Një njoftim i veçantë
Një njoftim i veçantë
NË PËRFUNDIM të mbledhjes vjetore të Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania, mbajtur më 7 tetor 2000, drejtuesi, Xhon E. Barr, i Trupit Udhëheqës, dha një njoftim të veçantë. Ky njoftim mbështetej në fjalimet e mbajtura më parë atë ditë nga Theodor Xharaz dhe nga Daniel Sidlik.—Shih faqet 12-16 dhe 28-31 të kësaj reviste.
Duke theksuar një pikë shumë domethënëse, vëllai Barr tha: «‘Skllavit të besueshëm dhe të matur’, si edhe Trupit Udhëheqës të tij, u janë besuar interesa që janë shumë më të larta dhe që përfshijnë shumë më tepër se ato që u janë besuar korporatave ligjore. Në qëllimet e paraqitura në statutet e këtyre enteve janë parashtruar gjëra me rreze të kufizuar veprimi. Por, Zotëria ynë, Jezu Krishti, e ka emëruar klasën e skllavit të besueshëm mbi të gjitha ‘zotërimet’ ose interesat e Mbretërisë së tij këtu në tokë.»—Mateu 24:45-47.
Në lidhje me korporatën e Pensilvanisë, vëllai Barr shtoi: «Që nga krijimi i saj në vitin 1884, Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania ka luajtur një rol të rëndësishëm në historinë tonë të ditëve moderne. Megjithatë, ajo është vetëm një mjet ligjor që është vënë në dispozicion për t’u përdorur nga ‘skllavi i besueshëm dhe i matur’ kur është e nevojshme.»
Në fjalimet e tyre, vëllezërit Sidlik dhe Xharaz kishin shpjeguar se fakti që «skllavit të besueshëm dhe të matur» i janë besuar të gjitha zotërimet tokësore të Zotërisë nuk e pengon klasën e skllavit të lërë që burra të kualifikuar nga «delet e tjera» të kujdesen për disa përgjegjësi të zakonshme administrative. (Gjoni 10:16) Gjithashtu, nuk ka asnjë arsye biblike për të ngulur këmbë që të gjithë ose ndonjë nga drejtuesit e enteve ligjore të përdorura nga Dëshmitarët e Jehovait të jenë të krishterë të mirosur.
Vëllai Barr i tha auditorit se kohët e fundit, disa anëtarë të Trupit Udhëheqës të Dëshmitarëve të Jehovait, të cilët kishin shërbyer si drejtues dhe funksionarë, dhanë dorëheqjen vullnetarisht nga këshillat drejtues të të gjitha korporatave të përdorura nga «skllavi i besueshëm dhe i matur» në Shtetet e Bashkuara. Në vend të tyre u zgjodhën vëllezër të besueshëm nga klasa e deleve të tjera.
Ky vendim është vërtet dobiprurës. Ai u jep mundësi anëtarëve të Trupit Udhëheqës të kalojnë më shumë kohë për të përgatitur ushqimin frymor dhe për t’u kujdesur në mënyra të tjera për nevojat frymore të vëllazërisë mbarëbotërore.
Duke përfunduar, drejtuesi i tha auditorit të kënaqur: «Ndonëse detyra të ndryshme ligjore dhe administrative u janë caktuar mbikëqyrësve me përvojë, . . . të gjithë ata shërbejnë nën drejtimin frymor të Trupit Udhëheqës. . . . Me lutje, të gjithë i drejtohemi Jehovait që të bekojë përpjekjet tona të bashkuara për të bërë vullnetin e tij, për nderin dhe lavdinë e emrit të tij të madh.»