«Vraponi në mënyrë të tillë»
«Vraponi në mënyrë të tillë»
IMAGJINOJENI veten në një stadium të mbushur plot e përplot me njerëz entuziastë. Atletët marshojnë në fushë. Turma brohoret kur shikon heronjtë e saj. Janë të pranishëm edhe gjyqtarë që të sigurojnë zbatimin e rregullave. Ndërsa fillojnë garat, britmat e triumfit përzihen me thirrje zhgënjimi. Duartrokitje shurdhuese përshëndetin fituesit!
Jeni duke ndjekur, jo një ngjarje sportive moderne, por një të tillë të mbajtur rreth 2.000 vjet më parë në Istëm të Korintit. Atje, që nga shekulli i gjashtë p.e.s. deri në shekullin e katërt të e.s., mbaheshin çdo dy vjet Lojërat e famshme Istmike. Për shumë ditë, ngjarja tërhiqte interesin e gjithë Greqisë. Lojërat nuk ishin thjesht gara atletike. Atletët ishin simbole të përgatitjes ushtarake. Fituesit, të adhuruar si heronj, merrnin kurora të bëra me gjethe pemësh. U jepeshin dhurata dhe qyteti u lidhte një pension të madh për gjithë jetën.
Apostulli Pavël i njihte mirë Lojërat Istmike që mbaheshin afër Korintit dhe e krahasoi rrugën e jetës së një të krishteri me një garë atletike. Duke iu referuar vrapuesve, mundësve dhe boksierëve, ai ilustroi më së miri shpërblimet e stërvitjes së mirë, të përpjekjeve të drejtuara siç duhet dhe të qëndrueshmërisë. Sigurisht, edhe korintasit, të cilëve u shkroi, i njihnin lojërat. Pa dyshim, disa prej tyre kishin qenë mes turmave që brohoritnin në stadium. Prandaj do t’i kuptonin menjëherë ilustrimet e Pavlit. Po ne sot? Edhe ne jemi në një garë për jetën e përhershme. Si mund të nxjerrim dobi nga referimet që u bëri Pavli këtyre garave?
‘Të ndeshemi sipas rregullave’
Kërkesat për t’u pranuar në lojërat e lashta ishin shumë të rrepta. Një kasnec e paraqiste çdo atlet para spektatorëve dhe thërriste: ‘A ka ndonjë këtu që mund ta akuzojë këtë njeri për ndonjë krim? A është ky grabitës ose i lig dhe i degjeneruar në jetë dhe në sjellje?’ Sipas Archaeologia Graeca, «asnjë njeri që ishte kriminel i njohur ose i lidhur [ngushtë] me një të tillë, nuk lejohej të ndeshej». Gjithashtu, shkeljet e rregullave të lojërave ndëshkoheshin rëndë, duke i përjashtuar shkelësit nga gara.
Ky fakt na ndihmon të kuptojmë thënien e Pavlit: «Nëse dikush ndeshet qoftë edhe në lojëra, ai nuk kurorëzohet po të mos ndeshet sipas rregullave.» (2 Timoteut 2:5) Në mënyrë të ngjashme, për të vrapuar në garën për jetë, duhet të plotësojmë kërkesat e Jehovait, duke u vënë në harmoni me normat e tij të larta morale që paraqiten në Bibël. Megjithatë, Bibla na paralajmëron: «Synimet [prirja, BR] e zemrës së njeriut janë të këqija qysh në fëmijërinë e tij.» (Zanafilla 8:21) Prandaj, edhe pasi të kemi hyrë në garë, duhet të jemi të kujdesshëm që të vazhdojmë të ndeshemi sipas rregullave, me qëllim që të kemi miratimin e Jehovait dhe të fitojmë jetën e përhershme.
Ndihma më e madhe për të vepruar në këtë mënyrë është dashuria për Perëndinë. (Marku 12:29-31) Kjo dashuri do të na bëjë të dëshirojmë t’i pëlqejmë Jehovait dhe të veprojmë sipas vullnetit të tij.—1 Gjonit 5:3.
«Të flakim çdo peshë»
Në lojërat e lashta, vrapuesit nuk rëndoheshin me rroba ose pajisje. «Në garat e vrapimit, . . . konkurruesit zakonisht dilnin krejt lakuriq»,—thotë libri The Life of the Greeks and Romans. Fakti që nuk vishnin rroba u jepte atletëve zhdërvjelltësi, lirshmëri lëvizjeje dhe shkathtësi. Nuk humbitnin energji për shkak të peshave të panevojshme. Ndoshta Pavli kishte këtë në mendje, kur u shkroi të krishterëve hebrenj: «Le të flakim edhe ne çdo peshë . . . dhe le të vrapojmë me qëndrueshmëri në garën që na është vënë përpara.»—Hebrenjve 12:1.
Çfarë lloj peshe mund të na pengojë në garën për jetë? Një mund të jetë dëshira për të grumbulluar gjëra të panevojshme materiale ose për të mbajtur një stil jetese të kushtueshëm. Disa mund t’i varin shpresat te pasuria për të pasur siguri ose mund ta shohin si burimin e lumturisë. Kjo «peshë» e tepërt mund ta ngadalësojë një vrapues deri në atë masë që, më së fundi, Perëndia mund të mos ketë shumë rëndësi në të vërtetë. (Luka 12:16-21) Jeta e përhershme mund të fillojë t’i duket si një shpresë e largët. ‘Bota e re do të vijë ndonjë ditë,—mund të arsyetojë një person,—por, ndërkohë, mund të përfitojmë fare mirë nga gjërat që na ofron kjo botë.’ (1 Timoteut 6:17-19) Kjo pikëpamje materialiste mund ta bëjë një person të shmanget me shumë lehtësi nga gara për jetë ose, madje, mund ta pengojë që ta fillojë këtë garë.
Në Predikimin në Mal, Jezui tha: «Askush s’mund t’u shërbejë si skllav dy zotërinjve; sepse ose do të urrejë njërin e do të dojë tjetrin, ose do të ngjitet pas njërit e do të përbuzë tjetrin. Ju s’mund t’i shërbeni si skllevër Perëndisë dhe Pasurisë.» Pastaj, pasi tregoi se Jehovai kujdeset për nevojat e kafshëve e të bimëve dhe pasi tha se njerëzit vlejnë më shumë se kafshët ose bimët, ai këshilloi: «Pra, kurrë të mos jeni në ankth e të thoni: ‘Ç’do të hamë?’ ose ‘Ç’do të pimë?’ ose ‘Me se do të vishemi?’ Sepse të gjitha këto janë gjërat që kombet i kërkojnë me etje. Ati juaj qiellor, pra, e di se ju keni nevojë për të gjitha këto gjëra. Vazhdoni, pra, të kërkoni më parë mbretërinë dhe drejtësinë e tij dhe të gjitha këto gjëra të tjera do t’ju shtohen.»—Mateu 6:24-33.
«Të vrapojmë me qëndrueshmëri»
Jo të gjitha garat e vrapimit në lashtësi ishin të shkurtra. Një garë, e quajtur dolikhos, ishte rreth 4 kilometra e gjatë. Ishte një provë e vështirë force dhe qëndrueshmërie. Sipas gojëdhënave, në vitin 328 p.e.s., një atlet me emrin Ageas, pasi fitoi këtë garë, u nis me vrap për në qytetin e tij, Argos, që të njoftonte fitoren. Atë ditë, vrapoi afërsisht 110 kilometra!
Edhe gara e krishterë është një vrapim i gjatë që na e vë në provë qëndrueshmërinë. Për të fituar miratimin e Jehovait dhe çmimin e jetës 2 Timoteut 4:7, 8) Ashtu si Pavli, edhe ne duhet të vrapojmë deri në ‘përfundim’ të garës. Nëse na ulet qëndrueshmëria vetëm sepse gara është paksa më e gjatë sesa e mendonim fillimisht, nuk do ta fitojmë dot shpërblimin. (Hebrenjve 11:6) Çfarë tragjedie do të ishte kjo, duke pasur parasysh se jemi shumë afër vijës së finishit!
së përhershme është e nevojshme të tregojmë qëndrueshmëri deri në fund të kësaj gare. Pavli vrapoi në garë në këtë mënyrë. Afër fundit të jetës së tij, mundi të thoshte: «Luftën e shkëlqyer e luftova, vrapimin e përfundova, besimin e ruajta. Që tani e tutje, për mua ruhet kurora e drejtësisë.» (Çmimi
Fituesve në garat e lashta greke u jepnin kurora që zakonisht bëheshin me gjethe pemësh dhe stoliseshin me lule. Në Lojërat Pitike, fituesit merrnin një kurorë dafinash. Në Lojërat Olimpike merrnin kurora me gjethe ulliri të egër, kurse në Lojërat Istmike merrnin kurora pishe. «Për të nxitur zellin e konkurruesve,—vëren një dijetar biblik—kurorat, shpërblimet e fitores dhe degët e palmave, gjatë garës i vinin në një vend ku këta t’i shikonin qartë, në një stol me tri këmbë ose në një tavolinë, të vendosur në stadium.» Për fituesin, të mbante kurorën ishte shenjë nderimi të madh. Kur kthehej në shtëpi, ai hynte triumfues në qytet, hipur në një karrocë lufte.
Duke pasur këtë në mendje, Pavli i pyeti lexuesit korintas: «A nuk e dini se në një garë vrapojnë të gjithë vrapuesit, por vetëm një e merr çmimin? Vraponi në mënyrë të tillë që ta fitoni. . . . Tani, ata natyrisht që e bëjnë këtë për të marrë një kurorë të prishshme, por ne një të paprishshme.» (1 Korintasve 9:24, 25; 1 Pjetrit 1:3, 4) Çfarë kontrasti! Ndryshe nga kurorat e lojërave të lashta që vyshkeshin, çmimi që i pret ata që e përfundojnë garën për jetë nuk do të prishet kurrë.
Duke pasur parasysh këtë kurorë më të mirë, apostulli Pjetër shkroi: «Kur kryebariu të jetë shfaqur, do të merrni kurorën e lavdisë që nuk mund të vyshket.» (1 Pjetrit 5:4) A mund të krahasohet ndonjë çmim që ofron kjo botë me pavdekësinë, çmimin e jetës së paprishshme në lavdi qiellore me Krishtin?
Sot, shumica dërrmuese e vrapuesve të krishterë nuk janë të mirosur nga Perëndia për të qenë bij të tij frymorë dhe nuk kanë shpresë qiellore. Ata nuk po vrapojnë për çmimin e pavdekësisë. Megjithatë, Perëndia vë edhe para tyre një çmim të pakrahasueshëm. Është jeta e përhershme në përsosmëri, në një tokë parajsore nën Mbretërinë e qiellit. Cilido qoftë çmimi, tek i cili i ka sytë një vrapues i krishterë, ai duhet të vrapojë me vendosmëri dhe forcë më të madhe se çdo vrapues në një garë atletike. Përse? Sepse çmimi nuk do të vyshket kurrë: «Gjëja e premtuar që ai vetë na premtoi është kjo: jeta e përhershme.»—1 Gjonit 2:25.
Me një çmim të tillë të pakrahasueshëm para syve, cila duhet të jetë pikëpamja e një vrapuesi të krishterë për joshjet e kësaj bote? Duhet të jetë pikëpamja e Pavlit, i cili tha: «Madje, sa për këtë, e konsideroj çdo gjë si një humbje për shkak të vlerës së pashoqe të njohurisë së Krishtit Jezu, Zotërisë tim. Për shkak të tij kam pranuar humbjen e çdo gjëje dhe i konsideroj ato si shumë plehra, që të fitoj Krishtin.» Sa fort që vrapoi Pavli, në harmoni me këto fjalë! «Vëllezër, unë nuk e konsideroj veten sikur ta kem kapur atë; por ka një gjë në lidhje me këtë: duke harruar gjërat që shkuan dhe duke u zgjatur drejt atyre që shtrihen përpara, unë po sulem Filipianëve 3:8, 13, 14) Pavli vrapoi me shikimin të ngulur te çmimi. Kështu duhet të bëjmë edhe ne.
drejt synimit për çmimin.» (Shembulli ynë më i shkëlqyer
Në lojërat e lashta, kampionët admiroheshin shumë. Poetët shkruanin për ta dhe skulptorët u bënin statuja. Historiania Vjora Olivova thotë që «mbuloheshin me lavdi dhe gëzonin një popullaritet shumë të madh». Gjithashtu, shërbenin si modele për brezin e ri të kampionëve.
Kush është «kampioni» që lë shembullin më të shkëlqyer për të krishterët? Pavli përgjigjet: «Le të vrapojmë me qëndrueshmëri në garën që na është vënë përpara, ndërsa e mbajmë shikimin të ngulur te Kryepërfaqësuesi dhe Përsosësi i besimit tonë, Jezui. Për gëzimin që iu vu përpara, ai duroi një shtyllë torture, duke përbuzur turpin dhe është ulur në të djathtën e fronit të Perëndisë.» (Hebrenjve 12:1, 2) Pikërisht, nëse duam të dalim fitimtarë në garën për jetën e përjetshme, duhet ta mbajmë shikimin të ngulur te Shembulli ynë, Jezu Krishti. Këtë mund ta bëjmë duke lexuar rregullisht tregimet e Ungjijve dhe duke medituar për mënyrat se si mund ta imitojmë. Ky studim do të na ndihmojë të kuptojmë se Jezu Krishti i bindej Perëndisë dhe e provoi cilësinë e besimit të tij me anë të qëndrueshmërisë. Si shpërblim për qëndrueshmërinë, mori miratimin e Perëndisë Jehova dhe shumë privilegje të mrekullueshme.—Filipianëve 2:9-11.
Sigurisht, cilësia më e spikatshme e Jezuit ishte dashuria. «Askush nuk ka dashuri më të madhe sesa kjo, që dikush të japë shpirtin e vet për miqtë e tij.» (Gjoni 15:13) Ai i dha domethënie më të thellë fjalës «dashuri», duke na thënë të duam madje edhe armiqtë. (Mateu 5:43-48) Duke qenë se e donte Atin e tij qiellor, Jezui gjeti gëzim duke bërë vullnetin e Atit të tij. (Psalmi 40:9, 10; Fjalët e urta 27:11) Duke e parë Jezuin si Shembullin tonë dhe si atë që na përcakton ritmin në garën e vështirë për jetë, do të nxitemi, gjithashtu, ta duam Perëndinë dhe të afërmin, si edhe të gjejmë gëzim të vërtetë në shërbimin tonë të shenjtë. (Mateu 22:37-39; Gjoni 13:34; 1 Pjetrit 2:21) Të mbajmë në mend se Jezui nuk na kërkon të pamundurën. Ai na siguron: «Unë jam me natyrë të butë e i përulur në zemër dhe ju do të gjeni freskim për shpirtrat tuaj. Sepse zgjedha ime është e këndshme dhe ngarkesa ime është e lehtë.»—Mateu 11:28-30.
Ashtu si Jezui, duhet t’i mbajmë sytë te çmimi që është rezervuar për të gjithë ata që qëndrojnë deri në fund. (Mateu 24:13) Nëse ndeshemi sipas rregullave, nëse flakim çdo peshë dhe nëse vrapojmë me qëndrueshmëri, mund të jemi të sigurt për fitoren. Synimi që duket në horizont na tërheq përpara! Na e rigjallëron forcën për shkak të gëzimit që na shkakton, një gëzim që na e bën më të lehtë të ecim në rrugën që kemi përpara.
[Figura në faqen 29]
Gara e krishterë është një vrapim i gjatë, prandaj, kërkon qëndrueshmëri
[Figura në faqen 30]
Ndryshe nga atletët e kurorëzuar, të krishterët mund të presin me padurim një çmim të paprishshëm
[Figura në faqen 31]
Çmimi është për të gjithë ata që qëndrojnë deri në fund
[Burimi i figurës në faqen 28]
Copyright British Museum