Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Mbikëqyrës dhe shërbëtorë ndihmës të emëruar në mënyrë teokratike

Mbikëqyrës dhe shërbëtorë ndihmës të emëruar në mënyrë teokratike

Mbikëqyrës dhe shërbëtorë ndihmës të emëruar në mënyrë teokratike

«Kushtojini vëmendje vetes dhe gjithë kopesë, mes së cilës fryma e shenjtë ju ka emëruar mbikëqyrës.»—VEPRAT 20:28.

1, 2. Si po përmbushet Isaia 60:22?

JEHOVAI, shumë kohë më parë, paratha se në kohën e fundit do të ndodhte diçka e jashtëzakonshme. Nëpërmjet profetit Isaia, u tha: «Më i vogli do të bëhet një mijëshe, minimumi një komb i fuqishëm. Unë, Zoti, do t’i shpejtoj gjërat në kohën e tyre.»—Isaia 60:22.

2 A ka dëshmi se kjo profeci po gjen përmbushje sot? Patjetër që po! Gjatë viteve 70 të shekullit të 19-të, në Allegeni të Pensilvanisë, SHBA, u formua një kongregacion i popullit të Jehovait. Nga ky fillim i vogël, dhjetëra mijë kongregacione janë formuar dhe po lulëzojnë në mbarë botën. Miliona lajmëtarë të Mbretërisë—një komb i fuqishëm—bëjnë pjesë tani në më shumë se 91.000 kongregacione në 235 vende përreth tokës. Pa dyshim, kjo vërteton se Jehovai po e shpejton mbledhjen e adhuruesve të vërtetë para shpërthimit të ‘shtrëngimit të madh’, i cili tani është kaq afër!—Mateu 24:21; Zbulesa 7:9-14.

3. Çfarë do të thotë të pagëzohesh «në emër të Atit, të Birit dhe të frymës së shenjtë»?

3 Pasi bënë një dedikim personal ndaj Jehovait, dhe në harmoni me udhëzimet e Jezuit, këta miliona veta u pagëzuan «në emër të Atit, të Birit dhe të frymës së shenjtë». (Mateu 28:19) Pagëzimi «në emër të Atit» do të thotë se këta persona të dedikuar e njohin Jehovain si Atin qiellor dhe Jetëdhënësin e tyre dhe i nënshtrohen sovranitetit të tij. Pagëzimi ‘në emër të Birit’ do të thotë se e pranojnë Jezu Krishtin si Shpërblyesin, Udhëheqësin dhe Mbretin e tyre. Gjithashtu, ata pranojnë rolin që ka fryma e shenjtë ose forca aktive e Perëndisë për të drejtuar jetën e tyre. Kjo tregon se janë pagëzuar ‘në emër të frymës së shenjtë’.

4. Në ç’mënyrë emërohen zyrtarisht shërbëtorët e krishterë?

4 Në pagëzimin e tyre, dishepujt e rinj emërohen zyrtarisht si shërbëtorë të Perëndisë Jehova. Kush i emëron ata zyrtarisht? Në parim, për ta zbatohen fjalët e dokumentuara te 2 Korintasve 3:5, ku thuhet: «Kualifikimi ynë siç duhet [si shërbëtorë] vjen nga Perëndia.» Nuk mund të dëshironin nder më të madh sesa të emëroheshin zyrtarisht nga vetë Perëndia Jehova! Pas pagëzimit, ata do të vazhdojnë të rriten frymësisht si shërbëtorë të ‘lajmit të mirë’, për sa kohë që e pranojnë udhëheqjen e frymës së Perëndisë dhe vazhdojnë të zbatojnë Fjalën e tij.—Mateu 24:14; Veprat 9:31.

Emërim teokratik, jo demokratik

5. A zgjidhen në mënyrë demokratike mbikëqyrësit dhe shërbëtorët ndihmës të krishterë? Shpjegoni.

5 Për t’u kujdesur për nevojat frymore të numrit në rritje të shërbëtorëve aktivë, kërkohet mbikëqyrja e pjekur nga mbikëqyrës të kualifikuar dhe ndihma e aftë e shërbëtorëve ndihmës. (Filipianëve 1:1) Si emërohen këta burra frymorë? Jo me metoda si ato që përdoren në të ashtuquajturin krishterim. Për shembull, mbikëqyrësit e krishterë nuk zgjidhen në mënyrë demokratike, domethënë, duke marrë votat e shumicës së njerëzve që bëjnë pjesë në një kongregacion. Përkundrazi, këto emërime bëhen në mënyrë teokratike. Çfarë do të thotë kjo?

6. (a) Çfarë është teokracia e vërtetë? (b) Përse emërimet e mbikëqyrësve dhe të shërbëtorëve ndihmës janë teokratike?

6 E thënë thjesht, një teokraci e vërtetë është sundim nga Perëndia. Dëshmitarët e Jehovait i nënshtrohen vullnetarisht sundimit të tij dhe bashkëpunojnë me njëri-tjetrin për të bërë vullnetin hyjnor. (Psalmi 143:10; Mateu 6:9, 10) Emërimet e mbikëqyrësve ose pleqve të krishterë dhe të shërbëtorëve ndihmës janë teokratike, sepse procesi i rekomandimit dhe i emërimit të këtyre burrave përgjegjës kryhet në përputhje me rregullimin e Perëndisë të paraqitur në Shkrimet e Shenjta. Dhe, si «sovran mbi gjithçka», patjetër që Jehovai ka të drejtën të përcaktojë si do të veprojë organizata e tij e dukshme.—1 Kronikave 29:11; Psalmi 97:9.

7. Si janë të organizuar Dëshmitarët e Jehovait?

7 Në kontrast me shumë grupe fetare në të ashtuquajturin krishterim, Dëshmitarët e Jehovait nuk e vendosin vetë formën e strukturës fetare nën të cilën veprojnë. Këta të krishterë të sinqertë përpiqen t’u përmbahen ngushtësisht normave të Jehovait. Mbikëqyrësit që janë mes tyre nuk caktohen në detyrë nga ndonjë strukturë organizative kongregacionale, hierarkike ose presbiteriane e kishës. Nëse elementë të botës përpiqen të ndërhyjnë në këto emërime, populli i Jehovait refuzon të bëjë kompromis. Pa u lëkundur, ata mbajnë pozitën që është shprehur shumë mirë nga apostujt në shekullin e parë, kur thanë: «Duhet t’i bindemi Perëndisë si sundimtar në vend të njerëzve.» (Veprat 5:29) Prandaj, Dëshmitarët i nënshtrohen Perëndisë në çdo gjë. (Hebrenjve 12:9; Jakovit 4:7) Ndjekja e procedurës teokratike sjell miratimin hyjnor.

8. Si ndryshojnë procedurat demokratike nga ato teokratike?

8 Si shërbëtorë të Teokratit të Madh, Jehovait, bëjmë mirë të mbajmë në mendje ndryshimet ndërmjet procedurave demokratike dhe teokratike. Proceset demokratike kërkojnë përfaqësim të barabartë dhe shpesh karakterizohen nga fushatat për post dhe nga zgjedhja me votën e shumicës. Në emërimet teokratike nuk përfshihen procedura të tilla. Këto emërime nuk vijnë nga njerëzit dhe as nuk dalin nga ndonjë ent ligjor. Duke iu referuar, me sa duket, emërimit të tij nga Jezui dhe nga Jehovai si «apostull i kombeve», Pavli u tha galatasve se nuk ishte emëruar «as nga njerëzit, as me anë të një njeriu, por me anë të Jezu Krishtit dhe Perëndisë, Atit, i cili e ngriti nga të vdekurit».—Romakëve 11:13; Galatasve 1:1.

Të emëruar nga fryma e shenjtë

9. Çfarë thuhet te Veprat 20:28 në lidhje me emërimin e mbikëqyrësve të krishterë?

9 Pavli u rikujtoi mbikëqyrësve që jetonin në Efes se ishin emëruar nga Perëndia nëpërmjet frymës së shenjtë. Ai tha: «Kushtojini vëmendje vetes dhe gjithë kopesë, mes së cilës fryma e shenjtë ju ka emëruar mbikëqyrës, për të kullotur kongregacionin e Perëndisë, të cilin ai e bleu me gjakun e Birit të vet.» (Veprat 20:28) Ata mbikëqyrës të krishterë duhej të vazhdonin të udhëhiqeshin nga fryma e shenjtë ndërkohë që kryenin detyrat e tyre si barinj të kopesë së Perëndisë. Nëse një burrë që ishte emëruar në një detyrë të veçantë nuk plotësonte më normat hyjnore, me kalimin e kohës fryma e shenjtë do të vepronte për ta hequr nga pozita e tij.

10. Pse mund të themi që fryma e shenjtë luan një rol kryesor në emërimet teokratike?

10 Pse mund të themi që fryma e shenjtë luan një rol kryesor? Para së gjithash, informacioni ku parashtrohen kërkesat për mbikëqyrjen frymore u frymëzua nga fryma e shenjtë. Në letrat drejtuar Timoteut dhe Titit, Pavli parashtroi normat që duhej të plotësonin mbikëqyrësit dhe shërbëtorët ndihmës. Gjithsej përmendi rreth 16 kërkesa. Për shembull, mbikëqyrësit duhej të ishin të paqortueshëm, të përkorë në zakone, me mendje të shëndoshë, të rregullt, mikpritës, të kualifikuar për të mësuar dhe shembullorë si kryefamiljarë. Duhej të ishin të ekuilibruar në përdorimin e pijeve alkoolike, nuk duhej të ishin dashurues të parave dhe duhej të ushtronin vetëkontroll. Në mënyrë të ngjashme, edhe për burrat që synonin emërimin si shërbëtorë ndihmës u vendosën norma të larta.—1 Timoteut 3:1-10, 12, 13; Titit 1:5-9.

11. Cilat janë disa nga kualifikimet që duhet të plotësojnë burrat që synojnë për përgjegjësi në kongregacion?

11 Duke u bërë një rishikim këtyre kualifikimeve kuptojmë se ata që marrin drejtimin në adhurimin e Jehovait duhet të jenë shembullorë në sjelljen e krishterë. Burrat që synojnë për përgjegjësi në kongregacion duhet të japin dëshmi se fryma e shenjtë vepron tek ata. (2 Timoteut 1:14) Duhet të jetë e dukshme se fryma e Perëndisë po prodhon te këta burra frytet e ‘dashurisë, gëzimit, paqes, shpirtgjerësisë, mirëdashjes, mirësisë, besimit, butësisë dhe vetëkontrollit’. (Galatasve 5:22, 23) Këto fryte do të duken qartë në marrëdhëniet e tyre me bashkëbesimtarët dhe me të tjerët. Sigurisht, disa mund të shkëlqejnë në shfaqjen e disa fryteve të frymës, kurse të tjerë mund të plotësojnë në një masë më të madhe kualifikime të tjera për mbikëqyrës. Megjithatë, të gjithë ata që shpresojnë të emërohen si mbikëqyrës ose si shërbëtorë ndihmës duhet ta tregojnë në gjithë mënyrën e tyre të jetesës se janë burra frymorë, të cilët jetojnë në lartësinë e kërkesave të Fjalës së Perëndisë.

12. Për cilët mund të thuhet se janë emëruar nga fryma e shenjtë?

12 Kur Pavli i nxiti të tjerët që të bëheshin imitues të tij, mundi ta bënte këtë me liri fjale, sepse ai vetë po imitonte Jezu Krishtin, i cili ‘na la një model, që të ndjekim me kujdes gjurmët e tij’. (1 Pjetrit 2:21; 1 Korintasve 11:1) Kështu, për ata që plotësojnë kërkesat biblike në kohën e emërimit të tyre si mbikëqyrës ose shërbëtorë ndihmës mund të thuhet se janë emëruar nga fryma e shenjtë.

13. Si i ndihmon fryma e shenjtë ata që bëjnë rekomandime për burra që të shërbejnë në kongregacion?

13 Ka edhe një faktor tjetër që tregon se si vepron fryma e shenjtë për të rekomanduar dhe për të emëruar mbikëqyrësit. Jezui tha se ‘Ati në qiell u jep frymë të shenjtë atyre që ia kërkojnë’. (Luka 11:13) Pra, kur pleqtë në kongregacionin lokal mblidhen që të rekomandojnë burra për përgjegjësi në kongregacion, ata luten që t’i udhëheqë fryma e Perëndisë. Rekomandimet i bazojnë në atë që thuhet në Fjalën e frymëzuar të Perëndisë dhe fryma e shenjtë i aftëson të dallojnë nëse individi që po diskutohet për t’u emëruar i plotëson kërkesat biblike. Ata që bëjnë rekomandimet nuk duhet të ndikohen në mënyrë të papërshtatshme nga pamja e jashtme, nga arritjet intelektuale ose nga aftësitë natyrore. Në radhë të parë duhet të përqendrohen për të parë nëse personi është një burrë frymor, të cilit pjesëtarët e kongregacionit nuk do të ngurronin t’i afroheshin për këshilla frymore.

14. Çfarë mësojmë nga Veprat 6:1-3?

14 Edhe pse trupat e pleqve bashkëpunojnë me mbikëqyrësit udhëtues për të rekomanduar vëllezër që të shërbejnë si pleq dhe shërbëtorë ndihmës, emërimet në fakt bëhen sipas modelit të vendosur në shekullin e parë. Në një rast, lindi nevoja për burra të kualifikuar frymësisht që të kujdeseshin për një caktim të rëndësishëm. Trupi udhëheqës dha udhëzimin vijues: «Kërkoni vetë ndër ju shtatë burra me dëshmi të mirë, plot frymë dhe mençuri, që t’i emërojmë në këtë detyrë të nevojshme.» (Veprat 6:1-3) Ndonëse rekomandimet i bënë burrat që gjendeshin në atë vend, emërimet i bënë burrat përgjegjës në Jerusalem. Sot ndiqet një model i ngjashëm.

15. Si është përfshirë Trupi Udhëheqës në çështjen e emërimit të burrave?

15 Trupi Udhëheqës i Dëshmitarëve të Jehovait emëron drejtpërdrejt të gjithë anëtarët e Komiteteve të Degëve. Kur vendos se cili mund të marrë përsipër një përgjegjësi kaq të madhe, Trupi Udhëheqës ka në mendje thënien e Jezuit: «Kujtdo që iu dha shumë, do t’i kërkohet shumë; dhe atij që iu la në ngarkim shumë, do t’i kërkohet më shumë se zakonisht.» (Luka 12:48) Përveç emërimit të anëtarëve të Komiteteve të Degëve, Trupi Udhëheqës emëron pleqtë e Bethelit dhe mbikëqyrësit udhëtues. Megjithatë, ngarkon edhe vëllezër përgjegjës që të veprojnë në vend të tij, për të bërë disa emërime të tjera. Edhe për këtë ka një precedent biblik.

‘Bëj emërime, siç të dhashë urdhra’

16. Për çfarë arsye e la Pavli Titin në Kretë dhe çfarë tregon kjo për emërimet teokratike sot?

16 Pavli i tha Titit, bashkëpunëtorit të tij: «Për këtë arsye të lashë në Kretë, për të ndrequr gjërat që ishin me të meta dhe për të bërë emërime pleqsh nga njëri qytet në tjetrin, siç të dhashë urdhra.» (Titit 1:5) Pastaj Pavli parashtroi kualifikimet që duhej të kërkonte Titi te burrat që do të kualifikoheshin për emërime të tilla. Prandaj, sot Trupi Udhëheqës emëron, në degë të ndryshme, vëllezër të kualifikuar që ta përfaqësojnë për të bërë emërime të pleqve dhe shërbëtorëve ndihmës. Tregohet kujdes që ata që veprojnë duke përfaqësuar Trupin Udhëheqës t’i kuptojnë qartësisht dhe t’i ndjekin udhëzimet biblike për bërjen e emërimeve të tilla. Prandaj, burrat e kualifikuar emërohen nën drejtimin e Trupit Udhëheqës për të shërbyer në kongregacionet e Dëshmitarëve të Jehovait anembanë botës.

17. Si vepron zyra e degës me rekomandimet për emërimin e mbikëqyrësve dhe të shërbëtorëve ndihmës?

17 Kur rekomandimet për emërimin e mbikëqyrësve dhe të shërbëtorëve ndihmës i dërgohen një zyre të degës së Shoqatës Watch Tower, burra me përvojë mbështeten në frymën e Perëndisë, me qëllim që t’i udhëheqë për të bërë emërimet. Këta burra kanë një ndjenjë përgjegjësie, duke e kuptuar se nuk duhet t’i vënë duart me ngut mbi asnjë njeri, përndryshe do të marrin pjesë në mëkatet e tij.—1 Timoteut 5:22.

18, 19. (a) Në ç’mënyrë jepen disa emërime? (b) Si kryhet i tërë procesi i rekomandimit dhe i emërimit?

18 Disa emërime mund të jepen me anë të një letre që mban vulë zyrtare nga një ent ligjor. Një letër e tillë mund të përdoret për të emëruar më shumë se një vëlla në kongregacion.

19 Emërimet teokratike vijnë nga Jehovai nëpërmjet Birit të tij dhe nëpërmjet kanalit të dukshëm tokësor të Perëndisë, ‘skllavit të besueshëm dhe të matur’, si edhe Trupit Udhëheqës të tij. (Mateu 24:45-47) I tërë procesi i një rekomandimi dhe emërimi të tillë drejtohet ose udhëhiqet nga fryma e shenjtë. Është kështu sepse kualifikimet janë paraqitur në Fjalën e Perëndisë, e cila është e frymëzuar nga fryma e shenjtë dhe individi i emëruar jep dëshmi se prodhon frytet e kësaj fryme. Prandaj, emërimet duhen konsideruar si të jenë bërë nga fryma e shenjtë. Ashtu si mbikëqyrësit dhe shërbëtorët ndihmës emëroheshin në mënyrë teokratike në shekullin e parë, po e njëjta gjë ndodh edhe sot.

Mirënjohës për udhëheqjen e Jehovait

20. Përse kemi të njëjtat ndjenja si të Davidit, të dokumentuara te Psalmi 133:1?

20 Në këtë periudhë begatie frymore dhe rritjeje teokratike në aktivitetin e predikimit të Mbretërisë, jemi mirënjohës që Jehovai është përgjegjësi kryesor për emërimin e mbikëqyrësve dhe të shërbëtorëve ndihmës. Ky rregullim biblik ndihmon që të mbahen normat e larta të drejtësisë së Perëndisë ndërmjet nesh si Dëshmitarë të Jehovait. Për më tepër, fryma e krishterë dhe përpjekjet e zellshme të këtyre burrave i kontribuojnë shumë paqes dhe unitetit të mrekullueshëm që kemi si shërbëtorë të Jehovait. Ashtu si psalmisti David, ndihemi të nxitur, pra, të thërrasim: «Ja, sa e mirë dhe e kënaqshme është që vëllezërit të banojnë bashkë në unitet!»—Psalmi 133:1.

21. Si po përmbushet sot Isaia 60:17?

21 Sa mirënjohës jemi për drejtimin e Jehovait me anë të Fjalës dhe të frymës së tij të shenjtë! Sa domethënëse janë fjalët e dokumentuara tek Isaia 60:17, ku thuhet: «Në vend të bronzit do të sjell ar, në vend të hekurit do të sjell argjend, në vend të drurit bronz, në vend të gurëve hekur; do të vendos si gjykatësin tënd paqen dhe si kujdestarin tënd drejtësinë.» Dora-dorës që ndër Dëshmitarët e Jehovait janë përdorur më plotësisht procedurat teokratike, i kemi përjetuar këto kushte të bekuara në gjithë organizatën tokësore të Perëndisë.

22. Për çfarë gjëje jemi me të drejtë mirënjohës dhe çfarë duhet të jemi të vendosur të bëjmë?

22 Jemi thellësisht mirënjohës për rregullimet teokratike që ekzistojnë mes nesh. Gjithashtu, e vlerësojmë shumë punën e vështirë, por të kënaqshme që bëjnë mbikëqyrësit dhe shërbëtorët ndihmës të emëruar në mënyrë teokratike. E lavdërojmë me gjithë zemër Atin tonë të dashur qiellor, i cili na ka dhënë begati frymore dhe na ka bekuar kaq me bollëk. (Fjalët e urta [Proverbat] 10:22) Pra, le të jemi të vendosur të ecim në një hap me organizatën e Jehovait! Mbi të gjitha, le të vazhdojmë të shërbejmë së bashku në unitet për nderin, lavdërimin dhe lavdinë e emrit të madh e të shenjtë të Jehovait!

Si do të përgjigjeshit?

• Përse mund të themi që emërimi i mbikëqyrësve dhe i shërbëtorëve ndihmës është teokratik e jo demokratik?

• Si emërohen nga fryma e shenjtë burrat përgjegjës të krishterë?

• Si përfshihet Trupi Udhëheqës në emërimin e mbikëqyrësve dhe të shërbëtorëve ndihmës?

• Përse duhet t’i jemi mirënjohës Jehovait, për sa u përket emërimeve teokratike?

[Pyetjet]

[Figurat në faqen 15]

Pleqtë dhe shërbëtorët ndihmës kanë privilegjin të shërbejnë sipas emërimit teokratik