Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Të ecim në një hap me organizatën e Jehovait

Të ecim në një hap me organizatën e Jehovait

Të ecim në një hap me organizatën e Jehovait

«Perëndia i paqes . . . ju pajistë me çdo gjë të mirë për të bërë vullnetin e tij.»—HEBRENJVE 13:20, 21.

1. Sa është popullsia e botës dhe sa njerëz llogariten si anëtarë të feve të ndryshme?

NË VITIN 1999, popullsia e botës arriti në gjashtë miliardë. Almanaku botëror tregon se nga ky numër, rreth 1.165.000.000 janë myslimanë; 1.030.000.000 janë katolikë; 762.000.000 janë hinduistë; 354.000.000 janë budistë; 316.000.000 janë protestantë dhe 214.000.000 janë ortodoksë.

2. Çfarë mund të thuhet për gjendjen fetare që ekziston sot?

2 Duke pasur parasysh ndarjen dhe pështjellimin fetar që ekziston sot, a ka mundësi që gjithë këta miliona veta të jenë duke vepruar në harmoni me vullnetin e Perëndisë? Jo, «sepse Perëndia nuk është një Perëndi i çrregullimit, por i paqes». (1 Korintasve 14:33) Nga ana tjetër, ç’të themi për vëllazërinë ndërkombëtare të shërbëtorëve të Jehovait? (1 Pjetrit 2:17) Shqyrtime të kujdesshme tregojnë se ‘Perëndia i paqes i pajis ata me çdo gjë të mirë për të bërë vullnetin e tij’.—Hebrenjve 13:20, 21.

3. Çfarë ndodhi në Jerusalem në Festën e Ditës së Pesëdhjetë në vitin 33 të e.s. dhe përse?

3 Qartë, numri i atyre që shoqërohen me Dëshmitarët e Jehovait nuk është një kriter për të përcaktuar nëse gëzojnë apo jo favorin hyjnor e, gjithashtu, statistikat nuk i bëjnë përshtypje Perëndisë. Ai nuk i zgjodhi izraelitët ngaqë ishin «më të shumtë» se popujt e tjerë. Në fakt, ishin ‘më të vegjlit’ ndër këta popuj. (Ligji i përtërirë 7:7) Por, për shkak se Izraeli nuk u tregua besnik, në Festën e Ditës së Pesëdhjetë, në vitin 33 të e.s., Jehovai ia kaloi favorin e tij kongregacionit të ri që përbëhej nga ithtarët e Jezu Krishtit. Ata u mirosën me frymën e shenjtë të Jehovait dhe me zell filluan t’u shpallnin të tjerëve të vërtetën për Perëndinë dhe për Krishtin.—Veprat 2:41, 42.

Ecim vazhdimisht përpara

4. Përse do të thoshit se kongregacioni i hershëm i krishterë ecte vazhdimisht përpara?

4 Në shekullin e parë, kongregacioni i krishterë ecte vazhdimisht përpara, duke hapur territore të reja, duke bërë dishepuj dhe duke fituar më shumë kuptueshmëri për qëllimet e Perëndisë. Të krishterët e parë ecën në një hap me ndriçimin frymor që sigurohej nëpërmjet letrave të frymëzuara në mënyrë hyjnore. Të nxitur nga vizitat e apostujve dhe të të tjerëve, ata e kryen plotësisht shërbimin e tyre. Kjo është dokumentuar më së miri në Shkrimet e Krishtere Greke.—Veprat 10:21, 22; 13:46, 47; 2 Timoteut 1:13; 4:5; Hebrenjve 6:1-3; 2 Pjetrit 3:17, 18.

5. Përse organizata e Perëndisë sot po bën përparim dhe përse duhet të ecim në një hap me të?

5 Ashtu si të krishterët e parë, Dëshmitarët e sotëm të Jehovait në fillim ishin të paktë në numër. (Zaharia 4:8-10) Që nga fundi i shekullit të 19-të, ka pasur dëshmi të qarta se fryma e Perëndisë është me organizatën e tij. Duke qenë se jemi mbështetur jo në fuqinë njerëzore, por në udhëheqjen e frymës së shenjtë, kemi vazhduar të përparojmë në kuptueshmërinë e Shkrimeve dhe në bërjen e vullnetit të Perëndisë. (Zaharia 4:6) Tani që jemi në «ditët e fundit» është jetësore që të ecim në një hap me organizatën progresive të Jehovait. (2 Timoteut 3:1-5) Kjo na jep mundësi ta mbajmë të gjallë shpresën dhe të japim dëshmi për Mbretërinë e vendosur të Perëndisë para se këtij sistemi t’i vijë fundi.—Mateu 24:3-14.

6, 7. Cilat janë tri fushat që do të shqyrtojmë, në të cilat organizata e Jehovait ka ecur përpara?

6 Në radhët tona ka njerëz që e filluan shoqërimin me organizatën e Jehovait në vitet 20, 30 dhe 40 të shekullit të 20-të. Cilët nga ne, gjatë atyre viteve të hershme, do ta kishin imagjinuar rritjen e jashtëzakonshme dhe zhvillimin progresiv të organizatës deri në ditët tona? Mendoni për çastet kulmore që janë arritur në historinë tonë të ditëve moderne. Është vërtet shpërblyese frymësisht të meditojmë për atë që ka kryer Jehovai duke përdorur popullin e tij të organizuar në mënyrë teokratike.

7 Davidit të lashtësisë i bënte shumë përshtypje kur meditonte për veprat e mrekullueshme të Jehovait. «Po të duhej t’i shpallja dhe t’i tregoja,—tha ai,—do të ishin tepër për t’i radhitur.» (Psalmi 40:5) Ne hasim të njëjtin kufizim, duke mos qenë në gjendje t’i radhitim veprat e shumta, të mëdha e të lavdërueshme që ka bërë Jehovai në ditët tona. Megjithatë, le të shqyrtojmë tri aspekte në të cilat organizata e Jehovait ka ecur përpara: (1) ndriçimi progresiv frymor, (2) shërbimi i përmirësuar e i zgjeruar dhe (3) rregullimet në kohën e duhur në procedurat organizative.

Mirënjohës për ndriçimin frymor

8. Në harmoni me Fjalët e urta 4:18, çfarë na ka dhënë mundësi të dallojmë në lidhje me Mbretërinë ndriçimi frymor?

8 Në lidhje me ndriçimin progresiv frymor, ka dalë i vërtetë shkrimi te Fjalët e urta (Proverbat) 4:18. Aty thuhet: «Shtegu i të drejtëve është si drita e agimit, që shkëlqen gjithnjë e më mirë deri sa të bëhet ditë e plotë.» Sa mirënjohës jemi për ndriçimin progresiv frymor që kemi përjetuar! Në kongresin e mbajtur në vitin 1919 në Sidër-Point, Ohajo, u vu theksi te Mbretëria e Perëndisë. Jehovai e përdor Mbretërinë për të shenjtëruar emrin e tij dhe për të shfajësuar sovranitetin e tij. Në fakt, ndriçimi frymor na ka dhënë mundësi të dallojmë se, që nga Zanafilla e deri te Zbulesa, Bibla jep dëshmi për qëllimin e Jehovait që ta shenjtërojë emrin e tij nëpërmjet Mbretërisë me Birin e tij si mbret. Aty mbështetet shpresa e mrekullueshme e të gjithë atyre që e duan drejtësinë.—Mateu 12:18, 21.

9, 10. Çfarë u mësua në vitet 20 të shekullit të kaluar për Mbretërinë dhe për dy organizata kundërshtare, dhe si ka qenë e dobishme kjo?

9 Në kongresin e vitit 1922, në Sidër-Point, oratori kryesor Xh. F. Radhërford e nxiti popullin e Perëndisë me fjalët: «Lajmëroni, lajmëroni, lajmëroni Mbretin dhe mbretërinë e tij!» Në artikullin «Lindja e kombit», botuar në Kullën e Rojës, 1 mars 1925, anglisht, vëmendja u përqendrua në kuptueshmërinë frymore në lidhje me profecitë që kishin treguar vendosjen e Mbretërisë së Perëndisë në vitin 1914. Gjithashtu, në vitet 20 u kuptua se ka dy organizata kundërshtare: organizata e Jehovait dhe ajo e Satanait. Lufta bëhet ndërmjet këtyre të dyjave dhe do të jemi në anën e fituesve vetëm nëse ecim në një hap me organizatën e Jehovait.

10 Si na ka ndihmuar ky ndriçim frymor? Meqë Mbretëria e Perëndisë dhe mbreti Jezu Krisht nuk janë pjesë e botës, as ne nuk mund të jemi pjesë e saj. Duke qëndruar të ndarë nga bota, tregojmë se jemi në anën e së vërtetës. (Gjoni 17:16; 18:37) Kur vërejmë problemet e ndërlikuara që godasin këtë sistem të lig, sa mirënjohës jemi që nuk bëjmë pjesë në organizatën e Satanait! Dhe sa të favorizuar jemi që kemi siguri frymore brenda organizatës së Jehovait!

11. Cilin emër biblik mori populli i Perëndisë në vitin 1931?

11 Në kongresin e vitit 1931 në Kolumbus, Ohajo, iu bë një zbatim i përshtatshëm Isaisë 43:10-12. Studentët e Biblës morën emrin dallues Dëshmitarë të Jehovait. Sa privilegj madhështor është ta bëjmë të njohur emrin e Perëndisë, në mënyrë që të tjerët të mund ta thërrasin atë për të shpëtuar!—Psalmi 83:18; Romakëve 10:13.

12. Cili ndriçim frymor në lidhje me shumicën e madhe u sigurua në vitin 1935?

12 Para viteve 30 të shekullit të 20-të, shumë veta në popullin e Perëndisë ishin disi të pasigurt për shpresën e tyre për jetën e ardhme. Disa prej tyre mendonin edhe për jetën qiellore, por ishin të magjepsur nga mësimet biblike për një tokë parajsore. Në kongresin e vitit 1935 në Uashington, D.C., ishte një çast drithërues kur u mësua se turma e madhe ose shumica e madhe e kapitullit 7 të Zbulesës është një klasë me shpresë tokësore. Që nga ajo kohë, mbledhja e shumicës së madhe ka shkuar përpara me një ritëm gjithnjë e më të shpejtë. A nuk jemi mirënjohës që për ne nuk është një mister identiteti i shumicës së madhe? Realiteti i njerëzve të shumtë që po mblidhen nga të gjitha kombet, fiset dhe gjuhët na motivon ta shpejtojmë ritmin, ndërsa mbajmë një hap me organizatën e Jehovait.

13. Cila çështje kryesore u theksua në kongresin e vitit 1941 në Sent-Luis?

13 Çështja kryesore që duhet t’i interesojë shoqërisë njerëzore u theksua në kongresin e vitit 1941 në Sent-Luis, Misuri. Çështja është sundimi ose sovraniteti universal. Kjo është çështja që duhet zgjidhur së shpejti dhe dita e madhe dhe frikësuese kur do të bëhet kjo po vjen me të shpejtë! Gjithashtu, në vitin 1941 u theksua edhe çështja e integritetit, e lidhur me të parën, e cila na lejon të tregojmë ku qëndrojmë personalisht në lidhje me sovranitetin e Perëndisë.

14. Çfarë u mësua për princat e përmendur në Isainë 32:1, 2, në kongresin ndërkombëtar të vitit 1950?

14 Në kongresin ndërkombëtar të vitit 1950, në qytetin e Nju-Jorkut, u identifikuan me saktësi princat e Isaisë 32:1, 2. Ishte një çast elektrizues kur vëllai Frederik Franc foli për këtë temë dhe shpjegoi se princat e tokës së re ishin mes nesh. Në atë kongres dhe në kongreset që pasuan, ka pasur shumë vetëtima drite frymore. (Psalmi 97:11) Sa mirënjohës jemi që shtegu ynë «është si drita e agimit, që shkëlqen gjithnjë e më mirë»!

Ecim përpara në shërbimin tonë

15, 16. (a) Si kemi ecur përpara në shërbim gjatë viteve 20 dhe 30 të shekullit të 20-të? (b) Cilat botime i kanë dhënë shtysë shërbimit të krishterë gjatë dhjetëvjeçarëve të fundit?

15 Një aspekt i dytë në të cilin organizata e Jehovait ka ecur përpara ka të bëjë me veprën tonë kryesore, pra, me predikimin e Mbretërisë dhe bërjen e dishepujve. (Mateu 28:19, 20; Marku 13:10) Për të kryer këtë vepër, organizata na e ka vënë gjithnjë në dukje rëndësinë e zgjerimit të shërbimit. Në vitin 1922, të gjithë të krishterët u nxitën të merrnin pjesë në veprën e predikimit. I përkiste secilit ta linte dritën e tij të shkëlqente dhe, në këtë mënyrë, të jepte personalisht dëshmi për të vërtetën. (Mateu 5:14-16) Në vitin 1927, u ndërmorën hapa që e diela të lihej mënjanë si ditë për shërbimin në fushë. Duke filluar në shkurt të vitit 1940, u bë një gjë e zakonshme të shihje Dëshmitarët në rrugë nëpër zonat tregtare, duke ofruar revistat Kulla e Rojës dhe Ngushëllim (tani Zgjohuni!).

16 Në vitin 1937 u botua broshura Studim model, ku theksohej nevoja për të bërë rivizita, me qëllim që t’u mësonim të tjerëve të vërtetën biblike. Në vitet që pasuan, iu vu shumë theksi veprës së studimeve biblike. Këtij aspekti të shërbimit iu dha shtysë pasi u botua libri «Le të dalë Perëndia i vërtetë», në vitin 1946, dhe libri E vërteta që të çon në jetën e përjetshme, në vitin 1968. Tani po përdorim librin Njohuria që të çon në jetën e përhershme. Trajtimi i këtij materiali vendos një themel të fortë biblik për të bërë dishepuj.

Ecim përpara me përmirësime organizative

17. Në përputhje me Isainë 60:17, si ka ecur përpara organizata e Jehovait?

17 Një aspekt i tretë në të cilin organizata e Jehovait ka ecur përpara ka të bëjë me përmirësimet organizative. Sipas Isaisë 60:17, Jehovai premtoi: «Në vend të bronzit do të sjell ar, në vend të hekurit do të sjell argjend, në vend të drurit bronz, në vend të gurëve hekur; do të vendos si gjykatësin [mbikëqyrësin, BR] tënd paqen dhe si kujdestarin tënd drejtësinë.» Në përputhje me këtë profeci, janë ndërmarrë hapa për të përmirësuar mbikëqyrjen e veprës së predikimit të Mbretërisë dhe kullotjen e kopesë.

18, 19. Çfarë përmirësimesh organizative janë bërë gjatë viteve?

18 Në vitin 1919, në çdo kongregacion që kërkonte të organizohej për shërbimin në fushë u emërua një drejtues i shërbimit. Kjo i dha shtysë shërbimit në fushë. Zgjedhja me vota e pleqve dhe e dhjakëve përfundoi në vitin 1932, duke shënuar largimin nga metodat demokratike. Një pikë tjetër historike u arrit në vitin 1938, kur të gjithë shërbëtorët në kongregacion filluan të emërohen më shumë në harmoni me rregullimet që ekzistonin për emërimin teokratik në kongregacionin e hershëm të krishterë. (Veprat 14:23; 1 Timoteut 4:14) Në vitin 1972, u emëruan mbikëqyrës dhe shërbëtorë ndihmës për të shërbyer, siç emëroheshin burra të tillë edhe ndër të krishterët e parë. Në vend që të kishte vetëm një burrë që shërbente si mbikëqyrës i një kongregacioni, Filipianëve 1:1 dhe shkrime të tjera tregojnë se ata që plotësojnë kërkesat biblike për mbikëqyrës përbëjnë një trup pleqsh.—Veprat 20:28; Efesianëve 4:11, 12.

19 Në vitin 1975, hyri në veprim një rregullim, sipas të cilit komitete të Trupit Udhëheqës të Dëshmitarëve të Jehovait do të mbikëqyrnin veprimtarinë mbarëbotërore të organizatës së Perëndisë. U emëruan Komitete të Degëve për të mbikëqyrur veprën në vendet e tyre përkatëse. Që nga ajo kohë, i është kushtuar vëmendje thjeshtimit të punës në selinë botërore dhe në degët e Shoqatës Watch Tower, me qëllim që të ‘sigurohemi për gjërat më të rëndësishme’. (Filipianëve 1:9, 10) Përgjegjësitë që kanë mbi supe nënbarinjtë e Krishtit përfshijnë marrjen e drejtimit në veprën ungjillëzuese, mësimin në kongregacion dhe kullotjen e duhur të kopesë së Perëndisë.—1 Timoteut 4:16; Hebrenjve 13:7, 17; 1 Pjetrit 5:2, 3.

Udhëheqja aktive e Jezuit

20. Çfarë na kërkohet të pranojmë për rolin e Jezuit, me qëllim që të ecim në një hap me organizatën e Jehovait?

20 Ecja në një hap me organizatën progresive të Jehovait kërkon që të pranojmë rolin që Perëndia i ka caktuar Jezu Krishtit si «kreu i kongregacionit». (Efesianëve 5:22, 23) Për t’u përmendur është edhe Isaia 55:4 ku na thuhet: «Ja, unë [Jehovai] ia dhashë si dëshmitar popujve, si princ dhe komandant të popujve.» Patjetër, Jezui di se si të udhëheqë. Gjithashtu, i njeh delet e tij dhe veprat e tyre. Në fakt, kur inspektoi shtatë kongregacionet në Azinë e Vogël, pesë herë ai tha: «I di veprat e tua.» (Zbulesa 2:2, 19; 3:1, 8, 15) Jezui di, gjithashtu, nevojat tona, siç i di edhe Ati i tij, Jehovai. Para se të jepte Lutjen Model, Jezui tha: «Perëndia, Ati juaj, e di se për ç’gjëra keni nevojë, madje përpara se t’ia kërkoni.»—Mateu 6:8-13.

21. Si shfaqet udhëheqja e Jezuit në kongregacionin e krishterë?

21 Si e shfaq Jezui udhëheqjen e tij? Një mënyrë është nëpërmjet mbikëqyrësve të krishterë, ‘dhuratave në njerëz’. (Efesianëve 4:8) Zbulesa 1:16 i paraqet mbikëqyrësit e mirosur si të ishin në dorën e djathtë të Krishtit, nën kontrollin e tij. Sot, Jezui drejton rregullimin që ka lidhje me pleqtë, cilado qoftë shpresa e këtyre të fundit, qiellore a tokësore. Siç u shpjegua në artikullin e mëparshëm, ata emërohen nga fryma e shenjtë në harmoni me kërkesat biblike. (1 Timoteut 3:1-7; Titit 1:5-9) Në shekullin e parë, një grup pleqsh në Jerusalem përbënte një trup udhëheqës, i cili kishte mbikëqyrjen e kongregacioneve dhe të aktivitetit të predikimit të Mbretërisë në përgjithësi. I njëjti model ndiqet brenda organizatës së Jehovait sot.

Të ecim në një hap!

22. Çfarë ndihme siguron Trupi Udhëheqës?

22 Interesat e Mbretërisë në tokë i janë besuar ‘skllavit të besueshëm dhe të matur’, i cili përfaqësohet nga Trupi Udhëheqës i Dëshmitarëve të Jehovait. (Mateu 24:45-47) Interesi kryesor i Trupit Udhëheqës është t’i sigurojë arsimim dhe drejtim frymor kongregacionit të krishterë. (Veprat 6:1-6) Megjithatë, kur bashkëbesimtarët preken nga katastrofa natyrore, Trupi Udhëheqës i kërkon njërit ose disa enteve ligjore që të sigurojnë ndihma dhe të riparojnë ose të rindërtojnë shtëpitë dhe Sallat e Mbretërisë që janë dëmtuar. Nëse disa të krishterë trajtohen me ashpërsi ose përndiqen, ndërmerren hapa për t’i ndërtuar frymësisht. Gjithashtu, «në kohë të vështirë», bëhet çdo përpjekje që vepra e predikimit të vazhdojë të ecë përpara.—2 Timoteut 4:1, 2.

23, 24. Çfarë siguron vazhdimisht Jehovai, pavarësisht nga ajo që i ndodh popullit të tij, dhe cila duhet të jetë vendosmëria jonë?

23 Çfarëdo gjëje që t’i ndodhë popullit të tij, Jehovai siguron vazhdimisht ushqimin frymor dhe drejtimin e nevojshëm. Perëndia u jep, gjithashtu, aftësi dalluese dhe gjykim të thellë vëllezërve përgjegjës, që të përgatiten për përparim dhe për përmirësime të mëtejshme në organizimin teokratik. (Ligji i përtërirë 34:9; Efesianëve 1:16, 17) Pa dyshim, Jehovai na siguron atë që nevojitet, me qëllim që ta përmbushim detyrën tonë për të bërë dishepuj dhe të kryejmë shërbimin në mbarë botën!—2 Timoteut 4:5.

24 Kemi siguri të plotë se Jehovai nuk do ta braktisë kurrë popullin e tij besnik, ai do t’i çlirojë në ‘shtrëngimin e madh’ që po vjen. (Zbulesa 7:9-14; Psalmi 94:14; 2 Pjetrit 2:9) Kemi çdo arsye për ta mbajtur të patundur deri në fund sigurinë që patëm në fillim. (Hebrenjve 3:14) Prandaj, le të jemi të vendosur për të ecur në një hap me organizatën e Jehovait!

Si do të përgjigjeshit?

• Përse mund të themi që organizata e Jehovait vazhdon të ecë përpara?

• Çfarë dëshmie kemi se populli i Perëndisë gëzon ndriçim frymor gjithnjë e më të madh?

• Çfarë përmirësimesh ka pasur në shërbimin e krishterë?

• Cilat rregullime në kohën e duhur janë bërë në procedurat organizative që janë në veprim midis shërbëtorëve të Jehovait?

[Pyetjet]

[Figura në faqen 17]

Ashtu si Davidi, nuk mund t’i radhitim dot të gjitha veprat e mrekullueshme të Jehovait

[Figura në faqen 18]

Kopeja e Perëndisë ka nxjerrë dobi nga rregullimet në kohën e duhur në procedurat organizative