Të motivuar për të shërbyer
Të motivuar për të shërbyer
ÇFARË do t’i shtynte 24 çifte të martuara, të cilat janë në lulen e jetës, të linin familjet, miqtë dhe ambientet e njohura, për të ndërmarrë veprën misionare në vende të huaja? Përse do të ishin të kënaqur të shkonin në vende të tilla, si Papua Guineja e Re dhe Tajvani, si edhe në vende të Afrikës e të Amerikës Latine? A mund të ishte dëshira për aventurë? Jo, përkundrazi, ata janë të motivuar nga dashuria e sinqertë për Perëndinë dhe për të afërmin.—Mateu 22:37-39.
Cilët janë këta njerëz? Janë të diplomuarit e klasës së 109-të të Shkollës Biblike Watchtower të Galaadit. Të shtunën, më 9 shtator 2000, gjithsej 5.198 veta u mblodhën në Qendrën e Arsimimit Watchtower, që ndodhet në Paterson, Nju-Jork, dhe në vende të tjera të lidhura me të, për të dëgjuar këshillat e dashura që mund t’i ndihmonin të diplomuarit të ishin misionarë të suksesshëm.
Drejtues i programit ishte Stiven Let, anëtar i Komitetit të Mësimit të Trupit Udhëheqës të Dëshmitarëve të Jehovait. Ai i bazoi komentet hyrëse te Mateu 5:13, ku thuhet: «Ju jeni kripa e tokës.» Vëllai Let shpjegoi se fjalët e Jezuit, patjetër, zbatohen për studentët që po diplomoheshin. Për shembull, kripa ka vetinë për t’i bërë gjërat të shijshme. Po kështu, me veprën e tyre të efektshme të predikimit, misionarët janë si kripa, në mënyrë figurative.
Inkurajim para nisjes
Më pas, vëllai Let prezantoi disa shërbëtorë të Jehovait prej shumë kohësh, të cilët mbajtën fjalime biblike të shkurtra, por të fuqishme. I pari ishte Xhon Uisçuk, i cili shërben në Repartin e Shkrimit. Tema e tij «Psalmi më i shkurtër nxit frymën misionare» u bazua në Psalmin 117. Sot ka nevojë në mbarë botën për t’u dhënë dëshmi ‘kombeve’ dhe ‘klaneve’ në lidhje me Jehovain dhe me Mbretërinë e tij. Studentët u inkurajuan të përmbushin atë që thotë Psalmi 117 (BR), duke i nxitur të tjerët që të ‘lëvdojnë Jah’.
Pastaj, drejtuesi prezantoi Gaj Piërsin nga Trupi Udhëheqës. Ai foli rreth temës «Jini elastikë, por të patundur». Fjala e Perëndisë është e fuqishme. Te Ligji i përtërirë 32:4, Perëndia Jehova quhet Shkëmbi, e megjithatë Fjala e tij lë vend për elasticitet, pikërisht sepse u shkrua për të gjitha grupet gjuhësore dhe kulturat, tamam, për gjithë njerëzimin. Studentët u këshilluan që të predikojnë Fjalën e Perëndisë, duke lënë që mesazhi i saj të prekë zemrën dhe ndërgjegjen e njerëzve. (2 Korintasve 4:2) «Jini të patundur në lidhje me parimet e drejta, por edhe elastikë. Mos i përçmoni personat në caktimin tuaj për shkak se kultura e tyre është e ndryshme nga e juaja»,—bëri thirrje vëllai Piërs.
Karl Adams, një nga instruktorët e Galaadit, i cili ka shërbyer në selinë botërore për afro 53 vjet, foli për temën që të vinte në mendime: «Ku do të shkoni pasi të ikni që këtu?» Në fakt, të 24 çiftet morën caktime Gjoni 8:29; 10:16.
misionare në 20 vende të ndryshme përreth botës, por lindi pyetja: pasi të keni mbërritur atje dhe ta keni parë vendin, çfarë do të bëni? Jetojmë në një botë që ka një frymë të paduruar. Njerëzit duan të shkojnë në vende të reja dhe të bëjnë gjëra të reja, duke u përpjekur të arrijnë kënaqësinë. Nga ana tjetër, studentët morën një caktim nga Jehovai në vendin ku dëshiron ai, për t’u kujdesur me altruizëm për «delet» e tij. Ata nuk duhej të ishin si personat në Izraelin e lashtë, të cilët, për shkak të egoizmit, humbën mundësinë që Jehovai t’i përdorte për të bekuar gjithë njerëzimin. Përkundrazi, duhej të imitonin Jezu Krishtin, i cili bëri gjithnjë vullnetin e Atit të tij në mënyrë altruiste dhe ishte i bindur në çdo rrethanë që hasi.—«Çmojini pa masë gjërat e thella të Perëndisë», ishte tema për të cilën foli Uollas Livërëns, sekretari administrativ i Shkollës së Galaadit. Herë pas here, Shkrimet flasin për Fjalën e Perëndisë si për pasuri, xhevahire të çmuara, metale të çmuara dhe gjëra që vlerësohen e kërkohen shumë. Fjalët e urta 2:1-5 tregon se për të gjetur «vetë njohurinë e Perëndisë», duhet të kërkojmë për të si për «thesare të fshehura». Oratori i inkurajoi studentët që të vazhdojnë të gërmojnë në gjërat e thella të Perëndisë, ndërsa shërbejnë në caktimet e reja. Vëllai Livërëns arsyetoi: «Kjo është praktike, pasi ndërton besimin dhe sigurinë te Jehovai dhe do t’jua forcojë vendosmërinë për të qëndruar në caktimin tuaj. Do t’ju ndihmojë të flitni me bindje dhe të jeni mësues më të efektshëm kur u shpjegoni të tjerëve qëllimet e Perëndisë.»
Duke përdorur ambientin e një klase, një instruktor tjetër i Shkollës së Galaadit rishikoi se si e bekoi Jehovai aktivitetin e shërbimit të studentëve në pesë muajt e kaluar. Lorenc Boueni e drejtoi vëmendjen te fjalët e apostullit Pavël te Veprat 20:20 në lidhje me shërbimin e tij publik në Efes, duke theksuar se Pavli përfitoi nga çdo mundësi për të dhënë dëshmi. Përvojat e studentëve ilustruan se, ashtu si apostulli Pavël, personat që ndihen të shtyrë nga dashuria për Perëndinë dhe për të afërmin, në kohën tonë, nuk frenohen kurrë për të thënë të vërtetën dhe për ta lënë fuqinë e Fjalës së Perëndisë të veprojë te të tjerët. Kjo sjell si rezultat bekimin e pasur të Jehovait.
Flasin ata me përvojë
Gjatë periudhës së shkollës, studentët në klasën e Galaadit nxorën dobi në mënyrë të veçantë duke pasur mundësi të shoqërohen me anëtarë të Komiteteve të Degëve nga 23 vende, të cilët ishin, gjithashtu, në Qendrën e Arsimimit në Paterson për stërvitje të veçantë. Leon Uivër dhe Merton Kempbell, nga Reparti i Shërbimit, drejtuan intervista me anëtarë të Komiteteve të Degëve, disa prej të cilëve ishin të diplomuar të Galaadit. Ishte një gjë inkurajuese për studentët, si edhe për familjet e miqtë e tyre, të dëgjonin komente nga këta misionarë me përvojë.
Për klasën që po diplomohej, këshillat, të cilat do t’i ndihmonin që të përshtateshin në caktimet e tyre në vende të huaja, përfshinin komente të tilla, si: «Jini pozitivë. Nëse provoni diçka që është shumë e panjohur për ju ose që nuk e kuptoni, mos u dorëzoni. Mbështetuni te Jehovai»; «mësoni të jeni të lumtur me atë që keni në dispozicion dhe kini besim se Jehovai do t’ju japë gjërat e nevojshme për të jetuar.» Komente të tjera u përqendruan në atë se si mund të ndihmoheshin studentët që të mbanin gëzimin në caktimin e tyre. Disa shprehje ishin: «Mos e krahasoni caktimin që keni me vendin nga i cili vini»; «mësoni gjuhën vendëse dhe fliteni siç duhet, në mënyrë që të komunikoni me njerëzit»; «mësoni zakonet dhe kulturën e popullit, sepse kjo do t’ju ndihmojë të qëndroni në caktimin tuaj.» Këto komente ishin shumë inkurajuese për misionarët e rinj.
Pas intervistave, Dejvid Splejn, ish-misionar dhe i diplomuar në klasën e 42-të të Galaadit, i cili tani shërben si anëtar i Trupit Udhëheqës të Dëshmitarëve të Jehovait, trajtoi fjalimin kryesor, i cili kishte një temë që të tërhiqte vëmendjen: «Studentë apo të diplomuar: Cilën?» Ai e pyeti klasën që po diplomohej: «Si do ta konsideroni veten kur të shkoni në caktimin tuaj misionar? Si të diplomuar që dinë gjithçka për veprën misionare apo si studentë që kanë ende shumë për të mësuar?» Vëllai Splejn shpjegoi se një i diplomuar i mençur e konsideron veten si student. Misionarët duhet të kenë pikëpamjen që të gjithë personat që takojnë në caktimin misionar kanë mundësi t’u mësojnë atyre diçka. (Filipianëve 2:3) Studentët u inkurajuan të bashkëpunonin ngushtësisht me misionarët e tjerë, me zyrën e degës dhe me kongregacionin lokal. «I keni kaluar provimet e fundit, por jeni ende studentë. Bëjuani të qartë të gjithëve se jeni atje për të mësuar»,—nxiti vëllai Splejn.
Pas këtij fjalimi, studentët morën diplomat dhe caktimet e tyre iu njoftuan auditorit. Një çast prekës për studentët që po diplomoheshin ishte kur një përfaqësues i klasës lexoi, pas kësaj, një rezolutë. Kjo rezolutë bënte fjalë për vendosmërinë e të diplomuarve që të linin atë që kishin mësuar nga Fjala e Perëndisë t’i nxiste për vepra më të mëdha në shërbimin e shenjtë.
Të gjithë të pranishmit ishin dakord se këshillat që morën e forcuan vendosmërinë e të diplomuarve për të treguar dashuri ndaj Perëndisë dhe ndaj të afërmit. Gjithashtu, i bëri më të vendosur se kurrë për t’i ndihmuar frymësisht njerëzit në caktimin e tyre misionar.
[Kutia në faqen 25]
STATISTIKAT E KLASËS
Numri i vendeve të përfaqësuara: 10
Numri i shteteve ku u caktuan: 20
Numri i studentëve: 48
Mosha mesatare: 33,7
Mesatarja e viteve në të vërtetën: 16,2
Mesatarja e viteve në shërbim të plotkohor: 12,5
[Figura në faqen 26]
Diplomimi i klasës së 109-të të Shkollës Biblike Watchtower të Galaadit
Në listën e mëposhtme, rreshtat janë numëruar nga para pas dhe emrat janë renditur nga e majta në të djathtë për çdo rresht.
(1) Collins, E.; Miles, L.; Alvarado, A.; Lake, J. (2) Van Dusen, L.; Biharie, A.; Heikkinen, H.; Koós, S.; Smith, H. (3) Ashford, J.; Ashford, C.; Boor, C.; Richard, L.; Wilburn, D.; Lake, J. (4) Chichii, K.; Chichii, H.; Ramirez, M.; Baumann, D.; Becker, G.; Biharie, S.; Ramirez, A. (5) Van Dusen, W.; Lemâtre, H.; Pisko, J.; Cutts, L.; Russell, H.; Johnson, R. (6) Becker, F.; Baumann, D.; Johnson, K.; Pifer, Á.; Madsen, C.; Lemâtre, J.; Heikkinen, P. (7) Smith, R.; Russell, J.; Collins, A.; Pisko, D.; Wilburn, R.; Koós, G. (8) Cutts, B.; Boor, J.; Madsen, N.; Pifer, S.; Richard, E.; Miles, B.; Alvarado, R.