Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A po jetoni në lartësinë e dedikimit tuaj?

A po jetoni në lartësinë e dedikimit tuaj?

A po jetoni në lartësinë e dedikimit tuaj?

«Çfarëdo që të bëni, përpiquni për të me gjithë shpirt si për Jehovain e jo si për njerëzit.»—KOLOSIANËVE 3:23.

1. Në kontekstin jofetar, çfarë nënkupton fjala «dedikim»?

SI E arrijnë sportistët rezultatin e tyre maksimal? Në tenis, futboll, basketboll, bejzboll, atletikë, golf ose në ndonjë sport tjetër, më të mirët arrijnë majat më të larta vetëm në sajë të një dedikimi të palëkundur. Gjendja e duhur fizike dhe mendore ka përparësinë. Kjo përshtatet më së miri me një nga përkufizimet e fjalës «i dedikuar», i cili është «tërësisht i përkushtuar ndaj një mënyre të veçantë mendimi ose veprimi».

2. Çfarë nënkupton «dedikimi» në Bibël? Ilustrojeni.

2 Por, çfarë nënkupton «dedikimi» në kuptimin biblik? «Të dedikohesh» është përkthimi i një foljeje hebraike që ka kuptimin «të mbahesh i veçuar; të jesh i veçuar; të tërhiqesh». * Në Izraelin e lashtë, kryeprifti Aaron vinte në çallmën e tij «shenjën e shenjtë të dedikimit», e cila përbëhej nga një pllakë prej ari safi, ku ishin mbishkruar në hebraisht fjalët «Shenjtëria i përket Jehovait». Kjo i shërbente kryepriftit si përkujtues se duhej të shmangte çdo gjë që do të përdhoste shenjtëroren, «sepse shenja e dedikimit, vaji mirosës i Perëndisë së tij, [ishte] mbi të».—Dalja [Eksodi] 29:6; 39:30, BR; Levitiku 21:12, BR.

3. Si duhet të ndikojë dedikimi në sjelljen tonë?

3 Në këtë kontekst mund të shohim se dedikimi është një çështje serioze. Ai përfshin identifikimin vullnetarisht si shërbëtor i Perëndisë dhe kërkon një sjellje të pastër. Prandaj, mund ta kuptojmë përse apostulli Pjetër citoi një thënie të Jehovait: «Duhet të jeni të shenjtë, sepse unë jam i shenjtë.» (1 Pjetrit 1:15, 16) Si të krishterë të dedikuar, ne mbajmë një përgjegjësi të madhe për të jetuar në lartësinë e dedikimit tonë, duke qenë besnikë deri në fund. Por, çfarë përfshihet në dedikimin e krishterë?—Levitiku 19:2; Mateu 24:13.

4. Si e arrijmë hapin e dedikimit dhe me çfarë mund të krahasohet?

4 Pasi morëm njohuri të saktë për Perëndinë Jehova e për qëllimet e tij, si edhe për Jezu Krishtin dhe për rolin e tij në këto qëllime, ne morëm vendimin personal për t’i shërbyer Perëndisë me gjithë zemrën, mendjen, shpirtin dhe forcën tonë. (Marku 8:34; 12:30; Gjoni 17:3) Kjo mund të konsiderohet, madje, edhe si një betim personal, një dedikim pa rezerva ndaj Perëndisë. Nuk e bëmë dedikimin për shkak të ndonjë teke emocionale. E menduam gjerë e gjatë me kujdes dhe me lutje, duke përdorur fuqinë për të arsyetuar. Prandaj, nuk ishte një vendim i përkohshëm. Nuk mund të jemi si një person që fillon të lërojë një arë dhe pastaj dorëzohet në gjysmë të saj, sepse ka tepër punë të vështirë ose sepse korrja duket shumë larg a nuk është fare e sigurt. Shqyrtoni shembujt e disave që e kanë ‘vënë dorën në parmendën’ e përgjegjësisë teokratike si në kohë të mira, ashtu edhe në kohë të këqija.—Luka 9:62; Romakëve 12:1, 2.

Nuk hoqën dorë nga dedikimi i tyre

5. Në ç’mënyrë Jeremia ishte një shembull i jashtëzakonshëm i një shërbëtori të dedikuar të Perëndisë?

5 Shërbimi profetik i Jeremisë në Jerusalem zgjati më shumë se 40 vjet (647-607 p.e.s.) dhe nuk qe një caktim i lehtë. Jeremia ishte shumë i vetëdijshëm për kufizimet e tij. (Jeremia 1:2-6) Kishte nevojë për guxim dhe për qëndrueshmëri që të përballonte ditë për ditë njerëzit kokëfortë të Judës. (Jeremia 18:18; 38:4-6) Megjithatë, pati besim te Perëndia Jehova, i cili e forcoi dhe, në këtë mënyrë, Jeremia provoi se ishte një shërbëtor vërtet i dedikuar i Perëndisë.—Jeremia 1:18, 19.

6. Cilin shembull la apostulli Gjon për ne?

6 Ç’të themi për apostullin besnik Gjon, të cilin e internuan në ishullin e shkretë të Patmosit, në moshë të shkuar, sepse ‘fliste për Perëndinë dhe jepte dëshmi për Jezuin’? (Zbulesa 1:9) Ai tregoi qëndrueshmëri dhe jetoi në lartësinë e dedikimit të tij si i krishterë për afro 60 vjet. Vazhdoi të jetonte pas shkatërrimit të Jerusalemit nga ushtritë romake. Pati privilegjin të shkruante një Ungjill, tri letra të frymëzuara dhe librin e Zbulesës, në të cilin parashikoi luftën e Harmagedonit. A hoqi dorë kur mori vesh se Harmagedoni nuk do të vinte gjatë jetës së tij? A u zhyt në apati? Jo, Gjoni qëndroi besnik deri në vdekje, duke e ditur se ndonëse ‘koha e caktuar ishte afër’, përmbushja e vizioneve të tij ishte për më vonë.—Zbulesa 1:3; Danieli 12:4.

Shembuj modernë të dedikimit

7. Në ç’mënyrë një vëlla qe shembull i shkëlqyer i dedikimit të krishterë?

7 Në kohët moderne, mijëra të krishterë besnikë janë kapur fort me zell pas dedikimit të tyre, ndonëse nuk kanë mbijetuar për të parë me sytë e tyre Harmagedonin. Një person i tillë ishte Ernest E. Bivëri nga Anglia. Ai u bë Dëshmitar në vitin 1939, në fillim të Luftës II Botërore dhe hoqi dorë nga një biznes lulëzues me një agjenci fotografish për gazeta, me qëllim që të fillonte shërbimin e plotkohor. Për shkak se mbajti asnjanësinë e krishterë, u burgos për dy vjet. Familja e mbështeti dhe, në vitin 1950, tre fëmijët e tij ndoqën Shkollën Biblike Watchtower të Galaadit për stërvitje misionare, në Nju-Jork. Vëllai Bivër ishte kaq i zellshëm në aktivitetin e tij të predikimit, saqë miqtë e quanin Erni i Harmagedonit. Jetoi me besnikëri në lartësinë e dedikimit të tij dhe deri sa vdiq, në vitin 1986, lajmëroi afrimin e luftës së Perëndisë, Harmagedonin. Nuk e konsideronte dedikimin e tij si një kontratë që kishte bërë me Perëndinë për një kohë të kufizuar. *1 Korintasve 15:58.

8, 9. (a) Çfarë shembulli lanë shumë djem të rinj në Spanjë gjatë regjimit të Frankos? (b) Cilat pyetje janë të përshtatshme?

8 Një shembull tjetër i zellit që nuk u ul me kalimin e kohës vjen nga Spanja. Gjatë regjimit të Frankos (1939-1975), qindra të rinj Dëshmitarë të dedikuar, morën qëndrim si të krishterë asnjanës. Shumë prej tyre kaluan nga dhjetë vjet a më tepër në burgjet ushtarake. Madje, një Dëshmitari me emrin Hesus Martin i ishin mbledhur dënimet, të cilat arrinin deri në 22 vjet burg. Ndërsa e mbanin në një burg ushtarak në Afrikën e Veriut, e rrihnin keqas. Asnjë nga këto gjëra nuk ishte e lehtë, por ai refuzoi të bënte kompromis.

9 Në shumicën e rasteve, këta djem të rinj nuk e dinin fare se kur do t’i lironin, nëse do të ndodhte ndonjëherë, sepse kishin marrë dënime të shumëfishta e të njëpasnjëshme. Megjithatë, e mbajtën integritetin dhe zellin për shërbimin, gjatë kohës që ishin të burgosur. Kur situata më në fund filloi të përmirësohej në vitin 1973, shumë nga këta Dëshmitarë, atëherë në fillim të të 30-tave, u liruan nga burgu, filluan menjëherë shërbimin e plotkohor e, madje, disa u bënë pionierë specialë e mbikëqyrës udhëtues. Ata jetuan në lartësinë e dedikimit të tyre, gjatë kohës që ishin në burg dhe pjesa më e madhe kanë vazhduar ta bëjnë këtë që nga koha kur janë liruar. * Ç’të themi për ne sot? A po i qëndrojmë besnikë dedikimit tonë, ashtu si këta persona besnikë?—Hebrenjve 10:32-34; 13:3.

Pikëpamja e duhur për dedikimin tonë

10. (a) Si duhet ta konsiderojmë dedikimin tonë? (b) Si e konsideron Jehovai shërbimin që i bëjmë?

10 Si e konsiderojmë dedikimin që i kemi bërë Perëndisë për të kryer vullnetin e tij? A është gjëja e parë në jetën tonë? Cilatdo qofshin rrethanat tona, qofshim të rinj a të moshuar, të martuar ose beqarë, me shëndet të mirë a të sëmurë, duhet të përpiqemi të jetojmë në lartësinë e dedikimit tonë, në përputhje me rrethanat. Ndoshta, situata e lejon një person që të jetë në shërbimin e plotkohor si pionier, si vullnetar në një zyrë dege të Shoqatës Watch Tower, si misionar ose në shërbimin udhëtues. Disa prindër, nga ana tjetër, mund të jenë tërësisht të zënë me kujdesjen për nevojat fizike dhe frymore të familjes. A vlejnë më pak në sytë e Jehovait orët e tyre relativisht të pakta që shpenzojnë në shërbim çdo muaj, sesa orët e shumta që shpenzon një shërbëtor i plotkohor? Jo. Perëndia nuk pret kurrë nga ne diçka që nuk e kemi. Apostulli Pavël tha këtë parim: «Nëse ekziston së pari gatishmëria, kjo është veçanërisht e pranueshme sipas asaj që një njeri ka, jo sipas asaj që nuk ka.»—2 Korintasve 8:12.

11. Nga varet shpëtimi ynë?

11 Sidoqoftë, shpëtimi ynë varet jo nga ndonjë gjë që mund të bëjmë, por nga dashamirësia e pamerituar e Jehovait nëpërmjet Krishtit Jezu, Zotërisë tonë. Pavli e shpjegoi qartë: «Të gjithë kanë mëkatuar dhe nuk e kanë arritur lavdinë e Perëndisë dhe është si dhuratë falas fakti që po shpallen të drejtë falë dashamirësisë së tij të pamerituar, me anë të çlirimit nëpërmjet shpërblesës që pagoi Krishti Jezu.» Megjithatë, veprat që bëjmë janë provë e besimit tonë aktiv në premtimet e Perëndisë.—Romakëve 3:23, 24; Jakovit 2:17, 18, 24.

12. Përse nuk duhet të bëjmë krahasime?

12 Nuk ka nevojë që të bëjmë krahasime me të tjerët për kohën që shpenzojmë në shërbim të Perëndisë, për literaturën biblike që lëmë ose për numrin e studimeve biblike që drejtojmë. (Galatasve 6:3, 4) Pavarësisht nga ajo që kryejmë në shërbimin e krishterë, që të gjithë duhet të mbajmë mend fjalët e Jezuit që na mësojnë përulësinë: «Kështu edhe ju, kur t’i keni bërë të gjitha gjërat e caktuara, thoni: ‘Jemi skllevër që s’vlejnë për asgjë. Ajo që kemi bërë, është ajo që duhej të kishim bërë.’» (Luka 17:10) Sa shpesh mund ta themi me të vërtetë se kemi bërë «të gjitha gjërat e caktuara» për ne? Pra, pyetja është: Çfarë cilësie duhet të ketë shërbimi që i bëjmë Perëndisë?—2 Korintasve 10:17, 18.

Ta bëjmë çdo ditë të ketë vlerë

13. Çfarë qëndrimi duhet të kemi, ndërsa plotësojmë dedikimin tonë?

13 Pasi u jep këshilla grave, burrave, fëmijëve, prindërve dhe skllevërve, Pavli shkruan: «Çfarëdo që të bëni, përpiquni për të me gjithë shpirt si për Jehovain e jo si për njerëzit, sepse ju e dini që nga Jehovai do të merrni shpërblimin e duhur të trashëgimisë. Shërbeni si skllevër për Zotërinë, Krishtin.» (Kolosianëve 3:23, 24) Nuk po shërbejmë për t’u bërë përshtypje njerëzve me arritjet tona në shërbim të Jehovait. Po përpiqemi t’i shërbejmë Perëndisë duke ndjekur shembullin e Jezu Krishtit. Ai e kreu me një ndjenjë urgjence shërbimin e tij relativisht të shkurtër.—1 Pjetrit 2:21.

14. Çfarë paralajmërimi dha Pjetri lidhur me ditët e fundit?

14 Edhe apostulli Pjetër shfaqi ndjenjën e urgjencës. Në letrën e tij të dytë, ai paralajmëroi se në ditët e fundit do të kishte tallës—apostatë dhe dyshues—të cilët, sipas dëshirave të veta, do të ngrinin dyshime për praninë e Krishtit. Megjithatë, Pjetri tha: «Jehovai nuk është i ngadalshëm në lidhje me premtimin e tij, siç e konsiderojnë ngadalësinë disa njerëz, por është i durueshëm me ju, sepse nuk dëshiron që të shkatërrohet ndonjë, por dëshiron që të gjithë të arrijnë në pendim. E megjithatë, dita e Jehovait do të vijë si një hajdut.» Pikërisht, dita e Jehovait është e sigurt se do të vijë. Prandaj, interesimi ynë, ditë për ditë, duhet të jetë se sa i sigurt dhe se sa i fortë është në të vërtetë besimi ynë në premtimet e Perëndisë.—2 Pjetrit 3:3, 4, 9, 10.

15. Si duhet ta shohim çdo ditë të jetës sonë?

15 Për të jetuar në lartësinë e dedikimit tonë në mënyrë të përgjegjshme, duhet ta përdorim çdo ditë në lavdi të Jehovait. Në fund të çdo dite, a mund të shohim prapa e të vërejmë si kemi kontribuar në ndonjë mënyrë për shenjtërimin e emrit të Perëndisë dhe për shpalljen e lajmit të mirë të Mbretërisë? Ndoshta e kemi bërë këtë me anë të sjelljes sonë të pastër, me anë të bisedave ndërtuese ose me anë të interesimit të dashur për familjen dhe miqtë. A i përdorëm mundësitë që kishim në dispozicion për ta ndarë shpresën tonë të krishterë me të tjerët? A kemi ndihmuar ndonjë person që të mendojë seriozisht për premtimet e Perëndisë? Le t’i shtojmë çdo dite diçka pozitive në kuptimin frymor, duke krijuar, si të thuash, një llogari bankare të konsiderueshme frymore.—Mateu 6:20; 1 Pjetrit 2:12; 3:15; Jakovit 3:13.

Ta mbajmë të qartë shikimin

16. Në cilat mënyra përpiqet Satanai të na e dobësojë dedikimin ndaj Perëndisë?

16 Po jetojmë në kohë që po bëhen gjithnjë e më të vështira për të krishterët. Satanai dhe ata që përdor si vegla të tij përpiqen ta zbehin dallimin midis asaj që është e mirë dhe asaj që është e keqe, e pastër dhe e papastër, morale dhe imorale, etike dhe joetike. (Romakëve 1:24-28; 16:17-19) Ai na e ka lehtësuar shumë punën, nëse duam t’i ndotim zemrat dhe mendjet, me anë të pultit të televizorit ose me anë të tastierës së kompjuterit. Shikimi ynë frymor mund të bëhet i turbullt ose i shpërqendruar, kështu që nuk arrijmë t’i dallojmë kurthet e tij. Vendosmëria për të jetuar në lartësinë e dedikimit tonë mund të dobësohet dhe dora që kemi në «parmendë» mund të lirohet, nëse bëjmë kompromis me vlerat tona frymore.—Luka 9:62; Filipianëve 4:8.

17. Si mund të na ndihmojë këshilla e Pavlit për të ruajtur marrëdhënien tonë me Perëndinë?

17 Për këtë arsye, fjalët e Pavlit drejtuar kongregacionit të Selanikut janë shumë të kohës: «Vullneti i Perëndisë është ky: të shenjtëroheni, të përmbaheni nga kurvëria; që secili nga ju të dijë ta zotërojë enën e vet në shenjtëri dhe në nder, jo në uri seksuale epshore, si ajo që kanë kombet që nuk e njohin Perëndinë.» (1 Selanikasve 4:3-5) Imoraliteti ka bërë që disa të përjashtohen nga kongregacioni i krishterë, sepse e lanë pas dore dedikimin ndaj Perëndisë. Ata lejuan që marrëdhënia e tyre me Perëndinë të dobësohej, kështu që nuk e llogaritnin më atë në jetën e tyre. Gjithsesi, Pavli tha: «Perëndia na thirri jo për të lejuar ndyrësinë, por në shenjtëri. Kështu, pra, kush shpërfill, nuk po shpërfill njeriun, por Perëndinë, i cili fut frymën e tij të shenjtë te ju.»—1 Selanikasve 4:7, 8.

Cila është vendosmëria juaj?

18. Cila duhet të jetë vendosmëria jonë?

18 Çfarë duhet të jemi të vendosur të bëjmë, nëse e kuptojmë seriozitetin e dedikimit tonë ndaj Perëndisë Jehova? Ne duhet të jemi të vendosur në mënyrë të patundur që të mbajmë një ndërgjegje të mirë për sa i përket sjelljes dhe shërbimit tonë. Pjetri bëri thirrje: «Mbani një ndërgjegje të mirë, që pikërisht për atë që thonë kundër jush, t’u vijë turp atyre që flasin me përçmim për sjelljen tuaj të mirë në lidhje me Krishtin.» (1 Pjetrit 3:16) Mund të na duhet të vuajmë dhe të durojmë sharje për shkak të sjelljes sonë të krishterë, por e njëjta gjë i ndodhi Krishtit, për shkak të besimit dhe të besnikërisë së tij ndaj Perëndisë. «Prandaj,—tha Pjetri,—përderisa Krishti vuajti në mish, edhe ju armatosuni me të njëjtën prirje mendore; sepse ai që ka vuajtur në mish, ka hequr dorë nga mëkatet.»—1 Pjetrit 4:1.

19. Çfarë dëshirojmë që të thuhet për ne?

19 Vërtet, vendosmëria e patundur për të jetuar në lartësinë e dedikimit tonë do të na mbrojë nga kurthet e botës së Satanait, e cila është e sëmurë frymësisht, moralisht dhe fizikisht. Por, ç’është më e rëndësishmja, do të fitojmë sigurinë se kemi miratimin e Perëndisë, dhe kjo është shumë më e mirë se çdo gjë që mund të na ofrojë Satanai dhe veglat e tij. Prandaj, mos u thëntë kurrë për ne se e kemi lënë dashurinë që kishim kur kemi njohur fillimisht të vërtetën! Në të kundërt, le të thuhet siç u tha për personat në kongregacionin e shekullit të parë në Tiatirë: «I di veprat e tua dhe dashurinë tënde, besimin, shërbimin dhe qëndrueshmërinë dhe që veprat e tua të fundit janë më shumë se të mëparshmet.» (Zbulesa 2:4, 18, 19) Pra, le të mos jemi të vakët në lidhje me dedikimin tonë, por të jemi «të zjarrtë në frymë», të zellshëm deri në fund—dhe fundi është afër!—Romakëve 12:11; Zbulesa 3:15, 16.

[Shënimet]

^ par. 2 Shih Kullën e Rojës, 15 prill 1987, faqe 31, anglisht.

^ par. 7 Shih Kullën e Rojës, 15 mars 1980, faqet 8-11, anglisht, për një tregim të hollësishëm të jetës së Ernest Bivërit.

^ par. 9 Shih Librin vjetor të Dëshmitarëve të Jehovait 1978, faqet 156-158, 201-218, botuar nga Watchtower Bible and Tract Society of New York, Inc., anglisht.

A ju kujtohet?

• Çfarë përfshin dedikimi?

• Cilët shembuj të lashtë e modernë të shërbëtorëve të dedikuar të Perëndisë e meritojnë t’i imitojmë?

• Si duhet ta konsiderojmë shërbimin tonë ndaj Perëndisë?

• Cila duhet të jetë vendosmëria jonë në lidhje me dedikimin ndaj Perëndisë?

[Pyetjet]

[Figura në faqen 15]

Jeremia qëndroi besnik me gjithë trajtimin e tmerrshëm

[Figura në faqen 16]

Ernest Bivër u la fëmijëve të tij shembullin si i krishterë i zellshëm

[Figura në faqen 17]

Qindra të rinj Dëshmitarë në burgjet spanjolle mbajtën integritetin e tyre

[Figurat në faqen 18]

Le t’i shtojmë çdo dite diçka pozitive në kuptimin frymor