtëpia ime është bërë një vend çlodhjeje, sepse tani familja jonë është e bashkuar në adhurimin e vërtetë dhe unë kam gjetur paqe të vërtetë mendore.»

• Ndonëse në Nepal diskriminimi për shkak të kastës është i paligjshëm, ai ushtron ende një ndikim të fuqishëm në mënyrën e jetesës së njerëzve. Kështu, shumë veta janë të interesuar për atë që thotë Bibla për barazinë dhe paanshmërinë. Kur Surja Maja mësoi se «Perëndia nuk është i anshëm», jeta e saj dhe e familjes së saj ndryshoi shumë.​—Veprat 10:34.

Surja Maja ishte e dëshpëruar nga padrejtësia e shkaktuar nga diskriminimi për shkak të kastës dhe nga barra e traditave dhe zakoneve të rrënjosura thellë. Duke qenë grua e devotshme, për vite me radhë Surja Maja u kërkoi ndihmë perëndive të saj idhuj. Por lutjet i mbeteshin pa përgjigje. Një ditë, ndërsa po kërkonte ndihmë, mbesa e saj gjashtëvjeçare, Babita, iu afrua dhe i tha: «Përse i kërkon ndihmë idhujve që s’mund të bëjnë asgjë?»

U mor vesh se mamaja e Babitës po studionte Biblën me një Dëshmitare të Jehovait. Entuziaste, Babita e ftoi gjyshen në një mbledhje të krishterë. Kur Surja Maja shkoi atje, u habit ngaqë pa njerëz të kastave të ndryshme që gëzonin shoqërinë e njëri-tjetrit pa asnjë paragjykim. Menjëherë kërkoi një studim biblik në shtëpi. Ndonëse kjo solli si pasojë që fqinjët iu bënë armiq, ajo nuk u shkurajua dhe as aftësia e kufizuar për të shkruar e për të lexuar nuk e pengoi që të bënte përparim frymor.

Kanë kaluar tetë vjet dhe gjashtë pjesëtarë të familjes së saj, duke përfshirë të shoqin dhe tre djem, janë bërë Dëshmitarë të Jehovait. Tani Surja Maja është një shërbëtore e plotkohore, një pioniere e rregullt, dhe i ndihmon me gëzim të tjerët për të hequr peshat e rënda, në vendin e vërtetë të çlodhjes që vetëm Jehovai mund të sigurojë.