Plagët e luftës
Plagët e luftës
«NË LUFTË nuk ka fitimtarë,—vërejti një ish-ushtar që mori pjesë në Luftën II Botërore.—Ka vetëm të mundur.» Shumë veta do të ishin dakord me të. Kostoja e luftës është jashtëzakonisht e madhe. Si fitimtarët, ashtu edhe të mundurit, paguajnë një çmim të tmerrshëm. Edhe pasi pushon një konflikt i armatosur, miliona njerëz vazhdojnë të vuajnë nga plagët e kobshme të luftës.
Çfarë plagësh? Lufta mund ta zhdukë në masë një popullsi, duke lënë shumë jetimë e të veja. Shumë nga ata që mbijetojnë, kanë plagë të tmerrshme fizike, si edhe vraga psikologjike. Miliona veta mund të mbeten pa asgjë ose mund të detyrohen të bëhen refugjatë. A mund ta imagjinojmë urrejtjen dhe hidhërimin që, me siguri, mbetet në zemrën e njerëzve që mbijetojnë nga këto konflikte?
Plagë të hapura
Plagët që hap lufta në zemrën e njerëzve vazhdojnë të mbeten të hapura edhe shumë kohë pasi arrihet një armëpushim, krismat e armëve nuk dëgjohen më dhe ushtarët kanë ikur. Brezat që vijnë mund të ushqejnë një armiqësi të rrënjosur thellë ndaj njëri-tjetrit. Në këtë mënyrë, plagët e një lufte mund të jenë shkaku kryesor për të filluar luftën tjetër.
Për shembull, Traktati i Versajës, i cili u nënshkrua në vitin 1919 për t’i dhënë fund ligjërisht Luftës I Botërore, vuri mbi Gjermaninë disa kushte që shtetasit e saj i konsideronin të ashpra dhe hakmarrëse. Sipas The Encyclopædia Britannica, kushtet e traktatit «i fyen gjermanët dhe ndihmuan për të nxitur përpjekjet për hakmarrje». Disa vjet më vonë, «fyerja nga traktati i paqes i dha Hitlerit pikënisjen» dhe ishte një nga faktorët që çoi në Luftën II Botërore.
Lufta II Botërore filloi në Poloni dhe u përhap derisa përfshiu Ballkanin. Plagët që grupet etnike në atë rajon i hapën njëri-tjetrit gjatë viteve 1940 ndihmuan për të përgatitur rrugën për luftën në Ballkan në vitet 1990. «Rrethi vicioz i urrejtjes dhe i hakmarrjes është kthyer në një spirale, që arrin deri në kohët tona»,—komentohej në gazetën gjermane Die Zeit.
Që njerëzimi të jetojë në paqe, më parë duhen shëruar patjetër plagët e luftës. Si mund të arrihet kjo? Çfarë mund të bëhet për të eliminuar urrejtjen dhe hidhërimin? Kush mund t’i shërojë plagët e luftës?
[Burimi i figurës në faqen 2]
KOPERTINA: Fatmir Boshnjaku
[Burimet e figurave në faqen 3]
Foto e U.S. Coast Guard; FOTO E OKB-së 158297/J. Isaac