Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Kërkoni Jehovain përpara ditës së zemërimit të tij

Kërkoni Jehovain përpara ditës së zemërimit të tij

Kërkoni Jehovain përpara ditës së zemërimit të tij

«Kërkoni Jehovain . . . Kërkoni drejtësinë, kërkoni butësinë. Mbase mund të jeni të fshehur ditën e zemërimit të Jehovait.»—SOFONIA 2:3, BR.

1. Cila ishte gjendja frymore e Judës kur Sofonia filloi veprën e tij si profet?

SOFONIA e filloi veprën e tij si profet në një kohë kritike të historisë së Judës. Gjendja frymore e kombit ishte në një nivel të ulët. Në vend që ta vinin besimin te Jehovai, njerëzit u drejtoheshin për udhëheqje priftërinjve paganë dhe astrologëve. Adhurimi i Baalit, me ritet e tij të pjellorisë, ishte përhapur kudo në vend. Udhëheqësit civilë, domethënë princat, fisnikët dhe gjyqtarët, shtypnin tamam ata persona që kishin për detyrë t’i mbronin. (Sofonia 1:9; 3:3) S’është për t’u çuditur që Jehovai vendosi të ‘shtrinte dorën e tij’ kundër Judës dhe Jerusalemit, me qëllim që t’i shkatërronte.—Sofonia 1:4.

2. Çfarë shprese kishin shërbëtorët besnikë të Perëndisë në Judë?

2 Megjithatë, sado e keqe që ishte situata, kishte një grimë shprese. Tani në fron ishte Josia, biri i Amonit. Ndonëse ishte vetëm një djalë i ri, Josia e donte vërtet Jehovain. Sa do të merrnin zemër ata pak persona që po i shërbenin me besnikëri Perëndisë, nëse mbreti i ri do ta rivendoste adhurimin e pastër në Judë! Edhe të tjerë mund të shtyheshin të bashkoheshin me ta dhe të shpëtonin në ditën e zemërimit të Jehovait.

Kërkesat për të shpëtuar

3, 4. Cilat janë tri kërkesat që duhet të plotësojë një person për të qenë i kursyer në «ditën e zemërimit të Jehovait»?

3 A ka vërtet mundësi që disa individëve t’u kursehet jeta në ditën e zemërimit të Jehovait? Po, në rast se do të plotësojnë tri kushtet e theksuara te Sofonia 2:2, 3. Ndërsa lexojmë këto vargje, le t’u kushtojmë vëmendje të veçantë këtyre kërkesave. Sofonia shkroi: «Para se dekreti të lindë diçka, para se dita të ketë kaluar si byku, para se të vijë mbi ju njerëz zemërimi i zjarrtë i Jehovait, para se të vijë mbi ju dita e zemërimit të Jehovait, kërkoni Jehovain, të gjithë ju të butët e tokës që keni praktikuar vendimin e Tij gjyqësor. Kërkoni drejtësinë, kërkoni butësinë. Mbase mund të jeni të fshehur ditën e zemërimit të Jehovait.»—BR.

4 Pra, që të shpëtonte, një person duhej: (1) të kërkonte Jehovain, (2) të kërkonte drejtësinë dhe (3) të kërkonte butësinë. Këto kërkesa duhet të na interesojnë shumë sot. Pse? Sepse, pikërisht ashtu si Juda dhe Jerusalemi përballuan një ditë llogaridhënieje në shekullin e shtatë p.e.s., kombet e të ashtuquajturit krishterim, e në fakt të gjithë të ligjtë, po i drejtohen ballafaqimit me Perëndinë Jehova, në ‘shtrëngimin e madh’ që po vjen. (Mateu 24:21) Çdonjëri që dëshiron të jetë i fshehur në atë kohë, duhet të veprojë në mënyrë të vendosur tani. Si? Duke kërkuar Jehovain, duke kërkuar drejtësinë dhe duke kërkuar butësinë para se të jetë tepër vonë.

5. Çfarë përfshin sot ‘të kërkojmë Jehovain’?

5 Ju mund të thoni: ‘Unë jam një shërbëtor i dedikuar dhe i pagëzuar i Perëndisë, një Dëshmitar i Jehovait. A nuk i kam plotësuar tashmë këto kërkesa?’ Në të vërtetë përfshihet më shumë sesa vetëm t’i dedikohemi Jehovait. Izraeli ishte një komb i dedikuar, por, në ditët e Sofonisë, populli i Judës nuk po jetonte në lartësinë e atij dedikimi. Për pasojë, përfundimisht kombi u hodh poshtë. Sot, ‘të kërkojmë Jehovain’ përfshin edhe të zhvillojmë dhe të mbajmë një marrëdhënie të ngrohtë personale me të, në shoqëri me organizatën e tij tokësore. Do të thotë të arrijmë të kuptojmë se si i shikon Perëndia çështjet dhe të jemi të vëmendshëm ndaj ndjenjave të tij. E kërkojmë Jehovain kur studiojmë me kujdes Fjalën e tij, meditojmë rreth saj dhe i zbatojmë në jetë këshillat e saj. Ndërsa e kërkojmë udhëheqjen e Jehovait edhe me lutje të zjarrta dhe ndjekim drejtimin e frymës së tij të shenjtë, marrëdhënia jonë me të thellohet dhe nxitemi t’i shërbejmë ‘me gjithë zemrën, shpirtin dhe forcën tonë’.—Ligji i përtërirë 6:5; Galatasve 5:22-25; Filipianëve 4:6, 7; Zbulesa 4:11.

6. Si e ‘kërkojmë drejtësinë’ dhe përse kjo është e mundur të arrihet edhe në këtë botë?

6 Kërkesa e dytë, e përmendur te Sofonia 2:3 është «kërkoni drejtësinë». Shumica prej nesh kanë bërë ndryshime të rëndësishme për t’u kualifikuar deri në pagëzimin e krishterë, por duhet të vazhdojmë të përkrahim normat e drejta të Perëndisë gjatë gjithë jetës sonë. Disa që filluan mirë në këtë anë e kanë lejuar veten që të ndoten nga bota. Nuk është e lehtë të kërkojmë drejtësinë, pasi jemi të rrethuar nga njerëz që i shohin si një gjë normale imoralitetin seksual, gënjeshtrën dhe mëkate të tjera. Megjithatë, dëshira e fortë për t’i pëlqyer Jehovait mund të mposhtë çdo prirje për të kërkuar miratimin e botës duke u përpjekur të përzihemi me të. Juda e humbi miratimin e Perëndisë, sepse u përpoq të imitonte kombet e paperëndishme fqinje. Prandaj, në vend që të imitojmë botën, le të jemi «imitues të Perëndisë», duke kultivuar «personalitetin e ri, i cili u krijua sipas vullnetit të Perëndisë në drejtësi dhe besnikëri të vërtetë».—Efesianëve 4:24; 5:1.

7. Si e ‘kërkojmë butësinë’?

7 Pika e tretë që theksohet te Sofonia 2:3 është se, nëse duam të jemi të fshehur në ditën e zemërimit të Jehovait, duhet të ‘kërkojmë butësinë’. Çdo ditë takojmë burra, gra dhe të rinj që nuk janë aspak të butë. Për ta, të jesh zemërbutë është një e metë. Nënshtrimi shihet si një dobësi serioze. Ata janë kërkues, egoistë dhe kokëfortë, duke besuar se «të drejtat» dhe shijet e tyre personale duhen plotësuar me çdo kusht. Sa e trishtueshme do të ishte sikur disa nga këto qëndrime të kalonin edhe te ne! Kjo është koha për të ‘kërkuar butësinë’. Si? Duke iu nënshtruar Perëndisë, duke pranuar me përulësi disiplinën e tij dhe duke u vënë në përputhje me vullnetin e tij.

Përse «mbase» mund të jemi të fshehur?

8. Çfarë tregon përdorimi i fjalës «mbase» te Sofonia 2:3?

8 Vini re se te Sofonia 2:3 thuhet: «Mbase mund të jeni të fshehur ditën e zemërimit të Jehovait.» Pse përdoret fjala «mbase» duke iu drejtuar ‘të butëve të tokës’? Mirë, pra, ata të butë kishin ndërmarrë hapa pozitivë, por nuk kishte vend për të pasur siguri te vetja. Nuk e kishin përfunduar ende rrugën e jetës së tyre me besnikëri. Ekzistonte mundësia që disa nga ata të binin në mëkat. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për ne. Jezui tha: «Ai që ka qëndruar deri në fund, është ai që do të shpëtojë». (Mateu 24:13) Po, shpëtimi në ditën e zemërimit të Jehovait varet nga fakti nëse do të vazhdojmë apo jo të bëjmë atë që është e drejtë në sytë e tij. A është kjo vendosmëria juaj e palëkundur?

9. Cilat hapa të drejtë ndërmori mbreti i ri Josia?

9 Duket se, në përgjigje të fjalëve të Sofonisë, mbreti Josia u nxit të ‘kërkonte Jehovain’. Shkrimet thonë: «Në vitin e tetë të mbretërimit të tij, kur [Josia] ende ishte djalosh [rreth 16 vjeç], filloi të kërkojë Perëndinë e Davidit, atit të tij.» (2 Kronikave 34:3) Gjithashtu, Josia vazhdoi të ‘kërkonte drejtësinë’, sepse lexojmë: «Në vitin e dymbëdhjetë [kur Josia ishte rreth 20 vjeç] filloi ta pastrojë Judën dhe Jerusalemin nga vendet e larta, nga Asherimët, nga shëmbëlltyrat e gdhendura dhe nga shëmbëlltyrat prej metali të shkrirë. Para tij u shembën altarët e Baalit.» (2 Kronikave 34:3, 4) Veç kësaj, Josia ‘kërkoi butësinë’, duke vepruar me përulësi për t’i pëlqyer Jehovait me anë të pastrimit të vendit nga idhujtaria dhe nga praktikat e tjera të rreme fetare. Sa duhet të jenë gëzuar personat e tjerë të butë për këto zhvillime!

10. Çfarë ndodhi në Judë në vitin 607 p.e.s., por cilët u kursyen?

10 Gjatë mbretërimit të Josisë, shumë judenj u rikthyen te Jehovai. Megjithatë, pas vdekjes së mbretit, shumica u rikthyen në rrugët e tyre të vjetra, në praktika krejt të papranueshme për Perëndinë. Siç e kishte dekretuar Jehovai, në vitin 607 p.e.s., babilonasit e pushtuan Judën dhe e shkatërruan kryeqytetin e saj, Jerusalemin. Megjithatë, nuk kishte marrë fund çdo gjë. Profeti Jeremia, etiopasi Ebed-Melek, pasardhësit e Jonadabit dhe persona të tjerë që i ishin besnikë Perëndisë u fshehën në atë ditë të zemërimit të Jehovait.—Jeremia 35:18, 19; 39:11, 12, 15-18.

Armiq të Perëndisë: Mbani vesh!

11. Përse është një sfidë t’i mbetemi besnikë Perëndisë sot, por çfarë do të bënin mirë të shqyrtonin armiqtë e popullit të Jehovait?

11 Ndërsa presim ditën e zemërimit të Jehovait mbi këtë sistem të lig, ne ‘hasim sprova të ndryshme’. (Jakovit 1:2) Në disa vende që pretendojnë se e vlerësojnë lirinë e adhurimit, klerikët dredharakë kanë përdorur ndikimin e tyre tek autoritetet me qëllim që të përndjekin egërsisht popullin e Perëndisë. Njerëz të paskrupullt shpifin kundër Dëshmitarëve të Jehovait, duke i etiketuar si një «kult i rrezikshëm». Perëndia është në dijeni të veprimeve të tyre, të cilat nuk do të mbeten pa u ndëshkuar. Armiqtë e tij do të bënin mirë të shqyrtonin atë që u ndodhi armiqve të lashtë të popullit të tij, siç ishin filistenjtë. Në profeci thuhet: «Sepse Gaza do të braktiset dhe Ashkeloni do të bëhet një shkreti; do të dëbojnë Ashdodin me dhunë në mes të ditës, dhe Ekroni do të çrrënjoset.» Qytetet filisteje, si Gaza, Ashkeloni, Ashdodi dhe Ekroni, do të shkretoheshin.—Sofonia 2:4-7.

12. Çfarë i ndodhi Filistesë, Moabit dhe Amonit?

12 Profecia vazhdon: «Kam dëgjuar përbuzjen e Moabit dhe fyerjet e rënda të bijve të Amonit, me të cilat kanë fyer popullin tim dhe janë zmadhuar në dëm të territorit të tyre.» (Sofonia 2:8) Vërtet, Egjipti dhe Etiopia vuajtën nga dora e pushtuesve babilonas. Por, cili ishte gjykimi i Perëndisë kundër Moabit dhe Amonit, kombe që dolën nga nipi i Abrahamit, Loti? Jehovai paratha: «Me siguri Moabi do të jetë si Sodoma dhe bijtë e Amonit si Gomorra.» Ndryshe nga paraardhëset e tyre, dy vajzat e Lotit, të cilat mbijetuan në shkatërrimin e Sodomës dhe Gomorrës, Moabi dhe Amoni krenar nuk do t’u fshiheshin gjykimeve të Perëndisë. (Sofonia 2:9-12; Zanafilla 19:16, 23-26, 36-38) Ku është sot Filisteja dhe ku janë qytetet e saj? Ç’mund të themi për Moabin dhe Amonin, që dikur ishin krenarë? Sado t’i kërkoni, nuk mund t’i gjeni dot.

13. Cili zbulim arkeologjik u bë në Ninevi?

13 Në ditët e Sofonisë, Perandoria Asiriane ishte në kulmin e fuqisë së saj. Duke përshkruar një pjesë të një pallati mbretëror që kishte zbuluar në kryeqytetin asirian, në Ninevi, arkeologu Ostën Lejard shkroi: «Tavanet . . . ishin të ndara në ndarje katrore, të pikturuara me lule ose me figura kafshësh. Disa ishin të zbukuruara me fildish dhe çdo ndarje ishte e rrethuar nga bordura dhe derdhje elegante. Trarët, si edhe faqet e dhomave, mund të kenë qenë të lara ose edhe të veshura me ar e argjend; dhe për punimet me dru ishin përdorur drurë të rrallë, ndër të cilët cedri ishte më i spikatshmi.» Megjithatë, siç ishte parathënë në profecinë e Sofonisë, Asiria do të shkatërrohej dhe kryeqyteti i saj, Ninevia, do të bëhej një «shkreti».—Sofonia 2:13.

14. Si u përmbush profecia e Sofonisë për Ninevinë?

14 Vetëm 15 vjet pasi Sofonia tha këtë profeci, Ninevia e fuqishme u shkatërrua dhe pallati i saj mbretëror u katandis në një rrënojë. Po, ai qytet krenar u kthye në pluhur. Përmasat e shkretimit u parathanë në mënyrë të gjallë me këto fjalë: «Si pelikani ashtu dhe çafka [ferrëgjati, BR] do të kalojnë natën mbi kapitelet e shtyllave [të rrëzuara] të tij; zëri i tyre do të dëgjohet në dritare; shkretimi do të jetë mbi pragje.» (Sofonia 2:14, 15) Ndërtesat hijerënda të Ninevisë do të shërbenin vetëm si vend banimi për pelikanët dhe për ferrëgjatët. Në rrugët e qytetit nuk do të dëgjoheshin më zhurmat e tregtarëve, britmat e luftëtarëve, këngët e priftërinjve. Në ato rrugë kryesore, dikur plot gjallëri, do të dëgjohej vetëm një zë që këndon frikshëm në dritare, ndoshta kënga vajtuese e një zogu ose ulërima e erës. Në mënyrë të ngjashme përfundofshin të gjithë armiqtë e Perëndisë!

15. Çfarë mund të mësojmë nga ajo që i ndodhi Filistesë, Moabit, Amonit dhe Asirisë?

15 Çfarë mund të mësojmë nga ajo që i ndodhi Filistesë, Moabit, Amonit dhe Asirisë? Mësojmë këtë: si shërbëtorë të Jehovait, nuk kemi pse të frikësohemi nga armiqtë tanë. Perëndia e shikon atë që bëjnë personat që i kundërvihen popullit të tij. Jehovai ndërmori veprime kundër armiqve të tij në të kaluarën dhe gjykimet e tij do të vijnë mbi të gjithë tokën e banuar sot. Por, do të ketë të mbijetuar—‘një shumicë të madhe nga të gjitha kombet’. (Zbulesa 7:9) Ju mund të jeni midis tyre, por vetëm nëse vazhdoni të kërkoni Jehovain, të kërkoni drejtësinë dhe të kërkoni butësinë.

Mjerë keqbërësit e pafytyrë!

16. Çfarë thoshte profecia e Sofonisë për princat e udhëheqësit fetarë të Judës dhe përse këto fjalë i përshtaten të ashtuquajturit krishterim?

16 Profecia e Sofonisë përqendrohet përsëri te Juda dhe Jerusalemi. Te Sofonia 3:1, 2 thuhet: «Mjerë ai që është rebel dhe i ndotur, mjerë qyteti i shtypjes! Ai nuk ka dëgjuar zërin e tij, nuk ka pranuar të ndreqet, nuk ka patur besim te Zoti, nuk i është afruar Perëndisë të vet.» Sa tragjike që njerëzit nuk u kushtuan vëmendje përpjekjeve të Jehovait për t’i disiplinuar! Ashpërsia e princave, e fisnikëve dhe e gjykatësve ishte vërtet e neveritshme. Sofonia e dënoi paturpësinë e udhëheqësve fetarë duke thënë: «Profetët e tij janë mburravecë [të pafytyrë, BR], të pabesë; priftërinjtë e tij kanë përdhosur vendin e shenjtë, kanë dhunuar ligjin.» (Sofonia 3:3, 4) Sa mirë e përshkruajnë këto fjalë gjendjen e profetëve dhe të priftërinjve të të ashtuquajturit krishterim sot! Me pafytyrësi, ata e kanë hequr emrin hyjnor nga përkthimet e tyre të Biblës dhe kanë mësuar doktrina që e paraqesin keq Atë që thonë se adhurojnë.

17. Dëgjojnë apo jo njerëzit, përse duhet të vazhdojmë ta shpallim lajmin e mirë?

17 Duke treguar vlerësim, Jehovai e paralajmëroi popullin e tij të lashtë në lidhje me veprimin që po bëhej gati të ndërmerrte. Ai dërgoi shërbëtorët e tij profetë—ndër të tjerë edhe Sofoninë e Jereminë—që ta nxitnin popullin të pendohej. Pikërisht, «Zoti . . . nuk kryen paudhësi. Çdo mëngjes ai sjell në dritë drejtësinë pa munguar asnjë herë». Cili qe reagimi? «Por i çorodituri nuk njeh turp»,—tha Sofonia. (Sofonia 3:5) Një paralajmërim i ngjashëm po jepet edhe në këtë kohë. Nëse jeni lajmëtarë të lajmit të mirë, ju po bëni pjesën tuaj në këtë vepër paralajmëruese. Vazhdoni ta shpallni lajmin e mirë pa pushim! Dëgjojnë apo jo njerëzit, shërbimi juaj është një sukses nga pikëpamja e Perëndisë për sa kohë që e kryeni me besnikëri atë, dhe nuk keni pse të turpëroheni, ndërsa kryeni me zell veprën e Perëndisë.

18. Si do të përmbushet Sofonia 3:6?

18 Ekzekutimi i gjykimit që do të bëjë Perëndia nuk do të kufizohet me shkretimin e të ashtuquajturit krishterim. Jehovai e shtrin dënimin e tij për të përfshirë të gjitha kombet e tokës: «Kam shfarosur kombet; kalatë e tyre janë shembur; i kam shkretuar rrugët e tyre dhe askush nuk kalon nëpër to; qytetet e tyre janë shkatërruar.» (Sofonia 3:6) Kaq të besueshme janë këto fjalë, saqë Jehovai flet për shkatërrimin sikur të ketë ndodhur tashmë. Çfarë u ndodhi qyteteve të Filistesë, të Moabit dhe të Amonit? Po kryeqytetit të Asirisë, Ninevisë? Shkatërrimi i tyre shërben si një shembull paralajmërues për kombet sot. Perëndia nuk vihet në lojë.

Vazhdoni të kërkoni Jehovain

19. Cilat pyetje që na vënë në mendime mund të bëjmë?

19 Në ditët e Sofonisë, zemërimi i Perëndisë u derdh mbi ata që me ligësi ‘u prishën në të gjitha veprimet e tyre’. (Sofonia 3:7) E njëjta gjë do të ndodhë në kohën tonë. A i shihni dëshmitë se dita e zemërimit të Jehovait është afër? A po vazhdoni ta «kërkoni Jehovain» duke e lexuar Fjalën e tij rregullisht, çdo ditë? A e «kërkoni drejtësinë» duke bërë një jetë të pastër moralisht në harmoni me normat e Perëndisë? Dhe, a po e «kërkoni butësinë» duke shfaqur një qëndrim të butë e të nënshtruar ndaj Perëndisë dhe ndaj rregullimeve të tij për shpëtim?

20. Cilat pyetje do të shqyrtojmë në artikullin e fundit të kësaj serie artikujsh rreth profecisë së Sofonisë?

20 Nëse vazhdojmë me besnikëri të kërkojmë Jehovain, drejtësinë dhe butësinë, mund të presim të gëzojmë bekime të pasura që tani, pikërisht, edhe në këto ‘ditë të fundit’ që na e vënë në provë besimin. (2 Timoteut 3:1-5; Fjalët e urta [Proverbat] 10:22) Por, mund të na vijë në mendje kjo pyetje: ‘Në cilat mënyra po bekohemi si shërbëtorë të Jehovait në kohët e sotme dhe cilat bekime të ardhshme vë profecia e Sofonisë para atyre që do të jenë të fshehur në ditën e zemërimit të Jehovait, e cila po afrohet me të shpejtë?’

Si do të përgjigjeshit?

• Si e ‘kërkojmë Jehovain’?

• Çfarë përfshin të ‘kërkojmë drejtësinë’?

• Si mund ta ‘kërkojmë butësinë’?

• Përse duhet të vazhdojmë të kërkojmë Jehovain, drejtësinë dhe butësinë?

[Pyetjet]

[Figura në faqen 18]

A po e kërkoni Jehovain nëpërmjet studimit të Biblës dhe lutjeve të zjarrta?

[Figura në faqen 21]

Duke qenë se vazhdon ta kërkojë Jehovain, një shumicë e madhe do të mbijetojë në ditën e zemërimit të tij