Dëshmitarët e Jehovait: Ecin përpara me bindje të patundur!
Dëshmitarët e Jehovait: Ecin përpara me bindje të patundur!
Raport i Mbledhjes Vjetore
NË KËTO ditë skepticizmi dhe dyshimesh, Dëshmitarët e Jehovait dallohen si të krishterë që kanë bindje të patundur. Kjo u bë e qartë në mbledhjen vjetore të Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania, e cila u mbajt në Sallën e Asambleve të Dëshmitarëve të Jehovait në qytetin Xhersi, Nju-Xhersi, të shtunën, më 7 tetor 2000. *
Në komentet hyrëse, drejtuesi, Xhon E. Barr, anëtar i Trupit Udhëheqës të Dëshmitarëve të Jehovait, tha: «Ndryshe nga miliarda njerëz që jetojnë në gjithë tokën, ne e dimë dhe e besojmë se Biri i dashur i Jehovait, Jezu Krishti, tani është i kurorëzuar në qiej, duke sunduar në mes të armiqve të tij.» Gjashtë raporte drithëruese nga vende të ndryshme të botës sollën prova për këtë bindje të patundur.
Në Haiti e mundin spiritizmin me të vërtetën biblike
Në Haiti, spiritizmi është shumë i përhapur. «Zakonisht,—tregoi koordinatori i Komitetit të Degës, Xhon Norman,—njerëzit praktikojnë fenë vudu për t’u mbrojtur.» Një magjistar filloi të kishte dyshime, kur humbi një këmbë për shkak të një aksidenti. ‘Si ka mundësi që më ndodhi kjo, nëse frymërat më mbrojnë?’—pyeti veten. Dëshmitarët e Jehovait i mësuan këtij burri, ashtu si shumë të tjerëve, të vërtetën dhe e ndihmuan të çlirohej nga spiritizmi. Potenciali për rritje që ekziston në Haiti tregohet nga fakti që më 19 prill 2000, Përkujtimin e vdekjes së Krishtit në atë vend e ndoqën katër herë më shumë njerëz, sesa numri i lajmëtarëve të Mbretërisë.
Zell në territorin e madh të Koresë
Në Kore, 40 për qind e Dëshmitarëve të Jehovait janë në shërbim të plotkohor. «Me këtë ushtri shumë të madhe lajmëtarësh,—tha koordinatori i Komitetit të Degës, Milton Hamilton,—territori ynë që përmban më shumë se 47 milionë njerëz, përshkohet afërsisht një herë në muaj.» Veçanërisht e dukshme është rritja në kongregacionet e gjuhës së shenjave. Në një qark me kongregacione të gjuhës së shenjave, po drejtohen 800 studime biblike në shtëpi. Kjo përbën mesataren një studim për lajmëtar. Mjerisht, vëllezërit me moshë të re vazhdojnë t’i burgosin për shkak të asnjanësisë së tyre. Megjithatë, në burg këta të krishterë besnikë i trajtojnë
në mënyrë të favorshme dhe shpesh u japin punë që kërkojnë mirëbesim.Përballohen kërkesat e rritjes në Meksikë
Në gusht të vitit 2000, në Meksikë raportuan shërbimin në fushë 533.665 lajmëtarë të Mbretërisë, një maksimum i ri. Më shumë se trefishi i atij numri ndoqën Përkujtimin. «Synimi ynë për këtë vit është të ndërtojmë 240 Salla të tjera Mbretërie»,—tha koordinatori i Komitetit të Degës, Robert Trejsi. «Megjithatë,—shtoi ai,—na duhen ende shumë të tjera.»
Të rinjtë Dëshmitarë të Jehovait në Meksikë janë shembullorë. Në lidhje me një Dëshmitar me moshë të re, një prift katolik tha: «Do të më pëlqente të kisha sikur edhe një njeri si ai ndërmjet ndjekësve të mi. I admiroj këta njerëz për vullnetin e fortë dhe përdorimin e mençur të Biblës. E kanë mbrojtur Perëndinë, madje duke rrezikuar edhe jetën.»
Integritet në kohë trazirash në Sierra-Leone
Që nga prilli 1991, kur shpërtheu lufta civile në Sierra-Leone, mijëra njerëz janë vrarë, plagosur ose gjymtuar. «Lufta dhe vështirësitë kanë pasur një ndikim shumë të thellë te njerëzit,—raportoi koordinatori i Komitetit të Degës, Bill Kauan.—Shumë veta që ishin indiferentë ndaj mesazhit tonë, tani dëgjojnë me interes. Ndodh shpesh që njerëz të cilët janë duke ecur rrugës të hyjnë në Sallat tona të Mbretërisë për të ndjekur mbledhjen e tyre të parë. Vëllezërit ndalohen shpesh në rrugë dhe u kërkohet një studim biblik.» Me gjithë paqëndrueshmërinë e vazhdueshme në vend, vepra e predikimit të Mbretërisë po sjell fryte në Sierra-Leone.
Program i madh ndërtimi në Afrikën e Jugut
Pikërisht në këtë kohë, në territorin për të cilin kujdeset zyra e degës në Afrikën e Jugut ka nevojë për disa mijëra Salla Mbretërie. Qindra salla janë ndërtuar tashmë. «Në vend që të mblidhen në një kasolle ose nën një pemë, siç bëhej më parë, vëllezërit tanë kanë mundësi të mblidhen në një vend të përshtatshëm me ndenjëse të përshtatshme,—vërejti anëtari i Komitetit të Degës, Xhon Kikot.—Ndonëse shumica e këtyre Sallave të Mbretërisë kanë një strukturë modeste, zakonisht ato dallohen si ndërtesat më dinjitoze në vendin e tyre. Në disa zona, është zbuluar se pas ndërtimit të një Salle Mbretërie, kongregacioni arrin më shumë se dyfishin e tij gjatë vitit që vijon.»
Një brez i ri Dëshmitarësh në Ukrainë
Gjatë vitit të shërbimit 2000, ky vend pa një maksimum prej 112.720 lajmëtarësh. Prej këtyre, më shumë se 50.000 e kanë mësuar të vërtetën biblike gjatë pesë viteve të kaluara. «Vërtet, Jehovai ka ngritur një brez të ri Dëshmitarësh për të shpallur emrin e tij.»—tha Xhon Diduri, koordinator i Komitetit të Degës. «Në dy vitet e fundit,—shtoi ai,—kemi shpërndarë më shumë se 50 milionë revista, numër që është i barabartë me numrin e popullsisë së vendit. Çdo muaj, marrim mesatarisht një mijë letra nga njerëzit e interesuar, të cilët kërkojnë më shumë informacion.»
Aspekte të tjera prekëse të programit
Daniel Sidliku, anëtar i Trupit Udhëheqës, mbajti një fjalim shumë tërheqës. Artikulli që gjendet në këtë revistë, «Si ndryshon Trupi Udhëheqës nga një korporatë ligjore?», bazohet në atë prezantim informativ.
Theodor Xharazi, i Trupit Udhëheqës, mbajti një fjalim që të vinte në mendime, me temën «Mbikëqyrës dhe shërbëtorë ndihmës të emëruar në mënyrë teokratike». Një nga artikujt që gjenden në këtë revistë bazohet në këtë temë.
Mbledhja vjetore përfshiu edhe një fjalim nxitës, bazuar në shkrimin e vitit për 2001-shin, i cili u mbajt nga Dejvid Splejni, anëtar i Trupit Udhëheqës. Bazuar në fjalët e apostullit Pavël, shkrimi i vitit është: «Qëndroni të plotë dhe me bindje të patundur në gjithë vullnetin e Perëndisë.» (Kolosianëve 4:12) Dëshmitarët e Jehovait anembanë botës janë të vendosur për të vepruar kështu, ndërsa e predikojnë me besnikëri lajmin e mirë të Mbretërisë së Perëndisë në të gjithë tokën.—Mateu 24:14.
[Shënimi]
^ par. 3 Programi ishte lidhur me linjë elektronike me disa vende të tjera, kështu që maksimumi i të pranishmëve ishte 13.082 veta.