Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Kam shërbyer kudo që kishte nevojë

Kam shërbyer kudo që kishte nevojë

Jetëshkrim

Kam shërbyer kudo që kishte nevojë

TREGUAR NGA XHEJMS B. BERRI

Ishte viti 1939. Kriza e Madhe po e vështirësonte jetën në Shtetet e Bashkuara dhe retë e luftës po mblidheshin mbi Evropë. Unë dhe vëllai më i vogël, Beneti, kishim ikur nga shtëpia jonë në Misisipi për në Hjuston, Teksas, që të kërkonim punë.

NJË ditë, aty nga fundi i verës, nga radioja u dëgjua me zë të çjerrë një njoftim rrëqethës: ushtritë e Hitlerit kishin hyrë në Poloni. «Filloi Harmagedoni!»—thirri vëllai im. Menjëherë, e lamë punën. Shkuam në Sallën më të afërt të Mbretërisë dhe ndoqëm mbledhjen tonë të parë. Përse në një Sallë Mbretërie? Më lejoni të filloj nga e para.

Kam lindur në Hebron, Misisipi, në vitin 1915. Jetonim në një fshat. Studentët e Biblës, siç quheshin atëherë Dëshmitarët e Jehovait, vinin në atë zonë rreth një herë në vit dhe merrnin masa që të mbahej një fjalim në shtëpinë e dikujt. Rrjedhimisht, prindërit e mi kishin shumë botime biblike. Unë dhe Beneti i besonim ato që mësonin këta libra: ferri nuk është i zjarrtë; shpirti vdes; të drejtët do të jetojnë në tokë përgjithmonë. Megjithatë, kishim ende shumë për të mësuar. Pak kohë pasi mbarova shkollën, unë dhe vëllai u nisëm për në Teksas, që të kërkonim punë.

Kur, më në fund, i takuam Dëshmitarët në Sallën e Mbretërisë, na pyetën nëse ishim pionierë. As që e dinim se një pionier ishte shërbëtor i plotkohor i Dëshmitarëve të Jehovait. Pastaj, na pyetën nëse do të na pëlqente të predikonim. «Patjetër!»—u përgjigjëm. Menduam se do të na dërgonin me ndonjë që të na mësonte si të predikonim. Në vend të kësaj, ata thjesht na dhanë një hartë territori dhe na thanë: «Punoni këtu.» Unë dhe Beneti nuk dinim fare si predikohej dhe e urrenim mendimin që të viheshim në siklet. Në fund, s’bëmë gjë tjetër veçse e postuam hartën e territorit në një kuti postare dhe u kthyem në Misisipi!

E bëjmë tonën të vërtetën

Pasi u kthyem në shtëpi, i lexuam botimet e Dëshmitarëve çdo ditë për pothuajse një vit. Në shtëpi nuk kishim elektricitet, kështu që natën lexonim nën dritën e zjarrit. Në ato ditë, mbikëqyrësit udhëtues vizitonin kongregacionet e Dëshmitarëve të Jehovait dhe Dëshmitarët në zonat e izoluara për t’i forcuar frymësisht. Njëri nga këta mbikëqyrës, Ted Klajni, vizitoi kongregacionin tonë dhe na shoqëroi, mua dhe Benetin, në predikimin shtëpi më shtëpi, shpesh duke na marrë që të dyve me vete. Ai na shpjegoi çfarë ishte vepra e pionierit.

Shoqërimi me të na vuri vërtet në mendime se si mund të bënim më shumë për t’i shërbyer Perëndisë. Kështu ndodhi që më 18 prill 1940, vëllai Klajn na pagëzoi, mua, Benetin dhe motrën tonë, Velvën. Prindërit ishin të pranishëm gjatë pagëzimit dhe qenë të lumtur për vendimin tonë. Rreth dy vjet më vonë, edhe ata u pagëzuan. Që të dy i qëndruan besnikë Perëndisë derisa vdiqën: babai në vitin 1956 dhe mamaja në vitin 1975.

Kur vëllai Klajn më pyeti nëse mund të shërbeja si pionier, i thashë se do të më pëlqente, por nuk kisha para, rroba, me një fjalë nuk kisha asgjë. «S’ka problem,—tha ai,—do ta rregulloj unë këtë punë.» Dhe kështu bëri. Së pari dorëzoi kërkesën që plotësova unë për të shërbyer si pionier. Pastaj më mori me vete në Nju-Orleans, rreth 300 kilometra larg dhe më tregoi disa apartamente të këndshme sipër një Salle Mbretërie. Ato ishin rezervuar për pionierët. Pas pak kohe, u transferova atje dhe fillova karrierën time si pionier. Dëshmitarët në Nju-Orleans ndihmonin duke u dhënë pionierëve rroba, para dhe ushqime. Gjatë ditës, vëllezërit sillnin ushqime dhe i linin te dera ose na i vinin edhe në frigorifer. Një vëlla që kishte një restorant aty afër, na ftonte që të shkonim gjithnjë në kohën që mbyllej, për të marrë ushqim të freskët që mbetej nga dita, si: mish, bukë, kimë me spec djegës dhe strudel.

Hasim dhunë nga turmat

Pas njëfarë kohe, më caktuan në Xhekson, Misisipi, si pionier. Atje, unë dhe shoku im i shërbimit, që ishte i ri në moshë, hasëm dhunë nga turmat dhe dukej se punonjësit vendës të policisë mbanin anën e tyre. Një gjë e ngjashme ndodhi në caktimin tjetër në Kolumbus, Misisipi. Meqë u predikonim njerëzve të çdo race dhe kombësie, disa njerëz të racës së bardhë na urrenin. Shumë veta besonin se ishim fajtorë për nxitje kryengritjeje. Këtë pikëpamje e kishte edhe komandanti i repartit të Legjionit Amerikan, një organizatë veteranësh shumë patriote. Disa herë ai nxiti turma të zemëruara që të na sulmonin.

Herën e parë që na sulmuan në Kolumbus, një turmë na erdhi pas ndërsa po ofronim revista në rrugë. Ata na shtynë deri te vitrina e një dyqani. Shumë të tjerë u mblodhën për të parë çfarë po ndodhte. Shpejt ia mbërriti policia dhe na çoi në gjykatë. Turma, duke na ndjekur në gjykatë, na njoftoi para gjithë policisë se, nëse iknim nga qyteti brenda një date të caktuar, do të mund të shpëtonim lëkurën tonë, pra, të shpëtonim gjallë. Nëse nuk iknim brenda asaj date, do ta linim lëkurën atje! Menduam se më e mira ishte të iknim nga qyteti për njëfarë kohe. Por, disa javë më pas, u kthyem dhe filluam përsëri predikimin.

Jo shumë kohë më pas, një bandë prej tetë burrash na sulmoi dhe na detyroi të hipnim në dy makinat që kishte. Na çuan në një pyll, na hoqën rrobat dhe na dhanë nga 30 goditje me rripin tim të pantallonave. Kishin me vete edhe armë e litarë dhe nuk e mohoj se u frikësuam shumë. Mendova se do të na lidhnin me litarë dhe do të na hidhnin në lumë. Ata na e grisën literaturën e, madje, na bënë copa-copa edhe gramafonin duke e përplasur pas trungut të një peme.

Pasi na rrahën, na thanë të visheshim dhe të ecnim në një shteg pylli pa shikuar prapa. Ndërsa ecnim, e mendonim me tërë mend se po të guxonim ta kthenim kokën prapa, do të na qëllonin, ndërsa vetë do të shpëtonin pa u ndëshkuar. Por, pas disa minutash, dëgjuam që u larguan me makina.

Në një rast tjetër, një turmë e zemëruar na ndoqi dhe na u desh t’i lidhnim rrobat rreth qafës e të notonim nëpër një lumë, që t’u shpëtonim. Jo shumë kohë pas kësaj, na arrestuan nën akuzën për nxitje kryengritjeje. Kaluam tri javë në burg para se të na bëhej gjyqi. Ngjarjes iu bë shumë bujë në Kolumbus. Madje, një kolegj aty afër i lejoi studentët e tij që të dilnin shpejt nga shkolla atë ditë për të ndjekur gjyqin. Kur erdhi dita, salla e gjyqit ishte mbushur plot e përplot dhe kishte vend vetëm për të ndenjur në këmbë. Ata që dëshmonin për shtetin përfshinin dy predikues, kryetarin e bashkisë dhe policinë.

Një avokat Dëshmitar me emrin G. C. Klark dhe shoku i tij u dërguan të na përfaqësonin. Ata kërkuan që akuzat për nxitje kryengritjeje të mos merreshin në shqyrtim, pasi mungonin provat. Avokati që punonte me vëllanë Klark, ndonëse nuk ishte vetë Dëshmitar i Jehovait, bëri deklarata të fuqishme në mbrojtjen tonë. Në një rast, ai i tha gjykatësit: «Njerëzit thonë se Dëshmitarët e Jehovait janë të çmendur. Të çmendur? Edhe Tomas Edisonin e akuzuan se ishte i çmendur!» Pastaj tregoi një llambë të fiksuar në mur dhe tha: «Por, shiheni atë poç llambe!» Edisoni, i cili shpiku llambën mund të jetë konsideruar i çmendur nga disa, por askush nuk ishte në gjendje të vinte në diskutim arritjet e tij.

Pasi dëgjoi dëshminë, gjyqtari kryesues i gjykatës së qarkut i tha prokurorit: «Ju nuk keni as një grimcë prove për nxitje kryengritjeje dhe ata kanë të drejtën e tyre për ta bërë këtë vepër. Mos i sillni më në këtë dhomë gjyqi për të harxhuar paratë dhe kohën e shtetit, si edhe kohën time, nëse nuk keni prova!» Fitore për ne!

Gjithsesi, më pas gjyqtari na thirri në dhomën e tij. E dinte se i gjithë qyteti ishte kundër vendimit të tij. Prandaj, na paralajmëroi: «Ajo që thashë ishte në përputhje me ligjin, por këshilla personale që mund t’ju jap të dyve është: ikni që këtu ose, përndryshe, do t’ju vrasin!» E dinim se kishte të drejtë, kështu që ikëm nga qyteti.

Prej aty, shkova te Beneti dhe Velva, të cilët po shërbenin në Klarksvil, Tenesi, si pionierë specialë. Pas disa muajsh, na caktuan në Paris, Kentaki. Një vit e gjysmë më vonë, sapo ishim duke formuar një kongregacion atje, kur unë dhe Beneti morëm një ftesë shumë të veçantë.

Në shërbimin misionar

Kur pamë ftesën për të ndjekur klasën e dytë të Shkollës Biblike Watchtower të Galaadit, menduam: ‘Do të kenë bërë një gabim! Përse do të ftonin në atë shkollë dy djem të rinj të thjeshtë nga Misisipi?’ Kishim menduar se atje donin njerëz të arsimuar, por, gjithsesi, shkuam. Klasa ishte me 100 studentë dhe kursi zgjati pesë muaj. Diplomimi u bë më 31 janar 1944 dhe ishim të paduruar për të shërbyer në një fushë të huaj. Por, në ato ditë, dokumentet për pasaportë dhe për vizë donin shumë kohë të dilnin, kështu që përkohësisht studentët i caktuan në Shtetet e Bashkuara. Pasi shërbyem për disa kohë si pionierë në Alabamë dhe në Xhorxhia, unë dhe Beneti më në fund morëm caktimin në Barbados, Inditë Perëndimore.

Lufta II Botërore ishte ende në zhvillim dhe vepra, si edhe literatura e Dëshmitarëve të Jehovait ishte e ndaluar në shumë vende, duke përfshirë edhe Barbadosin. Në doganën atje, nëpunësit hapën dhe kontrolluan bagazhet tona dhe gjetën literaturën që kishim fshehur aty. Menduam: «Tani mbaruam!» Në vend të kësaj, një nëpunës thjesht na tha: «Na vjen keq që na u desh të kontrollonim gjithë bagazhin tuaj; një pjesë e kësaj literature është e ndaluar në Barbados.» Megjithatë, na la të hynim në vend me të gjithë literaturën që kishim me vete. Më vonë, kur u dhamë dëshmi zyrtarëve qeveritarë, na thanë se nuk e dinin përse ishte ndaluar literatura. Pas disa muajsh, ndalimi u hoq.

Patëm shumë sukses në shërbimin në Barbados. Drejtonim të paktën 15 studime biblike secili dhe shumica e studentëve bënë përparim frymësisht. Ishim të lumtur të shihnim disa që vinin në mbledhjet e kongregacionit. Megjithatë, duke qenë se literatura kishte qenë e ndaluar për ca kohë, vëllezërve atje u mungonte kuptueshmëria e deriatëhershme se si duheshin drejtuar mbledhjet. Por, s’kaloi shumë dhe patëm mundësi të stërvitnim disa vëllezër të aftë. Patëm kënaqësinë të ndihmonim shumë nga studentët tanë të fillonin shërbimin e krishterë dhe të shihnim kongregacionin të rritej.

Ngre familje

Pas rreth 18 muajsh që gjendesha në Barbados, kisha nevojë për një operacion dhe m’u desh të kthehesha në Shtetet e Bashkuara. Ndërkohë që isha atje, u martova me një Dëshmitare me emrin Dorothi, me të cilën kisha pasur korrespondencë me letra. Pastaj, unë dhe ime shoqe shërbyem si pionierë në Tallahasi, Florida, por pas gjashtë muajsh u transferuam në Luisvil, Kentaki, ku një Dëshmitar më kishte ofruar punë. Vëllai im, Beneti, e vazhdoi shërbimin e tij në Barbados për shumë vjet. Më vonë, u martua me një misionare dhe shërbeu në veprën udhëtuese në ishuj. Së fundi, atyre iu desh të ktheheshin në Shtetet e Bashkuara për arsye shëndeti. Vazhduan t’u shërbenin kongregacioneve të gjuhës spanjolle në veprën udhëtuese deri në vdekjen e Benetit, në vitin 1990, në moshën 73-vjeçare.

Në vitin 1950 Dorothia solli në jetë fëmijën tonë të parë, një vajzë së cilës ia vumë emrin Daril. Së fundi patëm pesë fëmijë. Djali i dytë, Derriku, vdiq kur ishte vetëm 2 vjeç e gjysmë nga meningjiti i shtyllës kurrizore. Por, në vitin 1956 lindi Lesli dhe në vitin 1958, Evereti. Unë dhe Dorothia u përpoqëm t’i rritnim fëmijët në udhën e së vërtetës biblike. Përpiqeshim gjithnjë të kishim një program javor të studimit familjar të Biblës dhe ta bënim interesant për të gjithë fëmijët. Kur Darili, Lesli dhe Evereti ishin ende të vegjël, u jepnim pyetje që të bënin kërkime çdo javë dhe të përgjigjeshin javën vijuese. Gjithashtu, interpretonin prezantime të predikimit nga shtëpia në shtëpi. Njëri shkonte në dollapin e rrobave dhe bënte sikur ishte i zoti i shtëpisë. Tjetri rrinte jashtë dhe trokiste. Përdornin shprehje komike për të vënë në siklet njëri-tjetrin, por kjo i ndihmoi të zhvillonin një dashuri për veprën e predikimit. Gjithashtu, predikonim rregullisht me ta.

Kur na lindi djali më i vogël, Eltoni, në vitin 1973, Dorothia ishte pothuajse 50 vjeçe dhe unë po i afrohesha të 60-ave. Në kongregacion na thërritnin Abrahami dhe Sara. (Zanafilla 17:15-17) Djemtë më të mëdhenj shpesh e merrnin me vete Eltonin në shërbim. E ndienim se ishte një dëshmi e fuqishme për njerëzit që të shikonin familje të tëra, vëllezër e motra, prindër e fëmijë, që punonin së bashku, duke ndarë të vërtetat biblike me të tjerët. Vëllezërit e mëdhenj të Eltonit e bënin me radhë për ta mbajtur kaliqafë, duke i vënë një fletushkë biblike në dorë. Njerëzit pothuajse gjithnjë dëgjonin, kur hapnin derën dhe shikonin këtë vogëlush të bukur hipur mbi supet e vëllait të tij të madh. Djemtë i mësuan Eltonit t’ia jepte fletushkën personit kur të mbaronte biseda dhe të thoshte disa fjalë. Në këtë mënyrë ai filloi të predikonte.

Gjatë viteve, kemi pasur mundësi të ndihmonim që të tjerët të arrinin të njihnin Jehovain. Në fund të viteve 70, u transferuam nga Luisvili në Shelbivil, Kentaki, për të shërbyer në një kongregacion ku kishte nevojë. Ndërsa ishim atje, jo vetëm që pamë rritje në kongregacion, por edhe ndihmuam për të gjetur një terren dhe për të ndërtuar një Sallë Mbretërie. Më vonë, na u kërkua të shërbenim në një kongregacion tjetër, jo larg që andej.

Pasiguri të jetës familjare

Do të më pëlqente të thosha se të gjithë fëmijët tanë qëndruan në udhën e Jehovait, por nuk ndodhi kështu. Pasi u rritën dhe u larguan nga shtëpia, tre nga katër fëmijët që na mbetën e lanë udhën e së vërtetës. Megjithatë, një nga djemtë, Evereti, ndoqi shembullin tim dhe hyri në shërbimin e plotkohor. Më vonë, ai shërbeu në selinë botërore të Dëshmitarëve të Jehovait në Nju-Jork dhe në vitin 1984, e ftuan të ndiqte klasën e 77-të të Galaadit. Pas diplomimit, shkoi në caktimin e tij në Sierra-Leone, në Afrikën Perëndimore. Në vitin 1988, u martua me Marianën, një pioniere nga Belgjika. Që nga ajo kohë kanë shërbyer së bashku si misionarë.

Siç mund ta imagjinojë çdo prind, ishte shkurajuese për ne të shihnim që tre nga fëmijët tanë e lanë udhën e jetës, e cila është e kënaqshme tani dhe ka shpresën e bukur të jetës së përhershme në një tokë parajsore në të ardhmen. Disa herë ia vija fajin vetes. Por gjeta ngushëllim duke e ditur se edhe disa nga pasardhësit frymorë ose engjëjt e Jehovait nuk i shërbyen më atij, ndonëse Jehovai disiplinon me dashuri dhe me dashamirësi e nuk bën kurrë gabime. (Ligji i përtërirë 32:4; Gjoni 8:44; Zbulesa 12:4, 9) Kjo më ka ngulitur në mendje që, ndonëse prindërit mund të përpiqen fort që t’i rritin fëmijët e tyre në udhën e Jehovait, disa prapëseprapë mund të refuzojnë ta pranojnë të vërtetën.

Si një pemë që goditet nga erëra të forta, neve na duhet t’u përshtatemi vështirësive dhe problemeve të ndryshme që na ndodhin. Gjatë viteve, kam parë se studimi i rregullt i Biblës dhe prania në mbledhje më jep atë forcë që duhet për t’u përshtatur dhe për të mbijetuar frymësisht. Ndërsa plakem dhe shoh gabimet që kam bërë në të kaluarën, përpiqem të shoh anën pozitive. Në fund të fundit, nëse qëndrojmë besnikë, këto përvoja vetëm sa na e rritin zhvillimin frymor. Nëse mësojmë prej tyre, aspektet negative të jetës mund të kenë edhe disa aspekte pozitive.—Jakovit 1:2, 3.

Tani, unë dhe Dorothia nuk kemi më shëndetin ose forcën për të bërë atë që do të na pëlqente në shërbim të Jehovait. Por jemi mirënjohës për mbështetjen e vëllezërve tanë të dashur të krishterë dhe motrave. Pothuajse në çdo mbledhje, vëllezërit na thonë sa shumë e çmojnë faktin që jemi atje. Gjithashtu, ata ofrohen të na ndihmojnë në çdo mënyrë të mundshme, madje, edhe me riparime të shtëpisë dhe të makinës.

Ndonjëherë kemi mundësi të shërbejmë si pionierë ndihmës dhe të drejtojmë studime me të interesuarit. Një dhuratë speciale që na pëlqen gjithnjë është të marrim lajme nga djali ynë që shërben në Afrikë. E kemi ende studimin familjar të Biblës, ndonëse tani jemi vetëm dy veta. Jemi të lumtur që i kemi kushtuar tërë ato vite në shërbim të Jehovait. Ai na siguron se nuk do ta ‘harrojë veprën tonë dhe dashurinë që treguam për emrin e tij’.—Hebrenjve 6:10.

[Figura në faqen 25]

Velva, Beneti dhe unë, ndërsa po na pagëzon Ted Klajni, më 18 prill 1940

[Figurat në faqen 26]

Me gruan time, Dorothinë, në fillim të viteve 40 dhe në vitin 1997

[Figura në faqen 27]

Fjalimi «Princi i paqes» reklamohet në një autobus urban në Barbados

[Figura në faqen 27]

Vëllai im, Beneti, para shtëpisë misionare