Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dashuria le të na ndërtojë

Dashuria le të na ndërtojë

Dashuria le të na ndërtojë

«Duhet ta duash Jehovain, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd dhe me gjithë mendjen tënde.»—MATEU 22:37.

1. (a) Cilat janë disa gjëra që kultivon një i krishterë? (b) Cila është cilësia më e rëndësishme e krishterë dhe përse?

PËR të qenë shërbëtor i efektshëm, një i krishterë kultivon shumë gjëra. Libri i Proverbave thekson vlerën e njohurisë, të kuptueshmërisë dhe të mençurisë. (Fjalët e urta [Proverbat] 2:1-10) Apostulli Pavël trajtoi nevojën për të pasur besim të patundur dhe shpresë të fortë. (Romakëve 1:16, 17; Kolosianëve 1:5; Hebrenjve 10:39) Edhe qëndrueshmëria e vetëkontrolli janë jetësore. (Veprat 24:25; Hebrenjve 10:36) Megjithatë, ekziston një element që, po të mungojë, ua pakëson vlerën të gjitha cilësive të tjera e, madje, mund t’i bëjë ato të pavlefshme. Ky element është dashuria.—1 Korintasve 13:1-3, 13.

2. Si e tregoi Jezui rëndësinë e dashurisë dhe cilat pyetje ngre kjo?

2 Jezui e tregoi rëndësinë e dashurisë, kur tha: «Nga kjo do ta dinë të gjithë se jeni dishepujt e mi, nëse keni dashuri mes jush.» (Gjoni 13:35) Meqë dashuria është shenja identifikuese e një të krishteri të vërtetë, duhet të bëjmë pyetje të tilla, si: Çfarë është dashuria? Përse është kaq jetësore, saqë Jezui tha se ajo karakterizon, mbi çdo gjë tjetër, dishepujt e tij? Si mund ta kultivojmë dashurinë? Kush duhet të jetë objekt i dashurisë sonë? Le t’i shqyrtojmë këto pyetje.

Çfarë është dashuria?

3. Si mund të përshkruhet dashuria dhe përse përfshin edhe mendjen, edhe zemrën?

3 Sipas një përshkrimi dashuria është ‘një ndjenjë lidhjeje të ngrohtë personale ose përzemërsie të thellë, një dashamirësi e përzemërt ose pëlqim për një tjetër’. Ajo është një cilësi që i shtyn njerëzit të veprojnë për të mirën e të tjerëve, disa herë duke bërë sakrifica të mëdha personale. Dashuria, siç përshkruhet në Bibël, përfshin edhe mendjen, edhe zemrën. Mendja ose intelekti luan një rol, sepse një njeri që do, do me dijeni të plotë, duke e kuptuar se ai dhe personat që do kanë të gjithë dobësi, si edhe cilësi tërheqëse. Intelekti përfshihet edhe më tej. Në fakt, ka njerëz që një i krishterë i do, ndoshta, disa herë kundër prirjeve të tij të natyrshme, sepse e di nga leximi i Biblës se Perëndia dëshiron që ai të bëjë kështu. (Mateu 5:44; 1 Korintasve 16:14) Megjithatë, në thelb, dashuria vjen nga zemra. Dashuria e sinqertë, siç zbulohet në Bibël, nuk është kurrë vetëm intelektuale. Ajo përfshin sinqeritet të thellë dhe angazhim të plotë emocional.—1 Pjetrit 1:22.

4. Në ç’mënyrë dashuria është një lidhje e fuqishme?

4 Njerëzit që kanë në zemër ndjenja egoiste rrallëherë janë të aftë të kenë një marrëdhënie të bazuar vërtet te dashuria, sepse një person që do është i përgatitur të vërë interesat e tjetrit para të tijave. (Filipianëve 2:2-4) Fjalët e Jezuit, «ka më shumë lumturi të japësh se të marrësh», janë veçanërisht të vërteta kur dhënia është një akt dashurie. (Veprat 20:35) Dashuria është një lidhje e fuqishme. (Kolosianëve 3:14) Ajo shpesh përfshin edhe miqësinë, por lidhjet e dashurisë janë më të forta se ato të miqësisë. Marrëdhënia romantike ndërmjet një burri dhe gruas së tij disa herë përshkruhet si dashuri, por, gjithsesi, dashuria që Bibla na inkurajon të kultivojmë është më e qëndrueshme se tërheqja fizike. Kur dy të martuar e duan vërtet njëri-tjetrin, qëndrojnë së bashku edhe nëse marrëdhëniet fizike nuk janë më të mundura, për shkak të sëmundjeve të moshës së shkuar ose ngaqë njëri prej tyre bëhet i paaftë.

Dashuria—Cilësi thelbësore

5. Përse dashuria është një cilësi thelbësore për një të krishterë?

5 Përse dashuria është cilësi thelbësore për një të krishterë? Së pari, sepse Jezui i urdhëroi ithtarët e tij të donin njëri-tjetrin. Ai tha: «Jeni miqtë e mi, nëse bëni atë që po ju urdhëroj. Këto gjëra po ju urdhëroj që ta doni njëri-tjetrin.» (Gjoni 15:14, 17) Së dyti, sepse Jehovai është personifikimi i dashurisë dhe, si adhurues të tij, duhet ta imitojmë. (Efesianëve 5:1; 1 Gjonit 4:16) Bibla thotë se të marrim vazhdimisht njohuri për Jehovain dhe për Jezuin do të thotë jetë e përhershme. Si mund të themi se e njohim Perëndinë, nëse nuk përpiqemi të jemi si ai? Apostulli Gjon arsyetoi: «Ai që nuk ka dashuri, nuk e ka njohur Perëndinë, sepse Perëndia është dashuri.»—1 Gjonit 4:8.

6. Si mund t’i ekuilibrojë dashuria aspekte të ndryshme të jetës sonë?

6 Dashuria është e rëndësishme për një arsye të tretë: na ndihmon të ekuilibrojmë aspekte të ndryshme të jetës sonë dhe i shton motivin e mirë gjërave që bëjmë. Për shembull, është jetësore që të marrim vazhdimisht njohuri të Fjalës së Perëndisë. Për një të krishterë, kjo njohuri është si ushqimi. E ndihmon të rritet drejt pjekurisë dhe të veprojë në harmoni me vullnetin e Perëndisë. (Psalmi 119:105; Mateu 4:4; 2 Timoteut 3:15, 16) Megjithatë, Pavli paralajmëroi: «Njohuria krekos, kurse dashuria ndërton.» (1 Korintasve 8:1) Patjetër, nuk ka asgjë të gabuar te njohuria e saktë. Problemi qëndron te ne, pasi kemi prirje mëkatare. (Zanafilla 8:21) Nëse mungon ndikimi ekuilibrues i dashurisë, njohuria mund ta bëjë një person që të krekoset, duke menduar se është më i mirë se të tjerët. Kjo nuk do të ndodhë nëse në thelb ai motivohet nga dashuria. «Dashuria . . . nuk mbahet me të madh, nuk krekoset.» (1 Korintasve 13:4) Një i krishterë që motivohet nga dashuria nuk bëhet krenar, edhe nëse fiton njohuri të thellë. Dashuria e bën të qëndrojë i përulur dhe e pengon dëshirën që mund të ketë për t’i bërë emër vetes.—Psalmi 138:6; Jakovit 4:6.

7, 8. Si na ndihmon dashuria për t’u përqendruar në gjërat më të rëndësishme?

7 Pavli u shkroi filipianëve: «Për këtë vazhdoj të lutem, që dashuria juaj të jetë gjithnjë e më shumë me bollëk, në njohuri të saktë dhe aftësi të plotë dalluese; që të siguroheni për gjërat më të rëndësishme.» (Filipianëve 1:9, 10) Dashuria e krishterë do të na ndihmojë ta ndjekim këtë inkurajim për t’u siguruar për gjërat më të rëndësishme. Si shembull, shqyrtoni fjalët që i tha Pavli Timoteut: «Nëse ndonjëri synon detyrën e mbikëqyrësit, ai dëshiron një punë të shkëlqyer.» (1 Timoteut 3:1) Gjatë vitit të shërbimit 2000, numri i kongregacioneve në mbarë botën u rrit me 1.502 kongregacione të reja, duke çuar në një total prej 91.487 kongregacionesh. Prandaj, ka një nevojë të madhe për më shumë pleq dhe ata që synojnë këtë privilegj janë për t’u lavdëruar.

8 Megjithatë, ata që synojnë privilegje mbikëqyrjeje do të mbajnë një ekuilibër të mirë, nëse kanë parasysh qëllimin e një privilegji të tillë. Vetëm pasja e autoritetit ose e një emri më të madh nuk është ajo që ka rëndësi. Pleqtë që i pëlqejnë Jehovait janë të motivuar nga dashuria për të dhe për vëllezërit e tyre. Nuk kërkojnë të spikatin ose të kenë pushtet. Apostulli Pjetër, pasi i këshilloi pleqtë e kongregacionit që të mbajnë një qëndrim të mirë, theksoi nevojën për «përulësi mendjeje». Ai i këshilloi të gjithë në kongregacion: «Përuluni . . . nën dorën e fuqishme të Perëndisë.» (1 Pjetrit 5:1-6) Të gjithë ata që kanë këtë synim bëjnë mirë të shqyrtojnë shembullin e pleqve të shumtë përreth botës, të cilët janë të papërtuar, të përulur dhe prandaj janë një bekim për kongregacionet e tyre.—Hebrenjve 13:7.

Motivi i mirë na ndihmon të tregojmë qëndrueshmëri

9. Përse të krishterët i mbajnë parasysh bekimet që ka premtuar Jehovai?

9 Rëndësia që të jemi të motivuar nga dashuria shihet edhe në një drejtim tjetër. Atyre që e ndjekin devocionin hyjnor të shtyrë nga dashuria, Bibla u premton tani bekime të pasura dhe në të ardhmen bekime aq të mrekullueshme, sa e kemi të vështirë t’i imagjinojmë. (1 Timoteut 4:8) Një i krishterë që u beson fortësisht këtyre premtimeve dhe që është i bindur se Jehovai «bëhet shpërblyesi i atyre që e kërkojnë me ngulm», merr ndihmë për të qëndruar i patundur në besim. (Hebrenjve 11:6) Shumica prej nesh e dëshirojmë me zjarr përmbushjen e premtimeve të Perëndisë dhe pasqyrojmë atë që ndiente apostulli Gjon: «Amin! Eja, o Zotëri Jezu!» (Zbulesa 22:20) Pikërisht, meditimi për bekimet që na presin po të jemi besnikë, na forcon që të qëndrojmë. Kështu bëri edhe Jezui, i cili, duke mbajtur në mend «gëzimin që iu vu përpara» u ndihmua të qëndronte.—Hebrenjve 12:1, 2.

10, 11. Si na ndihmon për të treguar qëndrueshmëri fakti që jemi të motivuar nga dashuria?

10 Por, ç’të themi nëse dëshira për të jetuar në botën e re është motivi i vetëm për të cilin i shërbejmë Jehovait? Në rast të tillë, mund të bëheshim me lehtësi të paduruar ose të pakënaqur kur gjërat vështirësohen a kur ngjarjet nuk ndodhin në kohën ose në mënyrën që e shpresojmë ne. Mund të gjendemi në rrezik të madh se mos na merr rryma. (Hebrenjve 2:1; 3:12) Pavli foli për një ish-shokun e tij me emrin Dema, i cili e braktisi. Përse? Ngaqë «donte sistemin e tanishëm». (2 Timoteut 4:10) Të gjithë ata që shërbejnë vetëm për arsye egoiste, gjenden në rrezikun për të vepruar njësoj. Mund të ndihen të tërhequr nga mundësitë e menjëhershme që u ofrohen në botë dhe të mos jenë më të gatshëm të bëjnë sakrifica tani, me shpresën e bekimeve të ardhme.

11 Ndonëse është e përshtatshme dhe e natyrshme të kemi dëshirën për të marrë bekime të ardhme dhe çlirimin e shpresuar nga sprovat, dashuria na zhvillon vetëdijen për atë që duhet të jetë kryesore në jetën tonë. Është vullneti i Jehovait, jo i yni, ai që ka më shumë rëndësi. (Luka 22:41, 42) Pikërisht, dashuria ndërton. Ajo na bën të kënaqur të presim me durim Perëndinë tonë, të kënaqur me çfarëdo bekimi që na jep ai dhe të sigurt se në kohën e tij të duhur, do të marrim çdo gjë që na ka premtuar e, madje, më shumë. (Psalmi 145:16; 2 Korintasve 12:8, 9) Ndërkohë, dashuria na ndihmon të vazhdojmë të shërbejmë me altruizëm, sepse «dashuria . . . nuk kërkon interesat e veta».—1 Korintasve 13:4, 5.

Kë duhet të duan të krishterët?

12. Sipas Jezuit, kë duhet të duam?

12 Jezui dha një rregull të përgjithshëm për sa u përket atyre që duhet të duam, kur citoi dy pohime nga Ligji i Moisiut. Ai tha: «Duhet ta duash Jehovain, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd dhe me gjithë mendjen tënde» dhe «duhet ta duash të afërmin tënd si vetveten».—Mateu 22:37-39.

13. Si mund të mësojmë të duam Jehovain, edhe pse nuk mund ta shohim?

13 Nga fjalët e Jezuit, është e qartë se para së gjithash duhet të duam Jehovain. Megjithatë, nuk kemi lindur me një dashuri tërësisht të zhvilluar për Jehovain. Ajo është diçka që duhet ta kultivojmë. Kur kemi dëgjuar për herë të parë për Jehovain, na tërhoqën drejt tij gjërat që dëgjuam. Pak nga pak mësuam si e përgatiti tokën për njerëzimin. (Zanafilla 2:5-23) Mësuam si e ka trajtuar njerëzimin, duke mos na braktisur kur mëkati pushtoi fillimisht familjen njerëzore, por duke ndërmarrë hapa për të na shpenguar. (Zanafilla 3:1-5, 15) Ai i trajtoi me mirëdashje ata që ishin besimplotë dhe, përfundimisht, dha Birin e tij të vetëmlindur për të na falur mëkatet. (Gjoni 3:16, 36) Kjo njohuri gjithnjë e më e madhe bëri që të na rritet çmueshmëria për Jehovain. (Isaia 25:1) Mbreti David tha se e donte Jehovain për shkak të kujdesit të Tij të dashur. (Psalmi 116:1-9) Sot, Jehovai kujdeset për ne, na udhëheq, na forcon dhe na inkurajon. Sa më shumë mësojmë për të, aq më tepër na thellohet dashuria.—Psalmi 31:23; Sofonia 3:17; Romakëve 8:28.

Si mund ta tregojmë dashurinë?

14. Në ç’mënyrë mund ta tregojmë se dashuria jonë për Perëndinë është e sinqertë?

14 Sigurisht, ka shumë njerëz anembanë botës që thonë se e duan Perëndinë, por mënyra se si veprojnë tregon të kundërtën. Si mund ta dimë se e duam vërtet Jehovain? Mund t’i flasim në lutje dhe t’i themi si ndihemi. Gjithashtu, mund të veprojmë në një mënyrë që tregon dashurinë tonë. Apostulli Gjon tha: «Kushdo që zbaton fjalën [e Perëndisë], me të vërtetë dashuria e Perëndisë është bërë e përsosur në të. Nga kjo e dimë se jemi në unitet me të.» (1 Gjonit 2:5; 5:3) Ndër të tjera, Fjala e Perëndisë na thotë të shoqërohemi me njëri-tjetrin dhe të bëjmë një jetë të pastër e morale. Shmangim hipokrizinë, themi të vërtetën dhe e mbajmë të pastër mënyrën e të menduarit. (2 Korintasve 7:1; Efesianëve 4:15; 1 Timoteut 1:5; Hebrenjve 10:23-25) Tregojmë dashuri duke u dhënë ndihmë materiale atyre që janë në nevojë. (1 Gjonit 3:17, 18) Gjithashtu, nuk ngurrojmë t’u flasim të tjerëve për Jehovain. Kjo përfshin pjesëmarrjen në predikimin mbarëbotëror të lajmit të mirë të Mbretërisë. (Mateu 24:14; Romakëve 10:10) Bindja ndaj Fjalës së Perëndisë në gjëra të tilla është dëshmi se dashuria jonë për Jehovain është e sinqertë.

15, 16. Si ka ndikuar vitin e kaluar në shumë jetë dashuria për Jehovain?

15 Dashuria për Jehovain i ndihmon njerëzit që të marrin vendime të mira. Vitin e kaluar, kjo dashuri i motivoi 288.907 individë që t’ia dedikonin jetën atij dhe ta simbolizonin këtë vendim me pagëzimin në ujë. (Mateu 28:19, 20) Dedikimi i tyre ishte domethënës. Shënoi një ndryshim në jetën e tyre. Për shembull, Gazmendi ishte një nga yjet më të mëdhenj të basketbollit në Shqipëri. Për disa vjet, ai dhe e shoqja e studiuan Biblën dhe, pavarësisht nga pengesat, u kualifikuan si lajmëtarë të Mbretërisë. Vitin e kaluar, Gazmendi u pagëzua dhe ishte një nga 366 të pagëzuarit në Shqipëri për vitin e shërbimit 2000. Një gazetë botoi një artikull për të, ku thuhej: «Jeta e tij ka një qëllim dhe, për shkak të kësaj, bashkë me familjen po gëzon ditët më të lumtura në jetë. Për të, nuk është më e rëndësishme të shohë sa mund të marrë nga jeta, por, në vend të kësaj, sa mund të japë për të ndihmuar të tjerët.»

16 Në mënyrë të ngjashme, një motër e sapopagëzuar që punon për një shoqëri nafte në Guam mori një ofertë tunduese. Pasi kishte ngjitur shkallët e korporatës për vite me radhë, më në fund i ofruan mundësinë për të qenë zëvendëspresidentja e parë femër në historinë e kësaj shoqërie nafte. Megjithatë, tani ajo ia kishte dedikuar jetën Jehovait. Prandaj, pasi e shqyrtoi çështjen me të shoqin, motra e re e refuzoi ofertën dhe, në vend të kësaj, bëri rregullime për një punë me orar të shkurtuar, që të bënte përparim e të ishte shërbëtore e plotkohore ose pioniere. Dashuria për Jehovain i nxiti dëshirën që t’i shërbente atij si pioniere, në vend që të ndiqte interesat financiare të kësaj bote. Në fakt, në mbarë botën një dashuri e tillë i nxiti 805.205 veta që të merrnin pjesë në aspekte të ndryshme të shërbimit si pionier gjatë vitit të shërbimit 2000. Ç’shprehje dashurie dhe besimi kanë treguar këta pionierë!

Të nxitur për të dashur Jezuin

17. Çfarë shembulli të shkëlqyer të dashurisë shohim te Jezui?

17 Jezui është shembull i mrekullueshëm i një personi të motivuar nga dashuria. Në ekzistencën paranjerëzore, ai e donte Atin e tij dhe e donte njerëzimin. Si personifikimi i mençurisë, ai tha: «Isha pranë [Jehovait] si një arkitekt, isha çdo ditë kënaqësia e tij, duke u gëzuar çdo çast para tij; kënaqesha në pjesën e banueshme të botës dhe gjeja ëndjen time me bijtë e njerëzve.» (Fjalët e urta 8:30, 31) Dashuria e nxiti Jezuin të linte banesën e tij qiellore dhe të lindte si një foshnjë e pambrojtur. I trajtoi me durim dhe mirëdashje zemërbutët e të përulurit dhe vuajti në duart e armiqve të Jehovait. Së fundi, vdiq për gjithë njerëzimin në një shtyllë torture. (Gjoni 3:35; 14:30, 31; 15:12, 13; Filipianëve 2:5-11) Sa shembull i shkëlqyer i motivimit të duhur!

18. (a) Si e kultivojmë dashurinë për Jezuin? (b) Në ç’mënyrë e tregojmë se e duam Jezuin?

18 Kur njerëzit me gjendje të drejtë të zemrës lexojnë tregimet për jetën e Jezuit në Ungjij dhe meditojnë për bekimet e shumta që u ka sjellë drejtimi i tij besnik në jetë, kjo bën që brenda tyre të rritet një dashuri e madhe për të. Sot, ne jemi si ata të cilëve iu drejtua Pjetri, kur tha: «Edhe pse nuk e keni parë kurrë [Jezuin], ju e doni atë.» (1 Pjetrit 1:8) E tregojmë dashurinë kur ushtrojmë besim tek ai dhe imitojmë jetën vetësakrifikuese që bëri. (1 Korintasve 11:1; 1 Selanikasve 1:6; 1 Pjetrit 2:21-25) Më 19 prill 2000, 14.872.086 vetave iu kujtuan arsyet përse e duan Jezuin, kur ndoqën Përkujtimin vjetor të vdekjes së tij. Sa i madh ishte ky numër! Gjithashtu, sa forcuese është të dimë se kaq shumë njerëz janë të interesuar për shpëtimin nëpërmjet flijimit të Jezuit! Vërtet, dashuria që kanë Jehovai dhe Jezui për ne, si edhe dashuria jonë për ta na ndërtojnë.

19. Cilat pyetje për dashurinë do të trajtohen në artikullin vijues?

19 Jezui tha se duhet ta duam Jehovain me gjithë zemrën, shpirtin, mendjen dhe forcën tonë. Por, tha edhe që duhet të duam të afërmin si vetveten. (Marku 12:29-31) Kë përfshin kjo? Veç kësaj, si na ndihmon dashuria për të afërmin që të mbajmë një ekuilibër të mirë dhe motivin e duhur? Këto pyetje do të trajtohen në artikullin vijues.

A ju kujtohet?

• Përse dashuria është një cilësi jetësore?

• Si mund të mësojmë ta duam Jehovain?

• Si e provojmë me sjelljen tonë se e duam Jehovain?

• Si e tregojmë dashurinë për Jezuin?

[Pyetjet]

[Figurat në faqet 10, 11]

Dashuria na ndihmon të presim me durim për çlirimin

[Figura në faqen 12]

Sakrifica e madhe që bëri Jezui na shtyn ta duam