Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Si mund të bësh miq?

Si mund të bësh miq?

Si mund të bësh miq?

«NJË MIK NË JETË ËSHTË SHUMË; DY JANË TEPËR, TRE VËSHTIRË SE MUND T’I GJESH.»​—Henri Bruks Adams.

KY KOMENT nënkupton se miqtë e vërtetë janë të rrallë. Tepër shpesh dëgjojmë komente, si «nuk kam asnjë me të cilin të flas», «nuk mund t’i besoj asnjërit» ose «mikun më të mirë kam qenin», nga njerëz shumë të vetmuar që kërkojnë miqësi.

Të krijosh dhe të mbash miqësi të gjata është një sfidë. Një anketë e bërë te konsumatorët zbuloi se «në Shtetet e Bashkuara, 25 për qind e popullsisë së të rriturve vuajnë nga ‘vetmia kronike’ dhe . . . në Francë, gjysma e njerëzve kanë përjetuar izolim të fortë». Përhapja e shpejtë e klubeve për t’u takuar dhe e chat rooms [dhomave të bisedave] në kompjuter, si edhe sasia e madhe e njoftimeve që nxjerrin nëpër gazeta ata që kërkojnë shoqëri, tregojnë se njerëzit e dëshirojnë shumë kontaktin njerëzor.

Vetmia nuk prek vetëm gjendjen mendore të një personi, por edhe shëndetin e tij fizik, siç pohon dr. Dejvid Uiks, një neuropsikolog. «Kam një përqindje shumë të lartë pacientësh me fobi që vijnë nga ankthi dhe me depresion, të cilët mund të përshkruhen si të vetmuar. Ekzistojnë lidhje ndërmjet intensitetit të depresionit dhe intensitetit të vetmisë.»

Divorci dhe prishja e jetës familjare dënojnë gjithnjë e më shumë njerëz që të jetojnë vetëm. Një studim i bërë në Britani nxori si përfundim se në fillim të shekullit të 21-të, rreth 30 për qind e popullsisë së atij kombi do të ishin duke jetuar në shtëpi të banuara vetëm nga një person.

Shkrimet e frymëzuara e kishin parathënë se në «ditët e fundit» do të mbizotëronte një frymë egoizmi. (2 Timoteut 3:1-5) Duket se shumë veta janë më të interesuar për zotërimet materiale, si për shembull, një shtëpi ose makinë, a për punën e tyre, sesa për të zhvilluar marrëdhënie me njerëzit e tjerë. Autori Antoni Stor thotë: «Në vend që të përqendrohet te gruaja dhe te fëmijët, jeta e tyre përqendrohet në zyrë.»

MIQTË E VËRTETË JANË TEPËR TË ÇMUAR

Cilësia e jetës sonë varet shumë nga cilësia e miqësive që kemi. Shpesh, ata që jetojnë vetëm për vete, nuk janë të lumtur sepse nuk kanë asnjë mik me të cilin të ndajnë gjërat ose mendimet e tyre. Fjalët e Jezu Krishtit janë të vërteta: «Ka më shumë lumturi të japësh se të marrësh.» (Veprat 20:35) Duke përsëritur këtë të vërtetë, poeti anglez Xhorxh Bajron shkroi: «Të gjithë ata që gëzim do të fitojnë, duhet ta ndajnë me të tjerët.»

Çfarë është një mik? Një fjalor e përkufizon mikun si «një person të lidhur ngushtë me një tjetër nga përzemërsia ose nga vlerësimi». Një mik i vërtetë mund të të ndihmojë që t’i drejtosh mendimet ndaj gjërave të mira. Mund të të inkurajojë dhe të të ndërtojë në kohë nevoje. Madje, mund të marrë pjesë në hidhërimin tënd. Mbreti Solomon tha: «Një shok i vërtetë të do gjithë kohën dhe është një vëlla që lind kur ka angështi.» (Proverbat [Fjalët e urta] 17:17, BR) Ndërkohë që gjërat materiale shpesh e humbin vlerën e tyre me kalimin e kohës, miqësia e vërtetë rritet dhe lulëzon sa më shumë që kalon koha.

Shkrimet i nxitin të krishterët që të ‘zgjerohen’ në përzemërsinë e tyre. (2 Korintasve 6:13) Është një gjë e mençur të përpiqesh të interesohesh për të tjerët. Te Predikuesi 11:1, 2 lexojmë: «Hidh bukën tënde mbi ujërat, sepse pas shumë kohe do ta gjesh përsëri. Jepu pjesë shtatë, madje edhe tetë vetave, sepse ti nuk e di se çfarë fatkeqësie mund të të ndodhë mbi tokë.» Si zbatohet ky parim për miqësinë? Nëse ke kultivuar miqësi me shumë njerëz, disa prej tyre mund të të vijnë në ndihmë kur lindin vështirësi.

Miqtë e vërtetë janë një mbrojtje edhe në një mënyrë tjetër. «Besnike janë plagët e një shoku»,​—thuhet te Fjalët e urta 27:6. Ndonëse disa njerëz mund të të bëjnë lavdërime, vetëm miqtë e vërtetë do të kenë aq vlerësim për ty, sa të të tregojnë një të metë serioze dhe të të ofrojnë këshilla ndërtuese në një mënyrë të dashur.​—Fjalët e urta 28:23.

Miqtë e mirë dhe të ngushtë janë ndër ato dhurata të rralla që mund të ndikojnë në mënyrë pozitive. Në kapitullin 10 të Veprave, lexojmë për një ngjarje në jetën e oficerit të ushtrisë romake, Kornelit, të cilin një engjëll e kishte njoftuar se i ishin dëgjuar lutjet. Duke pritur vizitën e apostullit Pjetër, Korneli «kishte mbledhur farefisin dhe miqtë e tij të ngushtë». Ata miq të ngushtë të Kornelit ishin ndër johebrenjtë e parë të parrethprerë që përqafuan lajmin e mirë dhe u mirosën me frymën e shenjtë, me perspektivën për të sunduar me Krishtin në Mbretërinë e Perëndisë. Çfarë bekimi ishte ky për miqtë e ngushtë të Kornelit!​—Veprat 10:24, 44.

Por, si mund t’ia dalësh mbanë të bësh miq? Bibla, e cila ka shumë për të thënë për miqësinë, përgjigjet me këshilla praktike. (Shih kutinë poshtë.)

KU MUND TË BËSH MIQ TË VËRTETË?

Vendi më i mirë për të bërë miq të vërtetë është në kongregacionin e krishterë. Pikësëpari, mund të përdorësh mundësinë për t’u bërë mik me Jehovain, Krijuesin dhe Atin qiellor, si edhe me Jezu Krishtin, Shpëtimtarin tënd. «Askush nuk ka dashuri më të madhe sesa kjo, që dikush të japë shpirtin e vet për miqtë e tij»,​—tha Jezui, i cili na fton të jemi miqtë e tij. (Gjoni 15:13, 15) Duke u bërë mik me Jehovain dhe me Jezu Krishtin, mund të jesh i sigurt se ata do të të «pranojnë në vendbanimet e përhershme». Po, miqësia me Jehovain dhe me Jezuin do të thotë jetë e përhershme.​—Luka 16:9; Gjoni 17:3.

Si mund ta fitosh miqësinë e tyre të përzemërt? Kërkesat për të qenë mysafir në tendën e Jehovait, si një nga miqtë e tij, theksohen në Psalmin 15. Kërkoje në Bibël dhe lexo pesë vargjet që përbëjnë këtë psalm. Veç kësaj, Jezu Krishti tha: «Ju jeni miqtë e mi, nëse bëni atë që po ju urdhëroj.»​—Gjoni 15:14.

Po, duke studiuar me kujdes dhe duke zbatuar drejtimin që vjen nga Fjala e Perëndisë, Bibla, tregon se dëshiron të jesh mik i Jehovait dhe i Jezuit. Për të arritur këtë, duhet edhe të ndjekësh rregullisht mbledhjet e krishtere, ku jepet njohuria për Perëndinë Jehova. Me besim, përpiqu fort të dëgjosh Jehovain dhe do të jesh më afër tij dhe Birit të tij.

Në mbledhje mund të njihesh edhe me njerëz që e duan Jehovain dhe shfaqin në jetën e tyre frytet e frymës: dashurinë, gëzimin, paqen, shpirtgjerësinë, mirëdashjen, mirësinë, besimin, butësinë dhe vetëkontrollin. (Galatasve 5:22, 23) Nëse do vërtet të bësh miq dhe ta heqësh vetminë, ndiq mbledhjet e krishtere çdo javë. Kjo të vë në vendin e duhur dhe në kohën e duhur për të kultivuar miqësi të qëndrueshme me popullin e bekuar të Perëndisë.

MIQ PËRGJITHMONË

Miqësia e vërtetë është një dhuratë e mrekullueshme nga Perëndia Jehova. Ajo vjen nga vetë personaliteti dhe karakteri i tij. Për shkak të frymës së tij të dashur dhe bujare, ai e ka mbushur tokën me krijesa inteligjente, me të cilat mund të zhvillosh miqësi. Shoqërohu me të bashkëkrishterët. Inkurajoji ata. Puno me ta në shërbim. Lutu rregullisht me ta dhe për ta. Atëherë do të jesh duke imituar Jehovain dhe Birin e tij, Jezu Krishtin.

Miqësia është një dhuratë që gjithsecili mund ta japë dhe ta marrë. Në të ardhmen e afërt do të kesh mundësinë ta zgjerosh rrethin e miqve. Mund të bëhesh mik me miliona veta që jetojnë tani, si dhe me ata të brezave të kaluar, të cilët po flenë në vdekje, duke pritur ringjalljen, kur ‘vdekja të mos jetë më’. (Zbulesa 21:4; Gjoni 5:28, 29) Bëj përpjekje tani për të qenë miqësor dhe bëhu mik me ata që e duan Jehovain. Kultivo miqësinë me Perëndinë Jehova dhe me Jezu Krishtin, duke dëgjuar Fjalën e frymëzuar të Perëndisë. Atëherë, për gjithë përjetësinë, nuk do të jesh më kurrë i vetmuar.

[Kutia dhe figurat në faqet 22, 23]

GJASHTË HAPA PËR NJË MIQËSI TË QËNDRUESHME

1. JI NJË MIK. Abrahami u quajt «mik i Jehovait» për shkak të besimit të tij të palëkundur. (Jakovit 2:23) Por kishte edhe një arsye tjetër. Bibla thotë se Abrahami e tregoi përzemërsinë e tij për Perëndinë. (2 Kronikave 20:7) Ai mori nismën dhe ia bëri të njohur ndjenjat e tij Jehovait. (Zanafilla 18:20-33) Po, që të japësh provë të miqësisë sate duhet nismë. Jezui tha: «Praktikoni dhënien dhe do t’ju japin.» (Luka 6:38) Një fjalë inkurajimi ose një ndihmë që mund të japësh, ndoshta është fara prej së cilës do të rritet një miqësi e madhe. Eseisti amerikan Ralf Valdo Emerson një herë tha: «E vetmja mënyrë për të pasur një mik, është të jesh vetë një mik.»

2. LËR KOHË PËR TË KULTIVUAR NJË MIQËSI. Shumica e njerëzve i dëshirojnë dobitë e miqësisë. Megjithatë, janë tepër të ngarkuar për të investuar kohën që nevojitet. Romakëve 12:15, 16 na inkurajon të marrim pjesë në lumturinë e në suksesin e të tjerëve, në brengat dhe zhgënjimet e tyre. Aty thuhet: «Gëzoni me ata që gëzojnë; qani me ata që qajnë. Mendoni për të tjerët njësoj si për veten.» Jezu Krishti, ndonëse ishte një njeri i ngarkuar me punë, gjeti gjithnjë kohë për miqtë e tij. (Marku 6:31-34) Mos harroni se miqësia, ashtu si një bimë në lulëzim, ka nevojë për ujë dhe ushqim nëse duam të çelë lule, dhe kjo kërkon kohë.

3. JI I VËMENDSHËM KUR TË TJERËT FLASIN. Dëgjuesit e mirë dhe të vëmendshëm shpesh e kanë më të lehtë të kenë miq. «Çdo njeri duhet të jetë i shpejtë për të dëgjuar, i ngadalshëm për të folur»,​—thotë dishepulli Jakov. (Jakovit 1:19) Kur bisedon me të tjerët, trego interes personal për ndjenjat e tyre. Inkurajoji të flasin për veten. Ji i pari për t’u treguar nderim. (Romakëve 12:10) Atëherë, do të dëshirojnë të rrinë me ty. Në të kundërt, nëse e zotëron çdo bisedë ose e vë veten vazhdimisht në qendër të vëmendjes, do ta kesh të vështirë të gjesh dikë që është gati për të të dëgjuar ose që interesohet për ndjenjat dhe nevojat e tua.

4. JI GATI TË FALËSH. Një herë, Jezui i tha Pjetrit që të ishte gati të falte «deri në shtatëdhjetë e shtatë herë». (Mateu 18:21, 22) Një mik i vërtetë i anashkalon pa ngurrim të metat e vogla. Të bëjmë një ilustrim: disave nuk u pëlqejnë manaferrat për shkak të farave të tyre të vogla. Megjithatë, ata që e pëlqejnë këtë frut, nuk i vënë re farat. Miqtë e vërtetë i duam për cilësitë e tyre të shkëlqyera, ndërsa të metat e vogla që kanë i anashkalojmë. Pavli na nxiti: «Vazhdoni të duroni njëri-tjetrin dhe të falni bujarisht njëri-tjetrin.» (Kolosianëve 3:13) Ata që mësojnë të falin, arrijnë të mbajnë miq.

5. RESPEKTO JETËN PRIVATE TË TË TJERËVE. Të gjithë kanë nevojë për ca kohë për veten, duke përfshirë edhe miqtë e tu. Te Fjalët e urta 25:17 thuhet me mençuri: «Shko rrallë në shtëpinë e të afërmit tënd, që ai të mos mërzitet me ty sa të të urrejë.» Prandaj, ji i arsyeshëm për shpeshtësinë dhe gjatësinë e vizitave te miqtë. Shmang karakterin zotërues, i cili mund të çojë në xhelozi. Përdor gjykim të shëndoshë kur shpreh shijet personale dhe opinionet e tua për gjërat. Kjo i kontribuon një miqësie freskuese dhe të mirëpritur.

6. JI BUJAR. Miqësitë kultivohen nëpërmjet bujarisë. Këshilla e apostullit Pavël është të jemi «dorëgjerë, gati për të ndarë me të tjerët». (1 Timoteut 6:18) Për shembull, nda me të tjerët fjalë inkurajuese. (Fjalët e urta 11:25) Përdori lirisht lavdërimet e sinqerta dhe fjalët ndërtuese. Kur tregon interes të vërtetë për mirëqenien e të tjerëve, i bën për vete ata. Mendo për atë që mund të bësh ti për ta, në vend që të përqendrohesh në atë që mund të bëjnë ata për ty.