Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Shërimi i plagëve të luftës

Shërimi i plagëve të luftës

Shërimi i plagëve të luftës

ABRAHAMI ka qenë në një ushtri guerile për 20 vjet. * Por tani nuk lufton më dhe nuk do të shkojë kurrë më në luftë. Në fakt, disa nga armiqtë e mëparshëm, tani janë miqtë e tij më të ngushtë. Çfarë e bëri të ndryshonte? Bibla. Ajo i dha Abrahamit shpresë dhe gjykim të thellë, duke e ndihmuar t’i shikonte çështjet njerëzore nga këndvështrimi i Perëndisë. Bibla ia hoqi dëshirën për të luftuar, dhe gjithashtu, filloi t’i shërohej brenga, hidhërimi, urrejtja dhe armiqësia që ndiente. Ai zbuloi se Bibla përmban një ilaç të fortë për zemrën.

Si e ndihmon Bibla një njeri që të shërojë plagët emocionale? Ajo nuk mund ta ndryshonte atë që i kishte ndodhur Abrahamit. Megjithatë, duke lexuar Fjalën e Perëndisë dhe duke medituar rreth saj, mënyra e tij e të menduarit u vu në harmoni me atë të Krijuesit. Tani ai ka një shpresë për të ardhmen dhe ka përparësi të reja. Gjërat që janë të rëndësishme për Perëndinë janë bërë të rëndësishme edhe për të. Pasi filloi të ndodhte kjo, plagët në zemrën e tij filluan të shërohen. Ja se si u ndihmua Abrahami që të ndryshonte.

I zhytur në luftën civile

Abrahami lindi në vitet 1930 në Afrikë. Pas Luftës së Dytë Botërore, vendi i tij sundohej nga një vend i fuqishëm fqinj, por shumë nga bashkëkombësit e Abrahamit donin pavarësinë. Në vitin 1961, Abrahami u bashkua me një lëvizje për liri, e cila bënte luftë guerile kundër fqinjit të fuqishëm.

«Ata ishin armiqtë tanë. Bënin plane që të na vritnin, prandaj edhe ne nisëm t’i vritnim»,—shpjegon Abrahami.

Jeta e Abrahamit ishte shpesh në rrezik, kështu që në vitin 1982, pas 20 vjetësh lufte të armatosur, u arratis në Evropë. Tashmë ishte në fund të të 40-ave dhe, meqë kishte më shumë kohë në dispozicion, i bëri një shqyrtim jetës së vet. Çfarë kishte ndodhur me ëndrrat e tij? Çfarë rezervonte e ardhmja për të? U takua me disa Dëshmitarë të Jehovait dhe filloi të ndiqte mbledhjet e tyre. Iu kujtua që disa vjet më parë, në Afrikë, kishte lexuar një fletushkë që ia kishte dhënë një Dëshmitar. Fletushka përshkruante një parajsë që do të vendosej në tokë dhe një qeveri qiellore që do të sundonte mbi njerëzimin. A mund të ishte e vërtetë kjo?

Abrahami thotë: «Nga Bibla mësova se tërë ato vite që kalova duke luftuar, kishin shkuar kot. E vetmja qeveri që do t’i trajtojë të gjithë me drejtësi është Mbretëria e Perëndisë.»

Pak kohë pasi Abrahami u pagëzua si Dëshmitar i Jehovait, një burrë me emrin Robert u arratis nga Afrika dhe erdhi në qytetin evropian ku po jetonte Abrahami. Roberti dhe Abrahami kishin luftuar në të njëjtën luftë, por në anë të kundërta. Roberti e kishte pyetur shpeshherë veten për qëllimin e vërtetë të jetës. Ishte njeri fetar dhe, duke qenë se kishte lexuar disa pjesë të Biblës, e dinte se emri i Perëndisë është Jehova. Kur Dëshmitarët nga kongregacioni i Abrahamit u ofruan ta ndihmonin që ta kuptonte më mirë Biblën, Roberti pranoi menjëherë.

Roberti shpjegon: «Që nga fillimi fare, më bëri përshtypje mënyra si i përdorin Dëshmitarët emrat Jehova dhe Jezu, duke pranuar se janë persona të ndarë. Kjo ishte në harmoni me atë që tashmë e dija nga Bibla. Gjithashtu, Dëshmitarët vishen pastër e me rregull dhe janë dashamirës me të tjerët, pavarësisht nga kombësia e tyre. Këto gjëra patën një ndikim të thellë tek unë.»

Armiqtë bëhen miq

Roberti dhe Abrahami, një herë e një kohë armiq, tani janë miq të ngushtë. Shërbejnë si ungjillëzues të plotkohorë në të njëjtin kongregacion të Dëshmitarëve të Jehovait. «Gjatë luftës, shpesh pyetja veten si ishte e mundur që njerëz nga vende fqinje (shumë prej të cilëve i përkitnin së njëjtës fe) urrenin njëri-tjetrin,—shpjegon Abrahami.—Unë dhe Roberti i përkitnim së njëjtës kishë, e megjithatë luftonim kundër njëri-tjetrit. Tani jemi që të dy Dëshmitarë të Jehovait dhe besimi ynë na ka bashkuar.»

«Ky është ndryshimi,—shton Roberti.—Tani i përkasim një besimi që na bën pjesë të një vëllazërie të vërtetë. Nuk duam të shkojmë kurrë më në luftë.» Bibla ka pasur një ndikim të fuqishëm në zemrën e këtyre armiqve të dikurshëm. Urrejtja dhe armiqësia gradualisht ia kanë lënë vendin besimit dhe miqësisë.

Në të njëjtën kohë që Abrahami dhe Roberti ishin në luftë, dy të rinj të tjerë qëndronin në anë të kundërta të një konflikti tjetër ndërmjet dy vendeve fqinje. Shumë shpejt, Bibla veproi si një ilaç shumë i fortë për të shëruar edhe zemrat e tyre. Si?

Vrit dhe pastaj vdis si martir

Gabrielit, i cili u rrit në një familje fetare, i mësuan se atdheu i tij ishte në valën e një lufte të shenjtë. Kështu, në moshën 19-vjeçare, ai doli vullnetar për shërbimin ushtarak dhe kërkoi ta dërgonin në front. Për 13 muaj u gjend në betejat më të ashpra dhe disa herë ishte vetëm një kilometër e gjysmë larg armikut. «Mbaj mend një rast në veçanti,—thotë ai.—Komandanti na tha se armiku do të sulmonte atë natë. Ishim kaq të tensionuar, saqë qëlluam me mortajë gjithë natën, pa pushim.» Njerëzit e kombit fqinj ai i konsideronte si armiq të tij, të cilët meritonin vdekjen. «Mendimi im ishte të vritja sa më shumë që të mundja. Pastaj, ashtu si shumë nga shokët e mi, doja të vdisja si martir.»

Megjithatë, me kalimin e kohës, Gabrieli u zhgënjye. Ai u arratis në male, kaloi fshehurazi kufirin, hyri në një vend asnjanës dhe udhëtoi për në Evropë. E pyeste vazhdimisht Perëndinë përse jeta ishte kaq e vështirë dhe nëse problemet ishin një ndëshkim prej tij. Takoi Dëshmitarët e Jehovait, të cilët i treguan nga Bibla përse jeta sot është kaq e mbushur me probleme.—Mateu 24:3-14; 2 Timoteut 3:1-5.

Sa më shumë që Gabrieli mësonte nga Bibla, aq më shumë e kuptonte se ajo përmban të vërtetën. «Mësova se mund të jetojmë përgjithmonë në një tokë parajsore. Mjaft i çuditshëm ishte fakti që, kur isha fëmijë, e kisha dëshiruar shumë diçka të tillë.» Bibla e ngushëlloi Gabrielin dhe ia qetësoi zemrën që deri atëherë e kishte të trazuar. Plagët e tij më të thella emocionale filluan të shëroheshin. Prandaj, në kohën kur takoi Danielin, një armik të mëparshëm, Gabrieli nuk ndiente më urrejtje. Por çfarë e kishte shtyrë Danielin të vinte në Evropë?

«Nëse ekziston me të vërtetë, të lutem më ndihmo!»

Danieli u rrit si katolik dhe në moshën 18-vjeçare e thirrën për shërbimin ushtarak. E dërguan të luftonte në të njëjtën luftë si edhe Gabrieli, por në anën e kundërt. Afër frontit, Danieli po ngiste një tank kur ky mori një goditje të drejtpërdrejtë. Shokët e tij u vranë, kurse ai vetë u plagos rëndë dhe e zunë rob. Kaloi muaj në spital dhe në një kamp, para se ta dërgonin në një vend asnjanës. I vetmuar dhe pa asnjë zotërim material, mendoi të kryente vetëvrasje. Danieli iu lut Perëndisë: «Nëse ekziston me të vërtetë, të lutem më ndihmo!» Pikërisht ditën tjetër, Dëshmitarët e Jehovait e vizituan dhe mundën t’u përgjigjeshin pyetjeve të tij të shumta. Më në fund, ai udhëtoi në Evropë si refugjat. Përsëri, aty u shoqërua me Dëshmitarët dhe studioi Biblën. Ajo që mësoi ia lehtësoi ankthin dhe zemërimin.

Tani, Gabrieli dhe Danieli janë miq të mirë, të bashkuar në një vëllazëri frymore si Dëshmitarë të pagëzuar të Jehovait. «Dashuria për Jehovain dhe njohuria e Biblës më kanë ndihmuar t’i shoh gjërat siç i sheh ai. Danieli nuk është më armiku im. Vite më parë, do ta kisha vrarë me kënaqësi. Bibla më ka mësuar pikërisht të kundërtën, domethënë, të jem gati të vdes për të»,—thotë Gabrieli.

«Shihja njerëz me fe dhe kombësi të ndryshme që vritnin njëri-tjetrin,—thotë Danieli.—Gjithashtu, kishte njerëz të së njëjtës fe në anë të kundërta të luftës, që vritnin njëri-tjetrin. Kur shihja këtë, mendoja se fajin e kishte Perëndia. Tani e di se pas të gjitha luftërave fshihet Satanai. Unë dhe Gabrieli tani jemi bashkëbesimtarë. Nuk do të luftojmë kurrë më!»

«Fjala e Perëndisë është e gjallë dhe ushtron fuqi»

Përse Abrahami, Roberti, Gabrieli dhe Danieli bënë ndryshime kaq të mëdha? Si mundën të eliminonin urrejtjen dhe hidhërimin e rrënjosur thellë në zemrën e tyre?

Secili nga këta burra lexoi, meditoi dhe mësoi të vërtetën nga Bibla, e cila është «e gjallë dhe ushtron fuqi». (Hebrenjve 4:12) Autori i Biblës është Krijuesi i njerëzimit, i cili di si të ndikojë për mirë në zemrën e një personi që është gati të dëgjojë e të mësojë. «I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm për të mësuar, për të qortuar, për të ndrequr dhe për të disiplinuar në drejtësi.» Pasi një lexues lejon që Bibla ta udhëheqë, ai fiton vlera dhe norma të reja. Fillon të mësojë ç’pikëpamje ka Jehovai për gjërat. Ky proces sjell shumë dobi, duke përfshirë edhe shërimin e plagëve të luftës.—2 Timoteut 3:16.

Fjala e Perëndisë shpjegon se asnjë grup kombëtar, racial ose etnik nuk është më i mirë ose më i keq se një tjetër. «Perëndia nuk është i anshëm, por në çdo komb njeriu që i frikësohet atij dhe praktikon drejtësinë është për të i pranueshëm.» Lexuesi që e pranon këtë, dalëngadalë merr ndihmë për të mposhtur ndjenjat e urrejtjes raciale ose kombëtare.—Veprat 10:34, 35.

Profecitë e Biblës tregojnë se së shpejti Perëndia do ta zëvendësojë sistemin e tanishëm të sundimit njerëzor me Mbretërinë e tij Mesianike. Me anë të kësaj qeverie, Perëndia «bën që të pushojnë luftërat deri në skajet e tokës». Institucionet që përkrahin luftërat dhe që i nxitin njerëzit të luftojnë, do të eliminohen. Viktimat e luftës do të ringjallen dhe do t’u jepet mundësia të jetojnë në një tokë parajsore. Asnjërit nuk do t’i duhet të ikë para sulmuesve ose shtypësve.—Psalmi 46:9; Danieli 2:44; Veprat 24:15.

Për njerëzit që do të jetojnë në atë kohë, Bibla thotë: «Do të ndërtojnë shtëpi dhe do të banojnë në to, do të mbjellim vreshta dhe do të hanë frytin. Nuk do të ndërtojnë më që të banojë një tjetër . . . Nuk do të lodhen më kot dhe nuk do të lindin fëmijë për të përballuar një shkatërrim të papritur.» Nuk ka asnjë dëm ose plagë që nuk do të shërohet. Besimi në këtë shpresë e heq gradualisht hidhërimin dhe brengën nga zemra e një personi.—Isaia 65:21-23.

Bibla është vërtet një ilaç i fortë për zemrën. Mësimet e saj tashmë po shërojnë plagët e luftës. Armiq të dikurshëm po bashkohen në një vëllazëri ndërkombëtare. Ky proces shërimi do të vazhdojë në sistemin e ri të Perëndisë, derisa të mos ketë më urrejtje dhe armiqësi, brengë dhe hidhërim në zemrat e njerëzimit. Krijuesi premton se «gjërat e mëparshme nuk do të kujtohen më dhe nuk do të vijnë më në mendje».—Isaia 65:17.

[Shënimi]

^ par. 2 Disa emra në këtë artikull janë ndryshuar.

[Diçitura në faqen 4]

«Nga Bibla mësova se tërë ato vite që kalova duke luftuar, kishin shkuar kot»

[Diçitura në faqen 5]

Bibla mund të ketë ndikim të fuqishëm në zemrën e armiqve të dikurshëm

[Diçitura në faqen 6]

Urrejtja dhe armiqësia gradualisht ia lanë vendin besimit dhe miqësisë

[Diçitura në faqen 6]

Kur një lexues lejon që ta udhëheqë Bibla, fiton vlera dhe norma të reja

[Figura në faqen 7]

Armiq të dikurshëm tani po bashkohen në një vëllazëri ndërkombëtare

[Burimi i figurës në faqen 4]

Kamp refugjatësh: FOTO E OKB-së 186811/J. Isaac