Paqe për mijëvjeçarin e ri?
Paqe për mijëvjeçarin e ri?
VITI Ndërkombëtar për Kulturën e Paqes u hap me ceremoni në Paris dhe në Nju-Jork, më 14 shtator 1999. Kjo u njoftua për vitin 2000 nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara. Federiko Major, ish-drejtor i përgjithshëm i UNESCO-s, bëri një thirrje solemne «që të krijohet një lëvizje globale për një kulturë paqeje dhe kundër dhunës».
UNESCO-ja ka një moto që «meqë lufta fillon në mendjen e njerëzve, pikërisht në mendjen e tyre duhen ndërtuar mbrojtjet e paqes». Në harmoni me këtë, organizata mendon të nxitë një kulturë paqeje nëpërmjet «arsimimit, dialogut dhe bashkëpunimit». Zoti Major komentoi se nuk mjafton «të jemi paqësorë, as edhe të jemi pacifistë, por të jemi paqebërës».
Mjerisht, viti 2000 s’ishte aspak paqësor. Historia moderne, duke përfshirë edhe ngjarjet në vitin 2000, ka theksuar paaftësinë e njeriut për të parandaluar luftën dhe dhunën, me gjithë përpjekjet e sinqerta për të bërë të kundërtën.
Megjithatë, vlen të përmendet se paqja lidhet vërtet me arsimimin. Rreth 2.700 vjet më parë, profeti Isaia paratha: «Tërë bijtë e tu do të mësohen nga Zoti dhe e madhe ka për të qenë paqja e bijve të tu.» (Isaia 54:13) I njëjti profet parashikoi një kohë kur njerëz nga të gjitha kombet do të vërshonin drejt adhurimit të pastër të Perëndisë Jehova, për të mësuar udhët e Tij. Me çfarë rezultati? «Do t’i farkëtojnë shpatat e tyre duke i kthyer në plugje dhe heshtat e tyre në drapinj; një komb nuk ka për të ngritur shpatën kundër një kombi tjetër dhe nuk do të mësojnë më luftën.» (Isaia 2:2-4) Në harmoni me këtë profeci, Dëshmitarët e Jehovait janë angazhuar në një vepër mbarëbotërore arsimimi, që tashmë ka ndihmuar miliona njerëz për të mposhtur urrejtjet nacionaliste dhe raciale, të cilat janë në rrënjë të shumë luftërave.
Nën Mbretërinë e Perëndisë, e cila do të sjellë paqe të qëndrueshme dhe siguri në tokë, luftërat, më në fund, nuk do të ekzistojnë më. (Psalmi 72:7; Danieli 2:44) Atëherë do të përmbushen fjalët e psalmistit: «Admironi veprat e Zotit, që ka bërë mrekulli mbi tokë. Ai bën të pushojnë luftërat deri në skajet e tokës.»—Psalmi 46:8, 9.