Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Zakonet e Krishtlindjeve: A janë të krishtere?

Zakonet e Krishtlindjeve: A janë të krishtere?

Zakonet e Krishtlindjeve: A janë të krishtere?

PERIUDHA e Krishtlindjeve është afruar. Çfarë nënkupton kjo për ju, për familjen dhe për miqtë tuaj? Është një rast frymor apo vetëm një periudhë festive dhe hareje? Është një kohë për të medituar rreth lindjes së Jezu Krishtit apo për të mos e vrarë shumë mendjen për normat e krishtere?

Duke shqyrtuar këto pyetje, mbani në mend se traditat e Krishtlindjeve mund të ndryshojnë në varësi të vendit ku jetoni. Për shembull, në Meksikë dhe në vende të tjera të Amerikës Latine, edhe emri i kësaj feste ndryshon. Një enciklopedi thekson se fjala angleze për Krishtlindje, pra Christmas, «vjen nga anglishtja mesjetare Christes Masse, domethënë, Mesha e Krishtit». Por, La Navidad, siç quhen Krishtlindjet në këto vende të Amerikës Latine, i referohet lindjes së Krishtit. Ndaluni një çast për të shqyrtuar disa hollësi nga zakonet në Meksikë. Kjo mund t’ju ndihmojë të krijoni opinionin tuaj për këtë periudhë festive.

Posadat, «tre burrat e mençur» dhe nacimiento

Festimet fillojnë më 16 dhjetor me posadat. Në librin Mexico’s Feasts of Life komentohet: «Është koha e posadave, nëntë ditë të magjishme që çojnë në Vigjiljen e Krishtlindjeve, të cilat përkujtojnë endjen e vetmuar të Jozefit dhe të Marisë në qytetin e Bethlehemit dhe momentin kur më në fund gjejnë mirëdashje dhe strehë. Familjet dhe miqtë mblidhen bashkë çdo natë për të përsëritur veprimet e ditëve që i paraprijnë lindjes së Krishtit.»

Sipas traditës, një grup njerëzish mbartin shëmbëlltyra të Marisë dhe Jozefit, duke i çuar në një shtëpi, dhe me këngë të kërkojnë strehë ose posadë. Ata që janë brenda ua kthejnë përgjigjen me këngë dhe, më në fund, vizitorët lejohen të hyjnë në shtëpi. Pastaj fillon një festë, ku disa veta, me sytë të lidhur dhe me një shkop në dorë, e bëjnë me radhë duke u përpjekur të thyejnë piñatën, një enë të madhe balte të zbukuruar, e cila është varur me një litar. Pasi thyhet ena, festuesit mbledhin gjërat që ajo ka brenda (ëmbëlsira, fruta e të tjera si këto). Kjo ndiqet nga ushqimet, pijet, muzika dhe vallëzimet. Tetë festa të posadave mbahen nga data 16 deri në 23 dhjetor. Në datën 24, kremtohet Nochebuena (vigjilja e Krishtlindjeve) dhe familjet bëjnë përpjekje që të jenë së bashku për një darkë speciale.

Pa kaluar shumë kohë vjen Viti i Ri, i kremtuar me festa mjaft të zhurmshme. Mbrëmjen e 5 janarit, Tres Reyes Magos («tre burrat e mençur») duhet t’u sjellin lodra fëmijëve. Kulmi i festimeve është një festë në datën 6 janar, kur shërbehen rosca de Reyes (ëmbëlsira me formë të rrumbullakët). Duke ngrënë këto ëmbëlsira, njëri nga të pranishmit gjen në pjesën e tij një kukull të vogël që paraqet Jezuin foshnjë. Ai që gjen kukullën është i detyruar të organizojë dhe të mbajë një festë të fundit më 2 shkurt. (Në disa vende, vihen tri kukulla të vogla, që paraqesin «tre burrat e mençur».) Siç e shikoni, festimet në lidhje me Krishtlindjet vazhdojnë pambarimisht.

Gjatë kësaj periudhe, është shumë e spikatshme nacimientoja (skena e lindjes së Krishtit). Çfarë përfshin kjo? Në zona publike, si edhe nëpër kisha e shtëpi, ngrihen skena me statuja (të mëdha ose të vogla) të bëra prej qeramike, druri ose argjile. Ato paraqesin Jozefin dhe Marinë në gjunjë para një korite, ku qëndron një foshnjë e sapolindur. Shpesh, në skenë gjenden barinjtë dhe Los Reyes Magos («burrat e mençur»). Mjedisi është një ahur dhe skena mund të plotësohet me disa kafshë. Megjithatë, figura kryesore është ajo e një foshnjeje të sapolindur, e cila në spanjisht quhet el Niño Dios (Fëmija Perëndi). Kjo figurë qendrore mund të vendoset në skenë në vigjiljen e Krishtlindjeve.

Një vështrim më nga afër i traditave të Krishtlindjeve

Për sa i përket festimit të Krishtlindjeve, siç njihet në përgjithësi kjo festë në të gjithë botën, The Encyclopedia Americana thotë: «Shumica e zakoneve që tani i përkasin Krishtlindjeve nuk kanë qenë në fillim zakone të Krishtlindjeve, por, përkundrazi, ishin zakone të parakrishterimit dhe jo të krishtere, që kisha e krishterë i adoptoi. Saturnalet, një festë romake e kremtuar në mes të dhjetorit, siguruan modelin për shumë nga zakonet festive të Krishtlindjeve. Për shembull, nga kjo festë kanë rrjedhur festimet e ndërlikuara, dhënia e dhuratave dhe djegia e qirinjve.»

Në Amerikën Latine, mund të ndiqen këto zakone bazë të Krishtlindjeve, së bashku me të tjera shtesë. ‘Por,​—mund të pyetni ju,​—nga cili burim?’ Ta themi hapur, shumë nga ata që duan t’i përmbahen Biblës e kuptojnë se disa zakone s’janë gjë tjetër veçse rite acteke. El Universal, një gazetë në Meksiko, komentonte: «Fretër të disa urdhrave fetarë përfituan nga fakti që festat e kalendarit ritual indian përkonin me kalendarin liturgjik katolik dhe e përdorën këtë për të mbështetur veprën e tyre ungjillëzuese dhe misionare. Ata i zëvendësuan kremtimet ndaj hyjnive paraspanjolle me festime kushtuar hyjnive të krishtere, futën festimet dhe aktivitetet evropiane, duke i përfshirë edhe festimet indiane në to. Kjo solli si pasojë një kombinim kulturor nga i cili kanë dalë shprehje tipike meksikane.»

The Encyclopedia Americana shpjegon: «Shfaqjet teatrale të lindjes së Krishtit u bënë shpejt pjesë e kremtimit të Krishtlindjeve . . . Thuhet se këtë paraqitje teatrale të skenës së koritës në kishë e ka filluar Shën Françesku.» Këto shfaqje teatrale që paraqitnin lindjen e Krishtit kryheshin në kisha gjatë fillimit të kolonizimit të Meksikës. Ato organizoheshin nga murgjit françeskanë, me qëllim që t’u mësonin indianëve për Krishtlindjet. Më vonë, posadat u bënë më të përhapura. Cilido qoftë synimi fillestar prapa tyre, mënyra se si mbahen sot posadat na flet vetë. Po të jeni në Meksikë gjatë kësaj periudhe, mund të shihni ose të kuptoni diçka që theksoi një shkrimtar për El Universal në komentin e tij: «Posadat, të cilat ishin një mënyrë për të na kujtuar pelegrinazhin e prindërve të Jezuit për të gjetur një strehë ku të lindte Fëmija Perëndi, sot janë vetëm ditë me dehje, teprime, grykësi, kotësi dhe gjithnjë e më shumë krime.»

Ideja e nacimientos lindi gjatë kohëve të kolonizimit, nga paraqitjet origjinale teatrale nëpër kisha. Ndonëse për disa është tërheqëse, a paraqet ajo saktësisht atë që thotë Bibla? Kjo është një pyetje me vlerë. Kur i vizituan të mbiquajturit tre burra të mençur​—të cilët, në fakt, ishin astrologë​—Jezui dhe familja e tij nuk jetonin më në një ahur. Kishte kaluar kohë dhe familja jetonte në një shtëpi. Do t’ju duket interesante ta vëreni këtë hollësi në dokumentimin e frymëzuar te Mateu 2:1, 11. Mund të vëreni, gjithashtu, se Bibla nuk thotë sa astrologë ishin. *

Në Amerikën Latine, tre burrat e mençur zëvendësojnë idenë e Santa Klausit (Plakut të Vitit të Ri). Megjithatë, siç bëhet në vende të tjera, shumë prindër fshehin lodra nëpër shtëpi. Pastaj, mëngjesin e 6 janarit, fëmijët i kërkojnë lodrat, sikur t’i kishin sjellë tre burrat e mençur. Kjo është një periudhë kur shitësit e lodrave bëjnë para dhe disa kanë ngritur pasuri në kurriz të asaj që shumë njerëz të sinqertë e kuptojnë se është thjesht një fantazi. Miti i tre burrave të mençur po e humbet besueshmërinë te një numër i konsiderueshëm personash, madje edhe ndër fëmijët e vegjël. Ndonëse disave u vjen keq që ky mit po i humbet besimtarët, çfarë mund të presë një person nga një fantazi e mbajtur vetëm për hir të traditës dhe sepse u intereson tregtarëve?

Të krishterët e hershëm nuk i festonin Krishtlindjet. Një enciklopedi thotë për këtë: «Në shekujt e parë të kishës së krishterë ky kremtim nuk bëhej, pasi zakoni i krishterë, në përgjithësi, ishte që të kremtohej vdekja e personave të shquar, jo lindja e tyre.» Bibla e lidh kremtimin e ditëlindjeve me paganët, jo me adhuruesit e vërtetë të Perëndisë.​—Mateu 14:6-10.

Sigurisht, kjo nuk do të thotë se nuk është e dobishme të mësojmë dhe të mbajmë mend ngjarjet e vërteta që përfshinin lindjen e Birit të Perëndisë. Tregimi i bazuar në fakte i Biblës siguron mendjehollësi dhe mësime të rëndësishme për të gjithë ata që duan të bëjnë vullnetin e Perëndisë.

Lindja e Jezuit, sipas Biblës

Në Ungjijtë e Mateut dhe të Lukës do të gjeni informacione të besueshme për lindjen e Jezuit. Ata tregojnë se engjëlli Gabriel vizitoi një të re të pamartuar me emrin Maria, e cila jetonte në qytetin galileas të Nazaretit. Çfarë mesazhi i dha? «Ja, ti do të ngjizesh në barkun tënd e do të lindësh një bir dhe ke për t’ia vënë emrin Jezu. Ky do të jetë i madh dhe do të quhet Bir i Më të Lartit; dhe Perëndia Jehova do t’i japë fronin e Davidit, atit të tij, dhe ai do të sundojë si mbret përgjithmonë mbi shtëpinë e Jakobit dhe mbretëria e tij s’do të ketë fund.»​—Luka 1:31-33.

Maria u habit shumë nga ky mesazh. Duke mos qenë e martuar, ajo tha: «Si ka për të ndodhur kjo, kur unë s’kam marrëdhënie me një burrë?» Engjëlli iu përgjigj: «Fryma e shenjtë do të vijë mbi ty dhe fuqia e Më të Lartit do të të mbulojë me hijen e vet. Për këtë arsye, gjithashtu, ai që do të lindë, do të quhet i shenjtë, Bir i Perëndisë.» Duke e kuptuar se ky ishte vullneti i Perëndisë, Maria tha: «Ja skllavja e Jehovait! Le të më ndodhë sipas deklaratës sate.»​—Luka 1:34-38.

Një engjëll i tregoi Jozefit për lindjen e mrekullueshme, në mënyrë që ai të mos e divorconte Marinë, sepse këtë po mendonte të bënte pasi mori vesh se ajo ishte shtatzënë. Më pas, ai ishte i gatshëm të merrte përgjegjësinë për t’u kujdesur për Birin e Perëndisë.​—Mateu 1:18-25.

Pastaj, një dekret nga Cezari August i detyroi Jozefin dhe Marinë të udhëtonin nga Nazareti i Galilesë në Bethlehem të Judesë, qyteti i paraardhësve të tyre, për t’u regjistruar. «Ndërsa gjendeshin atje, ajo mbushi ditët për të lindur. Dhe lindi birin e saj, të parëlindurin, e mbështolli me pelena dhe e vuri në një koritë, sepse në bujtinë nuk kishte vend për ta.»​—Luka 2:1-7.

Luka 2:8-14 përshkruan atë që ndodhi më pas: «Në të njëjtin vend gjendeshin edhe disa barinj që rrinin jashtë dhe natën ruanin me ndërresa kopetë e tyre. Befas, engjëlli i Jehovait qëndroi pranë tyre dhe lavdia e Jehovait shndriti përreth tyre e ata u frikësuan shumë. Por engjëlli u tha: ‘Mos kini frikë, se ja, unë po ju shpall lajmin e mirë për një gëzim të madh që do të ketë tërë populli, sepse sot, në qytetin e Davidit, ju lindi një Shpëtimtar, që është Krisht, Zotëria. Dhe kjo është një shenjë për ju; do të gjeni një foshnjë të mbështjellë me pelena dhe të shtrirë në një koritë.’ Dhe befas, bashkë me engjëllin u gjend një shumicë e ushtrisë qiellore, që lëvdonte Perëndinë dhe thoshte: ‘Lavdi Perëndisë atje lart në lartësitë dhe paqe mbi tokë ndër njerëzit që kanë miratimin e tij.’»

Astrologët

Tregimi i Mateut përmend se disa astrologë nga Lindja erdhën në Jerusalem, duke kërkuar vendin ku kishte lindur Mbreti i judenjve. Mbreti Herod ishte shumë i interesuar për këtë, por jo me qëllime të mira. «Duke i dërguar në Bethlehem, u tha: ‘Shkoni, kërkojeni me kujdes fëmijën e vogël e pasi ta keni gjetur kthehuni e më njoftoni, që të shkoj edhe unë e t’i bëj nderime.’» Astrologët e gjetën fëmijën e vogël dhe «hapën, gjithashtu, thesaret e tyre dhe i paraqitën dhurata: ar, temjan të bardhë dhe mirrë». Por nuk u kthyen përsëri te Herodi. «Në ëndërr u ishte dhënë një paralajmërim hyjnor që të mos ktheheshin te Herodi.» Perëndia përdori një engjëll për ta paralajmëruar Jozefin për qëllimet e Herodit. Pastaj, Jozefi dhe Maria ikën në Egjipt, së bashku me birin e tyre. Më pas, në përpjekje për të eliminuar Mbretin e ri, mbreti mizor Herodi urdhëroi të vriteshin djemtë në zonën e Bethlehemit. Cilët djem? Ata nga dy vjeç e poshtë.​—Mateu 2:1-16.

Çfarë mund të mësojmë nga tregimi?

Astrologët që vizituan, sado të ketë qenë numri i tyre, nuk adhuronin Perëndinë e vërtetë. Versioni biblik La Nueva Biblia Latinoamerica (Botimi i vitit 1989) thotë në një shënim: «Astrologët nuk ishin mbretër, por fallxhorë dhe priftërinj të një feje pagane.» Ata vepruan në përputhje me njohurinë e tyre për yjet, të cilëve u ishin përkushtuar. Po të kishte dashur Perëndia t’i drejtonte te fëmija i vogël, do të ishin drejtuar në vendin e saktë, pa iu dashur të shkonin më parë në Jerusalem dhe në pallatin e Herodit. Perëndia ndërhyri më vonë, për të ndryshuar drejtimin e tyre, që të mbronte fëmijën.

Në periudhën e Krishtlindjeve, ky tregim zakonisht rrethohet nga një ambient mitik dhe romantik, që errëson gjënë më të rëndësishme: që kjo foshnjë lindi për t’u bërë një Mbret madhështor, siç iu njoftua Marisë dhe barinjve. Jo, Jezu Krishti nuk është më një foshnjë dhe as një fëmijë. Ai është Mbreti sundues i Mbretërisë së Perëndisë, e cila shumë shpejt do të eliminojë të gjitha sundimet që janë në kundërshtim me vullnetin e Perëndisë. Gjithashtu, ai do të zgjidhë të gjitha problemet e njerëzimit. Kjo është Mbretëria për të cilën lutemi në Lutjen e Zotërisë.​—Danieli 2:44; Mateu 6:9, 10.

Nga deklarata që u bëri engjëlli barinjve, mësojmë se të gjithë ata që janë të gatshëm të dëgjojnë mesazhin e lajmit të mirë kanë mundësi të shpëtojnë. Ata që fitojnë favorin e Perëndisë bëhen ‘njerëz që kanë miratimin e tij’. Ekzistojnë perspektiva të mrekullueshme për paqe në tërë botën, nën Mbretërinë e Jezu Krishtit, por njerëzit duhet të jenë të gatshëm për të bërë vullnetin e Perëndisë. A tregon periudha e Krishtlindjeve gjithë këtë dhe a e pasqyron këtë dëshirë? Shumë njerëz të sinqertë që duan të ndjekin Biblën, e kuptojnë se përgjigjja është e qartë.​—Luka 2:10, 11, 14.

[Shënimi]

^ par. 13 Nuk duhet shpërfillur një hollësi tjetër. Në nacimienton meksikane, foshnjës i bëhet referim si «Fëmija Perëndi» me idenë se ishte vetë Perëndia që erdhi në tokë si një foshnjë. Megjithatë, Bibla e paraqet Jezuin si Biri i Perëndisë, i cili lindi në tokë dhe nuk ishte i njëjtë ose i barabartë me Jehovain, Perëndinë e plotfuqishëm. Shqyrtoni të vërtetën për këtë, të paraqitur te Luka 1:35; Gjoni 3:16; 5:37; 14:1, 6, 9, 28; 17:1, 3; 20:17.

[Kutia në faqen 4]

DISA DO TË HABITESHIN

Në librin e tij, The Trouble With Christmas, autori Tom Flin paraqet përfundimet që kishte arritur pasi kishte kaluar vite duke bërë kërkime për Krishtlindjet:

«Një numër i jashtëzakonshëm traditash që tani i lidhim me Krishtlindjet, i kanë rrënjët në traditat fetare pagane të parakrishterimit. Disa prej tyre kanë domethënie shoqërore, seksuale ose kozmologjike që mund t’i bënin ata njerëz të kohëve tona, të cilët janë të edukuar e të ndjeshëm nga ana kulturore, t’i hidhnin poshtë traditat pasi të kenë kuptuar më qartë rrënjët e tyre.»​—Faqja 19.

Pasi paraqet një sasi të konsiderueshme informacionesh mbështetëse, Flini i rikthehet pikës kryesore: «Një nga paradokset e mëdha të Krishtlindjeve është se sa pak nga përmbajtja e saj është vërtet e krishterë. Nëse heqim elementet e parakrishterimit, shumica e asaj që mbetet nuk është e krishterë autentike në origjinë, por e periudhës pas krishterimit.»​—Faqja 155.

[Figura në faqen 7]

Njoftimi për lindjen e Jezuit siguroi bazën për rolin e tij të ardhshëm si Mbreti i zgjedhur i Perëndisë