Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Përse i shërben Perëndisë?

Përse i shërben Perëndisë?

Përse i shërben Perëndisë?

Një mbret me frikë Perëndie, një herë i dha këtë këshillë birit të tij: «Njihe Perëndinë e atit tënd dhe shërbeji me gjithë zemër dhe me shpirt vullnetmirë.» (1 Kronikave 28:9) Qartë, Jehovai dëshiron që shërbëtorët e tij t’i shërbejnë me një zemër plot mirënjohje dhe çmueshmëri.

SI Dëshmitarë të Jehovait ne e pranojmë menjëherë se, kur na u shpjeguan fillimisht premtimet e Biblës, zemra jonë gufoi me mirënjohje. Çdo ditë mësonim diçka të re për qëllimet e Perëndisë. Sa më shumë që mësonim për Jehovain, aq më e madhe bëhej dëshira jonë për t’i shërbyer «me gjithë zemër dhe me shpirt vullnetmirë».

Shumë veta që bëhen Dëshmitarë të Jehovait vazhdojnë t’i shërbejnë Jehovait me gëzim të madh gjatë gjithë jetës së tyre. Megjithatë disa të krishterë e nisin mirë, por me kalimin e kohës i humbin nga sytë arsyet detyruese që na motivojnë t’i shërbejmë Perëndisë. A të ka ndodhur kjo gjë? Nëse po, mos u dëshpëro. Gëzimi i humbur mund të rifitohet. Si?

Llogarit bekimet

Së pari, medito për bekimet që merr çdo ditë nga Perëndia. Mendo për dhuratat e mira të Jehovait: veprat e tij të larmishme të krijimit​—që janë në dispozicion të të gjithëve pa marrë parasysh gjendjen shoqërore ose ekonomike​—ato që gjejmë falë tij në natyrë për të ngrënë e për të pirë; shëndetin që gëzojmë; njohurinë për të vërtetën e Biblës dhe, kryesisht, dhuratën e Birit të tij. Vdekja e tij përgatiti rrugën që t’i shërbejmë Perëndisë me ndërgjegje të pastër. (Gjoni 3:16; Jakovit 1:17) Sa më shumë të meditosh për mirësinë e Perëndisë, aq më shumë do të të rritet çmueshmëria për të. Atëherë, zemra do të të shtyjë t’i shërbesh nga mirënjohja për gjithçka që ka bërë. Pa dyshim, do të fillosh të ndihesh përsëri siç ndihej psalmisti, i cili shkroi: «Ti vetë ke bërë shumë gjëra, O Jehova, Perëndia im, edhe veprat e tua të mrekullueshme dhe mendimet ndaj nesh; nuk ka asnjë që të krahasohet me ty. . . . Janë bërë më të shumta nga ato që mund të tregoj.»​—Psalmi 40:5, BR.

Këto fjalë i shkroi Davidi, një njeri, jeta e të cilit s’ishte aspak pa probleme. Kur ishte i ri, Davidi e kaloi pjesën më të madhe të kohës në arrati, pasi mbreti i lig Saul dhe rojat e tij e kërkonin që ta vritnin. (1 Samuelit 23:7, 8, 19-23) Davidi kishte edhe dobësi personale me të cilat luftonte. Këto gjëra i pranoi në Psalmin e 40-të: «Të këqija të panumërta më rrethojnë; paudhësitë e mia më kanë zënë dhe nuk mund të shikoj; janë më të shumta se flokët e kokës sime.» (Psalmi 40:12) Në fakt, Davidi kishte shqetësime, por nuk u mbyt tërësisht prej tyre. U përqendrua në mënyrat si po e bekonte Jehovai, pavarësisht nga problemet e tij, dhe pa se ato bekime i tejkalonin shumë mjerimet e tij.

Kur ndihesh i gllabëruar nga problemet personale ose nga ndjenjat e papërshtatshmërisë, është mirë të ndalesh e të llogaritësh bekimet që ke, siç bëri Davidi. Pa dyshim, çmueshmëria për këto bekime të shtyu t’i dedikoheshe Jehovait. Mendime të tilla mund të të ndihmojnë edhe të rifitosh gëzimin e humbur dhe t’i shërbesh Jehovait me një zemër plot mirënjohje.

Mbledhjet e kongregacionit mund të ndihmojnë

Përveçse të meditojmë personalisht për mirësinë e Jehovait, duhet edhe të shoqërohemi me të bashkëkrishterët. Është inkurajuese të mblidhemi rregullisht me burra, gra dhe të rinj që e duan Perëndinë e që janë të vendosur t’i shërbejnë atij. Shembulli i tyre mund të na nxitë në një aktivitet me gjithë shpirt në shërbim të Jehovait. Prania jonë në Sallën e Mbretërisë mund t’i inkurajojë edhe ata.

Kuptohet, kur vijmë në shtëpi pas një dite pune të rëndë ose kur jemi të shkurajuar për ndonjë problem a dobësi, mund të mos jetë e lehtë të mendojmë për të ndjekur një mbledhje në Sallën e Mbretërisë. Në periudha të tilla, mund të na duhet të jemi të rreptë me veten, ‘duke e rrahur me grushta trupin’, si të thuash, që t’i bindemi urdhrit për t’u mbledhur me të bashkëkrishterët.​—1 Korintasve 9:26, 27; Hebrenjve 10:23-25.

Nëse bëhet e nevojshme kjo gjë, a duhet të nxjerrim përfundimin se nuk e duam me të vërtetë Jehovain? Aspak. Të krishterëve të pjekur të së kaluarës, dashuria e të cilëve për Perëndinë ishte e padiskutueshme, iu desh të përpiqeshin fuqimisht për të bërë vullnetin e Perëndisë. (Luka 13:24) Apostulli Pavël ishte një i krishterë i tillë. Ai i përshkroi hapur ndjenjat e tij në këtë mënyrë: «E di që tek unë, domethënë, në mishin tim, nuk banon asgjë e mirë; sepse aftësia për të dashur është e pranishme tek unë, kurse aftësia për të kryer atë që është e shkëlqyer nuk është e pranishme. Sepse të mirën që dua nuk e bëj, por të keqen që nuk dua, atë praktikoj.» (Romakëve 7:18, 19) Gjithashtu, ai u tha korintasve: «Nëse, tani, unë po shpall lajmin e mirë, kjo nuk është arsye që të mburrem, sepse është një nevojë që më është ngarkuar. . . . Nëse e kryej këtë vullnetarisht, kam një shpërblim; por nëse e bëj kundër vullnetit tim, prapëseprapë më është besuar një kujdestari.»​—1 Korintasve 9:16, 17.

Ashtu si shumë prej nesh, Pavli kishte prirje mëkatare që i zinin rrugën dëshirës së tij për të bërë atë që ishte e drejtë. Megjithatë, luftoi me të gjitha forcat kundër këtyre prirjeve dhe shumicën e rasteve, doli me sukses. Sigurisht, Pavli nuk e kreu këtë me forcat e tij. Ai shkroi: «Për çdo gjë kam forcë në saje të atij që më jep fuqi.» (Filipianëve 4:13) Jehovai, ai që i jepte fuqi Pavlit, do të të japë fuqi edhe ty për të bërë atë që është e drejtë, nëse i kërkon ndihmë. (Filipianëve 4:6, 7) Prandaj, ‘lufto me të gjitha forcat për besimin’ dhe Jehovai do të të bekojë.​—Juda 3.

Nuk të duhet ta bësh vetëm këtë luftë. Në kongregacionet e Dëshmitarëve të Jehovait, pleq të pjekur të krishterë, të cilët po këmbëngulin në ‘luftën për besimin’, janë gati të të ndihmojnë. Nëse i afrohesh një plaku për ndihmë, ai do të përpiqet ‘të të flasë në mënyrë ngushëlluese’. (1 Selanikasve 5:14) Synimi i tij do të jetë të veprojë «si një mbrojtje nga era dhe një strehë kundër uraganit».​—Isaia 32:2.

«Perëndia është dashuri» dhe dëshiron që shërbëtorët e tij t’i shërbejnë nga dashuria. (1 Gjonit 4:8) Nëse dashuria jote për Perëndinë ka nevojë për rigjallërim, bëj hapat e nevojshëm për këtë, siç u tregua më sipër. Do të jesh i kënaqur që i ke bërë këto hapa.