A ju kujtohet?
A ju kujtohet?
A jeni kënaqur me leximin e numrave të fundit të Kullës së Rojës? Atëherë, provoni nëse mund t’u përgjigjeni pyetjeve vijuese:
• Çfarë është themelore për të zgjidhur një mosmarrëveshje me dikë?
Së pari, duhet të kuptojmë se të gjithë jemi të prirur ndaj mendimeve dhe qëndrimeve të gabuara. Pastaj, duhet të shqyrtojmë seriozisht nëse jemi ne burimi i problemit dhe jo personi tjetër.—15/8, faqja 23.
• Kur do të vijnë «kohët e rivendosjes së të gjitha gjërave», të përmendura te Veprat 3:21?
Rivendosja ndodh në dy faza. E para vjen rivendosja në një parajsë frymore, e cila është duke ndodhur që nga viti 1919. Një rivendosje e mëtejshme do të vijë kur toka jonë të rikthehet në një parajsë fizike.—1/9, faqet 17, 18.
• Si ka mundësi që milingona nuk ka kryetar, siç vërehet te Fjalët e urta 6:6-8, e megjithatë përbën një shembull të mirë për ne?
Në një koloni milingonash, ekziston një mbretëreshë, por ajo është e tillë vetëm në kuptimin që bën vezë dhe është nëna e kolonisë. Milingonat janë të papërtueshme dhe po kështu duhet të jemi ne, duke u përpjekur të përmirësojmë punën tonë, edhe sikur të mos jemi nën mbikëqyrje.—15/9, faqja 26.
• A ishte e saktë profecia e Huldës, e dokumentuar te 2 Mbretërve 22:20, që Josia do të vdiste «në paqe», meqë ai u plagos për vdekje në betejë?
Po, ai vdiq në paqe në kuptimin që vdiq para katastrofës së vitit 609-607 p.e.s., kur babilonasit plaçkitën dhe shkatërruan Jerusalemin.—15/9, faqja 30.
• Në ç’kuptim Solomoni po thoshte një lavdërim kur e përshkroi një grua si «drenushë të dashur dhe dhi mali tërheqëse»? (Fjalët e urta 5:18, 19, BR)
Dhia e malit ka natyrë të qetë dhe formë elegante. Megjithatë, mund të mbijetojë e të lindë të vegjlit në vende shkëmbore dhe të paarritshme, ku ushqimi është i pakët.—1/10, faqet 30, 31.
• Cilët ishin Henri Gru dhe Xhorxh Stors?
Këta dy burra jetuan në vitet 1800 dhe ishin studiues të zellshëm të Biblës. Gru mësoi se Triniteti nuk është biblik, siç nuk janë doktrina e pavdekësisë së shpirtit dhe e zjarrit të ferrit. Storsi e kuptoi se disa do të fitojnë jetën e pafundme në tokë. Që të dy ishin pararendës të Çarlz Tejz Rasëllit, i cili filloi ta botonte këtë revistë në vitin 1879.—15/10, faqet 26-30.
• Si i konsiderojnë Dëshmitarët e Jehovait procedurat mjekësore ku përdoret gjaku i vetë pacientit?
Duke i bazuar bindjet e tyre në Bibël, ata nuk e depozitojnë gjakun e tyre, që ta pranojnë më vonë si transfuzion. Çdo i krishterë vendos vetë si do të përdoret gjaku i tij gjatë një procedure kirurgjike, analize mjekësore ose terapie aktuale. Ai duhet të shqyrtojë çfarë thotë Bibla për gjakun dhe të mbajë mend se i është dedikuar plotësisht Perëndisë.—15/10, faqet 30, 31.
• Një studim i bërë në fillim të këtij viti, cilën nevojë domethënëse zbuloi për Dëshmitarët e Jehovait përreth globit?
Ka nevojë për më shumë se 11.000 Salla Mbretërie në kombet në zhvillim, ku gjendja financiare është e kufizuar. Kontributet nga të krishterët në shumë vende po drejtohen për të ndihmuar në ndërtimin e vendeve të përshtatshme për mbledhje.—1/11, faqja 30.
• Cilat janë disa nga fjalët e gjuhës origjinale, të përdorura në Bibël, që kanë të bëjnë me adhurimin?
Njëra është leitourgia, e cila përkthehet «shërbim publik». Një tjetër është latreia, e cila përkthehet «shërbim i shenjtë». (Hebrenjve 10:11; Luka 2:36, 37)—15/11, faqet 11, 12.
• Cili është një mësim themelor që mund ta marrim nga tregimi biblik i Adamit dhe i Evës?
Çdo pretendim për të qenë të pavarur nga Perëndia Jehova është tërësisht marrëzi.—15/11, faqet 24-27.
• Çfarë prove biblike ekziston se Perëndia u jep fuqi shërbëtorëve të tij?
Davidi, Habakuku dhe apostulli Pavël siguruan dëshmi personale të faktit që Perëndia Jehova u kishte dhënë energji ose fuqi. (Psalmi 60:12; Habakuku 3:19; Filipianëve 4:13) Prandaj, mund të jemi të sigurt se Perëndia është i gatshëm dhe në gjendje të na forcojë.—1/12, faqet 10, 11.