Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Lajmi i mirë i paqes mbërrin në rajonet malore të Çiapasit

Lajmi i mirë i paqes mbërrin në rajonet malore të Çiapasit

Lajmi i mirë i paqes mbërrin në rajonet malore të Çiapasit

«Në masakrën më të rëndë që mbahet mend në shtetin e Çiapasit, një grup . . . burrash të armatosur vranë 45 fshatarë të pambrojtur, duke përfshirë edhe 13 fëmijë.» Kështu raportohej në gazetën «El Universal» për atë që ndodhi në Akteal, në shtetin e Çiapasit, më 22 dhjetor 1997.

ÇIAPASI është shteti më jugor i Meksikës, në kufi me Guatemalën. Pasi kishin vuajtur për shumë kohë nga varfëria dhe nga heqja e të drejtave, një grup indianësh indigjenë të fisit maja organizuan një kryengritje të armatosur në janar të vitit 1994, nën emrin Ejército Zapatista de Liberación Nacional (EZLN, Ushtria Kombëtare Çlirimtare Zapatiste). Bisedimet për një zgjidhje paqësore janë zvarritur. Mësymje dhe sulme, si nga rebelët, ashtu edhe nga trupat qeveritare, kanë sjellë si pasojë gjakderdhje dhe vdekje. Trazira bëri që shumë fshatarë në atë zonë të iknin për të shpëtuar.

Në mes të këtyre kushteve të pasigurta gjendet një grup njerëzish paqedashës që kanë qëndruar asnjanës në lidhje me luftën politike. Me zell, ata e drejtojnë vëmendjen te Mbretëria e Perëndisë si shpresa e vetme për të zgjidhur problemet që hasin njerëzit në atë vend dhe në mbarë globin. (Danieli 2:44) Cilët janë? Dëshmitarët e Jehovait. Duke iu bindur urdhrit të Jezuit, ata po përpiqen ta çojnë lajmin e mirë të Mbretërisë së Perëndisë në pjesët më të izoluara të rajoneve malore të Çiapasit. (Mateu 24:14) Si ishte predikimi në rrethana të tilla dhe cilat qenë rezultatet?

«Jam Dëshmitar i Jehovait»

Adolfoja, një i ri që kohët e fundit ishte bërë lajmëtar i Mbretërisë, një ditë po punonte në një stacion radiofonik në Okosingo. Papritur, u dëgjua një trokitje e fortë në derë. Një grup burrash me maska e shpërthyen derën dhe ia drejtuan armët në kokë. U turrën në dhomën e transmetimit, morën në zotërim pajisjet dhe njoftuan në radio se i kishin shpallur luftë qeverisë.

Duke iu drejtuar Adolfos, burrat e armatosur e urdhëruan të bashkohej me lëvizjen e tyre. «Unë jam Dëshmitar i Jehovait»,​—iu përgjigj Adolfoja, ndonëse nuk ishte pagëzuar ende. Ai u shpjegoi se e vetmja shpresë për paqe ishte Mbretëria e Perëndisë dhe e refuzoi me vendosmëri uniformën dhe armën që i ofruan. Duke parë qëndrimin e tij të vendosur, burrat e lanë të ikte. Duke sjellë ndër mend incidentin, Adolfoja thotë: «Ajo ngjarje ma forcoi vërtet besimin.»

Më pas, situata u stabilizua, por zona ishte ende nën kontrollin ushtarak. Megjithatë, Adolfoja e pranoi me gëzim një ftesë të pleqve të kongregacionit vendas për të punuar me një grup të izoluar të krishterësh në zonë. Në pikat e kontrollit nga duhej të kalonte, ushtarët i tregonin respekt kur e identifikonte veten si Dëshmitar i Jehovait. Më vonë u pagëzua dhe ka pasur kënaqësinë për ta ndihmuar këtë grup të izoluar të bëhet një kongregacion Dëshmitarësh të Jehovait. «Tani që jam pagëzuar,​—tha Adolfoja,​—mund ta them me bindje të plotë se jam Dëshmitar i Jehovait.»

«Jehovai na forcoi»

Pak kohë pasi EZLN-ja i shpalli luftë qeverisë në radio, njerëzit e qytetit ikën. Fransiskoja, një shërbëtor i plotkohor ose pionier, shpjegoi si i forcoi Jehovai, atë dhe të shoqen, gjatë peripecive që iu desh të kalonin.

«Vendosëm të strehoheshim në një zonë që ishte tri orë larg më këmbë. Atje kishte një kongregacion, kështu që do të ishim me vëllezërit. Pas pak erdhi koha që në Palenke të mbahej asambleja jonë qarkore. Unë dhe ime shoqe nuk donim ta humbnim mbledhjen speciale për pionierët, por morëm vesh se rruga për në asamble ishte bllokuar nga EZLN-ja. Vendosëm t’i binim nga xhungla dhe na u deshën nëntë orë për të arritur. Mbërritëm në kohë për të ndjekur mbledhjen e pionierëve, e cila na pëlqeu shumë, si edhe i gjithë programi i asamblesë.

Kur u kthyem, pamë se shtëpinë e kishin djegur dhe kafshët na i kishin vjedhur. Gjithçka që na kishte mbetur ishte një çantë e vogël me rroba. U ndiem të trishtuar për atë që kishim humbur, por vëllezërit në Okosingo me dashamirësi na morën në shtëpitë e tyre. Gjithashtu, na mësuan zanate që, si fermerë, nuk i kishim bërë kurrë më parë. Një vëlla më mësoi të bëja fotografi dhe një tjetër të riparoja këpucë. Kështu, unë dhe ime shoqe kemi pasur mundësi të mbështetim veten deri tani, pa na u dashur të lëmë shërbimin si pionierë. Duke medituar për atë që ndodhi, e shohim se, ndonëse nuk ishte e lehtë të qëndronim, Jehovai na forcoi.»

Frytet e veprës së predikimit

Dëshmitarët në shtetin Çiapas nuk lanë që vështirësitë dhe rreziku t’i sprapsnin që të mos merrnin pjesë në një përpjekje të veçantë për t’ua çuar lajmin e mirë njerëzve në atë zonë. Për shembull, në prill dhe në maj të vitit 1995, ata u bashkuan me të bashkëkrishterët në mbarë botën në një fushatë për të shpërndarë fletushkën Lajmërim i Mbretërisë Nr. 34, me temën shumë të përshtatshme: Përse jeta është plot me probleme?.

Gjatë fushatës​—në një vend të quajtur Pueblo-Nuevo​—një pionier i rregullt me emrin Siro gjeti një familje që tregoi interes. Kur u kthye tri ditë më vonë, pati mundësi të fillonte një studim biblik me ta. Por, kur Siroja dhe një shok shërbimi u kthyen për të vazhduar studimin me familjen, burri i shtëpisë nuk ishte aty. Në vend të tij, gjetën një grup burrash me maskë që po e pritnin këtë burrë për ta vrarë. Ata e pyetën Siron dhe shokun e tij çfarë po kërkonin dhe i kërcënuan se do t’i vritnin. Pasi iu lutën Jehovait në heshtje, dy të krishterët me guxim shpjeguan se kishin ardhur për t’i mësuar familjes Biblën. Pas kësaj, burrat me maska i lanë të iknin. Për ndonjë arsye, burri i shtëpisë nuk erdhi fare atë ditë në shtëpi.

Një ditë, pothuajse tre vjet më vonë, Siroja u habit kur ky burrë i erdhi në shtëpi. Sa u kënaq Siroja kur mori vesh se e gjithë familja ishte pagëzuar dhe se tani shoqëroheshin me një kongregacion në Guatemalë! Madje, njëra nga vajzat po shërbente si pioniere e rregullt.

Çmueshmëri për ushqimin frymor

Me gjithë vështirësitë e vazhdueshme në Çiapas, një mbikëqyrës krahinor raporton se Dëshmitarët në zonë e kuptojnë vërtet rëndësinë e mbledhjes së bashku. (Hebrenjve 10:24, 25) Ai tregon çfarë ndodhi në një asamble speciale njëditore të mbajtur kohët e fundit, e cila ishte programuar të fillonte herët në mëngjes, në mënyrë që të pranishmit të ktheheshin në shtëpi gjatë ditës, kur kishte ende njëfarë sigurie. Ndonëse shumicës iu desh të udhëtonte më shumë se tri orë përmes xhunglës, për të arritur në vendin e asamblesë, të gjithë ishin ulur nëpër vende në orën 7.00 të mëngjesit. Në auditor ishin gjashtë anëtarë të grupit EZLN, që dëgjonin e duartrokitnin, me sa duket duke u kënaqur me programin. Edhe ata kishin ecur tri orë për të ndjekur asamblenë. Gjithashtu, njëzet prej tyre erdhën në Përkujtimin e vdekjes së Krishtit, të mbajtur në një Sallë lokale Mbretërie.

Një tjetër i ri i lëvizjes guerile u caktua nga eprorët e tij që të patrullonte një zonë të xhunglës. Kur mbërriti në atë vend, pa se të gjithë banorët, shumica prej të cilëve ishin Dëshmitarë të Jehovait, kishin ikur. Kështu, u vendos në një nga shtëpitë e braktisura. Duke mos pasur shumë për të bërë, mori ca libra që gjeti në shtëpi dhe filloi të lexonte. Këto dolën se ishin botime të Shoqatës Watch Tower që Dëshmitarët i kishin lënë aty. Në vetmi, i riu kishte kohë për të medituar rreth asaj që po lexonte. Vendosi që të ndryshonte jetën e tij dhe t’i dorëzonte armët. Sa më shpejt që mundi, gjeti Dëshmitarët dhe filloi një studim biblik. Brenda gjashtë muajve, po u fliste të tjerëve për lajmin e mirë. Ai dhe tre pjesëtarë të tjerë të familjes së tij, që ishin simpatizantë të lëvizjes guerile, tani janë të krishterë të pagëzuar.

Shohin anën pozitive

Ndonëse solli me vete shumë vështirësi, në fakt konflikti pati ndikim pozitiv në qëndrimin e njerëzve ndaj veprës së predikimit. Një plak në qytetin ku filloi lufta, tregon: «Rreth pesë ditë pasi shpërthyen luftimet, organizuam veprën e predikimit si brenda, ashtu edhe jashtë qytetit. Njerëzit ishin të etur për të na dëgjuar. Lamë shumë literaturë biblike dhe filluam disa studime biblike. Në një zonë, shumë veta i ishin kundërvënë së vërtetës, por, për shkak të luftës, tani dëgjojnë, studiojnë Biblën dhe ndjekin mbledhjet e asambletë.»

Vëllezërit janë të lumtur që kanë pasur mundësi t’i vazhdojnë aktivitetet e tyre teokratike, me gjithë kushtet shumë të paqëndrueshme. Me dijeninë e forcave të qeverisë dhe të EZLN-së, ata vazhdojnë të mbajnë asamble, të cilat i forcojnë frymësisht. Edhe vizitat nga mbikëqyrës udhëtues kanë qenë nxitje e fuqishme për të vazhduar në veprën e predikimit. Është interesant fakti që inkurajimi vjen edhe nga ata që janë përfshirë në konflikt, të cilët shpesh i nxitin Dëshmitarët që të vazhdojnë veprën e predikimit.

Ndonëse sprovat dhe vështirësitë që u është dashur të durojnë njerëzve në Çiapas janë zvogëluar disi me kalimin e kohës, ato nuk kanë mbaruar. Gjithsesi, një gjë është e sigurt: Dëshmitarët e Jehovait janë të vendosur të vazhdojnë pa pushim në përpjekjet e tyre për t’u çuar njerëzve lajmin e mirë të paqes nga Fjala e Perëndisë, Bibla. (Veprat 10:34-36; Efesianëve 6:15) Ata e kuptojnë, siç e tha profeti Jeremia, se «rruga e njeriut nuk varet nga fuqia e tij dhe njeriu që ecën nuk ka fuqi të drejtojë hapat e tij». (Jeremia 10:23) Vetëm Mbretëria e Perëndisë, në duart e Birit të tij, Jezu Krishtit, mund të sjellë zgjidhjen për padrejtësitë dhe varfërinë në botë.​—Mateu 6:10.

[Harta në faqen 9]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

Gjiri i Meksikës

ÇIAPAS

GUATEMALË

Oqeani Paqësor

[Burimi]

Mountain High Maps® Copyright © 1997 Digital Wisdom, Inc.

[Figura në faqen 9]

Dëshmitarë duke shkuar në shërbim në rajonet malore të Çiapasit