Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

«Një projekt kryevepër»

«Një projekt kryevepër»

Qëndroni të plotë dhe me bindje të patundur

«Një projekt kryevepër»

QË NGA ditët e para të historisë së tyre të ditëve moderne, Dëshmitarët e Jehovait kanë qenë shumë të interesuar për një nga profecitë e Jezu Krishtit: «Ky lajm i mirë i mbretërisë do të predikohet në gjithë tokën e banuar si dëshmi për të gjitha kombet; dhe atëherë do të vijë fundi.» (Mateu 24:14) Ndërsa afrohej viti 1914, fillimi i ‘ditëve të fundit’, Studentët e sinqertë të Biblës ndërmorën me bindje të patundur një fushatë mbarëbotërore arsimimi pa precedent, të bazuar në Shkrimet e Shenjta.—2 Timoteut 3:1.

Për të arritur synimin që ta shpallnin lajmin e mirë në mbarë botën, këta shërbëtorë të Jehovait përdorën një metodë që ishte e re, përparimtare dhe e gjallë. Për të mësuar më shumë rreth saj, le të kthehemi prapa në kohë.

Një mënyrë e re për të shpallur lajmin e mirë

Është janari i vitit 1914. Imagjinojeni veten të ulur bashkë me 5.000 persona të tjerë në një sallë të errët në qytetin Nju-Jork. Para jush gjendet një ekran i madh kinemaje. Në ekran shfaqet një burrë i thinjur, i veshur me pallto. Keni parë herë të tjera filma pa zë, por ky burrë flet dhe ju mund t’i dëgjoni fjalët që thotë. Jeni në premierën e diçkaje novatore nga ana teknike dhe mesazhi i paraqitur është unik. Oratori është Çarlz Tejz Rasëlli, presidenti i parë i Shoqatës Watch Tower dhe filmi është «Foto-Drama e Krijimit».

Ç. T. Rasëlli e kuptoi potencialin që kishin filmat për të arritur masat e njerëzve. Prandaj, në vitin 1912 filloi të përgatiste «Foto-Dramën e Krijimit». Përfundimisht, doli një realizim me diapozitiva dhe filmime, i plotësuar me ngjyra dhe zë, që zgjaste tetë orë.

E projektuar për t’u shfaqur në katër seanca, «Foto-Drama e Krijimit» u paraqiste shikuesve krijimin, duke vazhduar me historinë njerëzore e deri në kulmin e qëllimit të Perëndisë Jehova për tokën dhe për njerëzimin, në fund të Mbretërimit Mijëvjeçar të Krishtit. Do të kalonin vite para se i njëjti përdorim i teknologjisë të kishte sukses në treg. Megjithatë, miliona veta e panë «Foto-Dramën e Krijimit» falas.

Për «Foto-Dramën» u përgatitën regjistrime të zgjedhura muzikore, si edhe 96 fjalime të regjistruara në gramafon. Diapozitivat për pajisjen e dyfishuar për diaprojeksion u bënë diapozitiva ekzistuese të veprave klasike të artit, të cilat ilustronin historinë botërore. Ishte e nevojshme, gjithashtu, që të bëheshin qindra piktura dhe skica. Disa nga diapozitivat dhe filmat me ngjyra u pikturuan me dorë, një punë që kërkonte përpjekje dhe kujdes shumë të madh. Dhe kjo gjë u bë disa herë me radhë, sepse, në atë kohë u përgatitën 20 seri të ndara në katër pjesë. Kjo bëri të mundur që një pjesë e «Foto-Dramës» të shfaqej në 80 qytete të ndryshme në çfarëdo dite të caktuar!

Prapa kuintave

Çfarë ndodhte prapa kuintave gjatë shfaqjeve të «Foto-Dramës»? «Foto-Drama fillonte me një film të vëllait Rasëll,—tha Studentja e Biblës Elis Hofman.—Sapo shfaqej ai në ekran dhe fillonte të lëvizte buzët, vihej në punë një gramafon . . . dhe dëgjonim me ëndje zërin e tij.»

Duke iu referuar fotografive që përshpejtonin veprimet, Zola Hofman kujtoi: «Qëndroja me sy hapur nga mahnitja, ndërsa shikoja paraqitjen e ditëve të krijimit. Para syve tanë shfaqeshin zambakë që hapnin dalëngadalë petalet e tyre.»

Karl F. Klajni, i Trupit Udhëheqës të Dëshmitarëve të Jehovait, i apasionuar pas muzikës, shton: «Në të njëjtën kohë që shfaqeshin këto pamje, shoqëroheshin me muzikë shumë të bukur, me perla të tilla, si Narcisi dhe Humoreske.»

Kishte edhe ngjarje të tjera të paharrueshme. «Disa herë, ndodhnin incidente që të bënin për të qeshur,—kujtoi Klejton J. Uduorth i Riu.—Në një rast, muzika që po luhej ishte ‘Fluturo si një zog drejt malit tënd’, ndërsa në skenë doli figura e një gjigantozauri tejet të madh, një kafshë e kohëve para Përmbytjes me përmasa të jashtëzakonshme.»

Përveç «Foto-Dramës së Krijimit» të zakonshme, shpejt dolën edhe seri me «Dramën Eureka». (Shih kutinë.) Një seri e tillë përbëhej nga fjalime të regjistruara, si edhe regjistrime muzikore. Kurse tjetra përmbante edhe regjistrime, edhe diapozitiva. Ndonëse «Dramës Eureka» i mungonin filmimet, ajo pati shumë sukses kur u shfaq në zona me popullsi më të vogël.

Një mjet i fuqishëm dëshmie

Në fund të vitit 1914, «Foto-Drama» ishte paraqitur para auditorëve që gjithsej përfshinin më shumë se 9.000.000 veta në Amerikën e Veriut, në Evropë dhe në Australi. Ndonëse ishin të paktë në numër, Studentëve të Biblës nuk u mungonte bindja e patundur që nevojitej për të shpallur lajmin e mirë me këtë mjet të ri. Ata dhanë me gëzim fondet e kërkuara për të marrë me qira vende të përshtatshme për këto shfaqje. Në këtë mënyrë, «Foto-Drama e Krijimit» luajti një rol të rëndësishëm për t’i njohur shikuesit me Fjalën dhe me qëllimet e Perëndisë.

Në një letër drejtuar Ç. T. Rasëllit, një person shkroi: «Hera e parë kur shkova për të parë Dramën tuaj ishte pika e kthesës në jetën time, ose më mirë të them, pika e kthesës në njohurinë time për Biblën.» Një person tjetër tha: «Isha duke rrëshqitur në rërën thithëse të mungesës së besimit dhe mendoj se ‘Foto-Drama e Krijimit’, e cila u shfaq këtu verën e kaluar, më shpëtoi. . . . Tani kam atë paqe që bota nuk mund ta japë dhe që nuk do ta këmbeja edhe sikur të më ofronte gjithë pasuritë e saj.»

Demetrius Papageorge, një anëtar prej shumë kohësh i personelit të selisë botërore të Shoqatës, komentoi: «‘Foto-Drama’ ishte një projekt kryevepër, po të shqyrtojmë numrin e vogël të Studentëve të Biblës dhe sasinë përkatëse të vogël financiare që kishim në dispozicion. Ajo kishte vërtet frymën e Jehovait që e drejtonte!»

[Kutia dhe figurat në faqet 8, 9]

«Drama Eureka»

Tetë muaj pas premierës së «Foto-Dramës», Shoqata pa nevojën për të siguruar një version tjetër të saj, të quajtur «Drama Eureka». Ndonëse «Foto-Drama» e plotë vazhdoi të shfaqej nëpër qytetet e mëdha, seritë e «Eurekës» prezantonin të njëjtin mesazh themelor në fshatra dhe në zonat rurale. Njëri version i «Dramës Eureka» përshkruhej si një mjet që u jepte «motrave mundësi të jashtëzakonshme» për të predikuar. Përse? Sepse kutia me disqet e gramafonit peshonte vetëm 14 kilogramë. Sigurisht, për t’i vënë ato në punë nevojitej edhe një gramafon, që duhej marrë me vete.