Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Shërbim me gjithë shpirt, pavarësisht nga sprovat

Shërbim me gjithë shpirt, pavarësisht nga sprovat

Jetëshkrim

Shërbim me gjithë shpirt, pavarësisht nga sprovat

TREGUAR NGA RODOLFO LOZANO

Kam lindur në Meksikë, në qytetin Gómez-Palasio, në shtetin Durango, më 17 shtator 1917. Revolucioni meksikan ishte në kulmin e tij. Ndonëse revolucioni mbaroi në vitin 1920, trazirat në zonën ku jetonim vazhduan për vite të tëra pas tij, duke na e bërë jetën shumë të vështirë.

NJË herë, kur mamaja mori vesh se do të kishte një përleshje ndërmjet forcave rebele dhe ushtrisë, na mbajti ne fëmijëve—mua, tre vëllezërit dhe dy motrat—mbyllur në shtëpi për disa ditë. Nuk kishim shumë gjëra për të ngrënë dhe më kujtohet që unë dhe motra më e vogël fshiheshim poshtë krevatit. Pas kësaj, mamaja vendosi të shkonte bashkë me ne fëmijët në Shtetet e Bashkuara, ku babai do të vinte më vonë.

Mbërritëm në Kaliforni në vitin 1926, pak kohë para se Kriza e Madhe të godiste Shtetet e Bashkuara. Transferoheshim kudo ku mund të gjenim punë, në vende, si San-Hoakin-Vallej, Santa-Klara, Salinas dhe King-Siti. Mësuam të punonim në ara dhe të vilnim nga të gjitha llojet e frutave dhe të perimeve. Ndonëse rininë e kalova duke bërë punë të lodhshme, ajo ishte një periudhë shumë e këndshme në jetën time.

Marr të vërtetën biblike

Në mars të vitit 1928, një Student i Biblës, siç quheshin atëherë Dëshmitarët e Jehovait, na bëri vizitë. Ishte një burrë i moshuar që fliste spanjisht, me emrin Esteban Rivera. Më bëri përshtypje titulli i broshurës që la, «Ku janë të vdekurit?», si edhe përmbajtja e saj. Ndonëse isha i ri në moshë, e vazhdova studimin e Biblës dhe shoqërimin me Studentët e Biblës. Me kalimin e kohës, edhe mamaja, bashkë me motrën time Aurorën, u bënë lavdëruese të zellshme të Jehovait.

Në mes të viteve 1930, në San-Hoze u ndërtua një Sallë Mbretërie për kongregacionin e gjuhës angleze. Meqë në fermat e asaj zone punonin shumë njerëz që flitnin spanjisht, filluam t’u predikonim atyre dhe të mbanim Studimin e Kullës së Rojës në atë gjuhë. Këtë e bëmë me ndihmën e Dëshmitarëve që flitnin spanjisht, të cilët vinin nga San-Francisko, rreth 80 kilometra larg. Me kalimin e kohës kishim rreth 60 veta që ndiqnin mbledhjet e gjuhës spanjolle në Sallën e Mbretërisë në San-Hoze.

Më në fund, më 28 shkurt 1940, e simbolizova dedikimin tim ndaj Jehovait me pagëzimin në ujë, në një asamble të mbajtur në San-Hoze. Vitin që pasoi, më caktuan pionier, një shërbëtor i plotkohor Dëshmitar i Jehovait. Pastaj, në prill të vitit 1943 më ftuan të transferohesha në Stokton, një qytet rreth 130 kilometra larg, për të formuar një kongregacion të gjuhës spanjolle. Në atë kohë, isha duke shërbyer si mbikëqyrës drejtues i kongregacionit të gjuhës angleze në San-Hoze dhe kujdesesha, gjithashtu, për Dëshmitarët e gjuhës spanjolle atje. Pasi morëm masa që vëllezër të tjerë të kujdeseshin për këto përgjegjësi, u transferova në Stokton.

Integriteti im vihet në sprovë

Duke filluar me vitin 1940, më thërritnin vazhdimisht për shërbimin ushtarak, por çdo herë e respektonin pozicionin tim si një kundërshtar me ndërgjegje. Jo shumë kohë pasi Shtetet e Bashkuara hynë në Luftën e Dytë Botërore, në dhjetor të vitit 1941, presioni nga qendra e rekrutimit u intensifikua. Përfundimisht, në vitin 1944 më futën në burg. Ndërsa pritja dënimin, më mbajtën në një bodrum, së bashku me disa kriminelë. Sapo merrnin vesh se isha Dëshmitar i Jehovait, shumë prej tyre më pyetnin si do të ndikonin krimet e tyre në qëndrimin që kishin para Perëndisë.

Dëshmitarët në San-Hoze paguan dorëzaninë, në mënyrë që të lirohesha, në pritje të gjyqit. Një avokat nga Los Anxhelosi, i cili përfaqësonte të pandehurit në rastet e të drejtave civile, pranoi të merrej me çështjen time pa pagesë. Gjykatësi vendosi të më lironte me kusht që të mos shërbeja më si pionier, të filloja një punë dhe të raportoja para autoriteteve federale çdo muaj. Nuk e pranova këtë vendim, kështu që më dënuan dy vjet në burgun e ishullit Meknil, në shtetin Uashington. Atje e përdora kohën për të bërë një studim intensiv të Biblës. Mësova edhe të shtypja në makinë shkrimi. Në më pak se dy vjet, më liruan për sjellje të mirë. Menjëherë mora masa që të vazhdoja shërbimin e pionierit.

Aktivitet i zgjeruar

Në dimrin e vitit 1947 më caktuan t’u predikoja njerëzve që flitnin spanjisht në qytetin Kolorado, në Teksas, së bashku me një pionier tjetër. Por, aty ishte kaq ftohtë, saqë shkuam në San-Antonio për të kaluar një dimër pak më të ngrohtë. Megjithatë, atje binte kaq shumë shi, saqë nuk e vazhdonim dot shërbimin nga shtëpia në shtëpi. Paratë na u mbaruan shpejt. Për javë të tëra mbijetuam duke ngrënë sanduiçe me lakra të gjalla e duke pirë çaj jonxhe. Shoku im u kthye në shtëpi, kurse unë qëndrova. Kur Dëshmitarët në kongregacionin anglez morën vesh për nevojat e mia fizike, filluan të më ndihmonin.

Pranverën që vijoi, u ktheva në caktimin tim në qytetin Kolorado dhe, gradualisht, aty u formua një kongregacion i vogël në gjuhën spanjolle. Pastaj, u transferova në Suituoter, në Teksas, ku ndihmova për formimin e një kongregacioni tjetër të gjuhës spanjolle. Ndërsa isha në Suituoter, mora një letër me ftesën për të ndjekur klasën e 15-të të Shkollës Biblike Watchtower të Galaadit për stërvitje misionare, e cila fillonte më 22 shkurt 1950. Atë verë, pas diplomimit në kongresin ndërkombëtar në stadiumin Jenki të qytetit të Nju-Jorkut, qëndrova për tre muaj në selinë botërore të Dëshmitarëve të Jehovait në Bruklin. Atje, mora stërvitje për caktimin në zyrën e degës së Meksikës.

Vepra në Meksikë

Mbërrita në Meksiko më 20 tetor 1950. Rreth dy javë më vonë, u caktova mbikëqyrës i degës, një caktim të cilin e pata për katër vjet e gjysmë. Përvoja që kisha fituar në shërbimin si pionier, në burg, në Galaad dhe në Bruklin, ishte shumë e dobishme. Pasi mbërrita në Meksikë, e vërejta menjëherë nevojën për ndërtimin e gjendjes frymore të vëllezërve dhe të motrave meksikane. Kishte veçanërisht nevojë për t’i ndihmuar që t’u përmbaheshin normave të larta morale të Fjalës së Perëndisë.

Në vendet e Amerikës Latine, duke përfshirë edhe Meksikën, ishte një zakon që çiftet të jetonin bashkë pa u martuar ligjërisht. Fetë e të ashtuquajturit krishterim, e në veçanti Kisha Katolike e Romës, kishin lejuar që ky zakon jobiblik të vazhdonte. (Hebrenjve 13:4) Kështu, disa ishin bërë pjesëtarë të kongregacioneve të Dëshmitarëve të Jehovait, ndonëse nuk ishin martuar ligjërisht. Tani, u bë një rregullim që këtyre personave t’u jepej gjashtë muaj kohë për t’i rregulluar gjërat. Përndryshe nuk do të njiheshin më si Dëshmitarë të Jehovait.

Shumë veta e kishin të lehtë ta rregullonin jetën e tyre. Vetëm sa u duhej ta bënin të ligjshme marrëdhënien në të cilin ishin, duke u martuar. Të tjerë kishin situata më të ndërlikuara. Për shembull, disa ishin martuar dy herë e, madje, edhe tri herë, pa bërë kurrë ndonjë divorc ligjor. Kur situatat martesore të popullit të Jehovait, më në fund, u vunë në harmoni me mësimet e Fjalës së Perëndisë, brenda kongregacioneve filluan të vërshonin bekime të shkëlqyera frymore.—1 Korintasve 6:9-11.

Në ato ditë, niveli i arsimimit në Meksikë ishte në përgjithësi i ulët. Edhe më parë se të vija unë në vitin 1950, zyra e degës kishte filluar të organizonte klasa leximi dhe shkrimi nëpër kongregacione. Tani, këto klasa u riorganizuan dhe u bënë rregullime që të regjistroheshin nga qeveria. Që nga viti 1946, kur filluan të mbahen regjistrime, më shumë se 143.000 veta në Meksikë kanë mësuar të lexojnë e të shkruajnë në klasa të drejtuara nga Dëshmitarët.

Në Meksikë, ligjet ishin shumë kufizuese për sa i përket fesë. Megjithatë, vitet e fundit ka pasur ndryshime të rëndësishme në këtë aspekt. Në vitin 1992, u miratua një ligj i ri për çështjet fetare, kështu që më 1993, Dëshmitarët e Jehovait në Meksikë u regjistruan si organizatë fetare.

Për mua, këto ndryshime kanë qenë burim gëzimi të madh, diçka që do ta kisha menduar të pamundur më përpara. Për shumë vjet, kisha shkuar vazhdimisht në zyrat e qeverisë dhe kisha hasur një qëndrim pak a shumë mosbesues. Megjithatë është e shkëlqyer të shoh si janë trajtuar këto çështje nëpërmjet Repartit Ligjor në zyrën tonë të degës, kështu që tani hasim relativisht pak ndërhyrje në veprën e predikimit.

Shërbej me një bashkëshorte misionare

Kur mbërrita në Meksikë, aty kishte tashmë shumë të diplomuar të klasave të mëparshme të Galaadit. Njëra prej tyre ishte Ester Vartaniani, një Dëshmitare amerikane që kishte filluar të shërbente si pioniere në Vallejo, Kaliforni, në vitin 1942. U martuam më 30 korrik 1955 dhe, pas kësaj, vazhduam në caktimin tonë në Meksikë. Esteri vazhdoi në veprën misionare në Meksiko dhe jetuam në degë, ku vazhdova të shërbeja unë.

Në vitin 1947, Esteri kishte mbërritur në caktimin e saj të parë misionar në Monterei, Nuevo-León, Meksikë. Atëherë, në Monterei kishte vetëm një kongregacion me 40 Dëshmitarë, por në kohën kur ajo u transferua në Meksiko, në vitin 1950, kishte katër kongregacione. Në degën tonë afër Meksikos, aktualisht ka dy të rinj pasardhës të familjeve me të cilat Esteri studioi Biblën kur po shërbente në Monterei.

Në vitin 1950, territori i predikimit të misionarëve në Meksiko përfshinte pjesën më të madhe të qytetit. Ata i binin caktimit të tyre kryq e tërthor më këmbë ose në autobusë shumë të vjetër, të mbushur plot e përplot me njerëz. Kur mbërrita unë aty, në fund të vitit 1950, kishte shtatë kongregacione. Tani këta janë rritur në rreth 1.600 kongregacione, me më shumë se 90.000 lajmëtarë të Mbretërisë në Meksiko dhe vitin e kaluar, më shumë se 250.000 veta ndoqën Përkujtimin e vdekjes së Krishtit atje. Gjatë viteve, unë dhe Esteri kemi pasur privilegjin të shërbenim në shumë nga këto kongregacione.

Kur Esteri dhe unë fillojmë një studim biblik, përpiqemi gjithnjë të nxitim interesin e babait të familjes, në mënyrë që të përfshihet e tërë familja. Kështu, kemi parë shumë familje të mëdha që kanë filluar t’i shërbejnë Jehovait. Besoj se një nga arsyet për rritjen e shpejtë të adhurimit të vërtetë në Meksikë është se, shpesh, familje të plota bashkohen si një e tërë në adhurimin e vërtetë.

Jehovai e ka bekuar veprën

Që nga viti 1950, progresi i veprës në Meksikë ka qenë i spikatshëm, si në lidhje me rritjen e numrave, ashtu edhe me ndryshimet në mënyrën e organizimit. Për mua është një kënaqësi e vërtetë që kam kontribuar në masë të vogël për rritjen, duke punuar me këtë popull kaq të lumtur e mikpritës.

Disa vjet më parë, Karl Klajni, i cili shërben si anëtar i Trupit Udhëheqës të Dëshmitarëve të Jehovait, së bashku me gruan, Margaretën, na vizituan ndërsa ishin me pushime. Vëllai Klajn donte të ndiente ritmin e veprës në territorin tonë meksikan, kështu që ai dhe Margareta erdhën në kongregacionin San-Huan-Tezontla, afër Meksikos, ku ishim ne në atë kohë. Salla ishte e vogël, rreth 4,5 metra e gjerë dhe 5,5 metra e gjatë. Kur mbërritëm ne, rreth 70 veta ishin tashmë të pranishëm dhe nuk kishte mbetur shumë vend i lirë. Më të moshuarit ishin ulur në karrige, më të rinjtë në stola dhe fëmijët e vegjël ishin ulur mbi tulla ose në dysheme.

Vëllait Klajn i bëri shumë përshtypje që të gjithë fëmijët i kishin Biblat gati, duke i kërkuar shkrimet biblike së bashku me oratorin. Pas fjalimit publik, vëllai Klajn foli për Mateun 13:19-23 dhe tha se në Meksikë kishte shumë nga ‘toka e shkëlqyer’ që përmendi Jezui. Tani, shtatë nga fëmijët që ishin të pranishëm atë ditë, po punojnë në projektin kolosal për zgjerimin e ndërtesave të degës sonë afër Meksikos. Një tjetër po shërben në Bethel dhe disa të tjera janë pioniere.

Kur erdha në Meksiko, në degën tonë kishte vetëm 11 anëtarë. Tani kemi rreth 1.350 veta që punojnë aty, rreth 250 prej të cilëve po merren me ndërtimin e godinave të reja të degës. Kur e gjithë kjo vepër të përfundojë, ndoshta në vitin 2002, do të jemi në gjendje të strehojmë rreth 1.200 veta më shumë në ndërtesat e zgjeruara. Të mendosh se në vitin 1950 kishim më pak se 7.000 lajmëtarë të Mbretërisë në gjithë vendin, por tani kemi më shumë se 500.000. Zemra më gufon nga gëzimi, kur shoh mënyrën si i ka bekuar Jehovai përpjekjet e vëllezërve tanë të përulur meksikanë, të cilët punojnë kaq fort për ta lavdëruar.

Përballoj një sfidë të madhe

Një nga sfidat më të mëdha për mua gjatë kohëve të fundit ka qenë sëmundja. Në përgjithësi kam qenë një person i shëndetshëm. Por, në nëntor të vitit 1988 më ra një apopleksi që ndikoi shumë në aftësitë e mia fizike. Falë Jehovait, nëpërmjet ushtrimeve fizike dhe terapive të tjera, jam përmirësuar deri në njëfarë pike, por disa pjesë të trupit nuk më përgjigjen siç do të doja. Vazhdoj të marr ilaçe dhe trajtim mjekësor, për të shmangur dhembjet e kokës shumë të mëdha dhe pasoja të tjera, që mbeten ende.

Ndonëse nuk mund të bëj më aq sa do të dëshiroja, gjej kënaqësi duke ditur se kam qenë në gjendje të ndihmoj shumë veta të mësojnë për qëllimet e Jehovait dhe të bëhen shërbëtorët e tij të dedikuar. Gjithashtu, më pëlqen të flas me sa më shumë vëllezër e motra që ka mundësi, kur vizitojnë degën tonë. E ndiej se inkurajohemi në mënyrë reciproke.

Dijenia se Jehovai e vlerëson shërbimin që i bëjmë dhe se ajo që kemi bërë nuk është e kotë, më ka forcuar shumë. (1 Korintasve 15:58) Me gjithë kufizimet dhe sëmundjen time, i kam marrë për zemër fjalët e Kolosianëve 3:23, 24: «Çfarëdo që bëni, përpiquni për të me gjithë shpirt si për Jehovain e jo si për njerëzit, sepse ju e dini që nga Jehovai do të merrni shpërblimin e duhur të trashëgimisë.» Në harmoni me këtë këshillë, kam mësuar t’i shërbej Jehovait me gjithë shpirt, pavarësisht nga sprovat.

[Figura në faqen 24]

Në vitin 1942, kur isha pionier

[Figura në faqen 24]

Gruaja ime e filloi caktimin misionar në Meksikë në vitin 1947

[Figura në faqen 24]

Me Esterin sot

[Figurat në faqen 26]

Lart majtas: Familja Bethel në Meksikë, në vitin 1952, unë jam përpara

Sipër: Më shumë se 109.000 veta u mblodhën në këtë stadium të Meksikos për një kongres krahinor në vitin 1999

Poshtë majtas: Ndërtesat e reja të degës, të cilat tani janë në përfundim e sipër