Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A e keni bërë tuajën të vërtetën?

A e keni bërë tuajën të vërtetën?

A e keni bërë tuajën të vërtetën?

«Transformohuni duke përtërirë mendjen tuaj, që të provoni për veten tuaj vullnetin e mirë, të pranueshëm e të përsosur të Perëndisë.»—ROMAKËVE 12:2.

1, 2. Përse nuk është e lehtë të jesh i krishterë i vërtetë sot?

TË JESH i krishterë i vërtetë në këto ditë të fundit, në këto «kohë kritike, të vështira për t’u përballuar», nuk është e lehtë. (2 Timoteut 3:1) Fakti është se për të ndjekur shembullin e Krishtit, një person duhet ta mundë botën. (1 Gjonit 5:4) Kujtoni atë që tha Jezui për udhën e krishterë: «Hyni nga porta e ngushtë; sepse e gjerë dhe me hapësirë është rruga që të çon në shkatërrim dhe shumë janë ata që hyjnë nga ajo; ndërsa e ngushtë është porta dhe e ngushtë rruga që të çon në jetë, dhe pak janë ata që e gjejnë.» Gjithashtu, ai tha: «Nëse ndokush dëshiron të vijë pas meje, le ta mohojë veten, të marrë shtyllën e tij të torturës ditë për ditë dhe të më ndjekë vazhdimisht.»—Mateu 7:13, 14; Luka 9:23.

2 Pasi e ka gjetur rrugën e ngushtë për në jetë, sfida tjetër për një të krishterë është të qëndrojë në të. Përse është një sfidë kjo? Sepse dedikimi dhe pagëzimi na bëjnë shënjestër të kurtheve ose të intrigave tinëzare të Satanait. (Efesianëve 6:11) Ai i vëren dobësitë tona dhe kërkon t’i shfrytëzojë ato në përpjekje për të na e minuar gjendjen frymore. Në fund të fundit, ai u përpoq të thyente Jezuin, prandaj, përse duhet të presim që ne të na lërë të qetë?—Mateu 4:1-11.

Taktikat dinake të Satanait

3. Si mbolli dyshime Satanai në mendjen e Evës?

3 Një marifet që përdor Satanai është të mbjellë dyshime në mendjen tonë. Ai kërkon të gjejë pika të dobëta në armaturën tonë frymore. Edhe në fillim fare përdori këtë taktikë me Evën, duke e pyetur: «A ka thënë me të vërtetë Perëndia: ‘Mos hani nga të gjitha pemët e kopshtit?’» (Zanafilla 3:1) Me fjalë të tjera, Satanai po thoshte: ‘A është vërtet e mundur që Perëndia t’ju ketë vënë një ndalim të tillë? A do t’jua mbante ai diçka që është kaq e mirë? E pra, Perëndia e di se po atë ditë që do të hani nga pema, sytë tuaj me siguri do të hapen dhe ju me siguri do të jeni si Perëndia, duke njohur të mirën dhe të keqen.’ Satanai mbolli një farë dyshimi dhe priti që ajo të mbinte.—Zanafilla 3:5.

4. Cilat dyshime mund të ndikojnë te disa veta sot?

4 Si e përdor Satanai këtë taktikë sot? Nëse lëmë pas dore leximin e Biblës, studimin personal, lutjet dhe shërbimin e mbledhjet e krishtere, ka më shumë mundësi të biem viktima të dyshimeve që ngrenë të tjerët. Për shembull: «Si e dimë që kjo është e vërteta siç e mësoi Jezui?» «A janë këto vërtet ditët e fundit? Fundja, jemi tashmë në shekullin e 21-të.» «A jemi në prag të Harmagedonit apo është ende larg?» Nëse na lindin dyshime të tilla, çfarë mund të bëjmë për t’i hequr?

5, 6. Çfarë duhet të bëjmë, nëse na lindin dyshime?

5 Jakovi dha këshilla praktike, kur shkroi: «Nëse ndonjërit nga ju i mungon mençuria, le të vazhdojë t’ia kërkojë Perëndisë, sepse ai u jep të gjithëve bujarisht dhe pa i poshtëruar; e do t’i jepet. Por le të vazhdojë t’ia kërkojë me besim, pa dyshuar aspak, sepse ai që dyshon është si një dallgë deti e shtyrë nga era dhe e hedhur andej-këtej. Në fakt, ai njeri të mos pandehë se do të marrë ndonjë gjë nga Jehovai; ai është një njeri i pavendosur, i paqëndrueshëm në të gjitha udhët e tij.»—Jakovit 1:5-8.

6 Pra, çfarë duhet të bëjmë? Duhet të ‘vazhdojmë t’i kërkojmë Perëndisë’ në lutje besim dhe kuptueshmëri, si edhe të shtojmë përpjekjet në studimin personal për çdo pyetje ose dyshim që kemi. Gjithashtu, mund të kërkojmë ndihmë nga ata që janë të fortë në besim, duke mos dyshuar kurrë se Jehovai do të na japë mbështetjen që na nevojitet. Jakovi tha, gjithashtu: «Prandaj, nënshtrojuni Perëndisë; por kundërvijuni Djallit dhe ai do të ikë nga ju. Afrojuni Perëndisë dhe ai do t’ju afrohet juve.» Në fakt, dyshimet do të na largohen ndërsa i afrohemi Perëndisë me anë të studimit dhe të lutjes.—Jakovit 4:7, 8.

7, 8. Cilat janë disa kritere themelore për të përcaktuar formën e adhurimit që mësoi Jezui dhe cilët i plotësojnë këto kritere?

7 Të shqyrtojmë, për shembull, pyetjen: Si e dimë që po praktikojmë formën e adhurimit që mësoi Jezui? Cilat kritere duhen shqyrtuar për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje? Bibla tregon se të krishterët e vërtetë duhet të kenë dashuri të vërtetë mes tyre. (Gjoni 13:34, 35) Duhet të shenjtërojnë emrin e Perëndisë, Jehova. (Isaia 12:4, 5; Mateu 6:9) Gjithashtu, duhet ta bëjnë të njohur këtë emër.—Eksodi (Dalja) 3:15; Gjoni 17:26.

8 Një aspekt tjetër identifikues i adhurimit të vërtetë është respekti për Fjalën e Perëndisë, Biblën. Ajo është libri unik që zbulon personalitetin dhe qëllimet e Perëndisë. (Gjoni 17:17; 2 Timoteut 3:16, 17) Veç kësaj, të krishterët e vërtetë shpallin Mbretërinë e Perëndisë si shpresën e vetme të njeriut për jetë të përhershme në një tokë parajsore. (Marku 13:10; Zbulesa 21:1-4) Mbahen të ndarë nga politika e korruptuar e kësaj bote dhe nga mënyra e saj e ndotur e jetesës. (Gjoni 15:19; Jakovit 1:27; 4:4) Cilët i kanë plotësuar vërtet sot këto kritere? Faktet tregojnë se ka vetëm një përgjigje: Dëshmitarët e Jehovait.

Po nëse dyshimet mbeten?

9, 10. Çfarë mund të bëjmë për të mposhtur dyshimet që mbeten?

9 Po nëse tashmë gjendemi të mbuluar nga dyshimet? Çfarë duhet të bëjmë në këtë rast? Mbreti i mençur Solomon na siguron përgjigjen: «Biri im, në rast se pranon fjalët e mia dhe i quan thesar urdhërimet e mia, duke i vënë veshin diturisë dhe duke e prirur zemrën ndaj arsyes; po, në rast se kërkon me ngulm gjykimin dhe ngre zërin për të siguruar mirëkuptim, në rast se e kërkon si argjendin dhe fillon të rrëmosh si për një thesar të fshehur, atëherë do të ndjesh frikën e Zotit dhe ke për të gjetur kuptimin [vetë njohurinë, BR] e Perëndisë.»—Fjalët e urta (Proverbat) 2:1-5.

10 A nuk është mahnitës ky mendim? Nëse jemi të gatshëm t’i kushtojmë vëmendje me zell mençurisë së Perëndisë, do të ‘gjejmë vetë njohurinë e Perëndisë’. Pikërisht, njohuria e Zotërisë Sovran të gjithësisë është në dispozicionin tonë, nëse jemi të gatshëm t’i marrim dhe t’i ruajmë si thesar thëniet e tij. Kjo do të thotë t’i kërkojmë ndihmë Jehovait në lutje dhe nëpërmjet studimit personal. Thesaret e fshehura të Fjalës së tij mund të na heqin çdo dyshim dhe të na ndihmojnë të shohim dritën e së vërtetës.

11. Si u ndikua nga dyshimi shërbëtori i Eliseut?

11 Një shembull të qartë se si lutja e ndihmoi një shërbëtor të Perëndisë, i cili ishte i frikësuar dhe dyshues, e gjejmë te 2 Mbretërve 6:11-18. Shërbëtorit të Eliseut i mungonte perceptimi frymor. Ai nuk arrinte ta perceptonte se ushtritë qiellore ishin aty për ta mbështetur profetin e Perëndisë, të cilin e kishte rrethuar ushtria siriane. I frikësuar, shërbëtori thirri: «Oh, ç’do të bëjmë, imzot?» Si u përgjigj Eliseu? «Mos ki frikë, sepse ata që janë me ne, janë më të shumtë se ata që janë me ta.» Por, si mund të bindej shërbëtori? Ai nuk arrinte t’i shihte ushtritë qiellore.

12. (a) Si iu hoqën dyshimet shërbëtorit? (b) Si mund të heqim çdo dyshim që mund të kemi?

12 «Eliseu u lut dhe tha: ‘O Zot, të lutem, hap sytë e tij që të mund të shohë.’ Atëherë Zoti ia hapi sytë të riut dhe ai pa: dhe ja, mali ishte plot me kuaj dhe me qerre të zjarrta rreth e qark Eliseut.» Në atë rast, Jehovai bëri që shërbëtori të shihte ushtritë qiellore që mbronin Eliseun. Megjithatë, nuk duhet të presim që të kemi të njëjtin lloj ndihme hyjnore edhe sot. Mos harroni, ai shërbëtor i profetit nuk e kishte Biblën e plotë që ta studionte, me qëllim që ta forconte besimin. Ne e kemi Biblën. Nëse e përdorim mirë, besimi ynë mund të forcohet në mënyrë të ngjashme. Për shembull, mund të meditojmë rreth disa tregimeve që përshkruajnë Jehovain në oborrin e tij qiellor. Këto nuk lënë vend për dyshim se Jehovai ka vërtet një organizatë qiellore që po i mbështet sot shërbëtorët e tij në veprën mbarëbotërore të arsimimit.—Isaia 6:1-4; Ezekieli 1:4-28; Danieli 7:9, 10; Zbulesa 4:1-11; 14:6, 7.

Të ruhemi nga intrigat e Satanait!

13. Me çfarë mënyrash përpiqet Satanai ta dobësojë kapjen tonë pas së vërtetës?

13 Cilat janë disa nga mënyrat e tjera që përdor Satanai për të na e dobësuar gjendjen frymore dhe kapjen tonë pas së vërtetës? Një prej tyre është imoraliteti, me të gjitha shfaqjet e tij të shumëllojshme. Në botën e sotme të marrosur pas seksit, ajo që quhet lidhje dashurie (një eufemizëm për shkeljen e besnikërisë bashkëshortore) ose lidhje për një natë (kurvëri e rastit) është bërë një gjë e përditshme për këtë brez kënaqësidashës, të vendosur për të bërë qejf me çdo kusht. Filmat, televizioni dhe videot e nxitin këtë stil jetese. Pornografia ka mbushur mjetet e informacionit dhe në veçanti Internetin. Kureshtarët i pret tundimi.—1 Selanikasve 4:3-5; Jakovit 1:13-15.

14. Përse disa të krishterë kanë rënë viktima të intrigave të Satanait?

14 Disa të krishterë kanë lejuar që kureshtja t’i mposhtë dhe e kanë ndotur mendjen e zemrën duke parë skena pornografike relativisht të rënda ose edhe shumë të rënda. Kanë lejuar që të bien në kurthin joshës të Satanait. Kjo gjë shpesh ka çuar në fundosje frymore. Këta njerëz nuk ia kanë dalë mbanë të mbeten «foshnja për sa i përket së keqes». Nuk janë bërë «tërësisht të rritur në aftësitë për të kuptuar». (1 Korintasve 14:20) Çdo vit, mijëra veta e paguajnë shtrenjtë ngaqë nuk u përmbahen parimeve dhe normave të Fjalës së Perëndisë. Ata kanë shpërfillur veshjen dhe mbajtjen e ‘armaturës së plotë të Perëndisë’.—Efesianëve 6:10-13; Kolosianëve 3:5-10; 1 Timoteut 1:18, 19.

Ta ruajmë si thesar atë që kemi

15. Përse disa mund ta kenë të vështirë të vlerësojnë trashëgiminë frymore që kanë?

15 «Do ta njihni të vërtetën dhe e vërteta do t’ju lirojë»,—tha Jezui. (Gjoni 8:32) Shumicës së Dëshmitarëve u është dashur të shkëputen nga stili i mëparshëm i jetesës dhe nga lidhjet fetare. Prandaj, mund ta vlerësojnë më me lehtësi lirinë që sjell e vërteta. Nga ana tjetër, disa të rinj, të cilët janë rritur nga prindër që janë në të vërtetën, mund ta kenë të vështirë ta vlerësojnë trashëgiminë frymore që kanë. Nuk kanë qenë kurrë pjesë e fesë së rreme ose pjesë e kësaj bote, me theksin që i vë kërkimit të kënaqësive, me varësinë ndaj drogës dhe me imoralitetin e saj. Për pasojë, mund të mos arrijnë ta shohin kontrastin e fortë që ekziston ndërmjet parajsës sonë frymore dhe botës së korruptuar të Satanait. Disa, madje, mund t’i dorëzohen tundimit për ta shijuar helmin e botës që të kuptojnë se çfarë kanë humbur duke mos e provuar atë.—1 Gjonit 2:15-17; Zbulesa 18:1-5.

16. (a) Cilat pyetje mund t’i bëjmë vetes? (b) Çfarë mësohemi dhe inkurajohemi të bëjmë?

16 A kemi vërtet nevojë të djegim gishtat, për të njohur ç’është dhembja dhe vuajtja? A nuk mund të mësojmë nga përvojat negative të të tjerëve? A kemi nevojë të zhytemi në ‘llucën’ e kësaj bote për të parë nëse kemi humbur ndonjë gjë duke mos e provuar atë? (2 Pjetrit 2:20-22) Pjetri u kujtoi të krishterëve të shekullit të parë, të cilët kishin qenë më parë pjesë e botës së Satanait: «Ju mjafton koha që ka kaluar për të kryer vullnetin e kombeve, kur ecnit në vepra të sjelljes së shthurur, në epshe, teprime në verë, ahengje të shfrenuara, gara në të pirë dhe idhujtari të kundërligjshme.» Sigurisht, nuk kemi nevojë të provojmë ‘batakun e shfrenimit’ të botës, për të kuptuar sa e ulët mund të jetë jeta në të. (1 Pjetrit 4:3, 4) Në të kundërt, në Sallat tona të Mbretërisë, të cilat janë qendra për arsimimin biblik, na mësohen normat e larta morale të Jehovait. Gjithashtu, inkurajohemi të përdorim fuqinë e arsyetimit për t’i provuar vetes se kemi të vërtetën dhe, kështu, ta bëjmë tonën të vërtetën.—Josiu 1:8; Romakëve 12:1, 2; 2 Timoteut 3:14-17.

Emri ynë nuk është thjesht një etiketë

17. Si mund të jemi Dëshmitarë të efektshëm të Jehovait?

17 Nëse e bëjmë tonën të vërtetën, do të përpiqemi ta ndajmë atë me të tjerët në çdo rast të përshtatshëm. Kjo nuk do të thotë se do të përpiqemi t’ua imponojmë atyre që nuk tregojnë interes. (Mateu 7:6) Në vend të kësaj, do të thotë që të mos jemi të ndrojtur për ta identifikuar veten si Dëshmitarë të Jehovait. Edhe sikur një person të tregojë një grimë interesi, duke bërë një pyetje të sinqertë ose duke pranuar një botim biblik, duhet të jemi të gatshëm e të përgatitur për ta ndarë me të shpresën tonë. Sigurisht, për të bërë këtë është e këshillueshme që të kemi gjithnjë me vete ndonjë literaturë, pavarësisht se ku mund të jemi: në shtëpi, në punë, në shkollë, në dyqan ose në vende argëtimi.—1 Pjetrit 3:15.

18. Si mund të jetë një forcë pozitive në jetë identifikimi ynë i qartë si të krishterë?

18 Kur e identifikojmë veten qartësisht si të krishterë, e forcojmë mbrojtjen kundër sulmeve tinëzare të Satanait. Nëse do të ketë ndonjë ditëlindje a festë Krishtlindjeje ose ndonjë llotari zyre, kolegët shpesh do të thonë: «Mos u lodh me atë. Ajo është Dëshmitare e Jehovait.» Për të njëjtën arsye, njerëzit mund të jenë më pak të prirur të tregojnë shaka të ndyra në praninë tonë. Pra, identifikimi i qëndrimit tonë të krishterë është një forcë pozitive në jetë, siç e theksoi apostulli Pjetër: «Vërtet, kush është ai që do t’ju bëjë keq, nëse bëheni të zellshëm për atë që është e mirë? Por, edhe sikur të vuani për hir të drejtësisë lum ju.»—1 Pjetrit 3:13, 14.

19. Si e dimë se jemi thellë në ditët e fundit?

19 Një dobi tjetër që vjen kur e bëjmë tonën të vërtetën është se do të jemi të bindur që këto janë vërtet ditët e fundit të këtij sistemi. Do ta dimë se shumë nga profecitë e Biblës po arrijnë kulmin e tyre në kohën tonë. * Paralajmërimi i Pavlit se «në ditët e fundit do të ketë kohë kritike, të vështira për t’u përballuar» vërtetohet gjerësisht nga ngjarjet tmerruese të shekullit të kaluar. (2 Timoteut 3:1-5; Marku 13:3-37) Një artikull gazete i kohëve të fundit, në lidhje me shekullin e 20-të, titullohej «Do të mbahet mend si epoka e barbarizmit». Në artikull thuhej: «Viti 1999 doli se ishte viti më gjakatar në gjysmën e dytë të shekullit më gjakatar.»

20. Për cilin veprim është koha tani?

20 Tani nuk është koha për t’u lëkundur. Bekimi i Jehovait duket qartë në veprën më të madhe të arsimimit biblik që është bërë ndonjëherë në të gjithë botën, si dëshmi për kombet. (Mateu 24:14) Bëjeni tuajën të vërtetën dhe ndajeni me të tjerët! E ardhmja juaj e përhershme varet nga ajo që bëni tani. Duke u plogështuar, askush nuk do të meritojë bekimin e Jehovait. (Luka 9:62) Përkundrazi, është koha që të bëheni «të palëkundur e të patundur, duke pasur gjithnjë shumë për të bërë në veprën e Zotërisë, duke e ditur se mundi juaj s’është i kotë në lidhje me Zotërinë».—1 Korintasve 15:58.

[Shënimi]

^ par. 19 Shih Kullën e Rojës, 15 janar 2000, faqet 12-14. Paragrafët 13-18 japin një rishikim të gjashtë linjave të dëshmive të fuqishme që tregojnë se që nga viti 1914 po jetojmë në ditët e fundit.

A ju kujtohet?

• Si mund t’i heqim dyshimet?

• Çfarë mund të mësojmë nga shembulli i shërbëtorit të Eliseut?

• Kundër cilave tundime imorale duhet të jemi vazhdimisht vigjilentë?

• Përse duhet ta identifikojmë qartësisht veten si Dëshmitarë të Jehovait?

[Pyetjet]

[Figurat në faqen 10]

Studimi i rregullt i Biblës dhe lutja mund të na ndihmojë të largojmë dyshimet

[Figura në faqen 11]

Shërbëtorit të Eliseut iu hoqën dyshimet me anë të një vizioni

[Figura në faqen 12]

Normat e larta morale të Jehovait i mësojmë në Sallat e Mbretërisë si kjo në Benin